Qytetar Nderi i Kamzës

Fejton | 20.07.2018 | nyje.al

– A fole me ato njerzt? A i tregove që nesër mund të kalojnë kur të dun knej?
– Po or burrë, po. I thash e më tha që do vije me të shpisë. I thash dhe Mihries kur mora qumështin që t’ua bëjë të qartë dhe se s’ka asnjë gjë të keqe që ata të dy janë parë.
– Po shum mirë. Të vijë ktu e ta marim vesh. Folim e i ndajm muhabetet. Nuk asht bo vajza jonë me lujt tjert me të.
– Nuk kan lujt me të, pse e thua kët. Ai djali e ka pa te shkolla dhe i ka pelqy. Pastaj e ka ftu në kafe.
– Bombël kemi, filxhana, ujë, vend me u ul po. Kafen të vijë ta pije ktu ai jo rrugve.
– Hahaha kur e nise fjaline o bà, kur the bombël, mendova se deshe me e hedh në erë, me ja vu flakën.
– Mos m’qesh ti. Se ti po i bën këto rrëmuja.
– Vajza s’ka asnji faj. Ajo as i ka thënë gjë e as ka dal me të. Pse nuk e pyesim njiherë ktë se çfarë mendon për situatën!

 

Ai heshti dhe pa vrejtur e ngultasi gruan. Ia bëri me shenjë duke ngritur lart vetullën e djathtë andej nga krahu i të cilës ishte dhoma. Një gjest që për të dy bashkarisht nënkuptonte të diskutuarit në krevatin e përbashkët (tryezën e rrumbullakët) për ato tema që nuk bëhen dot në sy të fëmijëve.

– E mban mend kur jemi njoh ne? – e pyeti gruaja teksa vishte kanotieren e gjumit pas derës së raftit.
– Nuk ka pas për ne kështu. Shkesin e mbaj mend – i tha ai i shtrirë me rroba të punës mbi batanijen e larë.
– Pse? E di?
– Sepse bëhet fjalë për para dyzet vjetësh. Kan ndrru kohët.
-Pikërisht. Sonte që ne po flasim vajza jonë nuk mundet të jetë e rritet si vajza që kam qenë unë dikur apo motrat e tua, hallat e saj.
– Tradita duhet rujt. Hajde bohna amerikan pra…si nusja e djalit të Xhevitit që del e thahet mas dushit në ballkon. E di ça, ia fusim gjumë ma mirë e të vij e nesërmja. Nqs na zë.

Tak. Tak. Tak.
-O hajde mik, mirë se të pruni e djathta e Zotit, – tha ai pasi pa një si karvan njerëzish e jo ndonjë komshij a të afërt.
Kishin ardhur tre meshkuj e një femër si përfaqësues. Shtëpia ishte e rregulluar dhe drejtuar për mrekulli, për mysafir. Fiks për miq të rinj. Pasi hynë brenda dhe zunë vendet, babai i djalit, paraprirë nga një kollitje, e nis muhabetin i pari.
-Ne jemi ato.
-Po. Faleminderit që erdhët në shpinë tonë. Vajza jone asht me shkollë të lartë dhe e mbaron këtë vit masterin. Deri më sot s’ka pas probleme. Nuk e di për ju…
-A pret me shajt djalin tonë ti…ky e pati nis po e la se u largu në emigrim. Kishim nevojë. Po lexon libra shpesh kshu.
-Lexon o mik por s’asht njesoj si shkolla kjo.
-Mua nuk po më pëlqen pjesa që ti hyre direkt të komplimentosh vajzën tënde. Nuk po bëjmë garë se kush është më i kualifikuar se nuk jemi në intervistë pune. Se për kështu dhe ne prinderit jemi me shkolla të larta të dy, e ju jo, mesa e morëm vesh, se këtë s’kam pse ta përmend këtu në fakt. Por meqë i hyre…
-Jo meqë i hyre ti…se dhe unë ti thash ato të vajzës se dhe unë shkollën nuk e kam mbaruar por jam aktiv sot. Kam dinjitet. E kam me fakte.
-Çu grue, leje tabakun dhe shko ma gjej atë dokumentin, ta shohi ky se kush jena nà. E ke atje ku e lam saher.
Ajo shkoi te rafti të kërkonte por nuk e gjeti dot edhe pse i nxori të gjitha gjërat jashta nga sirtari.
– Nuk po e gjej. Nuk e ke lënë këtu.
– Aaa po, leje se ia ndrrova dje vendin se lujshin fmijët aty. E gjenin. E thash mos e thejn. E ke te vendi ku la kmishat unë. Në fund.
-Po e gjeta. -Ja ku e ke or lum miku. Nqs do me e dit kush asht dera jonë.
Gruaja e mbante në dorë drejtuar përballë fytyrës së të ftuarit kryesor: “Kjo çertifikatë mirënjohje nga Bashkia Kamëz, i jepet Z. Pjerin Kundra, intelektual i shquar i Kamzës për kontributin e dhënë në konsolidimin dhe promovimin e kulturës qytetare”.
A tu mush menja tash se ça vajze ke ardh me lip or lum miku!!!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje