Për gjërat e kaluara

Udhëtim në të shkuarën

Nën këtë titull “Udhëtim në të shkuarën”, po botojmë një cikël shkrimesh dhe bisedash nga disa të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që aspirojnë të bëhen gazetarë. Janë realizuar me prindërit, gjyshërit dhe të afërmit e tyre me qëllim njohjen e jetës në rreth të ngushtë familjar po edhe njohjen e jetës shoqërore përgjatë shekullit të kaluar. Si jetonin apo mbijetonin njerëzit tanë; si dashuroheshin apo detyroheshin të zgjidhnin njeriun e jetës; si e gëzonin jetën dhe si i përballonin goditjet e saj; si ishin të ndara rolet në familje, dhe në një shoqëri sa të varfër aq edhe të kontrolluar siç ishte shoqëria shqiptare në vitet 1945-1990?

Janë rrëfime që iu tregojnë të rinjve se e shkuara e paraardhësve, në një mënyrë apo në një tjetër mund të bëhet përvojë për të ardhmen e secilit dhe për të ardhmen e një vendi të tërë.


Për gjërat e kaluara

Flogert Myrto | nyje.al | 01.04.2020

Gjyshi i Flogert Myrto
Gjyshi i Flogert Myrto

Detyra që kam këtë radhë është më e veçanta nga çdo tjetër që kam marrë në këto vite studimesh. Do duhet të pyes gjyshërit e mi për jetën që kanë kaluar e madje edhe për të parët e tyre, me sa ata kanë dëgjuar por edhe mbajtur mend, pasi atë “recycle bin”-in që njeriu i vendos kompjuterit, natyra ia ka vendosur njeriut, pra edhe gjyshërve të mi.

E takoj gjyshin nga babai për t’i thënë se më duhen mendimet e tij si detyrë shkolle. Ai qesh si për të “fituar kohë” që të peshojë vërtetësinë ose shakanë e fjalëve të mia.

E pyes së pari për arsimin.

Në fshatin e gjyshërve të mi, ekzistonte vetëm cikli shkollor 4-vjeçar. Pra edhe gjyshi im kishte kryer gjithsej katër vite shkollë. Varfëria e pranishme në çdo drejtim, reflektohej edhe në të ashtuquajturën shkollë ku mungonte drita, qoftë drita elektrike që nuk kishte mbërritur ende në fshat, qoftë drita natyrale që me zor depërtonte për shkak të dritareve që edhe kur kishte, ishin në përmasa “pa përmasa”.

Gjyshi dhe ata pak moshatarët e tij shkollarë, – një pjesë e mirë nuk shkolloheshin sepse duhej të ruanin bagëtinë – sillnin me vete në shkollë varfërinë që kishin në shtëpi, me veshjen, kequshqyerjen, por merrnin prej saj ndriçimin e mendjes dhe shpresën që jeta do të përmirësohej.

Megjithëse cilësitë e dijeve ishin elementare, ato gradualisht do të ishin baza për më tej. Kjo “më tej” ishte ambicia që po lindte, nënkuptonte hierarkinë e ecjes. Kishin dëgjuar për shkolla të larta, për ndonjë të njohur që shteti dhe partia (se asaj i dedikohej gjithçka) e kishin çuar deri në Moskë për studime…

Kur e pyes për shëndetësinë, ai ndjen keqardhje për prapambetjen e të parëve të tij, një mënyrë jetese që e kishte trashëguar ai vetë dhe bashkëkohësit e tij. Spitalet nuk ekzistonin, nënat lindnin fëmijët në kasolle. Disa sëmundje shiheshin si dënim me vdekje (për shembull, “i ra infarkt” themi ne dhe mund të shërohet nëse kapet në kohë, por atëhere thuhej “vdiq me dobësi zemre” dhe muri i pamundësisë së shpëtimit zinte edhe diellin).

E pyes për drejtësinë, fjalë që për të nënkupton “burgun”.

“Hajdutët futeshin në burg”, më thotë, por më tregon edhe raste kur burgu ishte për të drejtët, si për shembull dënimi i një fshatari për politikë që ndodhi thjesht nga inati i një tjetri. Me pak fjalë, ai do të më thotë një të vërtetë të madhe të asaj kohe: sa ç’ishte e madhe e vërteta e goditjes së krimit ordiner, aq ishte edhe absurdi i dënimeve politike, të cilat përdoreshin për hakmarrje për çfarëdo konflikti të mëparshëm. “Provat” ishin “aty”.

E pyes për transportin dhe ma kthen me pyetjen-përgjigje: “Ku të shkonim or nip?!” Në fakt as tani nuk i duket se ka qenë i nevojshëm.

Ne e tregojmë si barcoletë që kur këndonte Çiljeta në Dibër, tek ai refreni “vetëm ti, ti, ti”, sapo thoshte atë “ti”-në e parë, e drejtonte mikrofonin nga salla dhe ata vazhdonin “taj, taj, taj”. Sasia e dialekteve kaq të ndryshme në territore kaq të afërta, ka qenë pasojë e gjithë asaj moslëvizjeje, e gjithë atij moskomunikimi.

Bujqësia ishte ekonomi, një mundësi që jeta të vazhdojë. Një shok ushtrie i gjyshit, me origjinë nga Tropoja, tregonte se babai i tij dinte sekretin e domateve të kuqe. E kishte mësuar në Serbi ku kish qenë i dënuar disa vjet. Ata besonin që domatja bëhej vetëm turshi!

E pyes për miqësinë, si lidheshin në miqësi njerëzit dikur, si e ruanin. Në këtë pikë krenaria e gjyshit e kapërcen parashikimin tim dhe rreh edhe më larg. Respekti për mikun dhe miqësinë, ky institucion moral, nuk ka ndonjë dallim nga lëndët më të mira të ndërtimit dhe nga arkitektura që arrin të realizosh me to.

“Pa më thuaj, pse të duhen këto” më pyet ai duke qeshur. “Këto janë gjëra të kaluara…”

I thashë duke e përqafuar që, më e pakta, “do të marr një dhjetë”.

Lini një Përgjigje