“Të mbrojmë shtëpitë tona nga pallatet e Erion Veliajt”, banorët e Tiranës dhe Kamzës rikthehen në protestë

nyje.al | 25.08.2022

Fillimviti 2022 u shënjua si rrallëherë nga rezistenca e banorëve të lagjes “5 Maji”. Në muajt janar-shkurt, qytetarët e kësaj zone kundërshtuan planin e prishjes së shtëpive të tyre me protesta të vazhdueshme, me procese gjyqësore dhe përplasje me trupat policore. Me pretekstin se zona ishte dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, me vendim të Këshillit të Ministrave u shpall shembja e godinave private me premtimin e rindërtimit sipas projektit të njohur me emrin “Tirana Riverside”. 

Qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës nuk morën në konsideratë kërkesat e qarta dhe të bazuara të qytetarëve, por realizuan planet e shembjeve të njëpasnjëshme të shtëpive në zonë. Lagjia e Kombinatit po ashtu ka pasur historitë e saj të rezistencës dhe përballjes me bashkinë e Tiranës kundër prishjes së pallateve të banimit. Rasti i qëndresës së banorëve nga Kombinati  dhe fitoret në Gjykatë Administrative kundër bashkisë të përfaqësuar nga qendra Res Publica, ngjalli entuziasëm ndër qytetarë. Megjithatë, odisea e tyre nuk ka të mbaruar. Po ashtu, prej disa muajsh, krahas situatës në zonën e 5-Majit dhe Kombinatit, i njëjti rrezik i prishjes së shtëpive i kanoset edhe një pjesë të lagjes së Laprakës, njësisë administrative të Paskuqanit dhe zonës së Babrrusë dhe Kodrës së Priftit. 

Si domosdoshmëri për të reaguar të gjithë njëzëri kundër shembjes së shtëpive të tyre, banorët e 5 Majit, Laprakës, Kombinatit dhe Paskuqanit protestuan dje përpara Bashkisë Tiranë. Kundër valës së shkatërrimit, qytetarët parashtruan edhe njëherë gjendjen alarmante që po u shkakton qeveria dhe bashkia për hir të asaj që këto institucione quajnë ‘investime publike”.  

“Kanë nisur shembjet te zona e “5 majit”, presin që të nisin shembjet shumë shpejt në zona të tjera të Tiranës. Në Laprakë, në Paskuqan, në Babrru, tek Kodra e Priftit, në Shkozë e Kombinat, te Lana, kudo. Janë mbi 1500 banesa që shemben. Na flitet e trumbetohet sikur janë projekte madhore, por në fund të ditës na rezulton se janë vetëm zona të reja për pallate qeveritare, asgjë më shumë. Ka mbaruar hapësira publike në Tiranë dhe kanë shkuar e po zgjerohen nëpër periferi për të ndërtuar pallate, Lali Eri me shokët e vet.”

Pas më shumë se gjysëm viti nga shembja e godinës përballë shtëpisë së Ndue Markut, ai u bëri një thirrje protestuesve, por edhe të gjithëve që e ndiqnin protestën nga media. 

“Poshtë shtëpisë time është një grumbull mbeturinash ku dikur ishin disa komshinjë të mitë, shumë të rregullt, njerëz, qytetarë, fshatarë, thoni si të doni, por mbi të gjitha njerëz. Ky nuk e ka ndjesinë e të qënit njeri, prandaj bën kështu. Tani e kam me shqiptarët, kush na sheh e na dëgjon, kini mendjen, kujdesuni në qoftë se ju vjen dita t’i jepni teposhtëzën këtij personi, t’ia jepni sepse do të ndihmoni familje. “5 Maji” ka një vit, nga ata që u janë prish shtëpitë asnjë s’është strehu, nga ata që do u prishen asnjë s’do strehohet. Sepse është e thjeshtë, janë mashtrues, janë hajdutë e janë grabitës.”

Sikur të mos mjaftonte shembja e shtëpive, banorët e “5 Majit” e kanë vuajtur edhe më shumë sjelljen arrogante të pushtetit kundrejt tyre. Gjin Nikolli kujtoi deklaratat e Erion Velisë që thoshte se këtyre banorëve u kishte rënë bingoja qëkurse janë bërë pjesë e transformimit së kësaj zone. 

“Unë jam një nga ata banorët që m’ka ra bingo simas kryetarit të Bashkisë. Bingo me policinë, bingo me gaz-lotsjellës, bingo me fadroma, bingo me na arrestu nëpër shtëpitë tona. Pse? Sepse ndejtëm në shtëpinë tonë, jetuem në shtëpinë tonë, sepse deshtëm lirinë në shtëpinë tonë, sepse deshtëm familjen tonë, sepse deshtëm të jetojmë në komunitet. Kjo i vret ata që nuk e duan familjen, kjo i vret ata që nuk e duan shoqërinë, kjo i vret ata që i shohin njerëzit si skllevër. E pra kjo bingo që na ka ra ne, e ka ba gjashtë-mujorshin pardje. Edhe sot, nga ajo bingo, ju ftoj të gjithëve të vini të merrni nga një copë nga ajo bingo që më ka ra mu, gjithë shqiptarëve.”

Gazetari Bledar Marku akuzoi institucionet për aferat korruptive të bëra tashmë publike, duke krahasuar vlerën që do zgjidhte situatën e “5 Majit” me vlerën që inceneratorët i kanë kushtuar vendit tonë. 

“Ka korrupsion, e dimë shumë mirë që ka korrupsion, ka korrupsion te Unaza, ka korrupsion te “5-Maji”, ka korrupsion kudo, ka korrupsion te inceneratorët. Po bëja një llogari pak më parë, 70 milionë euro u kanë dhënë inceneratorëve, 80 mijë euro kushton një banesë në Tiranë. Me këto lekë mund të bliheshin 875 apartamente për njerëzit dhe këtu s’do kishte njerëz për “5 Majin”, do kishin marrë zgjidhje.”

Të mbetur pothuaj të pashpresë në gjetjen e të drejtës së tyre, shumë nga protestuesit e gjetën veprimin e Qani Muçës, kryefamiljari që qëlloi inspektorin e IMT, si zgjidhjen e vetme që pushteti u ka lënë në dorë. Njëra nga protestueset u shpreh se e kupton gjendjen në të cilën është ndodhur Z.Muça edhe paralajmëroi se në kushte të njëjta do të veprojë edhe ajo njësoj, pasi kjo do të jetë e vetmja mundësi që po u lihet banorëve të këtyre zonave. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje