Covid-19 Përditësime nga Kamza

Mariana Syla |08.04.2020 |nyje.al 
Insituti i Shëndetit Publik njofton se në 24 orët e fundit janë kryer 236 teste për raste të dyshuar, ku 17 prej tyre rezultojnë të prekur me Covid-19 duke çuar në 400 numrin e të prekurve. Po në ditën e sotme janë shëruar 23 pacientë duke e çuar në 154 numrin total të të shëruarve.
Në shërbimin infektiv janë shtruar 52 pacientë. Në spitalin “Shefqet Ndroqi” ndodhen 6 pacientë të shtruar. Prej tyre 5 pacientë janë në terapi intensive, 1 në pavion, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar.
Harta e të prekurve zgjerohet në Tiranë me 9 raste, Elbasan 1 rast, Fier 6 raste dhe Shkodër 1 rast.
✓Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
Tiranë – 190 raste
Durrës – 38 raste
Lushnjë – 5 raste
Elbasan – 12 raste
Fier – 32 raste
Kavajë – 8 raste
Rrogozhinë – 4 raste
Korçë – 17 raste
Vlorë – 5 raste
Shkodër – 45 raste
Lezhë – 14 raste
Berat – 2 raste
Has – 12 raste
Krujë – 5 raste
Tropojë – 4 raste
Pukë – 4 raste
Mirditë – 3 raste
Ndërkohë bashkësitë fetare po kalojnë një situatë të pazakontë, por aspak paralizuese për ndjesitë e tyre. Klerikët e të gjitha besimeve nuk ngurojnë të japin mesazhe shprese dhe durimi për besimtarët, të cilët asesi nuk duhet të bien në kthetrat e pesimizmit.

 Kisha në Kamëz- fotografi nga Mariana Syla

Besimtarët e krishterë prej afro 6 javësh agjërojnë kreshmet, përkujtim për vuajtjet e Krishtit. Periudhë kjo që pasohet me gëzimin e festës së Pashkës. Nga dekreti i dhënë prej Selisë Ipeshkvore të Shqipërisë më datë 12 mars 2020 u pezulluan të gjitha aktivitetet liturgjike dhe ato të programuara, përfshirë edhe Meshën e Shenjtë, por garantohen varrimet duke shmangur popullimin. Kishat vazhdojnë të rrinë të hapura për lutje personale gjatë ditës. Famullitarët kremtojnë Meshën në kapelat e tyre duke e transmetuar atë online përmes rrjeteve sociale.
Të dielën e shkuar në Famullinë e Kamzës u kremtua e diela e Larit vetëm prej famullitarit Lauri Sevillano dhe shoqëruesve të tij. Ky është një ritual ku bekohen degët e ndryshme, si ato të ullirit dhe të dafinës, të cilat simbolizojnë pjellorinë dhe begatinë.
Përmes rrjeteve sociale Famullia e Kamzës ka informuar besimtarët e krishterë se të hënën dhe të martën do kalonin nëpër lagjet kryesore të qytetit për të bekuar ata të cilët kishin vendosur gjethet e Larit në dritaret e shtëpive, në derë e në muret e jashtme. Kjo u shoqërua me brohoritje si në Jerusalem: “Hosana, Biri i Davidit.”
Ambjentet e brendshme të kishës për shkak të kreshmeve, janë zhveshur nga zbukurimet e tepërta duke u bërë për koicidence një me situatën që kalojnë qytetarët.
Po ashtu edhe Këshilli i Myftisë bazuar në orientimin e Institucioneve Shtetërore, si dhe dispozitave fetare në lidhje me çështjen e virusit ka vendosur të pezullojë faljen e xhumave dhe të kohëve të namazit në bashkësi dhe ju luten besimtarëve të qëndrojnë në shtëpi pranë njëri- tjetrit, duke u lidhur edhe më fort me Zotin. Duke e parë zbatimin e udhëzimeve si një obligim fetar dhe një detyrë kombëtare.
Ata sjellin në vëmendje sfidat e pandemive që kanë kaluar paraardhësit e tyre, prej të cilave janë pezulluar tubimet fetare deri dhe pelegrinazhi në vendin e shenjtë, duke iu referuar urtësive hyjnore, ku thuhet: “Nëse në një vend ka rënë epidemi mos shkoni atje, e nëse bie në një vend ku jeni ju atëherë mos dilni prej tij.” Ruajtja e jetës, përkujdesja, si dhe largimi i dëmit që mund të vijë nga pandemia ka prioritet ndaj tubimit të njerëve.
Normalisht varrimet është e pamundur të pezullohen, por ceremonia vazhdon edhe pse me numër të reduktuar njerëzish, ndërsa kujtesat fetare tanimë kanë kaluar online.

Xhamia ne Koder-Kamez, foto nga rrjetiPyetjes se si po kalohet kjo situatë nga besimtarët Imam Sabaudin Jashari përgjigjet: “Deri tani duket se besimtarët janë stabilizuar goxha për të bashkëvepruar ashtu siç duhet me këtë situatë, si në rregullat e karantimit, ashtu edhe në ndihmesën ndaj atyre pa mundësi ekonomike për të përballuar nevojat bazë ushqimore. Ata kanë pasur mundësi të mirë për të qëndruar me Zotin e tyre e për të shijuar më tepër adhurimin dhe për të reflektuar për marrëdhëniet e njeriut me veten, me Zotin, me familjen.”
Nëse besimtarët e krishterë po behen gati për ta mbylluar agjërimin e për të festuar, besimtarët muslimanë po përgatiten për të filluar agjërimin e muajit Ramazan. Mobilizimi i hoxhallarëve ka filluar që tani për vetëdijësimin paraprak për vlerën e Ramazanit, për të bërë një parapërgatitje shpirtërore dhe konceptuale.
Sipas klerikëve për besimtarët karantina është një mundësi për të sistemuar dhe njëherë prioritetet e njeriut, duke ditur se në përditshmëri dhënia pas materiales ia ka zbehur kujtimin me Krijuesin. E nga kjo të krijohet ndjesia sikur ata e kanë nxjerrë Zotin nga “ karantina” e zemrës së tyre e po e ndjejnë më shumë me Të.

 

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje