Covid-19 – Përditësime nga Kamza

Mariana Syla | 18.04.2020 | nyje.al 

Zv.Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli në përditësimin e situatës nga Covid-19 bën me dije se në 24 orët e fundit janë testuar 231 të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar pozitive 9 raste me virusin Covid- 19, duke e çuar në 548 numrin total të të infektuarve. Në raport me numrin e përgjithshëm të testimeve që prej nisjes së betejës vetëm 10 % e të gjithë të testuarve kanë dalë pozitiv. Vetëm 220 persona janë të infektuar aktiv.

Në 24 orët e fundit listës së të shëruarve u shtohen edhe 19 individë, duke e çuar në 302 numrin e të shëruarve.

Në shërbimin infektiv janë 35 të shtruar, 7 janë të shtruar në shërbimin intensiv. Ndërsa në spitalin COVID 2 janë 8 pacientë të shtruar, 4 prej tyre në terapi intensive në gjendje të rëndë dhe 4 të tjerë në pavion.

Harta e të prekurve zgjerohet në Kurbin me 5 raste, në Kukës me 2 raste, Tiranë me një rast dhe në Fier me 1 rast.

✓ Shpërndarja gjeografike e raste pozitive është si vijon:

Tiranë – 246 raste
Durrës – 42 raste
Lushnjë – 6 raste
Elbasan – 16 raste
Fier – 36 raste
Kavajë – 9 raste
Rrogozhinë – 4 raste
Korçë – 19 raste
Vlorë – 5 raste
Shkodër – 94 raste
Lezhë – 14 raste
Berat – 2 raste
Has – 13 raste
Krujë – 11 raste
Tropojë – 4 raste
Pukë – 5 raste
Mirditë – 3 raste
Kukës – 11 raste
Mallakastër – 1 rast
Kurbin – 7 raste

Me qëllim që situata të vazhdojë të jetë nën kontroll, autoritet u kërkojnë qytetarëve që me durim të respektojnë masat e distancimit social si e vetmja mënyrë për kufizimin e hapjes së infeksionit.

Që prej fillimit të përhapjes së Covid-19 në Shqipëri, stafi mjekësor i Qendrës Spitalore Kamëz po përballet për herë të parë me një nga situatat më shqetësuese për ta.

Jolanda Muceku, infermiere me përvojë 32 vjeçare, prej tashmë 17 vitesh punon në Urgjencën e Kamzës. Nga gjithë kjo eksperiencë pune, ajo kurrë nuk është ndjerë më e frikësuar sesa nga Covid-19-ta.

“Spitali është një nga vatrat ku mund ta marrësh shumë lehtë virusin. Njerëzit që vijnë rishtazi në spital janë shumë të papërgjegjshëm. Ata paraqiten pa maska e pa dorëza pranë stafit, pa frikën se mund ta marrin virusin, por edhe që mund të jenë mbartës e ta përcjellin atë te mjekët dhe infermierët. Ne përpiqemi t’i sensibilizojmë, por kjo punë nuk bëhët menjëherë. Kemi lehtësira dhe fluks më të ulët të pacientëve në urgjencën e Kamzës pasi me zhvillimin e teknologjisë na është krijuar mundësia që në bazë të kodit t’ua porosisin ilaçet online dhe ata të mund t’i marrin direkt në farmaci, sidomos për moshat e treta të cilëve iu është diagnostikuar sëmundja.” – shprehet Jolanda.

Ajo çka e shqetëson më shumë infermieren është se mund të infektohet me Covid- 19 dhe ta përhapë pa qëllim edhe tek të tjerë. E pyetur për uniformën e punës, ajo tregon se ka krijuar një të tillë vetë duke mbledhur copa e duke i qepur ato në rrobaqepsi, e pjesën tjetër duke bashkëpunuar me dyqanet elektroshtëpiake. Jolanda në bisedë shprehet se gjithmonë e ka ndjerë punën e saj si mision të lartë human, ndaj kjo i jep më shumë forcë për ta përballuar frikën duke vendosur të mirën e përgjithshme e atë të pacientit para të gjithave.

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje