Qafa dhe shpata (V)
Rashid Khalidi | Intervistuar nga Tariq Ali | Shqipëruar nga Genc Shehu
Botuar në numrin 147 të revistës New Left Review (Maj/Qershor 2024)
Mearsheimer dhe Walt u përdhosën për librin e tyre mbi lobin izraelit, u quajtën antisemitë dhe të tjera.1 Por çështja që ata parashtruan mbi mënyrën se si drejtohet politika e jashtme amerikane në atë nivel duket mjaft e fortë sot.
Gjëja interesante është që, pavarësisht gjithë shpifjeve dhe fyerjeve, The Israel Lobby and U.S. Foreign Policy u bë menjëherë një bestseller dhe vazhdon të shitet shumë mirë. Unë i njoh autorët, të dy janë miq të mi; besoj se me luftën e fundit ka pasur një rritje të shitjeve, një dekadë e gjysmë pas botimit të tij. Mendoj se ishte një analizë e shëndoshë. Nuk mendoj se ishte mjaftueshëm gjithëpërfshirëse sepse fliste vetëm për grupet e lobit në Capitol Hill, si dhe për sionistët e krishterë dhe neokonët [neo-konservatorët] dhe për rojtarët e lobit që monitoronin në media dhe akademi, ndërkohë që ekziston një ekosistem i tërë që është shtrirë në elemente të rëndësishme të sektorëve ushtarakë, teknologjikë dhe biomjekësorë të Amerikës, të cilët janë të integruar ngushtë me homologët e tyre izraelitë. Pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme të ekonomisë amerikane janë të ndërlidhura me këta sektorë në Izrael dhe ato janë forca të fuqishme në shoqërinë amerikane. Ato zotërojnë Kongresin, në kuptimin që kontributet e tyre i mbajnë politikanët e zgjedhur në pushtet – sidomos në Silicon Valley, bioteknologji, financë dhe në sektorin ushtarak. Ndërthurja e kompleksit të sigurisë ushtarako-industriale të ShBA-së me atë të Izraelit është gati sa nuk e kupton ku fillon njëra e mbaron tjetra, ashtu si edhe ndërthurja e rrjeteve të mbrojtjes dhe inteligjencës së Izraelit me ato në Indi, Emiratet dhe disa vende të tjera. Nuk mendoj se kjo është shpërfaqur plotësisht në librin The Israel Lobby, pjesërisht ngase disa nga këto zhvillime kanë dalë në pah pas botimit të librit të tyre.
Të kalojmë te çështja e elitave aktuale arabe, të cilat vazhdojnë të rrinë në krye si më parë por edhe më sheshit se pas Nakbës. Para 7 Tetorit, sauditët ishin në prag të njohjes së Izraelit.
Ata ende janë.
Po, ende janë. Dhe shtetet e Gjirit mbeten si stacione karburanti të imperialistëve, me sasi të stërmëdha parash. Jordania ka qenë protektorat i ShBA-së dhe Izraelit prej shumë kohe. Masat egjiptiane u mposhtën brutalisht nga ushtria. Mendoja se mund të kishte më shumë protesta në botën arabe – dhe e vetmja gjë që do mund të ndryshonte humorin atje do të ishin kryengritjet masive. Por përveç Jemenit, s’ka patur aq. Ka pasur demonstrata pro-Gazës, por deri tani jo në shkallën e zemërimit të shfaqur në Britani dhe ShBA.
Mendoj se janë të paktën dy gjëra për t’u thënë këtu. E para është se ekziston – dhe gjithmonë ka ekzistuar – një simpati e thellë për Palestinën mes popujve arabë, në të gjithë botën arabe, nga Gjiri deri në Atlantik. Kjo nuk ka ndryshuar. Ka pasur ndonjë ulje-ngritje, por nuk është zhdukur. Por këta njerëz përballen me çështje të tjera kritike. Nëse jeton në një shtet që është shpartalluar – si Libia, Siria, Iraku, Jemeni, Sudani, Libani – nga lufta civile ose ndërhyrja e fuqive imperialiste dhe klientëve të tyre, ke shqetësime të tjera. Iraku ende nuk ka energji elektrike 24 orë, 21 vite pas pushtimit amerikan – një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Palestina është e rëndësishme, por të rëndësishme janë edhe energjia elektrike e të mos vritesh nga regjimi ose nga ndonjë fraksion ushtarak. Kjo është situata në nja gjashtë shtete arabe: në faza të ndryshme të luftës civile që bëhet luftë e tërthortë, ku të gjitha fuqitë e mëdha janë të mpleksura.
E dyta është se, pothuajse pa përjashtim, nga Gjiri deri në Atlantik, nuk ke regjime që e lejojnë opinionin publik të shprehet. Ka diktatura të ashpra, një pushtet të centralizuar në Algjeri, monarki absolutiste si ato të Luigjit XIV, që nuk lejojnë pothuajse asnjë kundërshtim përveç një hapësire shumë të vogël dhe, nëse e kalon atë, do të torturohesh, do të arrestohesh dhe familja jote do të vuajë. Prandaj keni të drejtë, asnjë protestë në botën arabe nuk ka arritur në nivelin e asaj që kemi parë në Londër dhe Nju Jork, ose në disa pjesë të Jugut Global, në Indonezi e Pakistan. Kjo ndodh pjesërisht sepse masat arabe janë trembur nga goditjet dhe torturat që iu ndërsyen që nga e ashtuquajtura Pranvera Arabe. Ato u rivunë në rend nga klientët e Amerikës, sidomos nga sauditët dhe emiratët, me infuzione të mëdha parash dhe mbështetje për masat më të ashpra të sigurisë. Nuk mund të fajësohet plotësisht populli që nuk ndihet gati të ngrejë kryet më lart se një farë pike për këtë çështje.
Në disa vende, megjithatë, situata është kritike – në Jordani, për shembull, dhe në disa vende të tjera, nën sipërfaqe. Por nuk shoh që kjo të çojë në tranzicione demokratike, të cilat do të ishin të nevojshme që këto vende të luanin një rol aktiv dhe pozitiv. Sundimtarët e tyre janë më të shqetësuar për atë që mund të thonë Uashingtoni dhe Tel Avivi sesa për popullin e tyre. Ata nuk përfaqësojnë aspak pikëpamjet e popullit të tyre. Ata janë të lidhur me Izraelin me një shumësi litarësh, të dukshëm e të padukshëm. Mbrojtjet kundër raketave që kanë Emiratet janë ofruar nga një degë izraelite e Raytheon, që do të thotë se mbikëqyrja kundër-raketore ndaj Iranit e Izraelit është në Jabal Ali, në Abu Dabi, jo në Jabal al-Sheikh (Malin Hermon), në Lartësitë e pushtuara të Golanit. Emiratet varen plotësisht nga Izraeli për sigurinë e tyre kundër sulmeve me raketa. Ka variante të kësaj marrëveshjeje në Jordani, Egjipt dhe vende të tjera arabe. Në Marok, truprojat mbretërore janë trajnuar nga Mossadi për pesëdhjetë ose gjashtëdhjetë vitet e fundit, që nga koha e mbretit Hassan II. Rrjeti i mbrojtjes i Izraelit është tashmë i moçëm disa breza në rastin e Jordanisë, Marokut dhe Egjiptit – dhe është i mirëkonsoliduar në disa vende të Gjirit dhe në nja dy të tjera po ashtu.
Në fillim sikur pati ca shpresë se Hezbollahu, me mbështetjen e heshtur ose publike të regjimit iranian, ndoshta hapte një front të dytë dhe lehtësonte trysninë mbi Hamasin. Por kjo nuk ndodhi.
Mendoj se Hamasi e kishte gabim që pati këtë pritshmëri. Ata me siguri prisnin reagime shumë më të qëndrueshme nga palestinezët e tjerë në territoret e pushtuara dhe shpresonin që Hezbollah, si dhe milicitë e tjera të lidhura me Iranin dhe ndoshta vetë Irani, do të reagonin shumë më vrullshëm ndaj kundërpërgjigjes së Izraelit për 7 Tetorin. Është shembull i përkryer se sa pak kuptojnë nga bota. Për gjithë mprehtësinë e tyre në aspekte të tjera, liderët që organizuan këtë sulm kanë atë që unë do ta quaja “vizion tunel”. Mendoj se ata me të vërtetë besuan që do të kishte një kryengritje përgjatë botës arabe. Nuk kam shumë prova për këtë pohim, por ata me siguri u zhgënjyen nga reagimi. Dhe përgjigjja e Hezbollahut ka qenë ajo që unë do ta quaja “performative”. Ka pasur një efekt domethënës mbi Izraelin: ka vrarë të paktën pesëmbëdhjetë ushtarë izraelitë dhe njëmbëdhjetë civilë izraelitë, sipas burimeve izraelite, dhe ka çuar në evakuimin e gjithë rajonit të kufirit – dhjetëra mijëra janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Por megjithëse ende mund të shpërthejë në një luftë të plotë, deri tani ka qenë një lojë ndëshkimesh të ndërsjella, shumë e matur dhe e kontrolluar. Kjo vjen në funksion të asaj që kushdo që ka sy për të parë mund t’u thoshte djemve nëpër tunele, pra që Irani nuk investoi në ndërtimin e kapaciteteve të Hezbollahut për hir të Hamasit. E bëri këtë për të krijuar një mjet frenimi për të mbrojtur Iranin nga Izraeli; kjo është arsyeja e vetme. Ideja që Hezbollahu dhe iranianët do të përdornin çdo armë në arsenalin e tyre për të mbështetur Hamasin, në një luftë që ky i fundit e nisi pa paralajmëruar aleatët e tij – është e pabesueshme që dikush mund të mendonte se kjo do të ndodhte. Irani është një shtet-komb që ka interesa kombëtare, të cilat kufizohen në mbrojtjen e regjimit, vetëmbrojtje dhe raison d’état. Mund të flitet për islamin, ideologjinë dhe “boshtin e rezistencës” derisa të mos kesh më frymë. Por unë do të të them: raison d’état, mbrojtja e regjimit – kjo është ajo që ata kanë në mendje dhe për këtë arsye mbështetën zhvillimin e kapacitetit të Hezbollahut. Dhe nuk do ta zbrazin arsenalin për të mbështetur Hamasin. Nuk kishte fare mundësi, asnjë rrethanë, që ata të vepronin kështu për të mbështetur Hamasin. Nëse, larg qoftë, shpërthen një luftë e plotë, kjo do të jetë për shkak të një keqllogaritjeje, një aksidenti, ose një lëvizjeje irracionale nga Netanyahu, jo nga një vendim i Hezbollahut.
Hezbollahu është një parti libaneze. Ka një sponsor iranian, por është shumë i vetëdijshëm për faktin se publiku libanez do të kthehet kundër tij nëse operacionet e tij kundër Izraelit provokojnë një kundërpërgjigje masive kundër Libanit – e cila nuk do të drejtohej vetëm kundër Hezbollahut, por edhe, si në luftën e vitit 2006, kundër infrastrukturës së Libanit. Izraelitët gjithmonë kanë ndëshkuar vendin bartës për ta shtrënguar që ky të detyrojë ndalimin e aktivitetit të rezistencës. Ata bombarduan Jordaninë, bombarduan Sirinë, për t’i detyruar këto regjime të ndalonin palestinezët. Nuk po përpiqeshin të ndalonin vetë palestinezët, por të ndalonin cilindo vend arab që i priste dhe i mbështeste ata. Ata do të mund ta bënin këtë me Libanin, për ta detyruar të ndalojë Hezbollahun. Dhe Hezbollahu e di këtë dhe libanezët po ashtu. Nuk e kuptoj se si udhëheqësit e Hamasit nuk e kuptuan këtë. Kjo shpërfaq një shkëputje nga realiteti dhe një orientim të çaluar strategjik, çka është me të vërtetë shqetësuese. Që nga 7 Tetori ata e kanë përmbysur në mënyrë dramatike status quo-n e ndenjur në Palestinë dhe janë treguar tejet të aftë të zhvillojnë luftë guerile – me një çmim të papërshkrueshëm, duhet thënë. Por në fund të fundit, lufta është një zgjatim i politikës me mjete të tjera dhe ata nuk kanë projektuar një vizion të qartë, strategjik dhe të bashkuar politikisht për Palestinën ndaj botës. Nuk mendoj se njerëzit po i thonë këto gjëra, sado të vështira që janë për t’u thënë. Por duhet t’i thonë. Duhet t’i thonë.
Jam plotësisht dakord me ju. Duke u kthyer tek e ardhmja, cili është plani i Izraelit për Gazën? A po përpiqen ata të krijojnë një tjetër Nakba, pra të shkatërrojnë shiritin, t’ua shesin atë njerëzve të tyre dhe të shndërrojnë akoma më shumë palestinezë në refugjatë? Kjo duket se është situata. Apo do të ndërhyjë dikush e ta ndalojë këtë të ndodhë? Amerikanët me siguri nuk do të ndërhyjnë, kjo është bërë shumë e qartë.
Ndryshe nga momente të tjera kritike në historinë e saj, Izraeli nuk ka një elitë të bashkuar dhe nuk ka një pozicion të qartë për këto çështje sot. Në vitin 1948, Ben-Gurion dominonte politikën izraelite; madje edhe në 1956-n, ai triumfoi mbi Sharett-in dhe bëri atë që deshi në nisjen e luftës së Suezit. Episod pas episodi, qoftë mirë a keq, ata të paktën e dinin çfarë donin të bënin. Kishte një ndjenjë të bashkuar dhe kohezive për interesat e Izraelit, madje edhe pas luftës së vitit 1967, kur nuk mund të vendosnin qartë — a duhet t’i mbajmë të gjithë territoret? — por kishin një udhëheqje të bashkuar. Udhëheqjet ushtarake dhe politike bashkëpunonin në pjesën më të madhe të historisë së Izraelit. Kjo nuk është e vërtetë sot. Nuk mendoj se ekziston një vizion i qartë izraelit për atë që duhet bërë. Netanyahu ka shumë pak ide se çfarë dëshiron strategjikisht. Ajo që ai dëshiron personalisht është një vazhdim i luftës pa strategji të qartë për përfundimin e saj. Kjo i shërben interesit të tij të ngushtë politik: të qëndrojë në pushtet, të mos ketë zgjedhje elektorale dhe të mos shkojë në gjyq.
Fraksione të tjera brenda qeverisë së tij kanë pikëpamje të ndryshme. Ngrehina ushtarake dhe e inteligjencës nuk është kohezive. Së fundmi, një ish-shef i shtabit doli dhe tha se lufta duhet të përfundojë. Nuk ke pasur kurrë ish-shefa të shtabit që ta thonë këtë në kohë lufte; Aviv Kohavi sapo e tha këtë. Gjeneralë dhe ish-shefa të tjerë të inteligjencës kanë thënë gjëra të ngjashme. Elita izraelite është e përçarë – dhe me arsye të mira – mbi çështjen e si të përfundojë lufta dhe çfarë të bëjnë në Gazë ditën pas, nëse ajo ditë vjen ndonjëherë. Në fillim, ishte e qartë se ata shpresonin se mund të mbaronin Nakbën dhe të dëbonin një numër të madh njerëzish për në Egjipt dhe ndoshta edhe nga Bregu Perëndimor për në Jordani. Dhe ata dërguan çirakun e tyre, Blinkenin, për t’ua bërë punën e ndyrë për ta – shkoi tek egjiptianët, jordanezët dhe sauditët dhe duke iu përgjëruar, ju lutem, a mund të lejoni që kjo të ndodhë? Pjesëmarrja e qeverisë amerikane në një plan izraelit për të kryer një pastrim të mëtejshëm etnik në Palestinë është një nga episodet më të neveritshme në historinë amerikane. Kjo do të jetë një damkë turpi për Blinken dhe Biden për shumë kohë. Në vitin 1948, Uashingtoni nuk e donte pastrimin etnik, megjithëse Trumani e lejoi të ndodhte dhe nuk bëri asgjë për të mbështetur rezolutën e Ndarjes së Kombeve të Bashkuara, për të cilën ai kishte shtyrë e shtrënguar kaq shumë njerëz. Tani është ndryshe dhe shumë më keq. Tani kemi Uashingtonin që aktivisht mbështet Izraelin në gjenocid dhe përpiqet aktivisht të bëjë sekserin e pastrimit etnik prej Izraelit të një pjese të Palestinës.
Por nëse udhëheqja izraelite do të kishte një vizion të qartë për atë që dëshironte në fillim – shkatërrimin e Gazës dhe të përmbushë Nakbën – nuk mendoj se ata kanë një vizion të qartë tani. Ajo që duket se ka gjasë të ndodhë është një formë e okupimit izraelit, një rezultat që askush, përfshirë edhe vetë izraelitët, nuk duhet ta dëshirojë. Unë nuk do të doja të pushtoja Gazën nëse do të isha në vendin e tyre. Okupimi i tyre i fundit, deri në vitin 2005, nuk ishte dhe aq i suksesshëm. Mendo çfarë u është dashur të përballojnë atëherë, nga Hamasi i viteve 2000 dhe grupet e tjera me kapacitete shumë më të vogla se ato që kanë sot. Nuk mendoj se ka ndonjë mundësi të mirë zgjedhjeje, për të qenë i sinqertë, nga perspektiva izraelite. Nuk besoj se ka pasur një vendim të qartë të udhëheqjes për këtë. Mund të jem i gabuar, por kjo është mbresa ime nga jashtë, me aq sa lexoj nga shtypi izraelit. Pavarësisht fuqisë së tyre të madhe, ata e kanë vendosur veten në një situatë strategjike të pashpresë.
Një ironi e tmerrshme historike. Pas Luftës Gjashtëditore në 1967-n, Isaac Deutscher dha një intervistë për New Left Review.2 Ai ishte shkëputur përfundimisht nga Izraeli dhe i kishte dërguar një mesazh Ben-Gurionit, të cilin e njihte, duke e paralajmëruar për një katastrofë nëse okupimi nuk përfundonte. Ai i përshkroi izraelitët si prusianët e Lindjes së Mesme – një varg fitoresh që mëkojnë një mbështetje të verbër në fuqinë e tyre ushtarake, arrogancë shoviniste dhe përbuzje për popujt e tjerë – dhe rikujtoi mësimin që gjermanët nxorën nga përvoja e tyre: “Man kann sich totseigen!” Njeriu mund ta shpjerë veten me triumf deri në vdekje.
Epo, Ben-Gurioni e mësoi këtë. Ai ishte i shqetësuar pas Luftës së vitit 1967 se Izraeli do të përkundej në triumfalizëm dhe do të dështonte të shfrytëzonte mundësinë që ofroi lufta për të arritur një zgjidhje të favorshme për Izraelin dhe sionizmin. Sigurisht, ai kishte të drejtë. Gjëja e trishtë për shumë nga këta udhëheqës është se mësojnë tepër vonë. Kështu kemi Ehud Olmert-in që flet për gjëra që kurrë nuk i përmendi kur ishte Kryeministër, ose Ben-Gurionin që thoshte gjëra në pleqëri që kurrë nuk i tha më parë, ose ish-gjeneralë izraelitë apo kryetarë të Mossad-it dhe Shin Bet-it, plot me urtësi pasi kanë dalë në pension. Kam pasur një takim të mrekullueshëm me Yehoshafat Harkabin, shefin e inteligjencës ushtarake izraelite në vitet 1950, i cili shkroi dy libra thelbësorë që ishin plan-projekte për demonizimin e OÇP-së. Ai nuk ishte vetëm shefi i inteligjencës ushtarake, ai ishte propagandisti kryesor në Perëndim për një vizion negativ të OÇP-së. Kur e takova në pleqëri, kishte ndryshuar krejt si njeri dhe kishte shkruar një sërë librash që kritikonin Izraelin. Kjo ndodh shpesh shumë vonë me këta njerëz. E njëjta gjë me Jimmy Carter-in. Pse nuk i the këto gjëra kur ishe President?
Pikërisht.
Presidenti më i mirë pas largimit nga detyra që kanë pasur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara. Por dua të përfundoj përgjigjen për pyetjen tënde të parë, çfarë ka ndryshuar dhe çfarë jo. U rrita në një botë, siç thashë, ku narrativa sioniste ishte e vetmja histori në qarkullim dhe besohej verbërisht nga pothuajse të gjithë. Ky nuk është më rasti sot, siç e diskutuam. Ka një debat të ashpër mbi narrativën sioniste, sidomos brenda komunitetit hebre, me një ndasi interesante brezash. Kjo është krejt e re – dhe shumë e rëndësishme.
Ajo që nuk ka ndryshuar dhe me të cilën nipërit dhe mbesat tona prapë do t’u duhet të përballen është mbështetja e pandërprerë e sunduesve të fuqive imperialiste për projektin sionist. Veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Britania, që nga Lufta e Parë Botërore e më tej dhe Franca e Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo, sipas mendimit tim, është në shumë mënyra problemi më i madh. Nëse pranon kornizën analitike të kolonive dhe dyndjes e ngulitjes së vendbanimeve, atëherë metropoli është po aq i rëndësishëm sa kolonia e ngritur. Izraeli nuk është një koloni tipike, aspak; ai është edhe një projekt kombëtar, me një përmasë të konsiderueshme biblike dhe një strehëkërkues prej persekutimit. Asnjë koloni tjetër e ngritur nuk ka qenë strehë prej persekutimit në këtë shkallë – puritanët dhe disidentët e tjerë fetarë, si kuakerët, të cilët erdhën në Amerikën e Veriut, përjetuan sigurisht shtypje, por jo në të njëjtën gradë. Thënë shkurt, ky kombinim karakteristikash është unik për projektin izraelit. Por bërthama e tij, bërthama koloniale, lidhet me një metropol. Dhe elitat në atë metropol, për fat të keq, kanë ndryshuar shumë pak që nga koha kur unë isha fëmijë. Brezat e rinj do të duhet të merren njëmend me këtë.
Një sërë studiuesish dhe arkeologësh izraelitë, përfshirë Israel Finkelstein-in, kanë treguar se historitë heroike të Dhiatës së Vjetër – eksodi, linja mbretërore e Librit të Mbretërve – ishin më së shumti një “traditë e shpikur”, huazime që u ndërtuan si një ideologji oborri në një periudhë më të vonshme. Botimet hebraike të librave të Shlomo Sandit, The Invention of the Jewish People dhe The Invention of the Land of Israel, kanë qenë bestsellera në Izrael. Por kjo ka pasur një ndikim të papërfillshëm mbi kapjen që ka ideologjia kombëtare mbi shumicën e popullsisë.
Sa i përket nacionalizmit, Gellner, Hobsbawm dhe Benedict Anderson kishin të drejtë: nuk ka rëndësi cilat qenë realitetet historike, ajo që ka rëndësi është çka njerëzit besojnë. Finkelstein dhe arkeologë të tjerë izraelitë të shkëlqyer kanë shkatërruar shumë nga bazat biblike të sionizmit, me shumë pak efekt politik. Mendoj se duhet ta shquajmë fuqinë e këtyre miteve biblike, pavarësisht nga mungesa e bazës historike dhe arkeologjike të tyre – jehona e tyre ndër breza, për shekuj me radhë dhe jo vetëm midis hebrenjve. Po aq e rëndësishme është që ato kanë rezonuar edhe midis të krishterëve. Protestantët britanikë janë përfundimisht përgjegjës për Deklaratën e Balfurit, e rrënjosur në besimin e tyre në këto mite. Lord Shaftesbury ishte sionist në vitet 1830, para sionistëve të parë hebrenj, për arsye fetare.
Por barbarizmi izraelit, siç po e shohim tani, po fillon të gërryejë disa nga këto mite, apo jo?
Mund të ketë një njehsim. Sionizmi i krishterë në fjalë është kryesisht dukuri protestante; është shumë më pak i përhapur midis popullatave katolike. Ai lexim i Biblës – “mbledhja e Izraelit” si pararendës për Ardhjen e Dytë dhe Gjykimin e Fundit, Zbulesa e Shën Gjon Hyjnorit – është në thelb një lexim protestant. Dhe në shumë prej denominimeve protestante më liberale në ShBA, ka një kuptim në rritje për rrezikun e këtij leximi dhe për sa i rremë është në lidhje me vlerat e krishtera. Shikon një zhvendosje paralele midis hebrenjve, të cilët thonë se kjo nuk ka të bëjë fare me traditën hebraike që duam të mbajmë. Ne nuk duam të shpartallojmë njerëzit siç izraelitët shkatërruan Amalekun. Nuk besojmë në versionin e judaizmit që frymëzon shumë nga kolonët dhe krahun e djathtë të spektrit politik izraelit – që shtrihet nga e djathta ekstreme deri te e majta qendrore, meqë ra fjala. Ata besojnë në këto gjëra, për shkatërrimin e amalekitëve si armiq të Izraelit. Netanyahu ka përqafuar në mënyrë cinike këtë logjikë shfarosëse, në një lexim fjalë për fjalë të Librit të Salit – “Kujto çfarë të ka bërë Amaleku.” Një shumicë e Knessetit, 64 anëtarë, po mbështesin një qeveri të kryesuar nga një njeri që e ka përsëritur këtë vazhdimisht. Megjithatë, kjo nuk është ajo që një pjesë e madhe e komunitetit hebraik në ShBA beson.
Tani, në mbarim, të kthehemi tek universiteti juaj, Columbia.
Ai nuk do të jetë më universiteti im kur të dal në pension në fund të qershorit.
Por ende do të jeni i lidhur me të në një farë mënyre.
Do të jem vetëm një ish-anëtar i fakultetit, duke dhënë disa kurse si një jo-anëtar i fakultetit – ose si “fakultet i përkohshëm”, siç kemi filluar t’i quajmë.
A mund të venitet fare ngjyrimi “terrorist” për titullin akademik të Edward Saidit?
Nuk kam asnjë ide se çfarë do të ndodhë me të. Ka donatorë dhe pasardhës të donatorëve që do të kërkojnë, mendoj unë, që të ketë ende një katedër dhe që dikush i kualifikuar ta mbajë atë. Nuk ia kam idenë. Fushata në Shtetet e Bashkuara kundër Studimeve të Lindjes së Mesme në përgjithësi dhe studimeve për Palestinën në veçanti, është e dhunshme dhe shtrihet në tërë spektrin politik. Dhe tani kemi Departamentin e Policisë së Nju Jorkut që i bashkohet politikanëve pa parime në tymnajën e tyre që u bëjnë jehonë ankesave të turpshme të administratorëve të universiteteve, për agjitatorë të jashtëm dhe nxitje nga anëtarët e fakultetit, përfshirë edhe mua. Pra, nuk e di se çfarë do të ndodhë. Kur njerëzit më shtrojnë këto lloj pyetjesh, unë them se përshkrimi i punës së një historiani nuk përfshin parashikimin e së ardhmes.
Ju ia dedikuat librin tuaj të fundit nipërve tuaj, gjë që zakonisht bëjmë ne të moshuarit.
[Qeshje]
Le të regjistrohet që të dy po qeshim me të madhe.
Shprehët shpresën që ata të shohin një botë më të mirë. Cila është ndryshimi më i madh midis botës në të cilën jeni rritur ju dhe botës në të cilën po rriten ata?
Unë jam rritur në një botë ku nuk kishte zë palestinez – në botën arabe, në sferën publike në Perëndim; fare, nuk ekzistonte. Palestinezët nuk ekzistonin. Katër nipërit e mi po rriten në një kohë kur ka zëra shumë të fuqishëm për Palestinën, anembanë botës. Ky është një element që ka ndryshuar për mirë. Unë jam rritur në një botë ku narrativa sioniste ishte krejtësisht hegjemone dhe Izraeli përshkruhej me plot gojën si “dritë për kombet”. Tani nuk është më kështu. Sot ai shihet gjerësisht dhe me të drejtë si një shtet i pabesë për shkak të veprimeve të tij gjenocidale. Këto janë disa nga gjërat e pakta të mira që kanë ndodhur në këto kohëra shumë të këqija.
1. John Mearsheimer dhe Stephen Walt, The Israel Lobby and U.S. Foreign Policy, New York 2007; libri zgjeron argumentet e paraqitur në ‘The Israel Lobby’, London Review of Books, 23 March 2006.
2. Isaac Deutscher, “On the Israeli–Arab War”, NLR I/44, korrik–gusht 1967, ff. 38–9.
Përkthyer dhe publikuar te Nyje.al me autorizim paraprak nga New Left Review. Për ripublikimin e saj në gjuhën angleze duhet të dërgohet një kërkesë me shkrim në redaksinë e New Left Review-s, ndërsa për këtë version të përkthyer te New Left Review dhe Nyje.al.
Imazhi i ballinës: Hammam Fuad në Unsplash