Sara, buzëqeshja e dhimbjes

Armela Përleka | 27.06.2020 | nyje.al

Të shumtë ishin klientët të cilëve iu shërbeja në kioskën e vogël ambulante ku punoja, por monotoninë e asaj dite të zakonshme pune nën zhurmën e Tiranës, do ta thyente Sara, një 10-vjeçare  zeshkane dhe plot jetë që endej zbathur atë ditë të nxehtë vere. Sara bënte disa ecajake të çuditshme  rreth kioskës. Diçka kërkonte. Kur iu afrova t’i flas, më përpinë  sytë e saj të mëdhenj e të zinj që vështirë t’i kisha hasur diku tjetër. Vështrimi i Sarës ishte deri diku i mistershëm dhe dukej se më ftonte në një udhëtim të gjatë që diçka do të më mësonte.

Isha gati  ta pyesja se me çfarë mund ta ndihmoja, kur zëri i saj i ëmbël më kërkon një nga fletët e procesverbalit të turnit tim dhe një stilolaps. “A mund t’i kem këto se më ka marrë vërtet malli të shkruaj”, më tha  vajza pa i ngritur  sytë  nga toka. “Unë duhet të isha në klasë të dytë, por mami u sëmur një ditë dhe nuk mund ta lija më vetëm.” Në një moshë kur  duhet të krijojë  kujtimet më të bukura të fëmijërisë, një vajzë e vogël vjen e të thotë se po mban mbi supe një peshë të rriturish. Ajo vazhdon të më tregojë  ndërkohë që ka rrëmbyer fletën e bardhë ku  disa vizatime të çuditshme kanë nisur të marrin jetë. “Babin nuk e kam. Ai iku në qiell që kur unë isha tek barku i mamit. Sa herë dal në mëngjes për të shkuar në punë, i lutem atij të më ndihmojë.”

Në punë?! E pyes për të ditur diçka më tepër, por Sara humbej në vizatimin e saj dhe harronte të më  përgjigjej. “Po, punoj. Dal çdo ditë me atë kutinë aty dhe pastroj xhamat e makinave të “xhaxhave” sepse mami nuk punon dot. Po mami jot punon?” Teksa zgjata kokën të shihja atë kuti këpucësh të vjetër e të zezë që mbantë një leckë dhe një shishe me pak shkumë brenda, sytë po më digjnin nga lotët që nuk binin për të mos lënduar vogëlushen.

Sara ndenji gjatë me mua atë ditë, derisa i mbyllëm bashkë orët e turnit të paradites. Ajo nuk u lodh së vizatuari mbi fletën mbështetur në një stol e me gjunjët e njomë në pllakat e ftohta të trotuarit. Dukej se ata gjunjë të brishtë ishin kalitur tashmë për të përballuar rrugë më të gjata e më të ftohta se trotuarët e Tiranës.
U përshendeta me Sarën dhe i kërkova të kalonte sërisht të nesërmen për të më takuar. Mora autobusin për në shtëpi. Mendja më rrinte te Sara që duhej të kishte filluar punën nën atë diell përvëlues. Kur zbrita, këmbët më çuan në librarinë e vogël të qytetit. Rrëmbej disa lapsa me ngjyra dhe një fletore të madhe vizatimi, ndërkohë që sytë më shkojnë tek një roman që kisha kohë pa e hapur,  “Zemra“ e Edmondo de Amicis. Kisha menduar për Sarën si për  personazhet e atij romani, pjesë e një procesi të ndërlikuar jete.

Orët kalonin dhe unë  me padurimin e një fëmije, prisja të vinte sa më shpejt e nesërmja. Për mua nuk ishte më një ditë e zakonshme pune. Sado klientët nuk reshtnin,  prisja vetëm Sarën të vinte me atë kutinë e zezë në duart e saj të vogla dhe të më përshëndeste. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Ishte thuajse mesditë kur ajo u shfaq në derën e kioskës prej llamarine që nuk ishte më e njëjta pa imazhin e Sarës që vizatonte. “U vonova pak sot, e di, po këta “xhaxhat” janë bërë aq dembel, sa edhe xhamin e makinës nuk pastrojnë”, më tha vajza duke qeshur.

Ah, moj Sara! Ta dije ti se ne të rriturit, jemi aq të zënë me demek hallet tona, sa nuk vëmë re shpirtrat luftarak si ti që jeta i ka ngarkuar me një mision të vështirë. “Për mua? Vërtet?, – më pyeti ajo kur i zgjata çantën modeste që shpresoja shumë ta zëvendësonte me atë kuti të errët që mbante çdo ditë në duar. Gjëja e parë që bëri, provoi stilolapsin në fletën e bardhë dhe nuk vonoi të më thotë se kishte qejf të bënte një vizatim për mua në shenjë falenderimi. Buzëqeshja e saj i tha të gjitha. Atë buzëqeshje nuk e kishte shuar asgjë nga ato që fati i kishte rezervuar. E kush isha unë që ta bëja?

Vogëlushja kishte marrë një dhuratë, por ajo nuk e dinte çfarë më kishte falur mua takimi me të. Sara është nga ato raste që i mban mend sa të kesh jetë dhe të kujtojnë se diku aty jashtë ka ende sakrificë, ka ende vetëmohim. Diku aty jashtë gjenden njerëz si Sara që ndoshta nuk ke fatin ti njohësh nga afër, por që pas çdo rituali të tyre në dukje normal,  fshihet një histori dhimbjeje e sakrifice. Aty jashtë ka fëmijë që duart nuk iu kanë zënë lodra  fëmijërie, por mjete  pune për të siguruar një ditë më shumë në këtë botë që nuk jam e sigurt, nëse meriton shpirtra si të Sarës. Njësoj si romani i Edmondo de Amicis-it, edhe Sara të bën të lutesh për të qënë pjesë e një kohe ku gjërat në tërësi duken aq të thjeshta e ku vlerat e virtytet ende vlerësohen e duartrokiten. Duhej Sara për të më kujtuar se para sfidave dhe sakrificës së saj, të gjithë jemi shumë të vegjël e prapëseprapë ajo vogëlushe ka forcën të buzëqesh e ndriçojë si dielli pas stuhisë.
Faleminderit Sara!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje