nyje.al | 29.12.2023
Qindra qytetarë të Kamzës kanë protestuar në bulevardin kryesor të qytetit pasi janë njoftuar pas 4 orësh pritje se abonetë e transportit publik nuk do të shiten as ditën e sotme.
“Jam zgjuar në orën 5 të mëngjesit se na kishin thënë që dalin sot” – u shpreh një qytetare, “mendova se do mbaroja punë shpejt dhe do kisha ditën përpara por mbetëm këtu”.
Të revoltuar nga trajtimi i padrejtë, tallës e thuajse çnjerëzor nga përfaqësuesit e kompanisë së shërbimit të transportit SHPRESA Al kanë bllokuar lëvizjen e urbanëve. Të mbajtur pezull për ditë të tëra dhe në radhë të gjata që ndjellin konflikte të atypëratyshme edhe mes atyre që presin, kanë vendosur ashtu të shumtë të protestojnë deri në momentin që do të shtinin në dorë abonetë e muajit janar. Pasi kanë ndaluar njërën korsi, autobusët kanë lëvizur në korsinë tjetër dhe rrjedhimisht qytetarët kanë bllokuar krejtësisht lëvizjen e tyre.
Forcat policore bashkë me përfaqësues të kompanisë SHPRESA Al janë paraqitur menjëherë në vendngjarje duke tentuar të neutralizojnë revoltën e banorëve. Qytarët i akuzuan edhe ata si fajtorë, si pjesë e shtetit që nuk kujdeset për popullin e tij. Policia ka tentuar me forcë ndaj qytetarëve, e kryesisht të moshuarve të shpërndajë protestën, ndërsa përfaqësuesi i “SHPRESA AL” si gjithmonë është përpjekur të heqë përgjegjësinë nga kompania. Ai ka pohuar se Ministria e Infrastrukturës është përgjegjësja e vetme e vonesave të tilla. Ai ka shtuar se qytetarët e Kamzës nuk janë prioritet i Ministrisë pasi fillimisht Ministria lëshon abonetë e qytetit të Tiranës dhe më pas ato të Kamzës. Duke nënkuptuar kështu që edhe kompania Shpresa Al është ‘pre’ e këtij diskriminimi, ka tentuar të zhvendosë fajin në një institucion tjetër, si mënyrë për ta zgjidhur aty për aty konfliktin.
Mirëpo, siç raportojnë edhe banorët e revoltuar ky argument i përsëritur dhe aspak i ri për veshët e tyre nuk u jep asnjë zgjidhje problemit të tyre disa vjeçarë. Pritja e gjatë dhe pa asnjë informacion të saktë pranë dispeçerive të “SHPRESA Al”-së është tashmë praktikë e stabilizuar. Prej shumë vitesh, çdo fundmuaji ripërsëritet e njëjta situatë: me qindra banorë që presin me orë të tëra në Kamëz për të marrë abonetë e muajit të ardhshëm nën trysninë e që del vetëm për një ditë dhe që rrezikojnë të mos e marrin të gjithë në kohë.
Pavarësisht përpjekjes së panumërt të qytetarëve që të adresojnë shqetësimin e tyre ndaj këtij rasti flagrant të keqtrajtimit të abonentëve të “SHPRESA AL”, kjo kompani, edhe pse me përvojë shumëvjeçare në këtë sektor, nuk ka arritur t’i japë zgjidhje këtij shqetësimi. Banorët që kanë raportuar në redaksinë tonë pohojnë se edhe në rast se është e vërtetë që vonesa e Ministrisë përgjegjëse implikon diskriminim ndaj qytetarëve të Kamzës, kompania e ka për detyrë jo vetëm ta pohojë publikisht këtë rast, por edhe ta raportojë e t’u japë zgjidhje banorëve ndaj të cilëve ka detyrim ligjor.
Përpos shpërndarjes së aboneve, problematika të banorëve lidhur me këtë linjë të transportit urban janë prezente në përditshmëri. Ata shprehen se autobuzët janë të tejmbushur, sidomos në orët e pikut të lëvizjes së qytetarëve dhe ka mungesë të flotës. Mëngjesin e sotëm rreth 200 qytetarë janë detyruar të presin në stacionin e parë të linjës, kur muaj më parë aty gjendeshin dy ose tre autobuzë në pritje për tu nisur.
Marrëdhënia kontraktuale e Bashkisë Kamëz me kompaninë që menaxhon transportin publik është jo transparente dhe kushtet e detyrimet që duhet të plotësojë secila palë asnjëherë nuk janë bërë publike.