Arrogancë kryeministri edhe në Kamëz

25.10.2018 | nyje.al
Ditën e shtunë kryeministri i vendit zhvilloi një takim me të rinjtë e Kamzës në fundin e një rruge,- që atij i kujtoi kohën kur ishte kryetar bashkie i Tiranës. Nga takimi u anëtarësuan 327 të rinj në familjen e madhe politike të Partisë Socialiste. Anëtarësimet nisën fillimisht nga të rejat femra pasi kjo gjini sipas kryeministrit ka prioritet në shoqëri dhe është forca e partisë socialiste. Çuditërisht, anëtari i parë që mori kartën e anëtarësimit nga kryeministri, ishte mu në krah të tij, aq afër, duke shpjeguar edhe një herë në mënyrë të pavetëdijshme hierarkinë paraprake dhe të inskenuar në këtë shoqëri, që nuk dua ta quaj të Kamzës. Do ishte e padrejtë. Është e gjitha,- kudo në Shqipëri.

Fjalën e hapjes së takimit e mori Rakip Suli duke falenderuar të gjithë të pranishmit aty. Më pas foli kryetarja e partisë socialiste të Tiranës duke ia lënë fjalën kryeministrit i cili qëndroi i ulur dhe duke u fshehur pas frazave me ngjyra të rënduara metaforike shpjegoi që nuk do të ngrihet në këmbë sepse kështu ngjan më shumë si një bashkëbisedim dhe më pak si një miting partiak. Në fakt ai nuk u ngrit për disa arsye: sepse i erdhi zor nga delegati që ishte i emocionuar dhe patetik. I erdhi zor nga kryetarja që ngërdheshej duke mos thënë asgjë dhe në fund i erdhi zor nga vetvetja, pasi ai ishte një takim bosh dhe si diçka që duhet bërë shpejt e shpejt. Duhej hequr qafe. Por nuk u ngrit edhe për një arsye më të fortë: sepse nuk ka konsideratë ndaj çdogjëje që ndodh në Kamëz.
Fyerjen e arrogancën tashmë e ka shpalosur gjithandej, në media, përballë gazetarëve, me analistë e publicistë duke luajtur shpeshherë me sinqeritetin e naivitetin e tyre.
Të rinjve në Kamëz, aq më tepër atyre që dihet sesi janë mbledhur aty, ai e dinte shumë mirë që mund t’iu shpëtonte lehtë tek kjo pjesa.
Të gjithë ata që u anëtarësuan, të paktën ata që morën kartën nga duart e kryeministrit, ishin tejet të ngarkuar emocionalisht aq sa rrallë ndonjëri/ra arriti të përfundojë një fjali të plotë e pa gabime. E dikush harroi për çfarë kishte ardhur. Harroi të merrte kartën. U ngatërruan aq shumë sa më kujtuan terapinë e famshme të psikoanalistit “Geoffrey Rush” kundrejt mbretit George VI tek “Ligjërimi i mbretit”.

“Dua ta bëjmë Bashkinë e Tiranës si Bashkinë e Kamzës!”, “Jam shumë e privilegjuar që kartën ma dhe ti”, apo “E kam për herë të parë këtë”. Nuk më erdhi aspak mirë teksa dëgjoja ata të rinj me këto shprehi. Sepse mendoja vetëm për një gjë: shkaqet. Pse këta të rinj emocionohen kaq shumë dhe janë në këtë gjendje!
Përgjigjet mund të jenë njëherësh të pakta ose të shumta, të diskutueshme, të përziera ose konçize. Dhe nuk datojnë sot.
Maksimumi dhe minimumi i angazhimit qytetar për këta të rinj, ashtu si shumë të rinj shqiptarë, përfaqësohet nga një çast i vetëm i jetës së tyre politike: TË VOTUARIT. Këtu nis e përfundon mandati i tyre. Janë mësuar të shohin politikanë e kryetarë bashkish vetëm në zgjedhje elektorale a inagurime rrugësh dy-lekëshe. Rrugë të cilat rihapen më vonë, arnohen, sepse kanë harruar të bëjnë disa instalime të tjera elektrike nën to.

Ne nuk kërkojmë një kryeministër që të zgjidhë të gjitha problemet tona, që të na bëjë më të lumtur e as të kemi më shumë imunitet ndaj sëmundjeve.
Kërkojmë thjesht dikë që minimalisht të trajtojë me respekt e dinjitet disa të rinj që për fatin e keq të tyre dhe të këtij vendi, nuk dinë të flasin e të shprehen pa ndrojtje në situata të tilla. E jo një kryeministër që luan dhe abuzon me kartën e besueshmërisë.
Duam një kryeministër që ngrihet në këmbë kur flet në publik.
***Një djalosh i ri nga Kamza që nuk arriti ta merrte kartën e anëtarësimit nga duart e kryeministrit***

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje