Buxheti 2024 për Kamzën, bashkia ndërton godinë të re me lekët nga lejet e ndërtimit

21.12.2023 | nyje.al

Pa vota të numëruara, buxheti i vitit 2024 për Bashkinë Kamëz u miratua më datë 18 dhjetor nga Këshilli Bashkiak i qytetit. Debatet, situata e tensionuar dhe paqartësia në ngritjen e kartonave e gjeti të papërgatitur sekretaren e Këshillit dhe nuk mundi dot të numëronte duart e ngritura në favor të buxhetit. Teksa ngriheshin duart për projekt-vendimet e tjera, vetë Kryetari i Këshillit Hysen Koldashi e bëri të qartë miratimin “sa për sy e faqe” pasi iu drejtua sekretares me: “Të lutem rishikoje atë numrin e votave, buxheti iku, por këtë pjesën tjetër.”

Buxheti i Bashkisë apo i godinës së Bashkisë?

Vepra infrastrukturore publike më e kushtueshme e vitit 2024, ndoshta edhe e historisë së qytetit, do të nisë të ndërtohet me paratë e këtij buxheti. Godina e re e Bashkisë Kamëz që njoftohet të ndërtohet aty ku sot gjendet stadiumi i qytetit do të kushtojë rreth 4.5 milionë dollarë, pothuaj një të katërtën e të ardhurave të pritshme për vitin që vjen. 

Godina që do të ndërtohet në fushën e stadiumit, do të shoqërohet me një parking nëntokësor dhe një hapësirë rekreative në anë të saj. Ndonëse nuk ka një projekt të saj të publikuar ende, Kryetari i Bashkisë Suli u shpreh në mbledhjen e ditës së hënë se godina do të jetë me 3 kate dhe do të ketë rreth 2000 metra katrorë sipërfaqe. 

“Bashkia do jetë 700 metër kati i parë dhe 3 kate që të jetë dhe simbol për qytetin në breza …sepse kemi lëvizur, në çdo vend, bashkia është simbol i një qyteti, plus falë atij investimi,  do të thoja strategjik, një investim që pak bashki kanë mundësi për ta bërë, siguron dhe parkimin për makinat, flas nëntokësor, krijon ambiente lart për të gjitha moshat, si për fëmijët, dhe për moshën e tretë. Ku do të jetë investimi për mua shumë, shumë i rëndësishëm, ku afërsisht mos gabohem kap vlerën 4.5 milionë dollarë.”  Rakip Suli

Si mundet ta përballojë buxheti i qytetit një investim të një vlere kaq të lartë mundet të jetë pyetja e secilit prej banorëve të tij. Kryetari Suli shpjegoi që ashtu siç ndodhi edhe vitin që po mbyllet, edhe në vitin 2024 arka e buxhetit do të mbushet me të ardhura që vijnë nga Drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit. Numri i lejeve të ndërtimit është rritur ekstremisht me ndërhyrjet në rrugët kryesore të qytetit  dhe kjo ka sjellë që viti 2023 të mbyllet me rreth 17 milion dollarë shtesë në arkën e bashkisë nga këto investime. Një shifër shumëfish më e lartë nga çfarë pritej në buxhetin e vitit të kaluar. Krenaria me të cilën Rakip Suli e shoqëroi njoftimin e këtij investimi shpërfaq vetëkënaqësinë e tij teksa e ndjen veten ‘pronar’ të fondeve publike, me të cilat mund të investojë varësisht interesave të tij, dhe jo bazuar në domosdoshmëritë e qytetarëve të Kamzës. Po aq, kjo është një tjetër shenjë që fluksi i ndërtimeve të pallateve do të jetë motori i politikave urbane të qytetit, e rrjedhimisht lejet e ndërtimit sa vijnë dhe do të shtohen. 

“Ky projekt-buxhet është bërë mbi baza shumë reale, mbi baza faktike nga viti i kaluar dhe mbi atë çka do të realizohet vitin e ardhshëm. Kemi një rritje shumë të lartë të të ardhurave këtë vit, kemi Drejtorinë e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit e cila ka një pritshmëri shumë të lartë për vitin 2024.” – konfirmoi Drejtoresha e Financës, Znj. Vjollca Smaçi.

Lejet dhe lekët e ndërtimit 

Të ardhurat nga lejet e ndërtimit duken të jenë copa më e madhe që plotëson grafikun e të ardhurave por ndërtimi pa kriter dhe i centralizuar tashmë ka filluar të shqetësojë të gjithë banorët e qytetit. Një kantier i ri pallati mbin pothuaj çdo javë në anë të rrugëve kryesore të qytetit,  atë që quhet Bulevardi “Nënë Tereza” dhe krah unazës në Paskuqan. 

Edhe mëngjesin e sotëm, një gardhim i ri po ndërtohej rreth një pike mermeri dhe godine shërbimesh pak metra mbi kryqëzimin e Bathores. Përballë, prej muajsh është rrethuar një shtëpi private dhe biznesi në anë të saj. Debate mbi zhvillimin urban të përkundërt me Planin Vendor të miratuar vitin e kaluar pati dhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak. Këshilltari i djathtë Alfred Halilaj u shpreh se ndërtimet e pallateve janë shpërblim i votave të shkuara e të ardhshme dhe se as planifikimet urbane që vetë socialistët e kanë miratuar, nuk po i zbatojnë. 

“Në buxhet, formula “një pallat – një votë” pësoi ndryshimin e llogaritur “një pallat – shumë vota”. Ndërsa lejet e dhëna para miratimit të Planit Vendor justifikohen, një plan që në vetvete u miratua pa pjesëmarrjen e qytetarëve, për hir të vertetës shprehet në rrjeshta për zhvillimin policentrik të qytetit. Ama Rakipi nuk e bën dot këtë, sepse lejet jepen vetëm në cep rruge dhe në qendër, aty ku fryma të merret dhe qytetari zhduket. Zhvillimi urban ka kritere të qarta dhe në rastin tonë, vetëm për jetë qytetare ose qytetase nuk mund të flitet në këto kushte.”

Më tej, Suli u shpreh se Plani Vendor e kishte parcelizuar qytetin dhe zhvillimi urban dihet ku do të jetë, për rrjedhojë banorët janë të informuar se ku do të ndërtohet dhe ku jo. Kjo e fundit është pjesërisht e vërtetë pasi banorët e qendrës së qytetit jo gjithmonë e dinë ku do të ndërtohet, por frikë e mësuar i bën që të jenë në gjendje gatishmërie e në pritje të shfaqjes së investitorëve në dyert e tyre. Jo të gjithë e presin me padurim ama, ka prej tyre që zënien e dritës së diellit nga të gjitha anët e shohin jo si ftesë për zhvillim por si detyrim për largim.

Financat publike si ekonomi familjare sipas Rakip Sulit

“Jemi bashkia e parë që shkojmë me mbi 50% e të ardhurave në investime. Si një familje që janë burrë e grua dhe marrin  2 milionë lekë të vjetra dhe 1 milionë i çojnë në investim se tjerat janë shpenzim. Që t’i ndajmë edhe këto (punë), që të jemi korrekt.” Rakip Suli

Ky është parimi i Kryetarit Suli në financat lokale, i cili teksa orvatet të komunikojë thjesht nuk i shpëton dot reduktimit banal të një prej informacioneve më të rëndësishme të jetës së qytetit: ku shkojnë taksat e qytetarëve dhe si do të përdoret afro 50% e fondit publik për investime në ndërtimin e godinës së re të Bashkisë Kamëz. 

 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje