Foto nga Hammam Fuad, Shtator 2024, Palestinë

Qafa dhe shpata (IV)

Rashid Khalidi | Intervistuar nga Tariq Ali | Shqipëruar nga Genc Shehu

Botuar në numrin 147 të revistës New Left Review (Maj/Qershor 2024)

Ditët e fundit, Hillary Clinton hyri në këtë mes, duke shtuar gurin e saj në malin e gënjeshtrave që është ngritur rreth “procesit të paqes”. Ajo në thelb tha: “Ne u ofruam palestinezëve gjithçka në Marrëveshjet e Camp David-it në vitin 1979, por ata na refuzuan. Ata mund të kishin pasur shtetin e tyre deri tani.” Ti e njeh këtë fazë në imtësi.

Një nga studentët e mi, një studiues i quajtur Seth Anziska, shkroi librin më të mirë mbi ndikimin afatgjatë të Camp David-it.1 Unë u përqendrova në negociatat e Madridit dhe Uashingtonit në Brokers of Deceit. Pika kryesore është se shtetësia dhe sovraniteti palestinez, si dhe fundi i okupimit dhe dyndjes së kolonive, nuk kanë qenë kurrë në tryezë, asnjëherë, asgjëkundi, në asnjë fazë, nga asnjëra palë, qoftë Shtetet e Bashkuara apo Izraeli, apo kushdo tjetër. Në Camp David në vitin 1979, u ofrua “autonomia”; në Madrid dhe Uashington, në vitin 1991, ne u lejuam të negocionim vetëm për “autonomi”, ose vetëqeverisje nën sovranitetin izraelit; gjithçka që na u tha ishte se “çështjet e statusit përfundimtar” do të përfshinin diskutime për këto gjërat e tjera. Por e dimë se cili ishte rezultati përfundimtar. Rabini na e tha. Në fjalimin e tij të fundit në vitin 1995, pak para se të vritej pse shkoi shumë larg, ai shpjegoi se sa larg do të shkonte në fakt. Ai tha: ajo që po ofrojmë për palestinezët është më pak se një shtet dhe ne të mbajmë kontrollin e sigurisë mbi Luginën e Jordanit. Me fjalë të tjera, asnjë vetëvendosje, asnjë sovranitet, asnjë shtetësi. Një zgjidhje me një shtet plus një shumësi “Bantustanesh”.

Kjo ishte oferta e Izraelit. Dhe ajo kurrë nuk ndryshoi. Rabini u vra – mund të spekulohet se ai do kishte ndryshuar nëse nuk do ta kishin vrarë. Por kjo është ajo që ai tha në fjalimin e tij të fundit para Knessetit. Dhe ky ishte thelbi, tek e fundit, edhe për Ehud Barakun në vitin 2000, i cili negocioi me OÇP-në, ndryshe nga shumica e udhëheqësve të tjerë izraelitë. Rabini, Baraku dhe më vonë Olmerti ishin në fakt të gatshëm të negocionin – ata ishin të gatshëm të vendosnin shpatën në qafë, në shprehjen e pashoqe të Kanafanit. Por çfarë po ofronin? Asnjë shtetësi, asnjë sovranitet, asnjë vetëvendosje, as fund të okupimit dhe as heqje të vendbanimeve. Për sa i përket Clinton-it: një nga gënjeshtaret më të mëdha në politikën amerikane dhe e përfshirë në krime të shumta lufte. Ajo tha se studentët nuk e kuptojnë historinë. Epo, çfarë ajo po përhap me siguri nuk është histori. Është një narrativë krejtësisht e shtrembëruar dhe e rremë në pothuajse çdo aspekt.

Le të kthehemi tek Hamasi. A është e saktë të thuhet, siç ngulmojnë shumë nga kundërshtarët e tij në OÇP, se u krijua nga Izraeli?

Jo. Le të jem shumë i qartë. Hamasi doli në vitet 1987–88, në situatën që sapo folëm. Doli prej lëvizjes islamiste në Gaza, si një zgjatim i veçantë palestinez i Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit. Kjo ndodhi pikërisht në momentin kur Fatah dhe OÇP u larguan nga qëllimi i çlirimit të të gjithë Palestinës, si shtet laik-demokratik, duke pranuar kushtet e vendosura nga amerikanët dhe izraelitët në UNSC 242, duke lënë armët dhe duke rënë dakord për një shtetuc të ndarë palestinez përkrah Izraelit. OÇP-ja e pranoi zyrtarisht këtë në vitet 1987–88, pikërisht kur Hamasi u shfaq si syth i shkëputur nga lëvizja islamiste.

Tani, a janë inkurajuar nga izraelitët? Po, sigurisht që janë inkurajuar. Izraeli e pa OÇP-në si kundërshtarin e tij kryesor nacionalist, si rrezikun kryesor. Çdo lëvizje disidente që minonte mbështetjen e gjerë të palestinezëve për OÇP-në ishte e mirëseardhur për shërbimet izraelite të inteligjencës. Natyrisht që ishte kështu. Dy specialistë izraelitë, Shaul Mishal dhe Avraham Sela, kanë shkruar një libër të mirë mbi Hamasin që flet për këtë.2 Ka patur gjithashtu një artikull të shkëlqyer nga Reuters, i cili detajonte se si shërbimet izraelite të inteligjencës manipulonin dhe mbështesnin lëvizjen islamiste në Gaza. Gjithçka tjetër ishte mbyllur – çdo shprehje e identitetit palestinez, madje edhe Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze – por jo islamistët. Ata operonin lirisht. Kur izraelitët kishin nevojë për dikë për të rrahur demonstruesit e OÇP-së në kampusin e Birzejit, në Bregun Perëndimor, ata dërgonin islamistë nga Gaza përmes Izraelit, të pajisur me shufra hekuri dhe shkopinj, për të rrahur mbështetësit e OÇP-së. Miqtë më kanë treguar për fëmijë që u janë thyer krahët nga këta njerëz. Islamistët lejoheshin të vepronin pa u arrestuar, pa u ndërhyrë, ndryshe nga çdo organizatë tjetër e shoqërisë civile palestineze.

Kur Hamasi u shfaq, autoritetet izraelite të okupimit ishin të dyzuara në fillim, sepse Hamasi prodhoi kartën e tij famëkeqe antisemite dhe nisi operacione kundër ushtarëve dhe kolonëve izraelitë në Gaza, pas fillimit të Intifadës në dhjetor 1987. Kishte një debat brenda inteligjencës izraelite dhe ushtrisë: a duam vërtet të vazhdojmë të mbështesim këta njerëz apo jo? Por në kohë të ndryshme, ata, nëse nuk qenë të mbështetur, të paktën u lejuan të vepronin, për arsye të përça-e-sundo, nga shërbimet izraelite të inteligjencës që kontrollonin Rripin e Gazës. Sapo pashë një film të mrekullueshëm të quajtur Gaza Ghetto nga Joan Mandell të 1984-s, i cili flet për atë që ishte Rripi i Gazës nën okupimin izraelit deri në atë pikë. Autorja jetonte në Palestinë në atë kohë. Okupimi izraelit kontrollonte gjithçka, ashtu siç kontrollon gjithçka në Bregun Perëndimor sot. Kishte përpjekje për rezistencë, natyrisht, disa prej të cilave ishin të suksesshme, të tjera jo. Por me kalimin e kohës, Hamasi u shndërrua në një lëvizje rezistence dhe paskëtaj izraelitët nuk ishin aq të kënaqur me të. Por ata u rikthyen ta mbështesin atë në vitet e fundit, nën Netanjahun, sepse mendonin se mund ta përdornin Hamasin për të paqësuar Rripin e Gazës, me para të thata që vinin nga vendet e Gjirit, sidomos Katari.

Por kjo doli të mos ishte rasti. 

Nuk funksionoi aq mirë për ta.

Tani kemi ironinë që e ashtuquajtura OÇP sekulare-demokratike është 100 për qind ose 99.9 për qind kolaboracioniste me izraelitët, që nuk ekziston asnjë “Autoritet” palestinez dhe në fakt IDF-ja (Forcat e Mbrojtjes të Izraelit) jep urdhrat, ndërsa Autoriteti Palestinez i drejtuar nga Fatah i zbaton ato. Ndërkohë, organizata islamiste e stilit të Vëllazërisë Myslimane, Hamasi, është bërë udhëheqja e asaj që ne duhet ta quajmë dhe që është në fakt,  rezistenca e sotme palestineze.

Ironia e tmerrshme është se çka bënë Arafati dhe kolegët e tij duke pranuar Marrëveshjet e Oslos – dhe duke lëvizur pothuajse të gjithë lëvizjen kombëtare në një burg të kontrolluar nga izraelitët në territoret e okupuara – ishte, para së gjithash, të boshatisnin vetë OÇP-në. Sot, OÇP në të vërtetë nuk ka, përveçse si një guaskë bosh. Ajo udhëheqje tani vepron përmes këtij Autoriteti Palestinez kuisling, që është një nëpunës i okupimit. OÇP-ja nuk ka ekzistencë të pavarur. Nuk ka asnjë autoritet, asnjë juridiksion dhe asnjë sovranitet. Thjesht është një krah i okupimit, një ndër disa të tillë. Udhëheqja e Arafatit dhe Abbasit e zbrazën atë që dikur ishte bërthama e lëvizjes kombëtare, që ishte OÇP-ja. Tani efektivisht nuk ka më OÇP. Ekziston një AP, një Autoritet Palestinez, një burokraci që ka fuqi qeverisëse mbi jetët civile të palestinezëve në një pjesë të Bregut Perëndimor, megjithëse vetëm një pjesë të vogël. Pjesa më e madhe e Bregut Perëndimor, e ashtuquajtura Zona C, kontrollohet drejtpërdrejt nga ushtria izraelite. Në rastin më të mirë, Autoriteti Palestinez ka prani në 20–30 për qind të Bregut Perëndimor, për sa i përket përgjegjësisë për arsimin publik, shëndetësinë dhe kështu me radhë. Por Izraeli është fuqia sovrane mbi të gjithë Bregun Perëndimor të okupuar dhe Jerusalemin Lindor të okupuar. Ai është fuqia pushtuese. Ai është fuqia e sigurisë. Ai kontrollon regjistrin e popullatës, hyrjen dhe daljen, gjithçka që ka të bëjë me fondet e financimin. Ai kontrollon shërbimet e sigurisë të Autoritetit Palestinez. Këta të fundit bëjnë ç’do Izraeli. Populli palestinez dëshiron të mbrohet nga okupimi dhe kolonët, por njerëzit e Autoritetit Palestinez funksionojnë si agjentë të okupimit. Ata i shërbejnë armikut. Pra, po: kjo është një tragjedi për elementët sekularë-demokratikë – që s’janë të Vëllazërisë Myslimane – të lëvizjes kombëtare palestineze.

Pas Oslos, NLR-ja përshkroi trajektoren e Fatahut si një kthesë nga maksimalizmi fantastik në minimalizëm të fëlliqur, pa përpjekje për të përkufizuar dhe luftuar për një zgjidhje të barabartë ndërmjet këtyre.3 Akoma ka disa në OÇP që rezistojnë. Hanan Ashrawi ka qenë më e fortë se të tjerët dhe jam i sigurt se duhet të ketë të tjerë që presin për ndonjë alternativë.

Ka shumë njerëz, përfshirë ata të angazhuar në OÇP/Fatah dhe madje disa të përfshirë me Autoritetin Palestinez, megjithëse jo shumë, që ende kanë një qëndrim të pavarur dhe që kundërshtojnë natyrën kolaboracioniste të Autoritetit Palestinez. Mund ta shihni shumë qartë nga një seri sondazhesh të opinionit publik se sa gjerësisht përçmohet Abu Mazen (Mahmoud Abbas), sa shumë urrehet Autoriteti Palestinez. Kjo pavarësisht nga fakti që ai siguron pagat për një pjesë të madhe të popullsisë në territoret e okupuara. Janë dhjetëra mijëra trupa sigurie, dhjetëra mijëra punonjës qeveritarë, mësues, njerëz në sektorin e kujdesit shëndetësor, të cilët janë në listën e pagave të Autoritetit Palestinez dhe varen plotësisht prej tij për jetesën e tyre. Megjithatë, Autoriteti Palestinez është i urryer nga shumica dërrmuese e popullsisë. Kjo është shumë e qartë.

Gjithashtu, popullariteti i Hamasit nuk ka qenë gjithmonë aq i madh sa mendojnë disa njerëz, qoftë në Gaza, ku ata po bëheshin gjithnjë e më të papëlqyer para 7 Tetorit, apo edhe në Bregun Perëndimor, ku ata janë më të popullarizuar thjesht sepse njerëzit nuk janë qeverisur prej tyre. Por shumë nga ata që janë nën sundimin e tyre në Rripin e Gazës kishin një mendim të keq për Hamasin. Varet nga sondazhi, kush po pyet dhe kë po pyesin. Sentimenti publik nuk është statik; ai ngrihet e ulet, me kalimin e kohës. Por çështja e shkallës së mbështetjes popullore të Hamasit duhet të pyetet me më shumë kujdes sesa është bërë. Njerëzit supozojnë se, ngaqë shumë të rinj u përfshinë nga entuziazmi pas 7 Tetorit, kjo është ende pikëpamja e shumicës së njerëzve sot, tetë muaj më vonë. Nuk mendoj se është medoemos kështu. Hamasi shihet sikur ka meritë për shkaktimin e një humbjeje ushtarake ndaj Izraelit, të cilën kurrë nuk e kishte pësuar më parë. Izraeli u mposht në disa beteja në 1948-n dhe pësoi një goditje të madhe ushtarake në fillim të luftës së vitit 1973, para se amerikanët t’i vinin në ndihmë. Por që nga viti 1948, Izraeli kurrë nuk ka luftuar për ditë me radhë në territorin e tij. U deshën katër ditë për të rimarrë bazat ushtarake dhe komunitetet e shumta që u vërshuan nga Hamasi dhe aleatët e tij më 7 Tetor. Kjo nuk kishte ndodhur më parë. Numri më i lartë i të vdekurve civilë izraelitë që nga viti 1948 u shkaktua nga sulmi i 7 Tetorit. (Propaganda e Izraelit pretendon “më e larta që prej Holokaustit”, por kjo nuk është e vërtetë; dy mijë izraelitë civilë dhe katër mijë trupa vdiqën në 1948-n.) Por Izraeli nuk ka pësuar kurrë një dështim të inteligjencës të kësaj përmase, qoftë në vitin 1973. Ka shumë njerëz që e vlerësojnë Hamasin për këtë, megjithëse ata mund të kenë rezerva për të në çështje të tjera.

Izraelitët e dinin ç’po ndodhte në 1973-shin. Amerikanët po ua tregonin.

Ata e dinin, ose e zbuluan disi me vonesë, por nuk reaguan mjaftueshëm shpejt, për shkak të arrogancës ose mendjemadhësisë. Ata kishin spiunë në Egjipt. Ata kishin spiunë kudo. Ata kishin njerëz që u thoshin, “Prisni, prisni, thjesht po bëjnë stërvitje.” Edhe nëse viti 1973 ishte një tronditje e madhe, me Sirinë që mori Lartësitë e Golanit, nuk pati viktima civile izraelite. Kjo duhet të thuhet përsëri dhe përsëri për 7 Tetorin: përveç mizorive, të cilat patjetër ndodhën, numri më i lartë i të vdekurve civilë që Izraeli ka pësuar ndonjëherë që nga viti 1948 ndodhi në ato katër ditët në fillim të këtij sulmi. Kjo është diçka që palestinezët duhet ta pranojnë, nëse duan të kuptojnë pse Izraeli është kaq i egër në ndëshkimin kolektiv të Gazës. Nuk është vetëm për humbjen ushtarake dhe dështimin e inteligjencës. Nuk ka të bëjë vetëm me rivendosjen e nderit të dëmtuar dhe “frenimin” e shkërmoqjes së Ushtrisë. Është një dëshirë nga barku për hakmarrje, për shpagim për vuajtjet traumatike të një numri të madh të civilëve izraelitë. Jo vetëm ata që u vranë ose u kapën: komunitete të tëra u zbrazën dhe ende nuk janë ripopulluar, tetë muaj më vonë. Kjo është thelbësore nëse duam të kuptojmë çfarë motivon egërsinë e sjelljes së Izraelit. Ka një logjikë nga pas që na çon deri te nisja e projektit sionist. Çdo projekt kolonizues duhet të sillet egërsisht për të themeluar e ngritur veten në kurriz të popullsisë autoktone. Por ajo që kemi parë gjatë tetë muajve të fundit është në një shkallë të paparë më parë, madje as në 1948-n.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se, që nga 7 Tetori, të paktën 25 herë më shumë palestinezë janë vrarë sesa izraelitë, me një përqindje të madhe prej tyre civilë, gra, fëmijë, të moshuar, punonjës mjekësorë dhe humanitarë, gazetarë, akademikë. Bota tani është plotësisht e vetëdijshme për traumën që kjo po shkakton. Por disa ende nuk kanë kuptuar plotësisht shkallën në të cilën shoqëria izraelite është prekur nga ndikimi i atyre katër ditëve të para që iu deshën ushtrisë izraelite për të liruar selinë e rrethuar të Divizionit të Gazës, për të rimarrë pikën e kalimit të Erezit, bazat e shumta ushtarake që ishin kapur dhe një duzinë komunitetesh përgjatë kufirit me Gazën. Kjo u mori kohë deri më 10 tetor. Tronditja për Izraelin do të zgjasë për një kohë shumë të gjatë, ashtu si trauma e asaj që po bëhet tani në Gaza do të ndikojë te palestinezët kudo për shumë vite të ardhshme. Jo vetëm ndër gazanët, ose njerëzit si unë dhe miqtë dhe studentët e mi që kanë familje në Gaza, ose njohin njerëz atje. Çdo palestinez ndikohet nga kjo traumë dhe shumë të tjerë përveç tyre.

Siç kemi diskutuar, asnjë nga tragjeditë e mëparshme të historisë palestineze nuk kishte këtë ndikim në opinionin publik në nivel global, sigurisht jo në Shtetet e Bashkuara. Dhe megjithatë, është tronditëse të shohësh kampet që po ngrihen në mbi njëqind universitete amerikane. Dëgjova fjalimin tënd të shkëlqyer para studentëve protestues në Columbia një ditë më parë. Është sikur 7 Tetori të ketë sjellë një ndryshim brezash, sa i përket Izraelit dhe Palestinës. Një shtresë e rëndësishme e të rinjve, përfshirë mijëra të rinj hebrenj, si ata që pushtuan Stacionin Grand Central në Nju Jork, nuk duan të kenë asnjë lidhje me këtë entitet përbindësh që të vret aty për aty. Njerëzit shohin çfarë po bën Izraeli dhe po thonë, është e tepruar, është e papranueshme, është gjenocid. Dhe kjo po shqetëson mediat kryesore dhe politikanët. Mendon se kjo do të zgjasë?

Dhe, e lidhur me këtë, si do ta shpjegoje pse Uashingtoni është bërë kaq tejet i mefshtë? Në Brokers of Deceit, ti ofron një analizë të qartë dhe të mprehtë të rolit të ShBA-së në Lindjen e Mesme, veçanërisht nën Clintonin dhe Obamën, duke treguar se ndërsa Uashingtoni pretendon të jetë një ndërmjetës i paanshëm, që mëton të çojë përpara një “proces paqeje” të drejtpeshuar, në fakt është shumë i anuar, duke vepruar si “avokat” i Izraelit dhe përkrahësi i tij kryesor. Megjithatë, kur interesat amerikane ishin në lojë, administratat e mëparshme ishin të gatshme të kërcisnin kamzhikun. Truman mbajti një embargo armësh kundër të gjitha palëve luftuese në vitin 1948; pas Suezit, Eisenhower i tha Ben-Gurionit të largohej nga Gaza dhe Sinai brenda dy javësh ose do të përballej me sanksione; në gusht 1982, Reagan i bërtiti Beginit që të ndalonte bombardimin e Bejrutit; Bush, i madhi, kërcënoi të ndalte 50 miliardë dollarë për të detyruar Izraelin të ulej në tavolinën e negociatave. Shtresa aktuale, si demokratët ashtu edhe republikanët, nuk tregojnë fare vullnet për të ushtruar trysni. Biden – “Xho Gjenocidi”, siç e kanë damkosur studentët – është akoma më keq. Trump nuk do të jetë më mirë. Sekretari i Shtetit Blinken kërcen si majmun i zbutur si t’i bjerë fyellit Netanyahu. A është bërë majmuni klaniterist rrugësh? Pse dhe si ka shkuar kaq larg?

Në fakt është një pyetje e vështirë për t’i dhënë përgjigje. Ne e lodhim mendjen duke u përpjekur të kuptojmë shkallën në të cilën ata janë bërë më keq sesa bashkëpunëtorë në krim. Ata janë bërë megafonë për çdo dokërr propagande sioniste. Presidenti dhe zëdhënësit e tij të tmerrshëm, Admirali Kirby dhe Matthew Miller i llahtarshmi, tingëllojnë si ateshetë e shtypit të Netanyahut – si propagandistët më të këqij izraelitë, që mbështesin hapur një narrativë izraelite pikë për pikë. Sot e pranuan që ShBA-ja po ndihmon izraelitët të ndjekin dhe vrasin udhëheqjen e Hamasit, që ShBA-ja ka ofruar inteligjencë për shpëtimin e pengjeve, në të cilin u vranë gati 300 palestinezë. RAF-i (Royal Air Force, forca ajrore e Mbretërisë së bashkuar) ka kryer pothuajse përditë misione vëzhgimi mbi Rripin e Gazës. Amerika dhe Britania – ndihmësi i saj i përgjakur – po marrin pjesë drejtpërdrejt në kërdi, jo vetëm duke furnizuar me armë, financim dhe veto në OKB, por duke bërë edhe punën e inteligjencës dhe propagandës për këtë gjenocid. Përdorët fjalën “mefshtë”. Kjo është më keq se kaq. Ka fjalë në arabisht për këtë që s’mund t’i përkthej. Shkalla në të cilën kjo administratë ka përvetësuar një perspektivë izraelite, nga Biden, te Blinken dhe deri te Sullivan, spikat.

Është e vërtetë që në nja dy pozicione të larta udhëheqëse, ka njerëz që njëmend nuk e përsërisin këtë retorikë. Sekretari i Mbrojtjes, Austin, dhe Burns, kreu i CIA-s, nuk e kanë bërë këtë; as të tjerë, që dinë më mirë se të përlyhen. Por ata nuk kanë ndikim brenda administratës mbi këtë çështje. Do të supozoja që shumica e profesionistëve me karrierë që shërbejnë në Departamentin e Shtetit, në ushtri dhe në të ashtuquajturin komunitet të inteligjencës – seç e dua këtë term, “komuniteti i inteligjencës” – e dinë shumë mirë se çka po bën Izraeli është si e kotë ashtu dhe e dëmshme për interesat amerikane; madje, edhe se sa e dëmshme është për çdo kuptim racional të interesave të Izraelit. Por ata nuk kanë zë në administratën e Biden-it. 

Një pjesë e kësaj ka të bëjë me ndasinë midis brezave që përmendët. ShBA-ja sot qeveriset nga një klikë e moshuar, një gerontokraci, që u indoktrinua në vitet 1960 dhe 70 me mitin e lidhjes midis Holokaustit dhe themelimit të Izraelit. Schumer, Pelosi, Biden, Trump; këta janë njerëz të mplakur. Ndërgjegjja e tyre u formua gjatë kohës së luftës së 1967-ës. Që nga ajo kohë, nuk i kanë hapur më mendjet, nuk kanë pasur kurrë qasje në asgjë përpos një narrative të hidhur që e pikturon Izraelin me ngjyrat më të ndritshme dhe palestinezët me tonet më të errëta – ideja që Izraeli është gjithmonë në rrezik ekzistencial, kozakët janë gjithmonë në prag të derës; se Holokausti mund të përsëritet, që Izraeli shëmbëllen me një lule të qytetërimit perëndimor në një shkretëtirë të barbarizmit arab – një mori gjepurash raciste që Izraeli – dhe më parë lëvizja sioniste – i mbolli me sukses nëpër Perëndim. Biden nuk ka shprehur asnjë ndjenjë keqardhjeje për 14 mijë fëmijët palestinezë që janë vrarë nga bombat amerikane. Ai nuk ka asnjë ndjenjë turpi, asnjë ndjesi të përmasave të gjenocidit të lemeritshëm që ai dhe administrata e tij po ndihmojnë të kryhet. Dhe njerëzit rreth tij e pasqyrojnë këtë, natyrisht. Ata janë izoluar.

Sa gjatë mund të vazhdojë kjo? Nuk e di. Nuk shoh asnjë shenjë që do të ndalet. Ata tani kanë filluar vagullt të kuptojnë se Izraeli po dëmton interesat e veta dhe të tyre dhe po përpiqen t’i ngadalësojnë. Por nuk kanë asnjë ndikim tek izraelitët deri tani. Dhe nëse unë do të isha Netanyahu dhe mbijetesa ime politike do të varej nga vazhdimi i luftës, lutjet dhe kërcënimet e dobëta të amerikanëve për të vonuar një apo dy dërgesa armësh nuk do të ishin arsye për ta ndalur luftën. Ai do të vazhdojë për sa kohë të dojë, duke vlerësuar saktë se amerikanët më shumë lehin se sa kafshojnë dhe se çfarëdo kafshimi prej tyre do të ishte çukitje pa dhëmbë. ShBA-ja do mund të thoshte: do të ndalojmë të gjitha dërgesat e armëve, nëse Izraeli nuk pranon planin për armëpushim që shefi i CIA-s, Burns, ka hartuar për ta. Mund të sponsorizojë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që kërkon një armëpushim sipas dispozitave specifike të Çarterit, e cila do ta detyronte Izraelin të ndalte luftën nesër. Ata nuk do ta bëjnë këtë. Për t’u kthyer te çfarë thatë: kjo ishte diçka që edhe vetë Reagani ishte i gatshëm të bënte, në gusht të vitit 1982. Izraelitët ndaluan bombardimin e Bejrutit vetëm sepse Reagan i bërtiti Beginit dhe gjysmë ore më vonë ata e lanë. Ne ishim aty në Bejrut, nën bombardimin izraelit dhe papritur ai ndaloi, në thelb për shkak të një telefonate nga presidenti amerikan te kryeministri izraelit. Biden nuk e ka bërë këtë.

 1. Seth Anziska, Preventing Palestine: A Political History from Camp David to Oslo, Princeton 2018.

2. Shaul Mishal dhe Avraham Sela, The Palestinian Hamas: Vision, Violence and Coexistence, Nju Jork, 2000.

3.Perry Anderson, ‘The House of Zion’, NLR 96, Nov–Dec 2015.

Imazhi i ballinës:  Hammam Fuad në Unsplash