Bisedë me Kryetarin e Bashkisë

Fejton | 27.06.2018 | nyje.al

“-Ngjitu lart, në kat të dytë është zyra. Dera e parë djathtas. Ke dhe rojen aty që të tregon.”
Ndërtesa dukej që ishte e re, muret e lyera në blu, tavani blu, fletëpalosjet e broshurat blu, stolat blu. Pllakat e bardha të dyshemesë ishin thyerja a parë e atij mozaiku blurosës. Ishin të pastra në atë masë sa ngjanin me pasqyra të vendosura në pozicion horizontal. Me atë rast kontrolloi zinxhirin e pantallonave. Ishte i mbyllur. Mirë. Sigurt.
U ngjit lart shkallëve dhe u kryqëzua rrugës me disa punonjës. Këtë e dalloi kur i dëgjoi tek flisnin për asfalt e rrugë dhe shpatullën e majtë ia kapi një si metal. Njëri nga ata rrotullonte zinxhirin, ku gishti tregues ishte qendra e boshtit të rrotullimit. E kishte futur në një rreth metalik ku mbante një tufë çelsash që duhej të ishin të zyrave të bashkisë a bizneseve të tij. Po i rrotullonte me shumë qejf dhe këtë e shoqëronte me një fishkëllimë që dukej se po ndiqte këngën e re tallava të Bujar Qamilit me Luanën e Vjollcës.
-Përshëndetje, kam ardhur të takoj kryetarin. Di që ka sot takime me popullin e Kamzës.
-A e ke shënu emrin?
-Ku?
-Te lista.
-Po, te Marimja, shitësja e lagjes. Ka kohë. Por kam ardhur për diçka tjetër sot.
-S’më duhet mu për ça ke ardh, as kush është Marimja. Po prit pak aty… Qysh e ke emrin? Ma thuj pak ta kontrolloj…
-Aron Kola, e kam.
-Aron Aron Aron Arooon rooon roon rën, rëëën…ëëëëëënn….Kola. Po e paske. Je në radhë pas këtij që del tashi. Qe, shife vet se noshta s’mbeson mu.
-Po po e pashë. Maje aty, arritëm në stacion, se po ecje shumë shpejt.
Sapo polici mbaroi me shqipërimin e mbiemrit të qytetarit që siç duket atij iu duk si pedale gazi e ndonjë makine me motor sportiv, në çast u hap dera e zyrës së kryetarit nga ku doli i fundit. Ishte radha e tij tashmë. Nuk e kuptoi pse polici e orientoi sërish qytetarin dhe pasi dola nga dera, “qe, këtëj është rruga”, për nga dalja e saj. Ishin dy mundësi. Ose roja kishte frikë që qytetari do rikthehej sërish në zyrë tek kryetari ose ai mundet të ketë hyrë nga dritarja e dalja ishte rrugë e re për të. Nuk kishte hyrë andej.
E çuditshme! Në bashkinë e qytetit është gjithmonë më e rëndësishme të dalësh nga aty sesa të hysh brenda.
-Hyr nga kjo dera e hec përpara, – tha polici duke shtrirë krahun përpara.
Iu duk sikur po ecte në labirinthe që të çojnë në arsenalet bërthamore të një shteti jo në një administratë shtetërore me aq kthesa e dyer.
Kur hyri çdo gjë ishte e thjeshtë dhe në vendin e vet. Dera ishte e kapur pas murit, llampat të varura, televizori LCD i fikur, doreza e derës, portreti i Sali Berishës, koshi metalik me pedalen e zezë në fund, fotoja e kryetarit e varur në mur. Dyshemeja ishte poshtë dhe tavani lart. Për mrekulli.
Dalloi dhe binte në sy menjëherë një numër i madh çertifikatash vlerësimi.
Çertifikatat te ne përdoren më shumë si panorama në zyra sesa si shenjë vlerësimi. Kjo dukej nga fakti që ato vareshin në mure dhe jo të mbyllura a të vendosura në rafte, dosje a CV. Ishin të gjitha të ekspozuara në korniza të bukura druri a metalike. Kjo në varësi të autoritetit lëshues.
-Uluni zotëri. M’i jep dokumentat…
-Hehe, nuk kam ardhur për të kërkuar punë zoti kryetar. Kam ardhur thjesht për të përshëndetur dhe propozuar diçka.

-Ti paske qenë për t’u futur pa radhë këtu. Çfarë kishe?
-Sikur banorët e Kamzës të kenë një bibliotekë për shembull. Të lexojnë Niçen, Balzakun, Hemiguejin, Tolstoin, Camajn, Petro Markon, Shkrelin, Podrimjen, “Gjuetarin e Balonave”…
Kryetari buzëqeshi lehtë e mendueshëm, dhe lëshoi stilolapsin që mbante në dorë nga një lartësi e vogël nga tavolina e punës e tha:
-A ke buk te shpëja?
-Kam. Se asht Bajram nesër. Edhe na gjendet.
-Gzuar, – tha kryetari duke u ngritur në këmbë e duke i shtrënguar dorën qytetarit. Dhe normal që duhet të kesh se me kan nuk të shkon menja me dal me gjujt balona. Njerëzit s’kanë bukë me hangër ti vjen e kërkon libra me balona.
-Epo kështu, do bëhen dy herë të pangrënë. S’do hanë as bukë, s’do hanë as libra. A e përballon dot stomaku i një kamzaliu këtë formë regjimi?!
-Librat nuk hahen,- tha kryetari.
-Librat hahen, – replikoi qytetari.
-Librat lexohen orti shoq. Mos mkallxo. Stomakt e kamzalinjve o i njoh unë, o kërkush tjetër. Kam 12 vjet që i studioj. E leji metaforat me mu…
-Jo nuk ishte metaforë ajo.
-Aaaa, – u dëgjua një pasthirrmë. Meqë nuk na qenka metaforë…
Pasi tha këtë kryetari nuk kishte asnjë vështirësi të dalloje shenjat e nervozizmit te ai qoftë në intonacionin e ngjyrën e zërit, qoftë në lëvizjet e trupit që duket që u përshpejtuan. U ngrit në këmbë dhe u drejtua për tek rafti në të cilin kishte disa çertifikata mirënjohjeje të mbështetura në faqet e tij, globin, flamujt e Shqipërisë dhe Amerikës, dhe mori një libër. Sapo u ul në karrige, e përplasi e gati sa nuk i ndryshoi titulli librit nga tronditja.
-Urdhëro, – e lëshoi në tavolinë. Haje. E t’boftë mirë.
Ishte David Icke_”Sekreti i Madh”.
-Haje këtë e ka me të dal biblioteka qejfit.
Dukej që kryetari e kishte ngrënë vet e akoma e kishte barkun e fryrë. Nuk e ka tretur ende. Përpos kësaj ai arriti të ngrihej nga karrigia, mbështeti të dy duart grusht në tavolinë dhe tha:
“O mik, me lexu libra kamzalijt dalin menç. Mazi se jan… Ngatërrohen e s’din as me votu mrapa. Deri këtu mund të shkoj…Jemi mire iher. Të dy palët. Un’ thashë se dashte nej vend pune e ta kisha bo hall, por për libra nuk ia vlen me i hy hiç asaj pune.”

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje