Qirinj dhe lule të bardha për Egli Progën, akuza për shtetin dhe thirrje për drejtësi

nyje.al | 15.08.2024

Banorët e kryeqytetit ndezën qirinj dhe vendosën lule poshtë fotove të Egli Progës, në shkallët e Muzeut Kombëtar mbrëmjen e djeshme. Ata iu bashkuan homazheve të kryera në disa qytete të vendit për 42 vjeçarin e vrarë në Pogradec. “Duam Drejtësi” shkruante në anë të një prej fotografive të Eglit që një prej zonjave mbante në dorë. 

Të pranishëm në homazhet e mbajtura në vendin ku humbi jetën, familjarët e Egli Progës bënë thirrje për drejtësi dhë mbështetje nga të gjithë. E motra, Jonida Proga kërkoi nga bashkëqytetarët e saj të flasin dhe të dëshmojnë situatën e rëndë kriminale në qytet, viktimë e së cilës mbeti edhe i  vëllai. 

Kam vetëm një kërkesë për ata që më dëgjojnë sot, për pogradecarët, flisni, mos kini frikë! Tregoni të vërtetat tuaja për banditët që i morën jetën Eglit, dëshmoni sepse ata mund t’iu vrasin vëllezërit tuaj nëse shpëtojnë paq, tregoni kush i mbron, kush janë kriminelët pas tyre!

Pushteti ekonomik dhe politik në Pogradec u denoncua nga Jonida Proga si i lidhur thelbësisht me krimin por ajo pret që organet e drejtësisë të çlirohen prej kthetrave të këtij sistemi. 

I ka mbyllur gojën këtij qyteti dhe vëllait tim i mbyllën jetën, do të shkojnë në burg të gjithë, pa asnjë përjashtim, si ata plehra që e dhunuan dhe ia morën shpirtin këtu, si ata të pashpirtët që kërkuan ta mbyllin këtë vrasje makabre me heshtje apo me letra.

[…]

Kërkoj nga sistemi i drejtësisë, avokatë, prokurorë, gjyqtarë, këtë herë nuk ka para, nuk ka miq, nuk ka ndërhyrje dhe taraf. Mos bëni gabimin ta godisni me shkelma e grushte vëllanë tim, siç bënë barbarët që do të përpiqen t’iu blejnë. Kërkoj drejtësi.

Policia, shteti dhe drejtësia që vret e hesht

Vrasja e Egli Progas ka çelur një debat të madh publik mbi instancat shtetërore të konsideruara jo rrallë si vegla në duart e pushtetit. Qoftë ai politik, ekonomik a kriminal, për qytetarët, pushteti i ka në dorë edhe policinë edhe çdo institucion tjetër që ka për detyrë të ofrojë siguri por që dështon katërciprisht. Mbajtja e fshehur e ngjarjes, manipulimi i ngjarjes, ndryshimi i qëndrimeve publike, shkeljet procedurale e plot veprime e mos veprime të Policisë së Pogradecit e më tej edhe Prokurorisë, për opionin publik tregojnë pikërisht gjendjen e këtyre institucioneve si vegla në duart e pushtetit. 

Egli Proga mbeti i vrarë nga duart e Denis Meçes, i mbarë njohur në qytetin e Pogradecit si “i fortë” për shkak të lidhjeve me pushtetin politik në qytet. Denoncimi i tij si vrasës i Progës erdhi përmes mediave online nga qytetarët, pasiqë në orët e para Policia e Komisariatit Pogradec e njoftoi humbjen e jetës së 42 vjeçarit si aksidentale. Në adresën e JOQ Albania, portal online i njohur në vend, kanë qënë qytetarët që kanë denoncuar tentativën për të mbuluar ngjarjen. 

Mbulimi mediatik i pavarur dhe reagimet ne rrjetet sociale kanë shqetësuar krerët e shtetit, të cilët nëpërmjet deklaratave kanë marrë në mbrojtje Policinë e Shtetit dhe kanë lajmëruar marrjen e masave për këdo që sipas tyrë kryen “aludime”. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku në prononcimin për shtyp ditën e djeshmë akuzoi gazetarët për “dezinformim të qëllimshëm”. Por edhe në deklaratën e djeshme Rrumbullaku në përpjekjen për sqarime, sipas komentuesëve në rrjete sociale ai përsëri dështoi të tregonte profesionalizëm duke mbajtur anën e Policisë që deklaroi që viktima dhe vrasësi nuk njiheshin, kur tashmë akuza zyrtare është “Vrasje me dashje”. 

Edhe kryeministri Rama i ka dalë në mbrojtje Policisë së Shtetit ditën e djeshme përmes dy postimeve ne rrjetin social X, ku edhe akuzoi mediat si burime dezinformimi dhe keqinformimi. 

Reagimi qytetar

Përpos homazheve të mbajtuar mbrëmjen e djeshme, në rrjete sociale është bërë thirrje për reagim masiv qytetar dhe një protestë është lajmëruar të hënën, më 19 gusht në kryeqytet. Diskutimet e mbajtura në mediat online dhe jo vetëm, kanë sjellë në qendër të vëmendjes çështjen e sgurisë në vend dhe emigrimin masiv të viteve të fundit që vjen edhe si pasojë e pasigurisë për jetën. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje