Foto nga Hammam Fuad, Prill 2024, Palestinë

Qafa dhe shpata (I)

Rashid Khalidi | Intervistuar nga Tariq Ali | Shqipëruar nga Genc Shehu

Botuar në numrin 147 të revistës New Left Review (Maj/Qershor 2024)

*Shënim redaksional*

New Left Review është një revistë dymujore me reputacion të madh ndërkombëtar dhe që botohet prej viteve 1960. Revista prej fillimit të saj mbledh rreth vetes mendimtarë dhe teoricienë politikë të lidhur me të Majtën e Re britanike e cila tenton të adresojë problemet strukturore të zhvillimeve globale por edhe të vetë teorive të majta. Disa nga emrat më të ndërlidhur me revistën janë Stuart Hall, Perry Anderson, Nancy Fraser etj.

Rashid Khalidi është profesor emeritus i Studimeve Moderne Arabe në Universitetin e Kolumbias dhe ish-drejtues i katedrës Edward Said në të njëjtin universitet. Ka qenë kryeredaktor i Revistës Studime Palestineze dhe President i Shoqatës së Studimeve të Lindjes së Mesme. Po ashtu, ka shërbyer si këshilltar i delegacionit palestinez në Madrid dhe Uashington në negociatat për paqe arabo-izraelite nga tetori i vitit 1991 deri në Qershor 1993. Ndër shumë botime të tij, ka shkruar librin The Hundred Years’ War on Palestine: A History of Settler Colonialism and Resistance, 1917- 2017 (2020).

Intervista e mëposhtme përshkruan gjithë historinë moderne të Palestinës dhe të asaj të ndërlidhur me të nga fundi i shekullit të XIX deri në ditët e sotme. Temat prekin lindjen e sionizmit, qeverisjen britanike të kolonive dhe trashëgiminë e saj në lindjen e shtetit të Izraelit, mënyrën e tij të qeverisjes, implikimet e luftërave antikoloniale, dinamikat e brendshme të lëvizjes palestineze për çlirim dhe marrëdhënien e saj me lëvizje në vendet e tjera arabe, historinë e negociatave për përfundimin e konfliktit dhe përpjekjen e Izraelit vitin e fundit – të cilësuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si përpjekje që, sipas të gjitha gjasave, përbën gjenocid ndaj popullit palestinez – për çlirimin e pengjeve të marrë nga Hamasi pas sulmit të 7 Tetorit 2023 dhe për zhdukjen e këtyre të fundit.

Le të fillojmë me të tashmen, jo vetëm në kuptimin e tmerreve që po shkaktohen ndaj Palestinës tani, por të tashmen si pjesë e të kaluarës ende-të-gjallë të Palestinës. Shtypja brutale anglo-sioniste e Revoltës së Madhe Arabe të viteve 1936-39 u pasua nga Nakba e vitit 1948, Lufta Gjashtëditore në vitin 1967, rrethimi i Bejrutit në vitin 1982, i udhëhequr nga Ariel Sharon dhe masakrat në Sabra dhe Shatila, dy Intifadat dhe terrori i vazhdueshëm i lëshuar nga Izraeli që atëherë. Megjithatë, gjenocidi pas 7 Tetorit duket se ka pasur një ndikim më të madh global se ndonjëri prej këtyre.

Po, diçka është lëkundur globalisht. Nuk jam i sigurt pse këto episode historike nuk e patën efektin e ndryshimit të plotë të narrativës – në veçanti narrativës popullore. Nuk dua të spekuloj për gjëra si mediat sociale. Por ky ka qenë gjenocidi i parë që një brez dëshmon në kohë reale, në pajisjet e tyre. A ishte ky i pari [gjenocid] i kohëve të fundit në të cilin ShBA-ja, Britania dhe fuqitë perëndimore qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, ndryshe nga të tjerët, si në Sudan apo Mianmar? A ishin përpjekjet e përkrahësve pro-palestinezë, gjatë një brezi ose më shumë, ato që gatitën njerëzit për këtë? Nuk e di. Por ju keni të drejtë që, si rezultat i tmerrit që është shkaktuar mbi Gazën për tetë muaj të pandërprerë dhe që ende po shkaktohet tani, ka ndodhur diçka e re. Zhvendosja e tre të katërtave të një milion njerëzve në vitin 1948 nuk prodhoi të njëjtën bujë. Revolta Arabe e viteve 1936-39 është pothuajse tërësisht e harruar. Asnjë prej këtyre ngjarjeve të mëparshme nuk pati efekt të tillë.

Shënim redaksional – Nakba (arabisht: النكبة, që do të thotë “Katastrofa”) i referohet ngjarjeve të vitit 1948. Me përfundimin e mandatit britanik mbi Palestinën në 14 maj 1948, forcat sioniste shpallën shtetin e Izraelit dhe po ashtu nisi lufta Izraelito-Arabe. Si pasojë e politikave të dhunshme dhe zbuese të Izraelit të paktën 750.000 palestinezë u shpërngulën me dhunë nga shtëpitë dhe vendbanimet e tyre. Forcat izraelite morën në kontroll 78% të territorit, teksa pjesa e mbetur u nda midis Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor. Palestina ka qenë pjesë e territoreve të Perandorisë Osmane deri sa u mor në kontroll nga Britania e madhe në fundin e Luftës së Parë Botërore. Lidhja e Kombeve vendosi që Britania të kishte mandatin mbi të deri sa popullsia vendase të cilësohej si e zonja për të themeluar një shtet të pavarur. Mirëpo, mandati britanik kishte një vizion izraelit për territorin, të koordinuar me fuqitë e mëdha të kohës dhe ato rajonale, pavarësisht se hebrenjtë përbënin më pak se 10% të popullsisë vendase. “Deklarata e Balfurit” e ilustron këtë vizion. Në një letër të 2 nëntorit 1917, sekretari për marrëdhënie me jashtë i Britanisë, Arthur James Balfour, i zotohet L. W. Rothschild-it, nga figurat kryesore të komunitetit anglo-hebre, për mbështetjen e themelimit të një shteti amë për popullin hebraik në Palestinë. Përgjatë mandatit të saj, Britania e ka mbështetur dhe lehtësuar migrimin e hebrenjve europianë drejt Palestinës. Si pasojë e kësaj mbështetjeje, popullsia hebraike u rrit rreth 10-fish duke arritur rreth 700 mijë hebrenj në vitin 1948 dhe po ashtu u intensifikuan edhe përplasjet dhe konfliktet me popullsinë palestineze vendase. Në shkurt 1947, Britania kishte deklaruar se do ta përfundonte mandatin e saj mbi Palestinën. Në nëntor, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kaloi rezolutën e Ndarjes së Palestinës në dy shtete, një hebre (55% e territorit) dhe një arab (45% e territorit), me Jerusalemin nën administrim ndërkombëtar. Vendet arabe nuk e pranuan planin, ndërsa forcat paramilitare hebreje filluan sulmet ndaj vendbanimeve palestineze duke dëbuar me mijëra deri në nisjen e një lufte të plotë në vitin 1948 mes forcave izraelite dhe atyre arabe, pas përfundimit të mandatit britanik. Që prej asaj periudhe, palestinezët e dëbuar janë shndërruar në refugjatë të cilët e kanë të pamundur të kthehen në shtëpitë e tyre nga politikat e Izraelit që e pamundësojnë një gjë të tillë, edhe pse e drejta e rikthimit njihet nga ligjet ndërkombëtare. Kjo ngjarje shënohet çdo 15 maj nga palestinezët në të gjithë botën, teksa tashmë përfaqësojnë problemin më të gjatë të pazgjidhur të refugjatëve në botë.

Revolta Arabe gjithmonë më ka mahnitur si një nga episodet madhore të luftës antikoloniale, e cila ka marrë shumë më pak vëmendje se ç’meriton. Filloi si një grevë [e përgjithshme], u bë një seri grevash, pastaj u shndërrua në një kryengritje të madhe kombëtare që mbajti forcat britanike të ngërthyera për më shumë se tre vjet. A mund të na japësh një shpjegim të origjinës, zhvillimit dhe pasojave të saj?

Revolta Arabe ishte në thelb një kryengritje popullore, në një shkallë masive. Udhëheqësit tradicionalë palestinezë u kapën në befasi, ashtu si Arafati dhe udhëheqja e OÇP-së [Organizata për Çlirimin e Palestinës] u befasuan nga Intifada e Parë në vitin 1987. Të dyja kryengritjet u shkaktuan nga incidente të vogla; në rastin e Revoltës Arabe, qe vdekja në betejë e Sheik ‘Iz al-Din al-Qassam-it në nëntor të vitit 1935, i vrarë nga forcat britanike. I lindur në vitin 1882 në Jableh, në bregdetin sirian, al-Qassam ishte dijetar fetar, i trajnuar në Al-Azhar dhe militant anti-imperialist, që luftoi kundër të gjitha fuqive perëndimore në rajon, duke filluar me italianët në Libi në vitin 1911, pastaj me forcat e mandatit francez në Siri në vitet 1919–20. Përfundoi në Palestinën e Mandatit britanik, ku jetoi dhe punoi kryesisht mes fshatarëve dhe të varfërve urbanë. Vrasja e al-Qassam-it pati një amplitudë shumë të madhe, saqë brenda pak muajsh ndihmoi në shpërthimin e grevës më të gjatë të përgjithshme në historinë koloniale të periudhës midis dy luftërave. Përshkrimi më i mirë i kësaj është bërë nga Ghassan Kanafani, shkrimtari i madh palestinez, i vrarë nga izraelitët në vitin 1972; ky do të bëhej kapitulli i parë i veprës së tij mbi historinë e përpjekjes palestineze, e papërfunduar në momentin e vdekjes së tij.1

Shënim redaksionalIntifada (arabisht: الانتفاضة, që do të thotë “kryengritje”) i referohet dy kryengritjeve të popullit palestinez kundër pushtimit izraelit: e para (1987–1993) dhe e dyta (2000–2005). Intifada I (1987-1993) nisi si mosbindje civile paqësore dhe u përshkallëzua në sulme të armatosura si pasojë e përgjigjes brutale të forcave izraelite duke shkaktuar rreth 2 mijë vdekje me raportin palestinezë-izraelitë 3 me 1. Kryengritja përfundoi duke hapur rrugën për marrëveshjen e Oslos dhe negociatat për paqe midis OÇP-së dhe Izraelit përgjatë viteve ’90. Si pasojë e dështimit të negociatave për paqe dhe avancimit të Izraelit në territoret palestineze filloi Intifada II (2000-2005) e cila ishte më e dhunshme se e para duke përfunduar me vdekjen e 4 mijë e 300 personave në raportin palestinezë-izraelitë 3 me 1.

Analiza e Kanafanit mbetet e vlefshme edhe sot. Ndër të tjera, ai nënvizoi ndikimin ekonomik mbi klasat popullore për shkak të rritjes së migrimit hebre në Palestinë në vitet 1930, pasi Hitleri erdhi në pushtet; shpunësimin e punëtorëve arabë nga fabrikat dhe kantieret, në përputhje me politikën e Ben-Gurionit për “Punë vetëm për hebrenjtë”; dëbimin e 20 mijë familjeve fshatare nga fushat dhe pemishtet e tyre, të shitura kolonëve sionistë nga pronarë të papranishëm; rritjen e varfërisë. Këto soj revoltash popullore shpërthejnë kur njerëzit arrijnë në një pikë ku thjesht nuk mund të vazhdojnë më si më parë dhe, në këtë rast, zemërimi shoqëror u kombinua me ndjenja të fuqishme kombëtare dhe fetare. Palestinezët u ngritën kundër fuqisë së plotë të Perandorisë britanike – e cila, në një shekull e gjysmë, nuk qe detyruar të jepte pavarësi për asnjë koloni, përveç Irlandës në vitin 1921. Revolta Arabe u shtyp nga ajo që ende ishte perandoria më e fuqishme në botë, por palestinezët luftuan për më shumë se tre vjet, me ndoshta një të gjashtën e popullsisë së rritur mashkullore të vrarë, të plagosur, në burg ose në mërgim. Në analet e periudhës midis dy luftërave, kjo ishte një përpjekje e paprecedentë për të përmbysur sundimin kolonial. Ajo u shtyp vetëm pas dislokimit të 100 mijë trupave dhe forcës ajrore të Britanisë, RAF. Kjo është një faqe e harruar në historinë palestineze.

Shënim redaksional David Ben-Gurion (1886) ishte kryeministri i parë i shtetit të Izraelit dhe konsiderohet si babai i kombit izraelit.

A nuk çoi kjo disfatë gjithashtu në një demoralizim brenda masave palestineze, asisoj që kur filloi tamam Nakba në 1947-n, ata ende nuk ishin mëkëmbur nga terrori i viteve 1936–39?

Disfata e Revoltës Arabe krijoi një trashëgimi të rëndë që preku popullin palestinez për dekada. Siç shkruan Kanafani, Nakba, “kapitulli i dytë i disfatës palestineze” – nga fundi i vitit 1947 deri në mesin e vitit 1948 – ishte jashtëzakonisht e shkurtër, sepse ishte vetëm përfundimi i këtij kapitulli të gjatë dhe të përgjakshëm që kishte zgjatur nga prilli i vitit 1936 deri në shtatorin e vitit 1939.2 Ajo që bënë britanikët u kopjua më vonë në pothuajse çdo imtësi nga udhëheqësit sionistë, që nga Ben-Gurioni e këtej. Qoftë për këtë arsye, ia vlen të kujtojmë koston për shoqërinë palestineze. Të paktën dy mijë shtëpi u hodhën në erë, të mbjellat u shkatërruan, mbi njëqind rebelë u ekzekutuan për posedim armësh. E gjithë kjo u shoqërua me shtetrrethim, burgim pa gjyq, ekzil të brendshëm, torturë dhe praktika si lidhja e fshatarëve përpara lokomotivave të avullit, si mburojë ndaj sulmeve nga luftëtarët e lirisë. Në një popullsi arabe prej rreth një milionë banorësh, 5 mijë u vranë, mbi 10 mijë u plagosën dhe mbi 5 mijë të burgosur politikë u lanë të kalben syrgjyn në burgje koloniale.

Gjatë shtypjes së Revoltës Arabe, britanikët u dhanë forcave sioniste që punonin me ta një trajnim të vlefshëm antikryengritës.

Po. Sionistëve u mësuan çdo teknikë të fshehtë koloniale nga ekspertët e antikryengritjes, si Orde Wingate dhe specialistë të tjerë në tortura dhe vrasje. Britanikët importuan veteranë nga India, si Charles Tegart, Shefi famëkeq i Policisë në Kalkutë, i cili ishte subjekt i gjashtë tentativave për vrasje nga nacionalistët indianë. Të njëjtat fortesa dhe kampe burgimi të ndërtuara nga Tegart janë ende në përdorim nga Izraeli sot. Ata sollën njerëz nga Irlanda dhe vende të tjera të Perandorisë, si Sudani, ku zuri fill karriera Wingate dhe ku kushëriri i babait të tij, Reginald Wingate, kishte qenë guvernator i përgjithshëm dhe më parë një oficer inteligjence.

Orde Wingate, një emër i harruar prej kohësh. Dyshoj nëse shumë lexues madje kanë dëgjuar për këtë figurë të çmendur, për të cilin Montgomery tha se gjëja më e mirë që bëri ishte që ndodhej në aksidentin e avionit që e vrau në Burma në vitin 1944. Kush ishte ai dhe a kishte ndonjë lidhje të veçantë me forcat sioniste? Më kujtohet vagullt një serial televiziv i BBC-së për të në vitin 1976, ku ai paraqitej si hero.

Ai ishte një vrasës gjakftohtë kolonial, që përfundoi si gjeneral major, i cili përçmohej nga shumë njerëz të vetë radhëve të tij, siç sugjeron komenti i Montgomery-t; Montgomery gjithashtu e përshkroi Wingate-in si “mendërisht të paqëndrueshëm”. Churchill, që nuk i mungonte asnjëherë shkathtësia për të shkaktuar vuajtje mbi popullsitë nën sundim, e quajti Wingate-in “tepër të marrë për të udhëhequr”. Wingate lindi në Indinë britanike, në një familje të devotshme të Vëllezërve Plymouth. Një fundamentalist i krishterë dhe literalist biblik, ai promovonte versionin e Dhiatës së Vjetër për shëlbimin hebraik. Ai mbërriti në Palestinë si kapiten i inteligjencës ushtarake, pikërisht kur po fillonte kryengritja e vitit 1936. Dinte arabisht, mësoi hebraisht dhe u bë një figurë kyçe në stërvitjen e luftëtarëve të Haganah-ut si “Skuadra të veçanta të natës” – me fjalë të tjera, skuadra vrasësish – për të shënjestruar dhe vrarë fshatarët palestinezë nëpër male, siç bëjnë sot ushtarët dhe kolonët izraelitë. Nami i tij i keq ishte aq i madh saqë, kur shpërtheu lufta europiane në vitin 1939, personalitetet arabe kërkuan që Wingate të dëbohej nga rajoni. Dhe u dëbua. Pasaporta iu vulos, duke ia ndaluar kthimin. Puna e tij kishte përfunduar. Ai kishte stërvitur shumë nga njerëzit që u bënë komandantë të Palmach-ut dhe më vonë të ushtrisë izraelite, si Moshe Dayan dhe Yigal Allon. Disa vende në Izrael mbajnë emrin e tij dhe me të drejtë konsiderohet themeluesi i doktrinës ushtarake izraelite.

Ai i mësoi mirë ata.

Po. Ajo që dikur ishte një specialitet kolonial britanik u bë një specialitet kolonial izraelit. Gjithçka që kanë bërë izraelitët e kanë mësuar nga britanikët – përfshirë edhe ligjet, si Rregulloret e Emergjencës të Mbrojtjes të vitit 1945, për shembull, që britanikët i përdorën kundër Irgun-it. Të njëjtat ligje janë ende në fuqi, tani të përdorura kundër palestinezëve. E gjithë kjo vjen nga manuali kolonial britanik.

Një fitore – ose edhe një barazim – për Revoltën Arabe do të kishte shtruar themelet e një identiteti kombëtar palestinez dhe do të kishte fuqizuar forcat e tyre për betejat që i prisnin përpara. Ashtu si Kanafani, ju keni argumentuar se luhatjet e udhëheqjes tradicionale palestineze luajtën një rol kyç në disfatë, duke iu servilosur mbretërve kolaboracionistë arabë, të cilët ishin vendosur në fron nga britanikët, siç ndodhi në Konferencën e Shën Xhejmsit, për shembull?

Atëherë, ashtu si tani, udhëheqja palestineze ishte e përçarë. Ata kishin ngecur nga paaftësia e tyre për të rënë dakord për një strategji të përshtatshme – për të mobilizuar popullsinë dhe për të krijuar një forum përfaqësues kombëtar, një asamble popullore ku këto çështje do mund të diskutoheshin. Ndryshe nga India, Iraku dhe pjesë të Afrikës, britanikët u mohuan palestinezëve çdo qasje politike në shtetin kolonial. Kështu argumenti për një asamble popullore që të thyente përfundimisht strukturat e kontrollit kolonial ishte shumë i rëndësishëm. 

 1. Ghassan Kanafani, The Revolution of 1936–1939 in Palestine: Background Detailsand Analysis, Nju Jork 2023 [1972].

2. Kanafani, The Revolution of 1936–1939 in Palestine, f. 60.

Imazhi i ballinës:  Hammam Fuad në Unsplash