nyje.al | 12.09.2022
Laknasi dhe Valiasi, dy lagjet e Bashkisë Kamëz, janë banuar që në periudhën e regjimit komunist. Të lidhura me fermën “Ylli i Kuq” dhe Minierën e Valiasit, punëtorë të shumtë të këtyre sektorëve ndërtuan jetën e tyre në këto dy lagje të asokohshme të qytetit. Lumi Lana dhe lumi i Tiranës pasi bashkohen, e teksa gjarpërojnë, ndajnë këto dy lagje të hershme të qytetit dhe lidhen me njëra-tjetrën me një urë. Ura është ndërtuar nga minatorët e Valiasit, në vitet e tetëdhjeta. Banorët tregojnë se përpara se të përfundonte se ndërtuari, ata e kalonin lumin nëpërmjet dy kavove që lidhnin brigjet. Ura sot është ndërtuar dhe mbetet e varur, me dy këmbë që janë ngritur anës lumit dhe kavo që lidhin fundin dhe krerët e tyre. Ndër vite struktura ka ndryshuar dhe është amortizuar. Janë banorët ata që me mundësitë e tyre dhe duke improvizuar vazhdimisht e mbajnë të aksesueshme, në mungesë të ndërhyrjes së bashkisë. Ata shtojnë vit pas viti dërrasa, për ta mbajtur funksionale.
“Këtë urën e ka bërë Miniera e Valiasit. Dikur ishin veç dy kavo, u mbaje në kavon sipër…kam kaluar edhe vetë kur ishin kavot dhe më vonë e ndërtuan punëtorët e Valiasit, që të shkonin në punë. Në ‘84 ose ‘85 është bërë ura, e mbaj mend mirë, por duke u shemb, duke u shemb.
Kemi blerë vetë dërrasat, i kemi marrë e kemi rregullu, ja këta komshinjë tanë. Sa me kalu, është provizore, tashi është bërë më keq me shkallë.”
Vera me shira të paktë e lehtëson disi kalimin në këtë urë, por dimri me reshjet e dendura pothuaj çdo vit rrit nivelin e lumit dhe ura humbet në të. Vërshimet dhe ura jo e sigurtë i kanë kushtuar komunitetit edhe jetë njerëzish.
‘Janë mbyt edhe gjashtë veta këtu, në urë. Edhe policia e Kamzës ka ardh këtu, për një lajmërim që kemi bo ne që janë mbyt. Edhe, nuk është vënë dorë. Jo dorë, por nuk është vënë syri te ura jonë.”
Siç na bëjnë me dije banorët, edhe këmbët e pushtetarëve kanë shkelur mbi këtë urë. Ne periudhë zgjedhjesh e kanë vizituar lagjen, e kanë parë gjendjen e saj, por premtimi për të ndërhyrë në zonë nuk është mbajtur ende. Nga asnjëra parti.
“Në kohë zgjedhjesh erdhi ajo ministrja që është sot, Spiropali. Erdhi këtu bashkë me këto të bashkisë Kamëz dhe rrafi gjoksin. Këtë urë tha do e bëjmë. Jo që se boni, por asnjëherë nuk ka ardh ta vëzhgojë, ta shohë.”
Diti punon sot në një nga fasoneritë e Kamzës dhe ashtu si punëtorët e Valiasit dikur, ai kalon përditë mbi këtë urë. I riu u shpreh se politikanët vijnë dhe e shohin në në periudhë zgjedhjesh dhe ikin me përfundimin e votimeve, ndërkohë që ura sa vjen dhe degradon.
“Ça me bo? Ja shihe vetë, kjo është t’u ra në lumë krejt.”
Përveç rrezikut të prishjes totale të urës, kalimin e saj e bëjnë më të vështirë mbeturinat që hidhen në këmbën e urës në anën e Valiasit. Banorët kanë në dispozicion vetëm dy kosha mbeturinash, të cilët janë të pamjatueshëm për numrin e banorëve që e banojnë zonën. Në mungesë të koshave të tjerë grumbullues, banorët e pranojnë se janë të detyruar të hedhin mbetjet e tyre në lumë.
“Mbeturinat i hedhim atje matanë lumit, sepse kanë kazana, por nuk kanë mjaftueshëm. Dy kazana që janë atje, mbushen brenda natës. Aty duhen shumë, edhe banorët s’kanë faj.”
Vjeshta përveç shirave rikthen edhe nxënësit në shkolla, dhe kalimi bëhet pothuaj i pamundur për dhjetra fëmijë të zonës. Banorët shprehen se shumë prej tyre edhe pse jashtë mundësive ekonomike detyrohen të paguajnë transport për të çuar fëmijët në shkollë tjetër. Rindërtimi i urës që lidh Laknasin me Valiasin bëhet edhe më i nevojshëm duke marrë parasysh edhe procesin e rikthimit të banorëve në godinat e ndërtuara pas procesit të rindërtimit.