Raportimi ridhunues për rastin e Librazhdit, media shqiptare ende larg rolit të saj

Ronald Qema | 10.06.2022| nyje.al

Ngjarja e disa ditëve më parë në Librazhd dhe mbulimi mediatik i saj risolli edhe një herë në diskutimet publike raportimin gazetaresk shqiptar dhe shkeljet etike të mediave në vend. Të martën që lamë pas për të diskutuar mbi këtë temë, në hapësirat e TekBunkeri u organizua një takim i moderuar nga Sidorela Vatnikaj e me të ftuar Vilma Shurdha, komisionere seksioni i përgjithshëm në Institucionin e Avokatit të Popullit, Ervin Goci, profesor i Gazetarisë, fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Entenela Ndrevataj, gazetare pranë Citizens Channel.

Diskutimi filloi duke marrë shkas nga rasti i Librazhdit. Për Znj. Shurdha mbulimi mediatik i kësaj ngjarje ka ridhunuar të renë.

“Jo rrallë ndodh… ngjarja e Librazhdit e vërtetoi fatkeqësisht edhe njëherë, që media duke dhënë lajmin merr përsipër të bëjë dhe hetuesin, të bëjë dhe psikologun, të bëjë edhe sociologun, të bëjë edhe punonjësin social, edhe prokurorin dhe shpeshherë edhe gjykatësin.

Me sa kam ndjekur ky lajm u amplifikua shumë në media të tjera. Më e rëndë u bë situata kur disa emisione, këtë e kam shprehur dhe institucionalisht, që disa emisione janë bërë dhunues herë pas herë. Më ditë të tëra duke marrë në pyetje qoftë shtetasen direkt, qoftë të afërmit e saj, për të kaluar tek një televizion që të njëjtën gjë që bënë personazhet e ngjarjes me të renë, e bënë gazetarët me personazhet në video dhe nuk e di kush ua jep këtë të drejtë, por kultura e njohjes së legjislacionit nga individët lë vend për të dëshiruar.”

Të ftuarit në diskutimin “Etika e medias në Raportim”, Qershor 2022, Tiranë

Mediatorët për median

Fakt është që raportimi mbi këtë ngjarje ka shkelur disa parime etike të profesionit të gazetarisë, mbi këtë Entenela Ndrevataj ka realizuar një artikull për median Citizens Channel ku listohen nenet e Kodit Etik që nuk janë respektuar.

“Janë katër nene të Kodit Etik që janë shkelur, është neni katër ku ceket marrëdhënia me burimet dhe thuhet që media duhet ushtrojë kujdes të posaçëm kur merret me burime që janë anëtarë të grupeve vulnerabël, të tillë si fëmijë dhe të rinj, viktima të dhunës apo pakicat.

Neni 8 gjithashtu është shkelur, që është gjuha e urretjes, po ashtu thyerje të nenit 9 që është ndërhyrja në jetën private. E së fundmi është dhe neni 11, Nxitja e Krimit dhe Dhunës. Kodi i Etikës e përcakton qartë që dhuna dhe brutaliteti nuk duhen sensacionalizuar. Po gjithashtu neni 17, i Interesit Publik, se çfarë ndodh në një hapësirë private brenda mureve të shtëpisë nuk është aspak interes publik.”

Pedagogu i Gazetarisë Z.Goci, shkon më tej kur flet për mbulimin e kësaj ngjarje. Ai nuk e sheh të nevojshme diskutimin nëse duhej publikuar apo jo si ndodhi, por diskutimin sesi duhej publikuar dhe trajtuar.

“Për mua, problemi më i madh që ne kemi është se nuk arrijmë dot ta marrim e ta kthejmë ngjarjen si një ngjarje e hapësirës/sferës publike. 

Ngjarja kur ndodh është një ngjarje e cila nuk është thjesht e asaj vajzës, është një ngjarje sistemike, që sot e gjen në gjendje të fjetur kudo në shoqërinë shqiptare. Sigurisht ajo ngjarje është me rëndësi shoqërore, dhe unë jam që gjithë këto ngjarje të shpërthejnë e të bëhen pjesë e debatit publik, njerëzit të shohin veten në pasqyrë.”

Ai gjithashtu dha pikëpamjen e tij mbi arsyet pse raportimi i ngjarjeve të tilla mbetet i cunguar dhe nuk e tejkalon nevojën për sensacionalizim.

“Kemi një sistem informal, spontan, të pakontrolluar, por jo aq naiv dhe gjenuin. Por si mund ta kontrollosh këtë? Kontrollohet me ligj, por ligji nuk duhet të jetë me ndërhy thjesht te përmbajtja, por në rradhë të parë për të kuptuar se sa nga këta që e quajnë veten media janë media, çfarë transparence kanë, sa veta ka të punësuar, a shkruan gazetari me emër mbiemër, etj. 

Ne jetojmë në një sistem ku gazetari është zero, as nuk menaxhon as nuk administron informacion, s’ka kohë të bëjë kërkim, është një administrator i thjeshtë rrjeti. Është një gjendje skandaloze, kush nuk pranon këtë gjë nuk do që të merret me këtë gjë dhe duhet të heqim dorë të trajtojmë ngjarje që janë në kohë të ndryshme në të njëjtën formë.”

Po kështu siç është, ku mund të ankohemi?

AMA, Autoriteti Mediave Audiovizive, është enti më i lartë kontrollues i mediave në vendin tonë. Sipas gazetares Ndrevataj, ky institucion nuk e kryen detyrën e tij në mënyrën e duhur, pasi shpesh ankesat e saj kanë mbetur pa përgjigje. Ajo ndau në takim një ent tjetër medial ku gazetarët por edhe qytetarët mund të drejtohen, Këshilli Shqiptar i Medias.

“Ka disa mekanizma që ne mund t’iu drejtohemi për të rregulluar situatën mediatike që na dhunon. Është AMA, është Këshilli Shqiptar i Medias, tek të dyja mund të çohet një ankesë për raportimin jo etik, por marrja e përgjigjes nuk është e sigurtë.

Në rastin e AMA-s, unë jam individ që i drejtohem shumë shpesh dhe duhet vazhdimisht t’i them se ju kam dërguar një ankesë dhe nuk kam marrë një përgjigje. Në të shumtën e rasteve thonë që u kemi dërguar një paralajmërim për të mos e përsëritur, por media vazhdon e bën dhe e bën. 

Ndërsa Këshilli Shqiptar i Medias është platforma ku po tentohet të sillet vetë-rregullimi. Nëse u dërgohet një ankesë, ata janë të gatshëm ta diskutojnë me median dhe në shumë raste përmbajtja është hequr.”

Ç’pati Librazhdi me feministet? Po media?

Më 2 qershor, një grup aktivistesh që bashkëndajnë betejën për barazi gjinore u nisën drejt Librazhdit për të zhvilluar një aksion simbolik në mbështetje të vajzës 20-vjeçare të dhunuar. Me një banderolë dhe pankarta në duar ato mbajtën një qëndrim publik në sheshin kryesor të qytetit e më tej marshuan drejt komisariatit. Me një pasivitet therës, qytetarët e Librazhdt veç sa vëzhguan nga vajzat që ia kishin beh në qytet.

“Nuk kishte asgjë më të jashtëzakonshme se ajo protestë që ndodhi në Librazhd, ku një grup vajzash e grash marshonin në solidaritet me vajzën, e ti shikoje tufa burrash nëpër lokale që shikonin të çuditur. Unë jam shumë i sigurtë që ata njerëz duke parë atë lloj marshi kanë fillu duke mendu “ore mos i kemi ra në qafë kujt në këtë qytet” – u shpreh Ervin Goci.

Qytetarët e Librazhdit vëzhgojnë nga kafeneja aksionin e feministeve, Qershor 2022, Librazhd, Ronald Qema

Entenela ishte një prej aktivisteve pjesë e aksionit, i cili u transmetua në disa media me tituj që deklamonin dështimin e protestës, e cila në fakt as nuk ishte quajtur si e tillë nga aktivistet.

“Ne kur shkuam në Librazhd, gjeja më me rëndësi ishte fakti që qyteti arrinte ta kuptonte se për çfarë ti ishe aty, kishin interes por edhe frikë për t’u afruar. Po ashtu pati dhe një lloj dhunimi të medias ndaj nesh duke marrë copëza nga pankartat ose duke na numëruar sa individë jemi e pastaj duke thënë që ka dështuar si protestë. Edhe në këtë rast po ashtu ne si gra, dhe kush protestoi tjetër, u ndjemë të dhunuar me thënë të drejtën.”

Kështu rikthehemi tek halli

Përgjatë takimit, u fol gjithashtu për raportimin dhe përmbajtjen jo etike dhe dhunuese me të cilën zatetesh në media në përditshmëri.

“Fakti është që, nëse personazhi do ishte një mashkull kjo histori nuk do të ishte kaq e amplifikuar, por se ishte një vajzë kjo ngjarje mori shumë konotacione dhe ngjalli shumë stereotipe që për hir të vërtetës duhet të themi që ende i kemi.

 Jo rrallë herë nëpër debate ku janë të ftuara gratë, jo shpesh janë të ftuara por atëherë kur janë të ftuara ka ndodhur që ka kaluar në një gjuhë seksiste, gjuhë misogjene. 

Institucioni i Avokatit të Popullit shpeshherë ka dalë me deklarata kundër kësaj gjuhe.”

Këto sjellje problematike të medias për Entenelën janë bërë të papranueshme dhe e pyetur për zgjidhje ajo liston:

Së pari “unfollow” dhe bojkot.

Së dyti do ishte mirë që dikush të shkonte në gjykatë dhe t’i bënte një padi Jeta Osh Qef, jam e bindur që do ishte një rast shumë i mirë që do i bënte mediat të rikonsideronin pasojat përpara se të publikojnë atë lloj përmbajtje. 

Së treti, e kuptoj nevojën dhe shqetësimin e përbashkët për të pasur një raportim më cilësor, por është e udhës të mos biem në grackën e kryeministrit Rama pasi paketa e propozuar nga qeveria është paketa ligjore më autokrate dhe situata e medias vetëm sa do përkeqësohej.” 

Tre udhëzimeve të gazetares, profesor Goci u shtoi dy udhëzime të rëndësishmë që shkojnë në rrafshin institucional dhe kulturën e mbajtjes së përgjegjësisë. 

“Nga njëra anë duhet punuar fort në një sistem edukimi që t’i ndërgjegjësosh njerëzit se cila është ajo gjëja që qarkullon në të qindën e sekondës dhe nga ana tjetër një reagim i shpejtë drejt institucioneve, çuarja nëpër të gjitha institucionet ndërkombëtare, vihen të gjithë në lëvizje dhe aty kuptohet që gjithë këto media që kanë publikuar, me këta duhet me ndërhy direkt për t’i detyruar për të hequr videon por që edhe të fillojnë të marrin përgjegjësi për çdo gjë që qarkullojnë.” 

Media shqiptare mendohet të ketë hyrë në një proces vetërregullimi, por që ndryshimet mbeten ende te padukshme. Për sa kohë media po riprodhon dhunën, po e humbet besueshmërinë e saj.

 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje