Disa botime me vlerë për gazetarinë

Nëpërmjet kolanës “Meduza”, projekt i konceptuar dhe realizuar nga “Instituti Politik i Studimeve Humane” me mbështetjen e Autoritetit të Medias Audiovizive, u arrit që të sillen në shqip 4 libra që trajtojnë sociologjinë dhe statusin e televizionit. Bëhet fjalë për “Sociologjia e televizionit” nga Brigitte LE Grignou dhe Érik Neveu dhe “Shpërthimi i gazetarisë” i autorit Ignacio Ramonet (përkthyer nga Elvis Hoxha), “Televizioni dhe kultura rinore” nga Jan Jagodzinski (përkthyer nga Genci Shehu) dhe “Historia e programeve televizive amerikane” nga James Roman (përkthyer nga Evi Veliu dhe Pavjo Gjini). Janë titujt e katër copave të një mozaiku, shumë të pasur me bibliografi që u ofrojnë studentëve të gazetarisë mundësinë për të njohur se çfarë fshihet mbrapa edukimit të një gazetari në Perëndim.
Kolana u promovua prej botuesit dhe përkthyesve të cilët përmendën ndër të tjera rëndësinë e këtyre përkthimeve sidomos nisur prej çoroditjes së gazetarisë edhe në Shqipëri. Disa nga temat që u cekën përgjatë këtij takimi ishin gazetaria që ka humbur kontaktin me mendimin dhe gazetarë që përdorin fraza të parafabrikuara; tituj bombastik që s’kanë lidhje me përmbajtjen e tekstit; raportime jo më të aktit që ndodh, por të skenareve që i riprodhojnë vetë nëpër redaksi duke njohur shijet e “konsumatorit”; televizioni i reduktuar në një kanal i shkëputur tërësisht prej domethënies që duhet të mbartë me vete.
Pjesë e këtij takimi ishte poeti e njëkohësisht botuesi i kolanës “Meduza”, Krenar Zejno i cili ndau me të pranishmit një reflektim mbi gazetarinë në Shqipëri. Më poshtë shkrimi i tij i plotë.
Dyshi hidhet nga shtata dhe gjen njëshin
(nga masa e mediave te media e masave)
Me shkas nga nëntitulli edhe trauma e paparë që njofton fjalia e parë e librit të parë që çel koleksionin Meduza, Shpërthimi i gazetarisë, në botimet Zenit: prej goditjes së ”meteorit internet”në tokë dhe numerizimi i botës e shndërrimi i biotopit informacional që kjo shkakton. Por edhe rastit të parë kur, i pranishëm në promovim, as i kam lexuar përtej hedhjes një sy nën urgjencën e pagëzimit të kolanës me një emër. Në kushtet e së cilës na ndih për të dyja, referimi mitik mbi profanimin e tempullit me aktin e përdhunimit të bukurisë Meduzë prej fuqisë dhe në vijim ai i shndërrimit në gur prej vështrimit sy më sy. Gjithsesi, e pranueshme kjo alibi e imja vetëm falë dorëzanisë dhe bashkëpunimit për herë të parë si bashkëbotues, Institutit politik të studimeve humane, dhe mbështjetjes gjeneroze të Autoritetit të mediave. Kësisoj, po vijoj duke e ruajtur efikasitetin që sjell paralelizimi dhe enumeracioni, me një rast prej kronikës së ditës nga një e përditshme. Ndehur në krye të saj, titulli:
Hidhen nga kati i shtatë, gjejnë vdekjen.
Shtjellimi: Një çift të moshuarish hidhen nga kati shtatë dhe gjejnë vdekjen!
Mortjen ndehur aty poshtë në tokë, që sikur e gjetën pasi e kishin humbur nga sytë (shënimi im). Më poshtë: Hidhen sëtoku nga lartësia, gjë që ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të të dyve. Policia po kërkon shkaqet e kësaj (shënimi i saj, të përditshmes). Nuk bëhet fjalë për shkaqet e mospërputhjes mes kohëve të foljes, pra vdekjes në të shkuarën e që i paraprin hedhjes në kohën e tashme teksa sikur po ndodh live. Pastaj: pikë. Që gjithsesi lë të hapur mundësinë dhe të sigurt gatishmërinë e gazetarisë që, nëqoftëse eventualisht do të ketë numra të tjerë të përfshirë si shkaktarë, kjo do të shkaktojë menjëherë vënien në garë se kush do të jetë më i pari për njoftimin më të fundit lajmërues të përfshirjes në ndryshimin e rendit të këtyre numrave. Përndryshe… kaq, dhe paskëtaj lajmi hesht, apo heshtet. Thjesht, në mungesë lënde dhe materiali faktik që të implikojë një serial numrash. Edhe numrin më të afërt të mundshëm, sapo e vuri në përdorim gazeta konkurente:
Çifti i të moshuarve hidhet nga kati i tetë (megjithë dyqanet).
E këtu, ortografia bëhet njësh me gjëmën. Nuk ka kohë, në rendjen pas lajmit dhe numrave, t’i vihesh pas edhe fatit të shkronjave. Aq më pak të operosh në rendin simbolik të numrave dhe atë figurativ e imagjinar si p.sh nën qasjen : … pasi nuk rrinë dot më brenda rrathëve të ferrit, ku kanë mbërritur të shtatin, hidhen nga sheshpushimi i katit të tetë. Aq më pak akoma, të këshillosh se për raste çiftesh më të rinj që mund të marrin një vendim të tillë, kati lypset të jetë përpjestueshmërisht më i lartë për të shkaktuar me siguri më të lartë atë çka ata kanë vendosur të realizojnë, kjo për shkak të vetë kondicionit fizik, normalisht më të shëndetshëm. Kjo dhe për faktin se, kur bën vaki një rast i ngjashëm rinor, zakonisht është më me interes ta orjentosh titullin drejt versionit: burri hedh gruan dhe fill më pas hidhet edhe vetë. Duke qenë se zgjon dy mundësi dhe për pasojë dyfish interes. Kurse një titull mbi hedhjen e dyshes së pleqve, mund të shtyhet maksimumi deri te basti i parashikimit se ky lajm është i fundëm, i përmbyllur në vetvete, i pashtjellueshëm, pra me shumë gjasë nuk do të ketë numra të tjerë si shkaqe pas këtij akti, e për pasojë as ç’të thuhet pas tij.
Atëherë, në shfaqe të një rangu më të lartë profesionalizmi guximtar dhe aftësie për të paraparë që s’ka dorë tjetër pas këtij akti – prej vetë faktit të kapjes dorë më dorë si dëshmi e përplotë e vullnetit të plotë të dyshes për të ikur nga kjo botë -, ja dhe titulli disi më i zgjeruar për një testatë paksa më të detajuar e të figurshme:
Një çift të moshuarish hidhen nga kati i tetë prej trishtimit.
Madje, kjo e përditshme e ka marrë të mirëqenë përfshirjen e dyqaneve të katit përdhes në llogaritjen e lartësisë së ngrehinës sipas modelit perëndimor. Pa qenë nevoja për sqarimin e hedhjes nga kati i tetë ’megjithë dyqanet’, i cili do mund të keqkuptohej si një vërvitje e përbashkuar e varfërisë dhe e prosperitetit e mallrave, gjë që jo vetëm e tejkalon trishtimin, por nuk i mjafton as mjerimi te pauperizmi si gjendja kronike e tij e pashpresë. Sepse kur mjerimi rri mu ndanë pasurisë dhe mondanes: kalohet në gjendjen kristaline të mizerjes. Mjeranes. Aty ku u ndal Migjeni të shihte, kur ishte ende herët dhe pothuaj ende bosh pragut matanë.
Për saktësi asnjë prej gazetave nuk do të jetë shprehur në lidhje me detajin e katit si i parafundit. Jo vetëm se kjo dukej qartë edhe nga pamjet e kronikave televizive, por edhe sepse, përveç numrit si më tërheqës për lexuesin, nuk ka kohë për të zhbiruar nëse shtesa si kat i fundit është e legalizuar apo jo, për ta konsideruar ligjërisht e përmendur korrektësisht në shtyp. Por edhe në rast se po, duhet hetuar edhe mbi hekurat përpjetë e përmbi të, si qimet e derrit ku ra ngulthi dhe mbeti trumcaku i Migjenit.
Gjithsesi, shpresoj që të mos kaploheni nga e njëjta marramendje ime dhe ta ruani edhe pak ekuilibrin meqë, tekefundit, këtu po bëjmë një paralele nga jeta reale, që në fakt nuk gjen lidhje të drejtpërdrejtë me librin. Sigurisht që do të konsiderohej thjesht lajthitje e rëndomtë ortografike e do të ndryshohej atypëraty, pa qënë as nevoja të censurohet me urdhër, sikur shprehja e këtij lajmi kronike të qe, për shembull:
Çifti dorëpërdore hidhet nga kati i shtatë i trishtimit!
Mirëpo, ca si shumë romantik ky për një lajm realiteti, siç nga ana tjetër rezulton tepër e thatë numerologjia e rendit simbolik: dyshi hidhet nga shtata ose teta dhe gjen njëshin.
Te ky çast i hedhjes në çift parakalojnë imazhe frame të kohërave. Qysh prej atij primordial adamik, kur Ai dhe Ajo vendosin vetëvrasjen e qashtërsisë për një sfidë: të kapërdijnë një kafshatë të ndaluar, mbase nën kureshtjen për të kuptuar mes brendie edhe ç’është dija e pushtetit mbi ta. Nga ky ballkon i vërvitjes për në dheun poshtë, parakalojnë pamje të artit, nga Shekspiri i tragjedisë romantike të ballkonatës së vet, te Hygoi epik i të mjerëve të mizerjes e te Bodleri elegjiak i kryqit mes atij spleen si gjendje e trishtimit brengosës dhe mërzisë bodleriane që edhe i lypset njeriut për të ndriçuar njohjen e njerëzores, e gjer dhe absurdi beketian i personazhit në çift pleqsh të veprës me titull: Oh, këto ditë të bukura!
E nëse rasti i kësi çasti nuk bart këtë ngarkesë, pra as absurdin vetë si finale dhe rrugëdalje interpretimi pa rrugëdalje, është pikërisht prej kësaj që akti bëhet tmerrues. Pa implikimin e dashurisë si shtysë e pakontrollueshme pasioni: akti tyre s’gjen alibi. Kësisoj, i mbetet veçse politikja e tij, përsaqë e tyrja është një vetvrasje jo individuale por in-dividum, e pandashme, e duetit që rri në bazë të jetës dhe mbërjes së shoqërisë. Që i dha të shtymen.
Te libri ”sikurqenia” ka dhe një faqe kronike që e konsideroj pjesën më të dobët e ku kam rënë në dobësinë e hakmarrjes pa artin e duhur të përshkrimit të realitetit, më shumë për inat e mëri ndaj realitetit mediatik të përshkrimit, të cilin u përpoqa më kot ta vizatoja me fjalë në formën e një vegle pune antike që druvari e përdor edhe për të mundësuar letrën e shkrimit, por më së shumti dhe zakonisht për dru zjarri apo ndonjë funksion tjetër dytësor:
Kur qenia e dobët po i çan
kokën një qenieje të fortë
atëherë kjo qenie e fortë
dhe sipas dialektit të vet
ia çan kokën, apo kryet,
atypëraty me një sëpatë
qenies ca më të shkretë
që na pat krejt fajin vetë
përsa: nuk e linte të qetë
Ndërkaq qarkorja e qendrës
shpall të zhdukur në drejtim
të pa ditur atë të ndërkryerin
që as denjoi fare të paraqitej
të paktën për të qenë i paditur
dhe e bën krejt të qartë që vrasja
nëpërmjet pjesës së mprehtë të një
arme të hekurt relativisht të ftohtë
të ashtuquajtur: sëpatë me myqe
dhe ndarja e kokës horizontalisht
më dysh e në lartësinë e qerpikëve
pa asnjë mëdyshje është kryer me
paraqëllim të qëllimshëm
Kohë e pas kohe
gazetat qendrore që
s’ka ç’qullosin përpos
zisë kronike të qenieve
do pasqyrojnë lajmet për
aq e kaq vjeçarin, që është
zhdukur e që s’është kthyer
akoma nga drejtimi i pa ditur
qysh ahere kur qëlloi me pjesën
e përparme të një sëpate kaq e aq
vjeçaren, që, këto ditë, në bazë të
datës së saj të lindjes, do t’qe duke
festuar ditëlindjen
meqë do mbushte kaq e aq vjeç, teksa
miqtë e mikeshat me pjatat në pëqi dhe
qerasjet mes gishtash maniqyr do thonin:
edhe njëqind!
Ndërkohë
aq e kaq vjeçari që e qëlloi
e që tani, me llogari, i binte të qe
aq e kaq vjeç
do të qe inatosur, me siguri, si kriminel që qe
tek do shihte me qesëndi viktimën e ardhëshme
po të qe këtu
tani-tani që, për hir të së vërtetës, duhet thënë që
në fakt aq e kaq vjeçari mbetet ende si qyshkur
në drejtim të paditur, ndërkohë që kaq vjeçarja
që ka ditëlindjen, fatkeqsisht ka ndërruar jetë
Qashtu siç gazetat na e kanë bërë të qartë
me pasqyrimin qysh në faqe të parë
të çastit kur qenia tjetër aq vjeçare
atëbotë që ishin në bashkëshortësi
qëlloi
për vdekje kaq e aq vjeçaren
që tani prehet mu në paqe
të qiellit.
Para se ta mbyll, më duhet ta rikthej fjalën edhe njëherë aty nga e nisëm. Dallimin nga kuptimi i termit ‘shpërthim’ si vitalitet, lindje, big-beng a shpërthim i një bulbi, te shpërthimi si hedhje në erë, si anullim, vdekje, titulli në shqip i librit Shpërthimi i gazetarisë e lë në pezull, të pashpërthyer. Aq më mirë, për të apeluar qysh nga titulli atë që gjuha e bart dhe e përcjell mbase jo më kot si ambiguitet dhe qasje dyfishësie pozicionimi mendues, dyshues, reflektues. Siç në rastet e mbara kur gazetaria nuk qe fotografja amatore e realitetit për kronikë e thjesht për të mësuar një lajm, por vështruesja me sy të shqyer e reales, për të kumtuar me lajm e për mëtuar prej lajmit. Ndaj, mund të quanim gazetarë e kronikanë të klasit të parë vetë Migjenin, Nolin, Konicën, apo dhe Kutelin, Petro Markon e Ismail Kadarenë.
Janë përtej nesh edhe ata që kanë kaluar nga gazetaria, kronika, pamfleti dhe editoria; nga Sëift te Ëilliam Blake e te Ëitman, nga Hemingueji tek Orëell, Pasolini, Kamy e Markes, e me rradhë. Mirëpo, tani është gjithë e më e vështirë të shkojnë më të tillë.
Jetojmë me kohë në kohën e dorëzimit të gazetarisë dhe medias, nga shpërthimi i saj iniciator – si pushteti i katërt, nën atributin e zërit voix of people për një drejtpeshim të treshes pushtet e përkundër ushtrimit të teprisë dhe arbitrares dhunuese e pushtuese -, tek atashimi në rradhët e mercenarizmit, në betejat e nën urdhrat e pushtetit. E prapëseprapë, është nga media dhe shtypi ku mbarset e ngjizet edhe nevoja e rikthimit në pozitat e misionares së fillimeve.
Shtypi dhe media kanë përcjellë edhe valët e lirisë e humanizmit, edhe valët e të ligës model gëbelsian përmes radios së nazizmit. Siç Meduza mit i dyfishtë i vështrimit e rrezikut, bukurisë dhe spektaklit të shëmtisë, mbrojtëses dhe mizorisë.
Gazeta dhe televizioni, mes fjalës dhe imazhit, lëndës materie dhe valë, qielli dhe toke, legjitimes dhe arbitrares, tundimit dhe ndëshkimit, është një farë çifti Eva-Adam. Bartëse e një mëkati që u përket të gjithëve, gjithaq e fajshme sa e pafajshme.
Në trajektoren e kalimit tonë të regjimeve e pushteteve të shtypjes dhe shtypit përkatës, nga bufonata pa një censurë kushedi, ama gjakmarrëse, e mbretërisë, mandej te demokracia popullore e shpalljes pa liri, e tanimë në lirinë populiste të palljes me dhe pa demokraci, medias as i janë dashur këto komplikime mitike. E mbyllim kronikën këtu dhe me gjuhën e saj:
Sot e për rastin në fjalë, nga nisi edhe kjo fjalë, mund të thuhet se ajo ka dorë të padukshme në valën e erës që i dha një dorë shtysës së dy pleqve të vërvitur në ajri, dorëzuar vullnetit dhe urtisë së gravitetit, kapur dorë më dorë.
“Vetvrasja e trumcakut”, në mjaft raste rileximesh, më ngjan se mban përbrenda edhe marazin e autorit që po vret copëra të artit të veprës së vet, duke apeluar diku më hapur e më me tepri vullnetet e ndrydhuna dhe emergjencën si shoqëri, për mos me mbet ‘ai thumbi i ngulun në trutë e njerzisë’.
Mund ta ligjëroja këtë temë edhe pa e shkruar dhe do t’i mjaftoja ftesës së të sotmes bisedë. Por tema mbi gazetarinë e sotme duhet të përfshijë edhe rrezikun e shuarjes së dallimit mes të shkruarës dhe të folurës. Që janë aq të ndryshme. Duke e vështruar dhe kryqëzuar shikimin me fjalët që shkruan, shkruesi e njeh edhe rrezikun e shndërrimit në gur të njërës nga palët.
Faleminderit që sot, në shpërnguljet nga Zenit në shtypshkronjë e këtu në Autoritetin e mediave – por edhe falë teknologjisë së sotme për të shkruar në një ekran celulari dhe të mirave të transportit publik për me pas dorën të lirë nga timoni, si dhe ndjesinë e fortë të publikes mes tërë asaj mase populli në autobus -, më dhatë shtysën të shpërtheja një makth realiteti të së përditëshmes, pa qenë i shtrënguar të lirohem prej tij duke e zhbërë atë medoemos në një vepër.
Krenar Zejno

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje