Covid-19 – Përditësime nga Kamza

Mariana Syla | 17.04.2020 | nyje.al 

Në vijim të informimit të përditshëm, Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se në 24 orët e fundit në Shqipëri janë testuar 253 persona të dyshuar me Covid- 19, prej të cilëve 21 raste kanë rezultuar pozitive, duke e çuar në 539 numrin total të të prekurve. Fatkeqësisht betejën me virusin e kanë humbur 26 qytetarë, pavarësisht përpjekjeve të stafit shëndetësor. Brenda 24 orëve të fundit janë shëruar 6 pacientë, duke e çuar në 283 numrin e të shëruarve.
Ndërkohë në shërbimin infektiv ndodhen të shtruar 35 të prekur, 7 janë në terapi intensive, ndërsa në spitalin COVID 2 gjenden 8 pacientë të shtruar, 4 prej të cilëve janë në reanimacion të intubuar dhe 4 të tjerë në pavion. Të dy spitalet kanë një total prej 43 pacientësh.
Harta e të prekurve shtrihet në Kurbin me dy raste, zgjerohet në Shkodër me 11 raste, Tiranë me 4 raste, Krujë me 4 raste.

Shpërndarja e rasteve pozitive është si vijon:
Tiranë – 245 raste
Durrës – 42 raste
Lushnjë – 6 raste
Elbasan – 16 raste
Fier – 35 raste
Kavajë – 9 raste
Rrogozhinë – 4 raste
Korçë – 19 raste
Vlorë – 5 raste
Shkodër – 94 raste
Lezhë – 14 raste
Berat – 2 raste
Has – 13 raste
Krujë – 11 raste
Tropojë – 4 raste
Pukë – 5 raste
Mirditë – 3 raste
Kukës – 9 raste
Mallakastër – 1 rast
Kurbin – 2 raste

Autoritetet u kërkojnë qytetarëve të vijojnë respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit, si dhe nëse kanë shenja të sëmundjes të kontaktojnë numrin e urgjencës 127. Që prej ndërmarrjes së masave të jashtëzakonshme në kushtet e pandemisë, forcat e rendit, ato ushtarake dhe policia bashkiake kanë qenë në gatishmëri e në “front”, të dytët pas mjekëve.
Në një takim me disa nga policët e policisë bashkiake në Kamëz ata shprehen se oraret e shërbimit tashmë janë bërë të paparashikueshme e variojnë nga 6 orë, 8 orë e deri në 12 orë. Ata na bëjnë me dije që iu është dashur të aktivizohen në shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe ilaçeve për familjet në nevojë. Me shumë prioritet ka qenë dhe survejimi e monitorimi i ambjenteve shumë të populluara si pazari i fruta-perimeve, supermarketeve dhe bankave në Kamëz.

Edhe pse kanë ndeshur jo rrallë në vështirësi për të përballuar dyndjet e qytetarëve për nevojat e tyre bazike, nuk ngurojnë të shprehin mirënjohje për ata qytetarë të cilët janë vetëdijësuar për rrezikun e virusit dhe që vazhdojnë të respektojnë distancën e kërkuar.
Pyetjes nëse u është premtuar shpërblim për punën shtesë që po bëjnë, ata i pëgjigjen: “Deri tani jo, nuk na është premtuar gjë, pavarësisht mbingarkesës që kemi pasur që prej nëntorit të vitit të kaluar për shkak të tërmetit. Kësaj radhe  shtohet stresi dhe frika prej rrezikut që sjell kontakti i shpeshtë me njerëzit. Më tepër shqetësohemi se mos e mbartim virusin dhe e çojmë në familjet tona.”

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje