Frika nga shembja- D. W. Winnicott (pjesa e dytë)

Përkthim | Genc Shehu | 08.11.2020 

Pjesa e dytë

Aplikime të mëtejshme të kësaj teorie

Frika nga vdekja

Për të transferuar tezën e përgjithshme të frikës nga shembja në një frikë të përveçme nga vdekja, lipsen vetëm pak ndryshime. Kjo ndoshta është një frikë më e zakontë dhe që përthithet në mësimet fetare rreth jetës së përtejme, a thua për të mohuar faktin e vdekjes.

Kur frika nga vdekja është simptomë domethënëse, premtimi i jetës së përtejme nuk arrin të japë çlirim dhe arsyeja është se pacienti ka kompulsion me kërkue vdekjen. Sërish, ajo që mëtohet është vdekja që ndodhi por nuk u përjetua.

Kur Keats-i qe “gjysmë i dashuruar me të paqmen vdekje”, ai, sipas idesë që po parashtroj këtu, ziente nga ëndja për lehtësinë që do të vinte nëse do të mund të “mbante mend” që kishte vdekur; por për me mbajtë mend i duhet ta përjetojë tani vdekjen.

Shumica e ideve të mia frymëzohen nga pacientë, të cilëve ua njoh borxhin. Njërit prej tyre i detyrohem për frazën “vdekje fenomenale”. Ajo çka ndodhi në të shkuarën qe vdekja si dukuri, fenomen, por jo si tipi i faktit që vrojtojmë. Shumë burra e gra i kalojnë jetët duke pyetur veten a ta gjejnë zgjidhjen përmes vetëvrasjes, pra, ta çosh trupin në vdekjen që i ka ndodhur sakaq psikes. Sidoqoftë vetëvrasja s’është përgjigje, por gjest dëshpërimi. Tani e kuptoj për herë të parë se ç’deshte të thoshte pacientja ime skizofrene kur më tha: “Gjithçka që po të kërkoj është veçse të më ndihmosh të kryej vetëvrasje për arsyen e duhur në vend se për të gabuarën.” Unë nuk ia dola dhe ajo e vrau veten në dëshpërimin e gjetjes së zgjidhjes. Synimi i saj (siç e shoh tani) qe që të pohohej prej meje që ajo kishte vdekur në foshnjërinë e hershme. Mbi këtë bazë mendoj se ajo dhe unë do të mund ta aftësonim atë që ta linte për më vonë vdekjen e trupit derisa pleqëria të bënte punën e vet.

Vdekja, e parë në këtë mënyrë si diçka që i ndodhi pacientit por të cilën pacienti nuk qe mjaftueshëm i pjekur për ta përjetuar, ka kuptimin e asgjësimit. Pra ndodh asisoj që një pattern krijohet ku vazhdimësia e të qenurit ndërpritet prej reagimeve foshnjore të pacientit ndaj cenimeve. Këto cenime janë faktorë mjedisorë që u lejuan të cenojnë për shkak të dështimeve në mjedisin lehtësues. (Në rastin e këtij pacienti, telashet nisën shumë herët ngase ekzistonte një vetëdije e parakohshme që u zgjua përpara lindjes për shkak të një paniku nga ana e nënës dhe, përveç kësaj, lindja u ndërlikua me placenta previa [çrregullim kur planceta zhvillohet në një pozicion ku pengon daljen e bebes – sh. i përkth.] të padiagnostikuar.)

Zbrazëti

Sërish, pacientët e mi më tregojnë se koncepti i zbrazëtisë mund të këqyret me po këto syze.

Në disa pacientë zbrazëtia ka nevojë të përjetohet dhe kjo zbrazëti i përket të shkuarës, kohës përpara se shkalla e pjekurisë të mundësonte përjetimin e zbrazëtisë.

Për ta kuptuar këtë është e nevojshme të mendojmë – jo që ndodhi trauma por – që asgjë nuk ndodhi kur diçka e vyer do të mund të kishte ndodhur.

Për pacientin është më e lehtë të kujtojë traumën sesa të kujtojë që s’ka ndodhur gjë kur do mund të kishte ndodhur. Në atëkohë, pacienti nuk e dinte se çfarë do mund të kishte ndodhur dhe kësisoj nuk mund të përjetonte asgjë përveçse të vërente se diçka do mund të kishte ndodhur.

Shembull

Një frazë në trajtimin e një pacienti e ilustron këtë. Kjo grua e re rrinte shtrirë padobishëm në divan dhe gjithçka që mund të bënte ishte të thoshte: “Nuk po ndodh asgjë në këtë analizë!”

Në stadin që po përshkruaj, pacientja kishte dhënë material të një lloji të tërthortë kështuqë unë mund të dija që ajo me gjasë po ndjente diçka. Isha i aftë të thoja se ajo kishte qenë duke ndjerë ndjenja dhe se ajo po i përjetonte këto tek veniteshin gradualisht sipas stilit të saj, një stil që e dëshpëronte atë. Ndjenjat ishin seksuale dhe femërore. Ato nuk shpërfaqeshin klinikisht.

Këtu në transferencë po isha vetë tani (pothuajse) shkaku i përtharjes së seksualitetit të saj femëror; kur kjo u pohua siç duhet, ne patëm një shembull në të tashmen se çfarë kishte ndodhur tepër shpesh. Në rastin e saj (për ta thjeshtuar për hir të përshkrimit), babai ishte në fillim vetëm rrallëherë i pranishëm dhe pastaj, kur ai erdhi në shtëpinë e saj kur ajo ishte vajzë e vogël, ai nuk donte veten femërore të vajzës dhe nuk kishte asgjë për të dhënë në aspektin e nxitjes femërore.

Tani, zbrazëtia është parakusht për zellin për të mbledhur brenda. Zbrazëtia primare do të thotë thjesht: përpara se të fillosh të mbushesh. Nevojitet një pjekuri e konsiderueshme që kjo gjendje të jetë kuptimplotë.

Zbrazëtia që ndodh në trajtim është gjendje që pacienti po përpiqet të përjetojë, një gjendje e shkuar e cila nuk mund të mbahet mend përveçse duke u përjetuar për herë të parë tani.

Në praktikë, vështirësia është se pacienti i frikësohet tmerrit të zbrazëtisë dhe, në mbrojtje, organizon një zbrazëti të kontrolluar duke mos ngrënë apo mos mësuar, ose përndryshe e mbushë dhe e ngjeshë me një lakmi që është kompulsive dhe ndihet si e marrosur. Kur pacienti të mund të mbërrijë te vetë zbrazëtia dhe ta durojë këtë gjendje për shkak të varësisë në egon ndihmuese të analistit, atëherë, përthithja ose marrja brenda mund të ndërniset si funksion kënaqësi-prurës; këtu mund të fillojë ngrënja pa qenë funksion i disociuar (ose i shkëputur, i çarë) si pjesë e personalitetit; po ashtu pikërisht në këtë mënyrë që, disa prej pacientëve tanë që nuk mund të mësojnë, mund të fillojnë të mësojnë me kënaqësi.

Mos-ekzistencë

Mëtimi për mosekzistencë personale mund të shqyrtohet në të njëjtën mënyrë. Do të zbulohet se mosekzistenca është pjesë e një mbrojtjeje. Ekzistenca personale përfaqësohet nga elementët e projektimit dhe personi bën një përpjekje për të projektuar gjithçka që do kishte gjasë me qenë personale. Kjo mund të jetë mbrojtje relativisht e sofistikuar dhe synimi është shmangia e përgjegjësisë (në pozicionin depresiv) ose shmangia e persekutimit (në atë që do ta quaja stadi i vetëpohimit, pra, stadi i unë jam me implikimin e brendaqenësishëm unë hedh poshtë gjithçka që nuk është unë). Këtu vlen të përdoret si ilustrim këngloja e fëmijve “Unë jam mbret i kalasë – Ti zuzar i poshtër”.

Te fetë kjo ide mund të shfaqet në konceptin e të qenurit një [i bashkuar] me Zotin ose me Universin. Është e mundshme të shihet se si mohohet kjo mbrojtje në shkrimet dhe mësimet ekzistencialiste, në të cilat të ekzistuarit bëhet kult, në një rrekje për t’ju kundërvënë prirjes personale drejt mosekzistencës që është pjesë e një mbrojtjeje të organizuar.

Në gjithë këto mund të ketë ndonjë element pozitiv, pra, një element që nuk është mbrojtje. Do mund të thuhej se vetëm prej mos-ekzistencës mund të nisë ekzistenca. Është  befasuese sa herët (madje edhe përpara lindjes, me siguri gjatë procesit të lindjes) mund të mobilizohet vetëdija e një egoje të parakohshme. Mirëpo, individi nuk mund të zhvillohet prej një rrënje të egos nëse kjo është e divorcuar, e shkëputur prej përvojës psikosomatike dhe prej narcizizmit primar. Pikërisht këtu zë fill intelektualizimi i funksioneve të egos. Këtu mund të vërehet se e gjithë kjo është mjaft e distancuar në kohë përpara themelimit të çkadoje që do mund të quhej me dobi vetja.

Përmbledhje

Kam tentuar të tregoj se frika nga shembja mund të jetë frikë e një ngjarjeje të shkuar që nuk është përjetuar ende. Nevoja për ta përjetuar atë është e barazvlefshme me nevojën për të mbajtur mend në termat e analizës së psikoneurotikëve.

Kjo ide mund të zbatohet ndaj frikërave të tjera aleate dhe kam përmendur frikën nga vdekja dhe mëtimin për zbrazëti.

Ndajeni këtë shkrim

Ky postim ka një koment

Lini një Përgjigje