
Shteti i zaptuar, toka dhe qytetarët e braktisur
11.07.2025 | Nebi Bardhoshi | nyje.al
Një banor i fshatit Theth i drejtohet policisë e cila po kërkon të hyjë në fshat për të shkatërruar ndërtimet pa leje, me këto fjalë: “Me popullin e fshatit Theth mos bani konfrontim. Ligjet ne i zbatojmë, por jo ligjet… se kur erdhi z. Edi Rama këtu në Theth, kryeministër i Shqipërisë, u tha hapur ‘Të gjithë ndërtoni në pronat tuaja’. Na nuk jemi kundër ligjit; unë nuk njoh ligje shteti, kur shteti s’më njeh mue se ekzistoj fare këtu. […] Do ju lutesha sa ma qetë që me popullin të mos bajmë asnji lloj konfrontimi. Për mue janë njerëz shumë të kulturuar se po durojnë pak si tepër me veprimet tuaja.”
Shfaqja e shtetit me fadroma, apo shkrirja e imazhit të tij me fadromën që vjen për të shembur shtëpinë apo biznesin privat të dikujt, është bërë një nga shprehjet më të zakonshme të dekadës së fundit të qeverisjes. Përballë fadromës së shoqëruar me polici, banorët përpiqen të argumentojnë. U duhet të thonë se janë pro ligjit, sepse janë paraqitur si antiligjorë; u duhet të dëshmojnë se ndërtimet janë bërë me djersë, sepse janë akuzuar për fitime të pandershme; u duhet të tregojnë “kulturë”, sepse janë akuzuar si të pakulturuar apo të prapambetur.
Të gjitha këto klasifikime të shoqërisë si të paligjshme, kriminale apo të prapambetur – të përkrahura jo rrallë nga analistë dhe intelektualë – janë shpikje politike për të legjitimuar abuzimin me qytetarin. Por le të ndalemi: si nisi kjo përplasje shtet–qytetar?
Javën që shkoi u njohëm me një nismë të Kryeministrit të Shqipërisë për të liruar hapësirat publike nga zaptimet e lokaleve. Rreth tre javë më parë, Rama kishte përmendur këtë plan në një mbledhje të Kryesisë së Partisë Socialiste. Fushata nisi simbolikisht në Vlorë, e më pas u njoftua se do të shtrihej në gjithë territorin e vendit. Dikush shpërndau disa foto nga Thethi. Shumëkush reagoi me mllef dhe pakënaqësi për këto ndërtime, të ndodhura në hapësirën mes varrezave dhe kishës – emblemës së Thethit.
Shumë aluduan se ky ishte fillimi i efekteve të të ashtuquajturës Paketë e Maleve. Për ata që nuk e dinë: kjo paketë është një nismë ligjore dhe ekonomike që, me gjasë, është kali i Trojës përmes së cilës shteti zaptues kërkon të shtrijë trupën e vet mbi pronat dikur të përbashkëta të fshatit ose fisit, të cilat, nga viti 1923 e këtej, u kthyen në pronë shtetërore. Sot, ato po i ofrohen “investitorëve strategjikë” – megjithëse gjasat janë që kjo të jetë thjesht një mënyrë për të zgjeruar klientelën ekonomike të partisë në pushtet.
Nuk u bë e ditur kush i shpërndau fotot. Por dy ditë më pas, Kryeministri reagoi me një video, ku akuzonte një prokurore për moszbatim të ligjit. Kështu, debati u zhvendos: nga diskutimi për të mirën publike dhe për zbatimin e ligjit mbi pronën e përbashkët dhe zaptimin, u kalua te kompetencat ligjore dhe pavarësia e drejtësisë. Për publikun, këto zhvendosje mund të jenë të pakuptimta, por për logjikën e pushtetit ato janë të sinkronizuara.
Shteti i zaptuar, premtimi joligjor ose rrengpremtimi elektoral
Rruga e vetme për të ndërtuar një pakt të qëndrueshëm mes qytetarit dhe shtetit është ligji. Por ligji ngjall pak respekt në shoqërinë tonë. Gati-gati të vjen turp ta përmendësh, sepse mungon besimi se ligji mund të jetë në favor të qytetarit. Dhe megjithatë, ka një shenjë pozitive – njerëzit ankohen që nuk e kanë këtë mundësi. Pra, dëshira ekziston ende. Por si praktikë dhe si përvojë konkrete, kjo është gjithnjë e më e largët.
Shndërrimi i ligjit në objekt përqeshjeje shoqërohet me një tjetër imazh: se ligji është thjesht instrument i të fortëve dhe pushtetarëve. Ky perceptim është rezultat i përvojave personale dhe kolektive me shtetin. Ai ndërtohet mbi një imazh popullor që pohon se shteti është i zaptuar nga të fortët dhe se kufiri midis tyre dhe pushtetarëve është i padukshëm.
Të kthehemi te “toka e xanun”. Kur Rama lëshoi kushtrimin për lirimin e hapësirave publike, ai përdori qëllimisht një shprehje në gegnisht. Ky përdorim s’ishte i rastësishëm – ai synonte të ngjallte memorien kolektive, për të kujtuar se “toka e xanun” ka qenë praktikë e ardhacakëve nga veriu, e lidhur me një sjellje “anti-shtet”. Më shumë se një sulm krahinor, kjo ishte një përpjekje për të forcuar imazhin e vet si burrë shteti dhe rikthyes i autoritetit shtetëror.
Kjo gjuhë gjen përkrahje – edhe brenda, edhe jashtë Thethit. Të thuash se duhet shtet, drejtësi dhe rend, nuk has kundërshtim në Shqipëri, sepse anarkistët janë të paktë, ndërsa përkrahës të sloganeve janë edhe ata që i shkelin më shumë këto parime.
Por ndonëse togfjalëshi “tokë e xanun” mund të përputhet me të folmen lokale, nuk përputhet me faktin konkret pasi këtu banorët nuk kanë pushtuar tokën e dikujt. E ndërkohë, në Theth mungon një plan: në Theth nuk ka një plan zhvillimi që do të duhej të ishte hartuar kohë më parë.
Përballë kësaj gjuhe të pushtetit, banorët rikthyen dokumentimet e premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale. Mediat raportuan se Kryeministri, pak muaj më parë, kishte premtuar heqjen e gjobave dhe legalizimin e ndërtimeve në Theth. Një dialog domethënës është ai ku një banor i drejtohet Kryeministrit duke kërkuar heqjen e gjobave. Kryeministri e pyet: “Kush i ka vendosur gjobat?”, dhe banori kujdeset të sqarojë: “Ish-bashkia.” Me këtë, kuptohet se bashkia drejtohej nga kundërshtari politik i Kryeministrit. Kryeministri përgjigjet me një arsyetim që, në thelb, justifikon faljen e gjobave dhe një politikë më lehtësuese për ndërtimet.
Një tjetër shenjë liberalizimi u dha disa muaj më parë për ndërtimet në zonat rurale, falë nismës së dy deputetëve të PS-së. Megjithatë, kjo nismë lejoi shtesa dhe ndërhyrje, por jo ndërtim të ri nga themelet.
Përtej këtyre zhvillimeve, Kryeministri zgjodhi të shfaqet i mëshirshëm dhe të sigurojë banorët se nuk do të ketë më shembje të banesave e bizneseve të ngritura mbi tokën e të parëve. Ky mesazh, i tërthortë, u përforcua nga miratimi i Paketës së Maleve dhe nga presioni publik që kërkon politika më miqësore ndaj zonave rurale si mjet për të frenuar emigrimin. Ia vlen të kujtohet se në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave shkruhet “Paketa e Maleve”, Një Thirrje për Këdo që Kërkon të Investojë në Tokën e të Parëve.
E po në këtë faqe citohet çfarë kryeminsitri ka thënë në një takim publik:
“…Ne sot jemi për të dhënë disa informacione konkrete lidhur me një ligj tanimë, një nisëm kthyer në ligj me emrin “Paketa e Maleve” që është një ligj dhe synon dhe unë besoj që ia del të kapërcejë pengesat e panumërta e një vonese historike në zhvillimin e pronës në territoret malore, posaçërisht në ato territore ku pronarët e ligjshëm, pronarët me zakon me të drejtë, nuk e kanë pranuar 7501 dhe kanë këmbëngulur që t’iu njihet e ndarë siç ata janë dakordësuar me njeri-tjetrin duke u kthyer praktikisht në kufitë e paracaktuar nga të parët e tyre”
Kritika sociale, rrengu, shteti i së drejtës
Në analiza, qoftë edhe të shkurtra, na duhen koncepte dhe terma qartësues dhe depërtues në kuptime e procese. Ndër të tjera është përdorur termi ‘shteti i zaptuar’. Ose mund të ishte përdorur edhe “shtet i xanun”. Shteti i zaptuar nuk është një lëshim sa për metaforë, e as si kundërpërgjigje. Në fakt, ky është shqetësimi kryesor që dua të shtroj për reflektim. Shteti i zaptuar shpreh situatën ku vendin e ligjit dhe të drejtës e ka zënë rrengpremtimi politik. Rrengpremtimi përdoret në fushata elektorale ose në kohë reagimesh të forta (si në rastin e protestave të studentëve, 2018).
Rrengpremtimi ndërtohet mbi gjuhën e drejtësisë dhe paqes sociale, përdor gjuhën ligjore, gjuhën e shtetit të së drejtës, por në fund është vetëm një mjet manipulimi, marrje kohe, transferim i përgjegjësive. Neologjizmi “rrengpremtim” vjen si nevojë për të shprehur një rreng që shfaqet dhe besohet si premtim. Premtimi është kategori kryesore politike, sidomos në shoqëri demokratike. Por kur shohim se qëllimi është rrengu dhe instrumenti është premtimi, atëherë na duhet të krijojmë një fjalë që mbart të dyja.
Rrengpremtimi konstitutiv i shtetit të zaptuar (apo shtetit të xanun) është se e gjithë përpjekja është për të krijuar shtetin e së drejtës, e rruga për t’ia arritur është rikthimi i autoritetit të shtetit dhe të ligjit shtetëror. Si dëshmi që kjo po ndodh, ofrohet reduktimi i informalitetit dhe paligjshmërisë. Por në praktikën e një shteti që në gjoksin e tij i ngjishet etika e rrengpremtimit, qëllimi dhe produkti social është krejt i kundërt. Në vend të zvogëlimit të informalitetit dhe paligjshmërisë, shteti i zaptuar nga partia prodhon informalitet dhe paligjshmëri. Shteti që i mvishte etika e rrengpremtimit krijon shoqëri në droje dhe në borxh ndaj shtetit, e konkretisht qytetarë në borxhe dhe në droje përballë shtetit.
Për të shpallur shoqërinë në borxh, realizohen “fushata” ose “aksione”. Shteti ngrihet në këmbë, si tani me Thethin apo me hapësirat publike në plazhe e qytete. Kjo ka një protokoll të mirëmenduar. Mediat proqeveritare zgjedhin tema delikate. Në pamje të parë ato duken si lajme kritike ndaj qeverisë, por në thelb qëllimi është: “E shikon çfarë ndodh kur nuk sillesh sipas ligjit?” Në krahun tjetër, kjo shfaqje e shtetit gëzon njerëzit që besojnë se shteti duhet të veprojë. Por njëkohësisht, represioni shtetëror bëhet edhe shkarkues i emocioneve negative ndaj njëri-tjetrit.
Shkurt, kjo shfaqje e shtetit përmes aksioneve apo fushatave është shprehi e shtetit të zaptuar prej një partie që zapton shoqërinë. Por, para se ta zaptojë, ajo e shpall si shoqëri në borxh ndaj shtetit dhe, përkatësisht, ndaj ligjit shtetëror. Shkurt, loja diskursive që luan qeverisja e PS-së prej 2013 është etatizmi i shtetit të së drejtës – një gjuhë kjo e kahershme e kësaj partie, që u mundua ta paraqesë gjithnjë veten si forcë e moderuar, modernizuese pro shtetërore, dhe kundërshtarët e vet si e kundërta e kësaj sjelljeje.
Shndërrimi i shoqërisë në një “shoqëri në borxh me shtetin” është një teknikë qeverimi ku shteti paraqet shoqërinë të mangët, si nga ana kulturore, ashtu edhe nga ajo ligjore. Një shoqëri e tillë, e intimiduar dhe e manipuluar, shndërrohet në objekt përçmimi, jo vetëm nga përfaqësuesit e shtetit të zaptuar, por edhe nga intelektualë e analistë. E gjithë gjuha kritike ndaj kësaj shoqërie të “mangët” apo “antiligjore” merr si pikë referimi trashëgiminë shoqërore e kulturore, duke harruar — ose më saktë, duke refuzuar të pranojë — se shkaktari dhe prodhuesi kryesor i vetë “mangësisë” dhe “antiligjores” është pikërisht shteti i zaptuar. Një shoqëri e vendosur në një raport borxhi me shtetin dhe me të drejtën, bëhet një pré e lehtë për një shtet që nuk synon të drejtën, por kontrollin.
Meqë jemi te pronësia mbi tokën dhe e drejta e ndërtimit. Nëse shteti do të kishte pasur qëllim ndërtimin e një pakti bazuar tek e drejta dhe jo tek rrengpremtimi, banorët e Thethit, bregdetit, e në gjithë Shqipërinë, do të kishin një akt pronësie dhe jo akte pronësie të amullta. Siç thotë banori i Thethit – jemi si kaçakë, s’kemi asnjë letër për pronësinë. Ndërkohë që këta banorë kanë pronësi mbi këto troje, para se të krijohej shteti shqiptar. Apo siç thotë banori tjetër – ju keni ardhur këtu e na keni marrë para, dhe i sheh policët drejt e në sy.
Pra shqetësimi kryesor që duhet ngritur është se si partia kryesore që merr pushtetin “ka xanun shtetin” duke i dhënë tiparet e një qenieje të mizorishme kur është në pushtet, e lajkatare kur ka nevojë për mbështetje elektorale. Ndërkohë që fuqizohet gjithnjë e më shumë ky shtet i zaptuar, ai prodhon subjekte të drojtuara apo të kontrollueshme. E teknika për këtë është: ose ia shfaq murin e pakalueshëm të ligjit me kritere të larta dhe procedura të pafundme, ose i ofron shtegun e paligjshmërisë përmes klientelës së partisë, korrupsionit ose i ofron rrengpremtimin si besë më liderin e Partisë, e menjëherë pas fushatës shfaqet shteti-fadromë. Shteti-fadromë është metafora e “shtetit të xanun” prej partisë, që kërkon të sillet sipas gjuhës së shtetit të së drejtës.
Rrugëdalja prej shtetit të zaptuar, që në kraharor të etikës së tij ka politikën e bazuar te rrengpremtimi, përulja e qytetarit dhe fadroma, është rikthimi te konsensusi social, frymëzuar nga ligje të drejta dhe vizioni për një shoqëri të drejtë. Ndryshe, do rrimë gjithnjë në barkun e shtetit të zaptuar, që sillet si shtet-fadromë.