Aurora Leka | 21.12.2017 | nyje.al
Në një mbasdite të ftohtë dhjetori ku temperaturat shënojnë minus, Xhavitin e gjejmë në sheshin përballë Pallatit të Kulturës, bashkë me shumë shokë të tjerë. Ata janë të ndarë në grupe me nga katër dhe luajnë domino shumë të përqëndruar.
“Dal dy herë në ditë këtu, dy orë paradite e dy orë pasdite. Rroj vetëm me plakën në pallat. Kam dy fëmijë, një vajzë të martuar në Kamëz dhe një djalë që është në Finlandë prej njëzet vitesh. Djalin e kam takuar tetë herë,”- kështu e dëfton jetën e vet Xhaviti 76 vjeçar me origjinë nga Burreli. Ai jeton prej 60 vitesh në qytet. Çdo qytet ka monumentet dhe pikat e tij të referimit, Kamza, ka vetëm dy: te “kali” (statuja në mes të qytetit) dhe të moshuarit që zhvillojnë maratonën e pambarimtë të lojës së dominove. Ata luajnë dimër e verë, në vapë të madhe a kur bie shi. Hije iu bën një ndërtesë moderne, me shumë nuanca të blusë, si pothuajse çdo gjë tjetër që prej marrjes së mandatit të kryetarit të bashkisë nga Xhelal Mziu. Ky Pallat është ndërtuar si projekt i së djathtës në vitin 2011 me potencialin për të krijuar hapësira çlodhjeje për të rinj e të moshuar të qytetit. Ndërkohë, pas 7 vitesh kjo ndërtesë nuk ka arritur ende ta kthejë veten në një vend. Rreth e rrotull saj gjendet një shesh me baër të tharë, e me gjurmë njerëzish në rrugën prej balte. Të moshuarit, në vend të stolave kanë vënë tulla cimentoje shkoqur nga shtresa e troturarit, si një mënyrë e personalizuar prej nevoje e përdorimit të publikes së mohuar.
Mes zallamahisë së burrave, Xhaviti tregon çfarë i ka ndodhur në fillimet e ndërtimit të Pallatit të Kulturës.
-“Kemi paguar nga 1 mijë lekë (të vjetra) që të luajmë tek një nga dhomat e këtij pallati që ka 100 dhoma”, – thotë Xhaviti me një zhgënjim që mbledh rreth vetes në revoltë edhe shumë të moshuar të tjerë.
Ato fillojnë të flasin pastaj të gjithë njëkohësisht. Për politikën e madhe, për ngjarjet në parlament, për kryeministra e ambasadorë. Dikush ankohet për rrugët, një tjetër për taksën e kanalizimeve që nuk i ka, për papunësinë, e dikush tjetër do thjesht një stol e një dhomë për të luajtur domino, si një mënyrë dorëzimi e pranimi të plakjes dhe vdekjes.
Pingback: Historia e Teatrit të Atyre – Nyje