Kamza nën masa të veçanta për parandalimin e përhapjes së COVID-19

14.03.2020 | nyje.al

Dita e tretë nga ndërmarrja e masave të veçanta për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, dhe Kamza duket kështu. Rrugët e boshatisura. Lokalet, baret, kafenetë, piceritë, institucionet publike, tregjet e veshjeve të përdorura, të gjitha janë mbyllur. Transporti urban është funksional vetëm për stafin mjekësor (mjekë, infermierë e sanitarë të pajisur me ID identifikuese). Frymon nëpër qytet tek-tuk ndonjë punëtor që pret në stolat e qytetit, shitësit e fruta-perimeve, ushqimoreve dhe furrat e bukës. Në gjithë këtë qetësi, tërheq vëmendjen zhurma e motorëve që duket se e shijojnë një rrugë të tërë veç për vete. Pak më të shpeshtë janë ata që lëvizin me biçikleta. Të paktë janë ata që dalin për të blerë ushqime. Barnatoret kanë 1-2 klientë, secili i kujdesshëm në distancën me tjetrin.

Tregu i fruta-perimeve vazhdon të qëndrojë hapur deri vonë me shërbimet. Çmimet, ndryshe nga çfarë njoftohet se po ndodh në kryeqytet vazhdojnë të jenë njësoj, vende-vende ndonjë ngritje me 10-20 lekë, si për shembull një dorë me hudhra të njoma. Familjet janë të gjitha strehuar në banesat dhe oborret e tyre, dhe nëpër lagje periferike ndihet aroma e druve të djegur për flinë me saç për ditë vere.

E gjithë kjo atmosferë ngjan si pushimi mes dy luftrash, asaj të punës së përditshme që ka ndalur dhe asaj që pritet të vijë.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje