Ndoka

Antonela Pepkolaj | 28.02.2022 | nyje.al 

Ndokë Pjetërgjokaj, foto nga Antonela Pepkolaj Ndokë Pjetërgjokaj në dyqanin e tij, foto nga Antonela Pepkolaj

Fill sa zbret prej urbanit së unazës lindore Kamëz, ngjitur me një market ‘me emër’, ndodhet një market i vogël pa emër, për të cilin kujdeset Z. Ndokë Pjetërgjokaj. Ky biznes i vogël, është biznesi privat i Ndokës dhe bashkëshortes së tij. Në paraqitje bie në sy këmisha dhe kollarja, zakonisht me ngjyrë të fortë dhe, xhupi i errët në kohë më të ftohta. Përgjithësisht, ditën e kalon duke kuvenduar me banakierin e kafenesë ngjitur, me të cilin njihet tashmë shumë mirë, ose me klientë rastësorë që ndajnë të njëjtin pasion si ai për t’u socializuar.

Ndoka u zhvendos në Kamëz nga Tropoja në 1999, së bashku me të shoqen dhe dy djemtë e vegjël. Ai vendosi të blinte tokën dhe t’ia niste nga zero në Kamëz. Vitet e para punoi me të vëllanë, i cili ishte inxhinier ndërtimi, në firmën e tyre, më tej, me kalimin e viteve vendosi të hapte marketin e tij, duke qenë se ishte punë më e qetë që nuk kërkonte impenjimin e dikurshëm.

Tash që është në të pesëdhjetat e tij, i pëlqen ta kalojë kohën sa më qetë dhe t’u përkushtohet interesave të veta. Një ndër gjërat që ka më përzemër, është çiftelia, me të cilën shpesh bëhet kreativ. I pëlqen të këndojë këngë të natyrës satirike ose tragjike shpesh me shokët e tij të lagjes kur mblidhen të gjithë bashkë në kafenenë ngjitur. Përveç çiftelisë, e kalojnë kohën dhe duke luajtur domino, por gjithmonë prioritet ka rakia, duhani dhe kuvendimi. Një pjesë të mirë të kohës e kalon me mbesën e tij, kur i biri dhe gruaja janë në punë. Për mbesën kujdesen me rradhë ai ose e shoqja, pas dreke kur ajo lëshohet prej kopështit.

E shoqja e Ndokës është po ashtu nga Tropoja. Të dy u njohën në Shkodër, kur ishin gjimnazistë. Si e kuptuan se kanë ndjenja për njëri-tjetrin, vendosën të fejohen. Pas martese, vitet e para jetuan në Tropojë deri kur vendosën të zhvendosen. Ndërsa Ndoka punonte në ndërtim, e shoqja ishte mësuese e ciklit të ulët. Këtë profesion ajo e mbajti për disa vite, deri në momentin që hapën marketin. Ata kanë dy fëmijë, dy djem, tashmë të rritur dhe me jetët e tyre. Djali i madh së bashku me të shoqen, punojnë në fushën e mjeksisë dhe kanë një vajzë; ndërsa djali i vogël është ekonomist që jeton në Angli.

Ndoka thotë se Kamza, në kohën kur u zhvendos ishte shume e varfër, dhe që, pasi hapi dyqanin i është dashur shpesh të japë borxh apo të falë, se ndërgjegjia nuk ia lë të injorojë ata që kanë nevojë. Kujton një grua, që sipas mendimit e tij duhet të ishte e ve, e cila i kërkoi njëherë një thes miell. E injoroi duke i ofruar diçka tjetër më të lirë, të cilën gruaja e refuzoi dhe u largua. Ndoka u pendua shumë atë natë dhe tregon që nuk fjeti dot. Ditët e tjera shpresonte që gruaja të kthehej prapë, gjë që ndodhi dhe Ndoka ia dhuroi miellin. Pas dy muajsh, kujton Ndoka, erdhi për t’i sjellë paratë e miellit, të cilat nuk ia mori dhe i tha se nëse dëshiron, mund të blejë një thes tjetër.

Për marketin kujdeset vetë dhe për shtëpinë kujdeset e shoqja. Të dy i kanë gjërat e ndara dhe menaxhojnë si familjen dhe biznesin. Ndihmojnë sidomos djalin e madh, i cili është i zënë për shkak të profesionit, gjë të cilën e bëjnë me kënaqësi, sepse e duan familjen.

Në bisedë me të, shpreh qëndrime mjaft të forta dhe përsiatje mbi natyrën e shqiptarëve. Thotë se shqiptarët janë punëtorë, por kushtet e zorshme i kanë bërë oportunistë dhe hipokritë. Nuk i pëlqen natyra e tyre grykëse dhe mundimet me ia hedh tjetrit kudo, siç e ka vënë re tash që është shitës disa-vjeçar. Për politikën thotë se “Shqipërisë i duhet nji politikan që ia mbledh, se boll kanë ba ça kanë dashtë, si populli, si politikant”. Gjithashtu thotë se i miri dhe i drejti nuk gjejnë hak në këtë vend, se ia marrin për dobësi dhe naivitet. Megjithatë, ruhet dhe përpiqet të jetë sa më neutral, që të shmangë konfliktet dhe përplasjet e panevojshme. Për të parësore është siguria dhe mirëqenia, ndaj botëkuptimin e vet mbi shqiptarët e ndan në formë batutash me klientët që i japin muhabet. Sa herë që diskutohet dhe rëndohet biseda mes shokëve të tij, në kafene për çështje politike ose thashethemesh për të njohur të përbashkët, është ai që mundohet të qetësojë gjendjen duke u përpjekur t’u japë të drejtë të gjithëve, sepse të gjithë mund të justifikohen me pak empati. Por më së shumti, sepse ai e kupton që në thelb diskutime të tilla janë të padobishme, se nuk ndryshojnë gjë as për objektin e diskutimeve, e as për ata që po diskutojnë.

Meraku i tij më i madh, është të ruajë rutinën e tij, familjen dhe biznesin. Shqetësohet se mos po i del ndonjë lloj halli nga hiçi, sidomos ndonjë që i prek fëmijët, por përpiqet të mos e peshojë fort në mendjen e tij, nga frika se e ndjell. “A ka ma mirë se shneti dhe familja?”, i thotë ndonjë klienti me të qeshur. “Jo-jo, veç leku”, dhe qeshin të gjithë.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje