“Нет войне!/ Jo luftë!”, protesta të përditshme në Rusi kundër luftës, organizohen nëpërmjet “Telegram”

Ronald Qema | 02.03.2022 | nyje.al

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë, lufta që deri më tash u ka marrë jetën mijëra ushtarëve dhe qytetarëve nuk mbështetet nga populli rus, më së paku nga të rinjtë rus. Këtë e kanë treguar protestat e zhvilluara në Rusi që prej 24 shkurtit, në të cilat qindra mijëra të rinj kanë mbushur rrugët e qyteteve të mëdha si Moska, Shën Petërsburgu, Krasnodar e deri tek qytetet më të vogla në skajet më lindore të Rusisë.

Një rol kryesor në organizimet e protestave, marshimeve të organizuara përgjatë gjithë javës që lamë pas kanë luajtur rrjetet sociale të komunikimit, një ndër më kyçët Telegrami. Ky aplikacion po përdoret gjerësisht nga të rinjtë për të krijuar grupe organizimi dhe për të komunikuar çdo lloj informacioni: mesazhe, foto, video, audio regjistrime, pozicionime gjeografike, lëvizjen e turmave, kartela kontaktesh me avokatë që japin ndihmë ligjore falas, etj. Fotografitë dhe materialet e përdorura në këtë artikull janë marrë nga këto grupe gjithashtu. Ky rrjet social është një nga mundësitë e sigurta për organizim tregojnë të rinjtë rusë.

“E përdorim Telegramin sepse na duket si një nga hapësirat më të sigurta ku të gjithë mund të flasim. Ka edhe të tjerë që përdorin aplikacione të ndryshme si Signal.     – Dmitrii Alekseev

Protestat masive kanë sjellë arrestime në shifra të larta përgjatë gjithë këtyrë ditëve, mbi 585 të arrestuar vetëm ditën e sotme në 29 qytete të Rusisë. Që prej fillimit te manifestimeve kundër luftës, mbi 7 mijë persona janë arrestuar në 102 qytete.

Arrestimet kanë ndikuar shumë në vazhdimësinë e tubimeve dhe kanë ndikuar në formën e tyre. Zakonisht turmat lëvizin nëpër qytet në mënyrë që mos të lokalizohen nga policia dhe të mos grumbullohen nëpër hapësira ku policia mund ta ketë më të lehtë arrestimin. I gjithë ky koordinim i lëvizjveve, informimi për pozicionimin e rradhës dhe rreziku i mundshëm i të pasurit forca policore ndodh në grupet në Telegram, dy prej më të mëdhave grupi “Pranvera” në Moskë me rreth 5500 anëtarë dhe në Shën Petërsburg me rreth 5350 anëtarë.

Arrestimet kanë ndikuar edhe në gjendjen e të rinjve dhe vullnetin për të protestuar, shumë nga të arrestuarit lihen me orë të tëra në furgonë policie ose qeli të vogla pa ndriçim dhe ajrim. Kjo bëhet me qëllimin për të demoralizuar protestuesit e për të hequr dorë nga manifestimet. Shumë të rinj e shohin këtë si shtysë për të vazhduar e për ta bërë edhe më të madhe këtë rezistencë, teksa arrestimi mbetet çështje fati këto ditë për ta.

Këtu të gjithë ndihemi të depresionuar dhe shumë të dobët, Ukraina po shkatërrohet ushtarakisht e shteti jonë sa vjen dhe degradohet ekonomikisht. Kam qënë shumë e demoralizuar për disa ditë. Të hënën pasdite u angazhova në shpërndarjen e materialeve kundër luftës. Më pas kemi ngjitur stikera dhe postera përreth.”    – Eva Smirnova

Unë për pak u arrestova por fatmirësisht bashkë me shokët e mi u futëm në një librari dhe shpëtuam.” – Dmitrii Alekseev

Lufta për të rinjtë rus, e papranueshme

Dmitrii, 21 vjeçari që studion në Shën Petersburg, shprehet se kjo që po ndodh është një makth i gjallë dhe se nuk e kishte pritur të ndodhte kurrë ajo çka po ndodh në Ukrainë dhe vendin e tij.

“Mendoj që ky është fundi i Putinit, sepse nuk ka shpëtim të paqtë nga kjo luftë, ose fundi i shoqërisë Ruse, sepse zërat kundër do të shuhen përgjithnjë. Lufta është paqe, liria është skllavëri dhe injoranca fuqi”  – Dmitrii Alekseev

Në anën tjetër të kufirit, Amina nga Odessa, ka pak besim tek protestat që po zhvillohen nga bashkëmoshatarët e saj në Rusi. Ajo kërkon që rusët të ndërmarrin aksione më të fuqishme në mënyrë që e gjithë kjo të mbarojë.

“Protestat mbarojnë që pa nisur. Qeveria ruse është më e liga. Mendoj që gjëja më e mirë që mund të bëjnë rusët është të bllokojnë lajmet e rreme, sikur ai që gjoja Ukrainë sulmoi veten për sabotim, dhe të flasin vetëm të vërtetën. Rusët gjithashtu mund të mbështesin ekonomikisht ushtrinë ukrainase, që po bën gjithçka çfarë është e mundur”. – Amina Mindelis

20 vjeçarja gjithashtu shpreh se qëllimet e Rusisë janë delir i pakontrolluar dhe se beson që populli i Ukrainës do ta përballojë këtë gjëndje të rëndë dhe se do bëhet më i fortë pas saj.

“Rusia thotë se do të na shpëtojë, ne s’kemi nevojë për shpëtim. Ne ishim të lumtur dhe të sigurtë përpara pushtimit rus. Ne, të rinjtë, u shokuam por tani të gjithë janë bashkë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë situatë si kurrë më parë. Shumë nga shoqëria ime i janë bashkuar ushtrisë për të mbrojtur familjet, qytetin dhe të gjithë vendin. Shumë të tjerë dhurojnë gjak, gatuajnë për ushtarët dhe blejnë medikamente.

Jam e sigurtë që shumë shpejt, kur lufta të mbarojë, Ukraina do të jetë më e fortë dhe më e bashkuar se çka qënë.”  – Amina Mindelis

Rrjetet sociale, mundësi e vetme informimi

Për rusët është mjaft e vështirë të jenë në dijeni të asaj çka realisht po ndodh në Ukrainë. Të gjitha televizionet ruse transmetojnë përmbajtje propagandistike e të kontrolluar nga shteti, të vetmet që përcjellin informacion të pakontrolluar janë mediat e jashtme që janë pak të ndjekura dhe rrjetet sociale ku më së shumti të rinjtë arrijnë të kuptojnë ndikimin e kësaj lufte në popullin ukrainas. Pushteti atje është siguruar të mbyllë çdo kanal komunikimi që devijon nga linja propagandistike, këtë e konfirojnë dhe mbylljet e shumta të televizioneve dhe radiove ditët e fundit. Kërcënime ka pasur edhe për platformën në rrjet, Wikipedia.

Para disa orësh, qeveria ka mbyllur edhe televizionin e radiot e fundit të pavarura që ishin në vend. Edhe vetë Wikipedia, është lajmëruar për bllokimin e domainit në Rusi, për shkak të një artikulli në të që quhej “Pushtimi i Ukrainës nga Rusia” në vënd të përdorimit të termit operacion ushtarak special, siç e konsideron qeveria ruse.” – Dmitrii Alekseev

Një tjetër agjensi komunikimi që ka rënë pre e luftës së qeverisë kundër çdokujt që del nga vija e propagandës është shtypshkronja “Partisan Press”. Ditën e sotme, teksa Policia po shkonte të shoqëronte punonjësit e saj ata kanë printuar një poster me mbishkrimin “Të gjithë kanë nevojë për paqe”.

                                                                                           Posteri i shtypur nga Partisan Press

E gjelbërta, ngjyra e kësaj lëvizje kundër luftës

Organizata që po asiston gjithashtu në organizimin e marshimeve dhe protestave quhet “BECHA” (Pranvera). Duke u nisur nga kjo dhe nga këshilla e një ukrainasi, i angazhuar më parë në “Revolucionin e Portokalltë” në 2004 në Ukrainë dhe atë të Kyrgystanit në 2005 të quajtur “Revolucioni i Tulipanëve”, nëpërmjet një mesazhi ai u sugjeroi të zgjidhnin një ngjyrë përfaqësuese dhe të mbushnin qytetet me të. Kështu ngjyra e gjelbër, ngjyra e jetës, pranverës dhe rilindjes, u bë simboli kryesor i kësaj lëvizje që e sheh kudo nëpër qytet. Protestuesit kanë blerë shiritë të gjelbër në masë dhe i mbajnë të lidhur në trup e i vendosin kudo nëpër qytet.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje