“Nuk na trembni me arrestime”, kërkohet lirimi i banorëve të “5 majit”

23.02.2022 | nyje.al

2
6
1
7
4
5
IMG_1576

 

Laureta Nikolli, Gjin Nikolli, Ndue Marku, Agim Marku dhe Mirash Marku vazhdojnë të jenë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Banorët e “5 majit” u mblodhën mbrëmjen e sotme para saj dhe kërkuan lirimin e tyre. Familjarë dhe fqinjë të tyre akuzojnë pushtetin se duan ti trembin në mënyrë që edhe rezistenca e tyre të ndalojë por ata u shprehën që kjo nuk do të ndodhë kurrë.

“Do rezistojmë, ka protesta tjera, do bëjmë ça të kemi në dorë, nuk do ndalojmë. Nuk na ndaloni dot me kërcënime, me marrje në arrest a ku ta di unë.”

“Mirash Marku, unë kam thënë është djali im, që është i sëmurë me tension të lartë dhe avokati që e ka parë tha që është shumë i lodhur. Të mendojnë për këta pesë vetë që i kanë future brenda, ku do me i çue. Prej shtëpie i nxorri, me gjujt në ta gjujti, me gaz lotësjellës ka gjujt policia, me ja qërru sytë popullit.”


Pesë banorët e arrestuar ditën e djeshme në zonën e “5 majit” akuzohen për shkelje të disa parashtrimeve ligjore, ndër to kundërshtimi i forcave të Rendit. Në ndërhyrjen e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit për shembjen e 12 banesave, Policia përdori në masë gazin lotësjellës për të neutralizuar banorët që kundërshtonin këto shembje dhe iu kundërvunë policisë. Sipas banorëve, dhuna e Policisë ishtë tërësisht jo proporcionale.

“Në fakt atë që ndodhi dje e pamë të gjithë, u sulën mes ne grave të parat kryesisht Policia Bashkiake e më pas ajo e Rendit, që më shumë bëntë sehir sesa të ishte aty për të mbrojtur jetën së pari e më pas të shikonte operacionin e famshëm të IMT-së së Tiranës. Por ishte e turpshmë ajo çka na bëri, duke na hedhur gaz lotësjellës dhe nuk pyeste se kush ishte në oborrin e shtëpisë, aq më shumë që pjesa më e madhe i kishim hapur portat vetë që mund të vinin ti shembnin.Se ata mund të na shembin ndërtesat po nuk na shëmbin dot jetën, mund të na marrin pronën po s’mund të na marrin dot mendimet dhe të drejtën tonë, dhe ne jemi këtu për këtë gjë.”

Ndër të arrestuarit, Laureta Nikolli është e vetmja grua dhe arrestimi i saj për zonjën Alsida Hasi është akt i tmerrshëm i pushtetit dhe ka një mesazh për të gjitha gratë në politikë.


“E dimë që në Shqipëri s’ka vlerë asgjë, por të tërheqësh në atë mënyrë një nënë ishtë gjëja më makabre që mund të shikoje. Ju të dashur deputete e ju të dashura minister, nuk e meritoni këtë “të dashura”, të nderuara jo e jo, por po ju drejtohem si nënë. Fëmijët e Loretës sot kanë nevojë për nënën e tyre, siç kanë nevojë fëmijët tuaj për ju, andaj një orë e më parë ajo duhet liruar.”  

Thirrjeve për lirimin e të arrestuarëve, iu bashkangjit edhe ajo për solidaritet në aktin e rradhës të rezistencës së banorëve. Si gjashtë javët e fundit edhe nesër, banorët e “5 majit” dhe zonave të tjera që preken nga investime publike protestojnë përpara Parlamentit në orën 09:30.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje