Përjetimi i Nakbas, sërish

Përkthim | Antonela Pepkolaj |Dima Srouji |15.11.2022 | nyje.al

“Sulmet e fundit ndaj palestinezëve po rishfaqin traumën ndër breza që ne të gjithë mbartim. Por rezistenca jonë sa vjen dhe bëhet më e fortë”.

Palestinezët teksa kontrollojnë dëmet e shkaktuara pasi një ndërtesë 15-katëshe u shkatërrua në një sulm ajror izraelit në qytetin e Gazës, më 13 maj 2021. (Atia Mohammed/Flash90) Palestinezët teksa kontrollojnë dëmet e shkaktuara pas shkatërrimit të një ndërtesë 15-katëshe nga një sulm ajror izraelit në qytetin e Gazës, më 13 maj 2021. (Atia Mohammed/Flash90)

Mëria po më del nga poret e trupit, dridhem. Kjo mëri nuk është vetëm prej linçimit të fundit të qytetarëve palestinezë të Izraelit, apo sulmeve ndaj palestinezëve në Gaza, lagjes Sheikh Jarrah të Jeruzalemit dhe xhamisë sonë të shenjtë Al-Aksa. Ky lloj inati i ka rrënjët në traumën ndër breza që ka trashëguar çdo palestinez dhe që ne e mbajmë me vete kudo.

Në një video që po bëhet virale në mediat sociale, dallohet një familje palestineze e panikosur në Gaza  ndërsa zhurma e bombave izraelite u afrohet. Babai, i cili po filmon, dëgjohet duke u thënë fëmijëve të tij të ngrihen nga dyshekët e ngjeshur në dysheme për t’u strehuar në katin përdhes.

Jam mijëra milje larg Gazës, por shikimi i kësaj video risolli traumën e fëmijërisë sime, si palestineze që u rrit në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë Intifadës së Dytë. Unë, 10-vjeçare e shtrirë në një pozicion fetusi brenda vaskës sonë në Beit Jala, e veshur, me një jastëk poshtë kokës. Vëllai im i vogël, gjithashtu i shtrirë pranë meje në një pozicion fetal, i kërkon sime mëje një batanije. Ia jep ndërsa psherëtin: “Cili kapitull i Harry Potter është ky?”

Ndërsa ime më na lexonte librin, më kujtohet se mendoja qartë: “Kjo nuk duket normale”. Kishte një papërputhshmëri hapësinore midis jetës sime në atë kohë dhe pjesës tjetër të botës. Kjo frakturë ishte e padurueshme për një fëmijë. Kuptova se bota ishte indiferente për atë që po ndodhte me ne; ndihesha ndryshe. Dhimbja e të qenit e padëgjuar ishte më sëmbuese se ideja që mund të vdesësh. I imagjinoja fëmijët kudo në botë duke u zgjuar, duke shkuar në shkollë me drekën gati, duke shëtitur qentë e tyre në mbrëmje dhe duke ndjekur kurse muzike në fundjavë. Vizioni i tyre për të pasë të drejtën për të jetuar në mes të banalitetit ishte i dhimbshëm.

Gjatë atyre viteve, nuk i ndaheshim radios dhe TV-në për të ndjekur sulmet e radhës të Israelit, që zakonisht bëheshin drejt lagjes sonë. Kur tingujt e mitralozëve, tankeve dhe bombave dëgjoheshin dobët, ne flinim në shtretërit tanë; por nëse ishin pak më të zhurmshme, ne flinim në dyshekë përtokë për të qëndruar larg dritareve, në rast se mund të depërtonte ndonjë plumb.

Kjo ishte jeta jonë për tre vjet. Kur dëgjonim avionë luftarakë dhe helikopterë izraelitë prej larg, e dinim se ishte koha për të lëvizur nga banja në bodrum, për t’u fshehur nën shkallët, ku muret dhe struktura ishin më të trasha për të na shpëtuar nëse avionët hidhnin bomba në shtëpinë tonë. Ekzistonte mundësia që ne të ishim të radhës.

Dima Srouji, vëllai i saj dhe babai i saj flenë në bodrumin e shtëpisë së tyre në Beit Jala, Bregu Perëndimor i pushtuar, për t'u mbrojtur nga bombat izraelite gjatë Intifadës së Dytë. (Me mirësjellje të Dima Srouji) Dima Srouji, vëllai dhe babai i saj duke fjetur në bodrumin e shtëpisë së tyre në Beit Jala, Bregu Perëndimor i pushtuar, për t’u mbrojtur nga bombat izraelite gjatë Intifadës së Dytë. (Foto nga Dima Srouji)

E pashë me sytë e mi Mohammad al-Durrah të vritej nga ushtarët izraelitë në TV, ndërsa babai i tij bënte çmos për ta mbrojtur. Djali po mundohej të blinte një biçikletë për shkollë. Kur flinim poshtë shkallëve në bodrum, që vinte era ndryshk dhe pluhur prej rrënojave dhe dyerve të vjetra metalike të garazhit, sa herë që dëgjohej një bombë pranë, mamaja ime na merrte në gji.

“Si guxon të përpiqesh të na mbrosh, siç u përpoq ta mbronte babai Muhamedin?”  i bërtita asaj një natë. “Mos mendo se mund të ndryshosh ndonjë gjë! Këto janë bomba! Ne do të vdesim, si ai.”

Me privilegjin tonë, ne mundëm të dilnim dhe të zhvendoseshim. E mbaja me vete atë faj atëherë, siç po bëj edhe tani. Ka boshllëqe të rëndësishme të fëmijërisë sime që nuk i mbaj mend fare. Mendja mbron veten nga ngjarjet traumatike dhe nëse mëson të jetosh me të, trauma mund të transformohet në mënyra produktive, përmes artit, muzikës, filmave dhe kulturës.

Në ditë më të paqta, kjo shtypje e kaq shumë brezave më jep qëllim. Më jep forcë të kaloj jetën duke dalluar të drejtën nga e gabuara, pa asnjë mëdyshje. Me kalimin e viteve nuk na thyen, por e trashën lëkurën tonë. Pavarësisht 73 viteve të dhunës brutale dhe shtypjes sistematike nga Izraeli, zëri i rezistencës bëhet gjithnjë e më i fortë brenda secilit prej nesh.

 Gjyshja e Dima Sroujit, Layla, u dëbua me forcë nga shtëpia e saj në Ramleh në moshën 10-vjeçare. Ajo përfundoi në Gaza për dy vjet përpara se të jetonte në Aman, Jordani derisa u martua me gjyshin e Dima, i cili e solli atë në Palestinë në fund të viteve 50. (Foto nga Dima Srouji)

Ndihem më e fortë se ime më, e cila u rebelua kundër ushtrisë izraelite gjatë Intifadës së Parë. Dhe ajo ishte më e fortë se gjyshja ime, e cila u detyrua të largohej nga qyteti Ramleh në moshën 12-vjeçare gjatë Nakbes në vitin 1948, duke lënë pas familjen dhe gjithçka tjetër. Vëllezërit e saj u burgosën nga Izraeli sepse luftuan për të mbajtur shtëpinë e tyre. Babai i saj, stërgjyshi im, vdiq pasi goditi kokën e tij për muri çdo natë nga hidhërimi që përjetonte, pasi humbi familjen, shtëpinë, fermat dhe, përfundimisht, shpirtin e vet.

Tek shoh sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve në Jerusalem, Gaza dhe në të gjithë Palestinën e pushtuar tani, nuk mund të mos mendoj për fëmijët që do ta ruajnë këtë traumë për krejt jetën. Këto ngjarje nuk janë momentale, ato qëndrojnë me ne. Rezistenca palestineze nuk është një luftë kundër një ngjarjeje të vetme, ajo është një gjendje e vazhdueshme.

Intifada e Dytë nuk ndaloi ndonjëherë, ashtu siç nuk ndaloi kurrë Intifada e Parë, ashtu siç nuk ndaloi kurrë as Nakba. Këto ngjarje jetojnë në çdo palestinez. Ne të gjithë ndjejmë një bosh të përhershëm, por vazhdojmë të durojmë pavarësisht aparteidit të Izraelit. Përballë shtypjes dhe shkatërrimit, ne ruajmë dashurinë – dashurinë për veten dhe dashurinë për njëri-tjetrin. Dhuna nëpër gjithë Palestinën sot mund të rishfaqë traumën tonë kolektive, por gjithashtu po e bën historinë tonë më të fortë dhe lidhjen tonë si popull më të ngushtë.

***

Dima Srouji është arkitekte dhe artiste palestineze që punon në projekte që lidhen me politikën dhe hapësirën, kryesisht me Palestinën. E vendosur mes Palestinës dhe Londrës, ajo drejton studion MA City Design në Royal College of Art dhe fellow në Muzeun Victoria & Albert.

Ky tekst është shkruar në mars të vitit të kaluar, në platformën e pavarur gazetareske +972 Magazine. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje