Situata pos-tërmet në Kamëz: banorët i bëjnë thirrje për ndihmë bashkisë!

1Diana Malaj | nyje.al | 29.11.2019
Kanë kaluar tashmë më shumë se 48 orë nga goditjet e tërmetit të 26 nëntorit, i cili shënoi dhe numrin më të madh të viktimave në dekadat e fundit. Ky tërmet me magnitudë 6.4 Rihter, me epiqendër në detin Adriatik, 10 km në veriperëndim të Durrësit, deri tani ka shkaktuar 49 viktima dhe mbi 750 të lënduar[1], kryesisht në zonën e qytetit të Durrësit dhe lokalitetit të Thumanës, pjesë e qarkut të Krujës. Banorët e Tiranës dhe qyteteve në afërsi, edhe pse në largësi prej afro 30 km nga epiqendra e tërmetit, e kanë ndjerë dhe vazhdojnë të vuajnë pasojat e goditjes së fortë të mëngjesit të 26 nëntorit dhe paslëkundjeve të vazhdueshme përgjatë këtyre dy ditëve. Edhe bashkia Kamëz është pjesë e hartës së vendeve të prekura nga tërmeti.
Burimet zyrtare të kësaj bashkie na bëjnë me dije se brenda 24 orëve të para nga momenti i tërmetit nuk ka pasur asnjë raportim për dëme në njerëz, ndërkohë që kanë marrë mbi 200 kërkesa për dëmtime të banesave. Deri në mbasditen e ditës së mërkurë është vlerësuar se janë diku 10 shtëpi të pabanueshme, por kjo shifër është e bazuar vetëm në sajë të vëzhgimit nga vizitat e kortezisë së krerëve të institucionit të bashkisë Kamëz, dhe “jo në sajë të vlerësimit të grupit adekuat të verifikimit në terren” na informojnë nga bashkia.
Në hapësirën e Pallatit të Kulturës po mblidhen ndihma dhe pako dhuratë nga banorët e zonës në shenjë solidarizimi me familjet e prekura, kryesisht ato në Thumanë dhe Durrës. Ndërsa në hapësirat e stadiumit Kamëz qëndrojnë hapur tashmë prej 3 netësh 5 çadra (dhe 15 rezervë, në rast emergjence) në të cilat janë strehuar natën e parë pas termetit rreth 50 familje, sipas informacionit të siguruar nga z. Xhaja.

Çadrat për strehim të banorëve të Kamzës në hapësirat e stadiumit
Çadrat për strehim të banorëve të Kamzës në hapësirat e stadiumit

Jo më larg se dy muaj më parë, me 21 shtator Shqipëria u godit nga tërmetet me magnitudë 5.8 Rihter dhe 5.3 Rihter. Si pasojë e tyre në Kamëz janë vlerësuar gjithsej 727 kërkesa nga familje të dëmtuara, ku 94 prej tyre u shpallën objekte të pabanueshme dhe vetëm 24 prej tyre i janë nënshtruar procesit të rindërtimit vetëm një javë më parë.
Kamza nuk dallohet për traditë të mirë të trajtimit të banorëve me probleme të shkaktuara nga përmbytjet dhe tërmetet. Sjellim në kujtesë rastin e hulumtuar të banores J. Lusha e cila është ankuar për trajtimin aspak të mirë në hapësirat e stadiumit të Kamzës, në rastin e emergjencave të shpallura në Kamëz fill pas tërmetit të datës 21 shtator.
Familjet e komunitetit rom dhe egjiptian janë shtresa më e pambrojtur të cilat mbartin pasojat e çdo dëmtimi të pandrequr në kohë nga bashkia. Nga informacionet e siguruara këto familje që kanë pësuar dëmet më të mëdha në shtator, janë evakuar në konvaleshencën e Durrësit, në të cilën kanë raportuar që nuk u ofrohen as kushtet minimale të jetesës.
Prej kohësh banorët e Kamzës janë ankuar gjithashtu për mungesën e alokimit të dëmshpërblimeve dhe marrjen e masave për rindërtim të banesave të dëmtuara si pasojë e tërmeteve dhe përmbytjeve që kanë pasur. Historia përsëritet: dëmet ndodhin dhe verifikohen, bashkia miraton dëmshpërblime, i dërgon kërkesat tek Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, dhe këto e zgjasin me vite dëmshpërblimin. Banorët janë tashmë të njohur me procedurat burokrate lojacake. Me të tilla praktika, si bashkia ashtu edhe organet në varësi të Ministrive heqin përgjegjësinë, duke lënë që pasojat t’i vuajë qytetari i thjeshtë. Një nga rastet konkrete për të cilat jemi në dijeni është banori me inicialet H.L, i cili me vendimin e këshillit bashkiak Kamëz nr.125, datë 22.10.2018 ka fituar të drejtën për dëmshpërblim, dëmshpërblim që tashmë prej 1 viti nuk është shlyer.
Ky vendim miratonte shumën e dëmshpërblimit në vlerën e 5.857.961 lekësh  për 50 familje në Kamëz të goditura nga tërmeti i datës 04.07.2018. Ky vendim, si shumë të tjerë të kësaj natyre, i është dërguar për financim Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, për shkak se bashkia në atë kohë pretendonte se kishte mungesë fondesh.
E njëjta situatë ka ndodhur në rastin e dëmtimeve nga tërmeti i datës 21 shtator, ku i njëjti banor ka pësuar dëmtime dhe sipas deklaratave të tij shprehet se bashkia i ka premtuar se do t’a dëmshpërblejë në shumën prej afro 100 mijë lekësh, vlerë e cila ende nuk është alokuar.
Gjatë ditës së mërkurë, me dhjetëra banorë të qytetit janë rreshtuar në zyrat e bashkisë dhe pranë drejtorisë së emergjencave civile në Pallatin e Kulturës për të kërkuar vlerësimin e dëmeve dhe marrjen e masave të posaçme për të garantuar sigurinë e qëndrimit në shtëpitë e tyre.
Një kryefamiljare me foshnjen e saj dhe një tufë dokumentesh në duar priste te dyert e drejtorisë së emergjencave për të riaplikuar për ndihmë nga bashkia për dëmtimet e pësuara nga tronditjet e tërmetit. “Vetëm këta e kanë në dorë, vetëm shteti e ka në dorë me na ndihmu”, shprehet banorja.
Një tjetër kryefamiljare me inicialet S.V me origjinë nga Kukësi shprehet e dëshpëruar dhe mosbesuese që organet përgjegjëse do t’u përgjigjen kërkesave të banorëve. “Që prej tërmetit të parë në 21 shtator kur kanë ardhë dhe e kanë pa shtëpinë, dhe e kanë regjistrue për me fillue procesin e rindërtimit, prej asaj dite nuk kanë ardhë ma. Tash shtëpia është krejtësisht e pabanueshme, e megjithatë po rrimë me fëmijët aty se nuk kemi zgjidhje tjetër. Bashkëshortin e kam rëndë nga shëndeti dhe fëmijët e mitur janë të traumatizuar. Gjatë gjithë natës nuk kanë fjetur dhe vazhdojnë të jenë të frikësuar. Ngushëllim gjejnë vetëm duke iu lutur Zotit. Organet e bashkisë nuk na kanë thanë asnjëherë jo, por veç na kanë lanë me prit; me shpresën se hë sot, hë nesër kanë me ardhë me na ndihmu. E tash na u përsërit e njëjta fatkeqësi, dhe ne vazhdojmë të presim pa shpresë. Urojmë që ta marrin vesh me këtë rast që tërmeti nuk të fal as nuk të paralajmëro, na ka mbet veç me u lut që të mos jena na viktimat e rradhës.”
Nga vizita në terren shtëpia e kësaj familjeje përbëhet vetëm nga një dhomë, me sipërfaqe jo më të madhe se 10 m2, në të cilën jetojnë gjashtë persona. Ajo, bashkë me tre fëmijët dhe nënën nga Hasi, dhe bashkëshorti i saj jetojnë prej 12 vitesh në Kamëz. Banesa e tyre, krejtësisht e amortizuar tashmë nuk është më për ta strehë dhe siguri, por burim rreziku, tronditjesh dhe përmbytjesh. “Janë hapë dërrasat në kulm të çatisë dhe në dy anët e mureve rrethuese, prej nga hyn brenda era dhe shiu. Përveç televizorit, çdo gjë tjetër në këtë dhomë është e falur nga të afërm e miq. Divani, dyshekët dhe mbulesat janë dhuratë.”

Një nga shtëpitë e dëmtuara nga termeti në zonën e Bulçeshit, Kamëz

Kjo dhomë e vogël e ftohtë, me dritare që fut të ftohtë dhe acar, shërben edhe si dhomë qëndrimi, edhe ngrënieje edhe fjetjeje për këtë familje. Nëna, në moshë të thyer e shëndetlig ka vendosur të qëndrojë me vajzën dhe të mos kthehet në Has, derisa të sigurohet që gjendja e së bijës do të përmirësohet. “Maraku nuk më len me u kthye në shpi, edhe pse jam mërzitë boll. Na nuk duem as rehati, as shtëpi të mirë, nuk e kena at’ interes… na po kërkojmë veç një dhomë të vogël, po ajo të jetë e blindueme. Një kulm ku të jena të sigurtë me fut kryet. Shteti duhet me kqyrë të paktën këto rreziqet ma të mëdhaja që na kanosen. Unë me vdekë s’kam dert, po si me i lanë me shkue vajzat e djalin? Na nuk duem me dalë në televizor e me kajtë, veç që të na ndihmojnë. Na këtë lloj ndihme nuk e pranojmë. Na kërkojmë ndihmë nga shteti, ndihmë të cilën ata e kanë për detyrë me na e dhanë. “

Në kushte të vështira ekonomike ku të ardhurat e vetme gjenerohen nga qepja e këpucëve dhe një asistencë sociale prej 6 mijë lekësh në muaj, për këtë familje tashmë çdo fenomen natyror përbën rrezik dhe kërcënim. “Sa të kesh mundësi me e hap zanin që të kqyrin në ne!” është fjalia me të cilën na përcjellin teksa dalim nga shtëpia e tyre. Të dëmtuar nga tërmeti, të ekspozuar ndaj shirave dhe përmbytjeve dhe pa mundësi ngrohjeje, kjo familje si shumë të tjera në Kamëz bën thirrje për ndihmë dhe ndërhyrje nga institucionet shtetërore vendore dhe ato qëndrore, sa nuk është tepër vonë.
***
[1] Të dhënat numerike janë marrë nga raportimet e drejtëpërdrejta të televizioneve News24 dhe Report.Tv

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje