Urrejtja në kundër-transferencë

Donald Winnicott | Botuar origjinalisht në vitin 1949

Shqipëruar nga Genc Shehu | 09.01.2025

Në këtë punim dëshiroj të shqyrtoj një aspekt të temës së ambivalencës në tërësi, domethënë urrejtjen në kundër-transferencë1. Unë besoj se detyra e analistit (quajeni atë analist hulumtues) i cili ndërmerr analizën e një psikotiku rëndohet seriozisht nga kjo dukuri dhe se analiza e psikotikëve bëhet e pamundur nëse vetë urrejtja e analistit nuk është më së miri e shkoqitur dhe e vetëdijshme. Kjo është sikur të thuash se një analist duhet vetë të analizohet, por gjithashtu afirmon se analiza e një psikotiku është trazuese në krahasim me atë të një neurotiku dhe është brendaqenësisht e tillë.

1 Nocioni i transferencës në psikoanalizë i referohet procesit ku pacienti projekton ndjenja, dëshira apo konflikte emocionale nga marrëdhëniet e tij të kaluara mbi terapistin. Ndërkohë, kundërtransferenca është përgjigjja emocionale dhe projetmet që terapisti zhvillon ndaj pacientit, shpesh të lidhura me përvojat ose konfliktet personale të tij. Këto koncepte janë thelbësore për të kuptuar dinamikat ndërpersonale dhe zhvillimin e procesit terapeutik. [Shën. i përkth.]

Jashtë trajtimit psikoanalitik, menaxhimi i një psikotiku është padyshim trazues. Herë pas here kam bërë vërejtje kritike e të mprehta për prirjet moderne në psikiatri, për përdorimin me lehtësi të tepruar të dridhjeve elektrike dhe lobotomitë tepër drastike. Për shkak të këtyre kritikave që kam shprehur, dua të jem i pari që njeh vështirësinë e skajshme që përfshin detyra e psikiatrit dhe sidomos e infermierit mendor. Pacientët e çmendur gjithmonë përbëjnë një barrë të rëndë emocionale për ata që kujdesen për ta. Do mund t’i falim ata që bëjnë këtë punë nëse bëjnë gjëra të tmerrshme. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, që duhet të pranojmë çfarëdo që bëjnë psikiatrit dhe neurokirurgët si të arsyeshme sipas parimeve të shkencës.

Prandaj, edhe pse ajo që vijon është për psikoanalizën, në të vërtetë ka vlerë për psikiatrin, madje edhe për dikë që puna e tij nuk e fut në asnjë mënyrë në llojin analitik të marrëdhënies me pacientët.

Për të ndihmuar psikiatrin e përgjithshëm, psikoanalisti duhet jo vetëm të studiojë për atë fazat primitive të zhvillimit emocional të individit të sëmurë, por duhet gjithashtu të studiojë natyrën e barrës emocionale që mbart psikiatri në kryerjen e punës së tij. Ajo që ne si analistë e quajmë kundër-transferencë ka nevojë të kuptohet edhe nga psikiatri. Sado që ai i do pacientët e tij, ai nuk mund t’i shmanget urrejtjes dhe frikës kundrejt tyre; dhe, sa më mirë ta dijë këtë, aq më pak do të jenë urrejtja dhe frika motivi që përcakton ç’u bën ai pacientëve të tij.

POHIM I TEMËS

Dukuritë e kundër-transferencës do mund të klasifikoheshin kështu:

Anomali në ndjenja kundër-transference, si dhe marrëdhënie dhe identifikime të caktuara që janë nën ndrydhje tek analisti. Komenti për këtë është se analisti ka nevojë për më shumë analizë dhe ne besojmë se kjo është më pak çështje ndër psiko-analistë sesa ndër psikoterapistë në përgjithësi.

Identifikimet dhe tendencat që i përkasin përvojave personale dhe zhvillimit vetanak të analistit, të cilat përbëjnë suazën pozitive për punën e tij analitike dhe e bëjnë punën e tij të ndryshme në cilësi nga ajo e çdo analisti tjetër.

Nga këto dyja, unë veçoj kundër-transferencën e mirëfilltë objektive, ose, nëse kjo është e vështirë, dashurinë dhe urrejtjen e analistit si reagim ndaj personalitetit dhe sjelljes aktuale të pacientit, bazuar në vrojtim objektiv.

Sugjeroj që, nëse një analist do të analizojë psikotikët ose antisocialët, ai duhet të jetë në gjendje të jetë aq fije-për-pe i vetëdijshëm për kundër-transferencën sa të mund të shkoqisë dhe studiojë reagimet e tij objektive ndaj pacientit. Këto përfshijnë edhe urrejtjen. Dukuritë e kundër-transferencës herë pas here do të jenë gjërat më të rëndësishme në analizë.

Motivi që i atribuohet analistit nga pacienti

Dua të sugjeroj që pacienti mund të vlerësojë tek analisti vetëm atë që ai vetë është në gjendje të ndiejë. Në çështjen e motivit: obsesivi do të priret të mendojë se analisti po e kryen punën e tij në një mënyrë të kotë obsesionale. Një pacient hipo-manik që është i paaftë për të qenë i depresuar, përveçse në një luhatje të rëndë humori dhe që në zhvillimin emocional të të cilit pozicioni depresiv nuk është fituar në mënyrë të sigurt, i cili nuk mund të ndiejë faj në një mënyrë të thellë, apo një ndjenjë kujdesi ose përgjegjësie, nuk është në gjendje ta shohë punën e analistit si tentativë nga ana e analistit për të riparuar në lidhje me ndjenjat e tij të fajit (të analistit). Një pacient neurotik priret ta shohë analistin si ambivalent ndaj tij dhe të presë që analisti të shpërfaqë një ndasi dashurie dhe urrejtjeje; ky pacient, kur ka fat, merr dashuri, sepse dikush tjetër po merr urrejtjen e analistit. A nuk do të rridhte prej kësaj se nëse një psikotik është në një gjendje ndjenjash “përkimi dashuri-urrejtjeje”, ai përjeton një bindje të thellë se analisti është po ashtu i aftë vetëm për të njëjtën gjendje të vrazhdë e të rrezikshme të marrëdhënies përkuese të urrejtje-dashurisë? Në rast se analisti tregon dashuri, ai me siguri në të njëjtin çast do ta vrasë pacientin.

Ky përkim i dashurisë dhe urrejtjes është diçka që përsëritet në mënyrë karakteristike në analizën e psikotikëve, duke shkaktuar probleme menaxhimi të cilat lehtë mund ta çojnë analistin përtej burimeve të tij. Ky përkim i dashurisë dhe urrejtjes, për të cilën po flas, është diçka që dallon nga komponenti agresiv i cili ndërlikon impulsin primitiv të dashurisë dhe nënkupton se, në historinë e pacientit, ka pasur një dështim mjedisor në kohën e impulseve të para instinktuale për gjetjen e objektit.

Nëse analisti do të ketë ndjenja të vrazhda që i imponohen atij, nëse do t’i atribuohen ndjenja të vrazhda, është më mirë që ai të jetë i paralajmëruar dhe kështu i përgatitur, sepse ai duhet të durojë vendosjen e vetes në atë vend. Mbi të gjitha ai duhet të mos mohojë urrejtjen që ekziston realisht tek ai. Urrejtja që justifikohet në mjedisin aktual duhet të shkoqitet dhe të ruhet e të jetë në disponim për interpretim eventual.

Nëse duam të bëhemi të aftë të jemi analistë pacientësh psikotikë, duhet të kemi arritur të zbresim në nivelet më primitive të vetes dhe ky është vetëm një shembull tjetër i faktit se përgjigjia për shumë probleme të errëta të praktikës psiko-analitike qëndron në analizën e mëtejshme të analistit. (Hulumtimi psiko-analitik është ndoshta gjithmonë, në një farë mase, përpjekje nga ana e analistit për ta çuar përpara punën e analizës së tij matanë pikës në të cilën mundi ta çojë analisti i tij.)

Një ndër detyrat kryesore të analistit për çdo pacient është të ruajë objektivitetin në lidhje me gjithçka që sjell pacienti – dhe një rast i veçantë i kësaj është nevoja e analistit për të qenë i aftë ta urrejë pacientin në mënyrë objektive.

A nuk ka shumë situata në punën tonë të zakonshme analitike ku urrejtja e analistit është e justifikuar? Një pacient i imi, një obsesiv shumë i keq, ishte pothuajse i pështirshëm për mua për disa vite. U ndjeva keq për këtë derisa analiza mori një kthesë dhe pacienti u bë i dashur dhe paskëtaj kuptova se papëlqyeshmëria e tij kishte qenë simptomë aktive, e përcaktuar në mënyrë të pavetëdijshme. Qe njëmend një ditë e mrekullueshme për mua (shumë më vonë) kur në fakt mund t’i tregoja pacientit se unë dhe miqtë e tij ishim ndjerë të neveritur prej tij, por se ai kishte qenë tepër i sëmurë për ne që t’ia bënim me dije. Kjo qe një ditë e rëndësishme edhe për të, një përparim i jashtëzakonshëm në përshtatjen e tij me realitetin.

Në analizën e zakonshme, analisti nuk ka vështirësi me menaxhimin e urrejtjes së tij. Kjo urrejtje mbetet latente. Gjëja kryesore, natyrisht, është se përmes analizës së tij ai çlirohet prej rezervuarësh të mëdhenj të urrejtjes së pavetëdijshme që i përkasin së kaluarës dhe konflikteve të brendshme. Ka arsye të tjera pse urrejtja mbetet e pashprehur dhe madje nuk ndihet si e tillë:

Analiza është zanati im i zgjedhur, me mënyrën si ndihem më mirë të merrem si me fajin tim, me mënyrën si mund të shprehem në formë konstruktive.

Unë paguhem, ose jam në trajnim për të fituar një vend në shoqëri përmes punës psikoanalitike.

Jam duke zbuluar gjëra të reja.

Marr shpërblime të menjëhershme nëpërmjet identifikimit me pacientin, i cili po përparon, dhe mund të shoh shpërblime akoma më të mëdha më tutje, pas përfundimit të trajtimit.

Për më tepër, si analist kam mënyra për të shprehur urrejtjen. Urrejtja shprehet me ekzistencën e fundit të “orës”.

Unë mendoj se kjo është e vërtetë edhe kur nuk ka asnjë vështirësi dhe kur pacienti është i kënaqur të shkojë. Në shumë analiza këto gjëra mund të merren si të mirëqena, aq sa mezi përmenden, dhe puna analitike bëhet përmes interpretimeve verbale të transferencës të pavetëdijshme të pacientit. Analisti merr rolin e njërës prej figurave ndihmëse të fëmijërisë së pacientit. Ai përfiton nga suksesi i atyre që bënin punën e pistë kur pacienti ishte foshnjë.

Këto gjëra janë pjesë e përshkrimit të punës së zakonshme psiko-analitike, e cila më së shumti ka të bëjë me pacientët, simptomat e të cilëve kanë një cilësi neurotike.

Megjithatë, në analizën e psikotikëve, analisti merr një lloj dhe shkallë mundi krejt tjetër dhe është pikërisht ky mund i ndryshëm që unë po rrekem të përshkruaj.

Ilustrim i ankthit të kundër-transferencës

Kohët e fundit, në një hark disa-ditor, zbulova se po bëja punë të keqe. Bëra gabime në lidhje me secilin nga pacientët e mi. Vështirësia ishte në veten time dhe ishte pjesërisht personale, por kryesisht e lidhur me një pikë kulmore që kisha arritur në marrëdhënien time me një pacient të veçantë psikotik (në kuadër hulumtimi). Vështirësia u largua kur pata një nga ato që nganjëherë quhen ëndrra “shëruese”. (Me këtë rast do të shtoja se gjatë analizës sime dhe në vitet pas përfundimit të saj kam patur një seri të gjatë prej këtyre ëndrrave shëruese të cilat, megjithëse në shumë raste të pakëndshme, secila prej tyre kanë shënuar ardhjen time në një fazë të re të zhvillimit emocional.)

Në këtë rast të veçantë isha i vetëdijshëm për kuptimin e ëndrrës kur u zgjova apo edhe para se të zgjohesha. Ëndrra kishte dy faza. Në të parën isha ndër lozhat në një teatër dhe shikoja nga lart njerëzit shumë më poshtë në sallë. Ndjeva një ankth të fortë sikur mund të humbisja një gjymtyrë. Kjo u asociua me ndjenjën që kam pasur në majë të Kullës Eifel se, nëse do ta vendosja dorën tej pragut, ajo do të binte në tokë poshtë. Ky do të ishte një ankth i zakonshëm kastrimi.

Në fazën tjetër të ëndrrës, isha i vetëdijshëm se njerëzit në sallë ishin duke parë një shfaqje dhe tani isha i lidhur me atë që po ndodhte në skenë përmes tyre. Një lloj i ri ankthi u zhvillua tani. Ajo që dija ishte se nuk kisha fare anën e djathtë të trupit. Kjo nuk ishte një ëndërr kastrimi. Ishte një ndjesi e mungesës së asaj pjese të trupit.

Në zhgjëndërr, ndërsa po zgjohesha, isha i vetëdijshëm se kisha kuptuar në një nivel shumë të thellë se cila ishte vështirësia ime në atë kohë të caktuar. Pjesa e parë e ëndrrës përfaqësonte ankthet e zakonshme që mund të krijoheshin në lidhje me fantazitë e pavetëdijshme të pacientëve të mi neurotikë. Do të isha në rrezik të humbisja dorën ose gishtat nëse këta pacientë do të interesoheshin për to. Me këtë lloj ankthi isha i njohur dhe ishte krahasimisht i tolerueshëm.

Megjithatë, pjesa e dytë e ëndrrës i referohej marrëdhënies sime me pacienten psikotike. Kjo paciente kërkonte nga unë që të mos kisha fare lidhje me trupin e saj, madje as në imagjinatë; nuk kishte trup që ajo ta njihte si të sajin dhe nëse ajo ekzistonte fare, ajo mund ta ndjente veten vetëm si mendje. Çdo përmendje e trupit të saj prodhonte ankthe paranoide, sepse të pohosh se ajo kishte trup ishte një mënyrë për ta persekutuar. Çfarë ajo kishte nevojë prej meje ishte që unë të isha vetëm një mendje që i fliste mendjes së saj. Në kulmin e vështirësive të mia në mbrëmjen para ëndrrës, unë u acarova dhe i pata thënë se çka ajo kishte nevojë prej meje ishte pothuaj qiqra në hell. Kjo kishte pasur efekt katastrofik dhe u deshën shumë javë që analiza të mëkëmbej nga lajthitja ime. Megjithatë, gjëja thelbësore ishte që unë të kuptoja ankthin tim dhe kjo u përfaqësua në ëndërr nga mungesa e anës së djathtë të trupit tim kur u përpoqa të hyja në kontakt me shfaqjen që shikonin njerëzit në sallë. Kjo anë e djathtë e trupit tim ishte ana që lidhej me këtë paciente të veçantë dhe ndikohej për rrjedhojë nga nevoja e saj për të mohuar absolutisht, madje edhe një marrëdhënie imagjinare, të trupave tanë. Ky mohim po prodhonte tek unë këtë lloj ankthi psikotik, shumë më pak të tolerueshëm sesa ankthi i zakonshëm i kastrimit. Sidoqofshin interpretimet e tjera që do mund të bëheshin sa i takon kësaj ëndrre, rezultati – i faktit që e pashë këtë ëndërr dhe e mbajta mend – ishte se unë isha në gjendje ta rimerrja atë analizë dhe madje të shëroja dëmin e shkaktuar nga acarimi im, i cili e kishte origjinën në një ankth reaktiv të një cilësie që shkonte përshtat me kontaktin tim me një pacient pa trup.

Shtyrja për më vonë e interpretimit

Analisti duhet të jetë i përgatitur të përballojë tensionin, pa pritur që pacienti të dijë ndonjë gjë se ç’po bën, ndoshta për një periudhë të gjatë kohe. Për ta bërë këtë, ai duhet të jetë me lehtësi i vetëdijshëm për frikën dhe urrejtjen e tij. Ai është në pozicionin e nënës së një foshnjeje të palindur ose të sapolindur. Herët a vonë, ai duhet të jetë i aftë t’i tregojë pacientit të tij çka ka kaluar për hir të pacientit, por një analizë mund të mos arrijë kurrë deri aty. Ndoshta ka tepër pak përvoja të mira në të kaluarën e pacientit për të punuar mbi to. Po sikur të mos ketë fare marrëdhënie të kënaqshme të foshnjërisë së hershme që analisti të shfrytëzojë në transferencë?

Ekziston një ndryshim i madh midis atyre pacientëve që kanë pasur përvoja të kënaqshme të hershme, që mund të zbulohen gjatë transferencës, dhe atyre, përvojat e hershme të të cilëve kanë qenë kaq të mangëta ose të shtrembëruara, saqë analistit i duhet të jetë i pari në jetën e pacientit për të dhënë disa gjëra thelbësore të mjedisit. Në trajtimin e pacientit të këtij lloji të dytë, gjithëfarësoj gjërash në teknikën analitike bëhen me rëndësi jetike e që mund të merren si të mirëqena në trajtimin e pacientëve të llojit të parë.

E pyeta një analist, që e përqendron vëmendjen e tij te neurotikët, nëse ai e kryen analizën në errësirë dhe ai tha: “Si? Jo! Sigurisht që detyra jonë është të japim një mjedis të zakonshëm dhe errësira do të ishte e jashtëzakonshme.” Ai u habit me pyetjen time. Ai ishte i orientuar kah analiza e neurotikëve. Por kjo dhënie dhe ruajtje e një mjedisi të zakonshëm mund të jetë në vetvete një gjë me rëndësi jetike në analizën e një psikotiku, në fakt mund të jetë, ndonjëherë, edhe më e rëndësishme se interpretimet verbale që gjithashtu duhen të bëhen. Për neurotikun, divani, ngrohtësia dhe rehatia mund të jenë simbolike të dashurisë së nënës; për psikotikun, do të ishte më e vërtetë të thuhej se këto gjëra janë shprehja fizike e dashurisë së analistit. Divani është prehri ose barku i analistit dhe ngrohtësia është ngrohtësia e gjallë e trupit të analistit. Dhe kështu me radhë.

Urrejtja objektive nën sprovë

Shpresoj se ka një progresion në pohimin tim të temës. Urrejtja e analistit është zakonisht latente dhe mbahet lehtësisht e fshehtë. Në analizën e psikotikëve, analisti është nën një trysni më të madhe për të mbajtur urrejtjen e tij latente dhe ai mundet që ta bëjë këtë vetëm duke qenë imtësisht i vetëdijshëm për të. Tani dua të shtoj se, në faza të caktuara të disa analizave, urrejtja e analistit në fakt mëtohet nga vetë pacienti dhe ajo që nevojitet kësisoj është një urrejtje që është objektive. Nëse pacienti kërkon urrejtje objektive ose të justifikuar, ai duhet të jetë në gjendje ta arrijë këtë, përndryshe nuk mund të ndiejë se mund të arrijë dashuri objektive.

Ndoshta është me vend këtu të citojmë rastin e fëmijës së shtëpisë së prishur, ose të fëmijës pa prindër. Një fëmijë i tillë e kalon kohën e tij duke kërkuar në mënyrë të pavetëdijshme prindërit e tij. Është e njohur se është tejet e papërshtatshme të marrësh një fëmijë të tillë në shtëpi dhe ta duash atë. Ajo që ndodh është se pas njëfarë kohe fëmija i birësuar kësisoj fiton shpresë dhe më pas ai fillon të sprovojë mjedisin që ka gjetur dhe të mëtojë prova për aftësinë e kujdestarëve të tij për të urryer objektivisht. Duket sikur ai mund të besojë që e duan vetëm pasi të arrijë të urrehet.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një djalë nëntë vjeç erdhi në një strehë për fëmijët e evakuuar, i dërguar nga Londra jo për shkak të bombave, por për shkak të mungesës së përsëritur në shkollë. Shpresoja ta trajtoja ca gjatë qëndrimit në këtë strehë, por simptomat e tij fituan dhe ai iku siç kishte bërë gjithmonë nga kudo që nga mosha gjashtëvjeçare kur iku për herë të parë nga shtëpia. Megjithatë, unë kisha arritur të vihesha në kontakt me të gjatë një interviste në të cilën munda të shihja dhe interpretoja përmes një vizatimi të tij se, duke ikur, ai në mënyrë të pavetëdijshme po shpëtonte brendësinë e shtëpisë së tij dhe po mbronte nënën e tij nga mësymjet, përveç se po përpiqej të ikte nga vetë bota e tij e brendshme e cila ishte përplot me persekutorë.

Nuk u habita shumë kur ai u shfaq në komisariatin e policisë shumë afër shtëpisë sime. Ky ishte një nga komisariatet e pakta që nuk e njihnin nga afër. Gruaja ime me shumë bujari e mori dhe mbajti në shtëpi tre muaj, tre muaj ferri. Ky qe një fëmijë që edhe të bënte ta doje pa masë por edhe ishte po aq i padurueshëm, shpesh deri në marrosje. Por për fat e dinim ç’të prisnim. Fazën e parë e përballuam duke i dhënë liri të plotë dhe një shiling sa herë që dilte. Atij i duhej vetëm të telefononte dhe ne e merrnim nga cilido stacion policie që e kishte ndaluar dhe e mbante.

Shpejt, ndryshimi i pritur ndodhi, simptoma e ikjes nga shkolla mori kthesë dhe djali filloi të dramatizonte mësymjen ndaj brendësisë së vet. Ishte vërtet punë me kohë të plotë për të dy ne dhe, kur unë isha jashtë, atëherë ndodhnin episodet më të rënda.

Interpretimi duhej bërë në çdo minutë të ditës apo të natës dhe shpesh zgjidhja e vetme në një krizë ishte të bëhej interpretimi i saktë, sikur djali të ishte në analizë. Ishte interpretimi i saktë ajo që ai vlerësonte mbi gjithçka.

Gjëja e rëndësishme për qëllimin e këtij punimi është mënyra në të cilën evolucioni i personalitetit të djalit ndjellte urrejtje tek unë si dhe çfarë bëja unë në lidhje me këtë.

A e qëllova? Përgjigja është jo, nuk e godita kurrë. Por do më duhej ta kisha bërë këtë nëse nuk do të kisha ditur gjithçka rreth urrejtjes sime dhe nëse nuk do t’ia kisha bërë të ditur edhe atij këtë. Në çaste krize, e kapja me forcë fizike, pa zemërim apo fajësim, dhe e nxirrja jashtë derës kryesore, pavarësisht motit apo orës së ditës apo natës. Kishte një zile të veçantë që mund t’i binte dhe ai e dinte se, nëse do t’i binte, do të ripranohej brenda dhe nuk do t’i thuhej asnjë fjalë për të kaluarën. Ai e përdorte këtë zile sapo rimerrte veten nga sulmi i tij manik.

E rëndësishme është që çdo herë, porsa e nxirrja jashtë derës, i thoja diçka; i thoja se çka kishte ndodhur më kishte bërë ta urreja. Kjo ishte e lehtë sepse ishte shumë e vërtetë.

Mendoj se këto fjalë ishin të rëndësishme nga pikëpamja e përparimit të tij, por ato ishin kryesisht të rëndësishme për mua që të mundesha të toleroja situatën pa shpërthyer, pa e humbur durimin e pa e vrarë herë pas here.

Historia e plotë e këtij djali nuk mund të tregohet këtu. Ai shkoi në një shkollë të aprovuar. Rrënjët e thella të marrëdhënies së tij me ne kanë mbetur një nga gjërat e pakta të qëndrueshme në jetën e tij. Ky episod nga jeta e përditshme mund të përdoret për të ilustruar temën e përgjithshme të urrejtjes së justifikuar në të tashmen; kjo bën të dallohet nga urrejtja që justifikohet vetëm në një kontekst tjetër dhe që ceket e zgjohet nga ndonjë veprim i një pacienti (fëmije).

Dashuria dhe urrejtja e nënës

Nga gjithë kompleksiteti i problemit të urrejtjes dhe rrënjëve të saj, dua të qëmtoj një gjë, sepse besoj se kjo gjë ka rëndësi për analistin e pacientëve psikotikë. Unë sugjeroj që nëna e urren bebin përpara se bebi ta urrejë nënën dhe para se bebi të mund të dijë se nëna e urren atë.

Para se ta shtjelloj këtë tematikë, dua t’i referohem komenteve të Frojdit. Në Triebe und Triebschicksale (1915) [Shtysat dhe ndeshtrashat e tyre] (ku ai thotë plot gjëra që janë origjinale dhe ndriçuese për urrejtjen), Frojdi thotë: “ndoshta mund të themi për një shtysë se ajo “i do” objektet pas të cilave rreket për qëllime të përmbushjes, por të themi se shtysa “urren” një objekt, kjo na tingëllon si e çuditshme, kështu që bëhemi të vetëdijshëm se qëndrimet e dashurisë dhe urrejtjes nuk mund të thuhen se karakterizojnë marrëdhënien e shtysave me objektet e tyre, por rezervohen për marrëdhëniet e egos si një i tërë ndaj objekteve…” Mendoj se kjo është e vërtetë dhe e rëndësishme. A nuk do të thotë kjo se personaliteti duhet të jetë integruar përpara se të mund të thuhet se foshnja urren? Pavarësisht sa herët që të arrihet integrimi – ndoshta integrimi ndodh më herët në kulmin e eksitimit ose tërbimit – ekziston një fazë më e hershme teorike në të cilën çkado lënduese që bën foshnja, nuk e bën nga urrejtja. Unë kam përdorur frazën “dashuri e pamëshirshme” për të përshkruar këtë fazë. A është kjo e pranueshme? Teksa foshnja fillon të bëhet e aftë të ndiejë një person të tërë, fjala urrejtje zhvillon kuptimin si përshkrim i një grupi të caktuar të ndjenjave të saj.

Nëna, megjithatë, e urren foshnjën e saj që prej fillimit. Besoj se Frojdi e konsideronte të mundur që një nënë, në rrethana të caktuara, të ketë ndoshta vetëm dashuri për foshnjën e saj djalë; por ne mund ta dyshojmë këtë. Ne e dimë dashurinë e nënës dhe e vlerësojmë realitetin dhe fuqinë e saj. Më lejoni të jap disa nga arsyet pse një nënë e urren foshnjën e saj, edhe nëse është djalë.

Foshnja nuk është konceptim apo ngjizje e saj (mendore).

Foshnja nuk është ai i lojërave së fëmijërisë, fëmija i babait, fëmija i vëllait etj.

Foshnja nuk është prodhuar me magji.

Foshnja është rrezik për trupin e saj në shtatzëni dhe në lindje.

Foshnja ndërhyn në jetën e saj private, një sfidë për përqendrimin.

Deri diku, nëna ndjen se vetë nëna e saj kërkon me ngulm një fëmijë, kështu që fëmija i saj bëhet për të qetësuar nënën e saj.

Foshnja i lëndon thithat gjatë gjidhënies, që së pari është veprimtari përtypëse.

Është i pamëshirshëm, e trajton si llum, si shërbëtore pa pagesë, si skllave.

Ajo duhet ta dojë atë, me gjithë jashtëqitjet e të tjerat, sido që të jetë në fillim, derisa foshnja të ketë dyshime për veten e tij.

Ai përpiqet ta lëndojë, e kafshon periodikisht, të gjitha në saje të dashurisë.

Ai shpreh zhgënjim për të.

Dashuria e tij e ngazëllyer është dashuri me interes, asisoj që pasi ka marrë atë që do, e hedh të ëmën si lëkurë portokalli.

Foshnja në fillim duhet të jetë mbi gjithçka, duhet mbrojtur nga rastësitë, jeta duhet të zhvillohet sipas ritmit të saj dhe e gjithë kjo ka nevojë për vëmendjen e vazhdueshme dhe në hollësi të nënës së tij. Për shembull, ajo nuk duhet të jetë në ankth kur e mban në krahë atë, etj.

Në fillim foshnja nuk e di fare se çfarë nëna bën apo sakrifikon për të. Në veçanti, nuk mund të bëjë vend për urrejtjen e saj.

Foshnja është mosbesuese, refuzon ushqimin e saj të mirë dhe e bën atë të dyshojë në vetvete, por ha mirë kur e ushqen tezja.

Pas një mëngjesi të tmerrshëm me të, ajo del jashtë dhe foshnja i buzëqesh një të panjohuri, i cili i thotë: “Oh, sa i lezetshëm!”

Nëse ajo nuk arrin ta përmbushë atë në fillim, ajo e di se foshnja do të ketë hak me të përgjithmonë.

Foshnja e ngacmon, por edhe e frustron – nëna nuk duhet ta “gëlltisë” atë ose të përfitojë nga marrëdhënia me të.

Mendoj se në analizën e psikotikëve dhe në fazat përfundimtare të analizës, qoftë edhe të një njeriu normal, analisti duhet ta gjejë veten në një pozicion të krahasueshëm me atë të nënës së një foshnjeje të porsalindur. Kur pacienti ndodhet në regresion të thellë, ai nuk mund të identifikohet me analistin ose të vlerësojë këndvështrimin e tij, sikurse fetusi ose foshnja e sapolindur nuk mund të ndiejë simpati për nënën.

Një nënë duhet të jetë në gjendje të tolerojë urrejtjen ndaj foshnjës së saj pa bërë asgjë për këtë. Ajo nuk mund t’ia shprehë atë. Nëse, nga frika e asaj që mund të bëjë, ajo nuk mund të urrejë siç duhet kur lëndohet nga fëmija i saj, ajo detyrimisht kthehet pas në mazokizëm – dhe mendoj se është pikërisht kjo që ngre teorinë e rreme të një mazokizmi natyror te gratë. Gjëja më mbresëlënëse te një nënë është aftësia e saj për t’u lënduar aq shumë nga foshnja e saj dhe për të urryer aq shumë pa u hakëruar, si dhe aftësia e saj për të pritur shpërblime që mund ose jo të vijnë më vonë. Ndoshta e ndihmojnë disa vjersha fëmijësh që këndon, të cilat foshnja i pëlqen por për fat të mirë nuk i kupton?

Në majë peme, bebi përkund’, 

Kur era fryn djepi do t’lëkund’, 

Kur dega t’thyhet djepi do bjer’, 

Posht’ do vij’ beb, djep e të tjer’.

Përfytyroj një nënë (ose baba) duke luajtur me një foshnjë të vogël; foshnja duke gëzuar në lojë por pa ditur që prindi po shpreh urrejtje me fjalë, ndoshta në simbolizmin e lindjes. Kjo nuk është një vjershë sentimentale. Sentimentalizmi është pa dobi për prindërit ngase përmban një mohim të urrejtjes dhe sentimentalizmi në një nënë nuk është aspak i mirë nga pikëpamja e foshnjës.

Mua më duket e dyshimtë nëse një fëmijë njerëzor do të ishte i aftë, teksa zhvillohet, të durojë shtrirjen e plotë të urrejtjes së tij në një mjedis sentimental. Ai ka nevojë për urrejtje që të urrejë. 

Nëse kjo është e vërtetë, një pacient psikotik në analizë nuk mund të pritet të durojë urrejtjen e tij ndaj analistit nëse analisti nuk mund ta urrejë atë.

Problemi praktik i interpretimit

Nëse e gjithë kjo pranohet, mbetet për diskutim çështja e interpretimit të urrejtjes së analistit ndaj pacientit. Kjo është padyshim një çështje e mbushur me rreziqe dhe ka nevojë për gjetjen me kujdes të kohës [së bërjes së interpretimit]. Por unë besoj se një analizë është e paplotë nëse, edhe drejt fundit, nuk ka qenë e mundur që analisti t’i tregojë pacientit atë që ai, analisti, ka bërë për të pa dijeninë e pacientit kur ky ishte i sëmurë, në stadet e hershme. Deri sa interpretimi të bëhet, pacienti mbahet deri diku në pozicionin e foshnjës, që nuk mund të kuptojë se çfarë i detyrohet nënës së tij.

PËRMBLEDHJE

Analisti duhet të tregojë gjithë durimin, tolerancën dhe besueshmërinë e një nëne të përkushtuar ndaj foshnjës së saj, duhet të njohë dëshirat e pacientit si nevoja, duhet të lërë mënjanë interesat e tjera për të qenë i disponueshëm dhe të jetë i përpiktë dhe objektiv, si dhe të duket sikur dëshiron të japë atë që në të vërtetë e jep vetëm për shkak të nevojave të pacientit.

Mund të ketë një periudhë të gjatë fillestare në të cilën këndvështrimi i analistit nuk mund të çmohet (madje as në mënyrë të pavetëdijshme) nga pacienti. Nuk mund të pritet mirënjohje sepse, në rrënjën primitive të pacientit që po kërkohet, nuk ekziston kapaciteti për t’u identifikuar me analistin dhe sigurisht që pacienti nuk mund të shohë që urrejtja e analistit shpesh ndillet nga bash gjërat që bën pacienti në mënyrën e tij të vrazhdë të të dashuruarit.

Në analizën (atë hulumtuesen) ose në menaxhimin e zakonshëm të tipit disi më psikotik të pacientit, një tension i madh i vihet analistit (psikiatrit, infermierit mendor) dhe është me rëndësi të studiohen mënyrat se si ankthi me cilësinë psikotike dhe po ashtu urrejtja prodhohen tek ata që punojnë me pacientë psikiatrikë të sëmurë rëndë. Vetëm në këtë mënyrë mund të ketë ndonjë shpresë për të shmangur terapinë që përshtatet me nevojat e terapistit në vend se me nevojat e pacientit.