Shtyhet seanca gjyqësore për çështjen e Zall Gjoçaj

18.02.2020 | nyje.al

Dhjetëra banorë të ardhur nga fshati Zall-Gjoçaj, nga Mati, nga Kamza, nga Tirana dhe të tjerë të interesuar janë mbledhur sot para Gjykatës Administrative për të ndjekur seancën e dytë gjyqësore kundër ndërtimit të hec-eve në lumin e Urakës dhe Zallit të Melthit. Shumë prej tyre kanë udhëtuar me orë të tëra që prej mëngjesit të sotëm për të qenë të pranishëm në seancën gjyqësore, e cila u shty me datë 28 shkurt.

Shoqëria “Seka-Hydropower” shpk në cilësinë e koncesionarit dhe si palë e paditur nuk është paraqitur në seancë gjyqësore për të dytën herë radhazi, duke shkaktuar zgjatje të panevojshme të procesit. Pas mungesës së parë me argumentin që nuk është njoftuar si palë, shoqëria “Seka Hydropower” sot e ka arsyetuar mungesën e avokatit mbrojtës me një raport shëndetësor. Banorët të indinjuar nga mungesa e tyre dhe shtyrja në kohë e seancave parapërgatitore shprehen se kjo sjellje është taktikë e zgjedhur nga kompania për të përparuar me ndërtimet në zonë.

Avokatja e çështjes, Dorina Ndreka njoftoi se tashmë çështja do të shqyrtohet me 3 gjyqtarë për shkak të kërkesës për të marrë në shqyrtim edhe kontratën koncensionare të lidhur mes shoqërisë private dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjyqtarët do të zgjidhen me short dhe do të jenë të pranishëm në seancën e radhës me datë 28 shkurt, në orën 09.00 pranë gjykatës Administrative.
Banorët edhe pse të revoltuar, nuk pranojnë të lodhen nga institucionet dhe shprehen se në ditët në vazhdim do të vazhdojnë rezistencën nëpërmjet protestave në zonë.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje