Selma Daku | 23.10.2024 | nyje.al
Sot pensionistët zhvilluan një protestë masive përpara Kryeministrisë, duke shprehur indinjatën e tyre në lidhje me situatën aktuale të pensioneve. Kjo pakënaqësi u shtua akoma më shumë pas takimit të fundit që kryeministri pati me një pjesë të pensionistëve, i cili u cilësua nga ata si një tallje.
Pensionistët, të mbështetur nga Lëvizja Bashkë u grumbulluan para ndërtesës qeveritare ku shprehën pakënaqësinë e tyre për indeksimin prej 4.1% që qeveria u ka ofruar. Sipas tyre, kjo rritje është gjithnjë e më e pamjaftueshme dhe e konsiderojnë si “lëmoshë”. Ata kërkojnë një vëmendje më të madhe dhe një rritje që ua mundëson një jetë të dinjitetshme. Të ardhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë, ata tashmë kanë krijuar grupimin e tyre me emrin “Pensionistët bashkë”.
Duke përfaqësuar profesione të ndryshme, ata folën për vitet e gjata e të mundimshme të punës, vite të cilat nuk janë shpërblyer as minimalisht nga ana financiare. Kristo Naci u shpreh se edhe pse ka 40 vite që punon, pensioni i tij është shumë i ulët. Ai u shpreh se ishte i pakënaqur për rritjen e pagave për deputetët, teksa pohon që pensionet janë “rritur” me shifra të papërfillshme.
“Kemi dalë për pensionet. Kam 40 vjet punë, as 20 mijë lekë nuk marr. Kam vetëm një pyetje për kryeministrin: Një deputet, një ministër, kryeministër, sa e ka rrogën tani dhe sa do i dali pensioni? Ai ua ka ngrit rrogën atyre me miliona dhe neve me 2 mijë lekë. […] Aty në takimin me kryeministrin kanë vajtur bosat që e kanë pensionin mbi 50 mijë. Nga ne të tjerët nuk kam dëgjuar të jetë lejuar njeri.”
Emiljando Kita, aktivist i “Lëvizja Bashkë” tha se Shqipëria ka pensionet më të ulëta në Europë dhe në Ballkan, dhe e konsideroi të pamjaftueshëm një pension në krahasim me nevojat e përditshme të një pensionisti.
“Pensionet më të ulëta në Ballkan i ka Shqipëria, pensionet më të ulëta në Europë i ka Shqipëria. Në 2024 u rritën pensionet në Malin e Zi me 52%, në Maqedoninë e Veriut me 83€, në Kosovë u rritën me 20%, në Serbi me 15%. Në Greqi i kanë pensionet mbi 600€. Në Shqipëri, ndërkohë që çmimet janë rritur, pensionet janë ulur. Shumë pensionistë nuk po munden të mbulojnë bukën, ilaçet, dritat, ujin dhe nevojat e përditshme.”
Në deklaratën e dhënë ditën e hënë, kryeministri Rama pohoi se pensionet janë pjesa më e vështirë për çdo shtet, qoftë dhe për ato më të zhvilluarat dhe nuk është një çështje e arkës së qeverisë. Sipas tij kjo është një çështje e përbashkët e shoqërisë ku kaloi një pjesë të madhe të përgjegjësisë mbi bizneset, të vogla apo të mëdha duke nënkuptuar se rritja e pensioneve varet nga pagesa e sigurimeve shoqërore nga bizneset, pra qeveria nuk mund ta zgjidhë këtë problem pasi janë bizneset ata që po i “vjedhin” pensionistët.
Sipas Vladimir Dyshnikut, i cili ka qenë dhe iniciator i grupimit të pensionistëve, qeveria i ka trajtuar ata në mënyrë jo të dinjitetshme. Ai i quan mashtrime fjalët e kryeministrit për mungesë buxheti për pensionet duke përmendur buxhetin e miratuar për vitin 2024, nga i cili pensionistët duhet të kishin përfituar 4 miliardë e 137 milionë lekë. Në lidhje me deklaratën e kryeministrit për vjedhjen e sigurimeve shoqërore nga bizneset, ai tha se edhe kjo është përgjegjësi e shtetit, pasi duhet të kontrollojë dhe të sigurohet që bizneset të mos kryejnë asnjë shkelje.
“Kjo qeveri i ka trajtuar pensionistët si robërit e luftës, dhe më keq se kriminelët e burgosur. E dëgjuat dje kur tha se nuk i rriti pensionet, sepse nuk kemi kontribute. Kjo gjë është mashtrim. E vërteta është se në buxhetin e shtetit për vitin 2024, për indeksimin e pensioneve janë caktuar 4 miliardë e 137 milion lekë dhe për bonuset, 3 miliardë e 650 milionë lekë. Pra pensionet duhet të na jepeshin që në muajin janar, pasi buxheti është miratuar, por na u dha vetëm në tetor, 1.7 milardë lekë. Pjesa tjetër është vjedhur dhe nuk na e japin”.
Klodi Leka, aktivist i Lëvizjes Bashkë, iu drejtua pensionistëve duke iu thënë se indeksimi me 4.1% është një tallje të cilën ata nuk e meritojnë.
“Ata që janë deputetë marrin 100-fishin e pensionistëve. Ju nuk e meritoni këtë tallje. Edhe 400 lekshin që e rriti, ua hoqi te rimbursimi i ilaçeve. 4% indeksim inflacioni ndërkohë që ne e dimë që kostot e jetesës janë rritur me 20-30%. Ju jeni brezi që e keni ndërtuar Shqipërinë, prandaj Shqipëria duhet t’ju shpërblejë, në të kundërt nuk duhet të ekzistojë fare.”
Ali Plaku është një nga pensionistët e aksidentuar gjatë punës në minierë dhe nuk përfiton nga statusi i tij si ish-minator dhe as si i aksidentuar. Ai kërkon djersën e punës së tij.
“Jam aksidentuar në moshën 28 vjeç në minierën e qymyrgurit në Qafë-Krrabë. Kam mbetur i paralizuar 40 vite. Merrja një pension prej 13 mijë lekësh të vjetra dhe në atë kohë, Sekretar i Komitetit Qëndror, Ramiz Alia, merrte 7 mijë lek të vjetra. Pra unë merrja dyfishin e tij. Unë duhet të marr 1 milion e 300 mijë lekë të vjetra sot, djersën time, dhe jo 200 mijë lekë të vjetra.”
Kryetari i “Lëvizja Bashkë” Arlind Qori, tha se qeveria e ka të pamundur rritjen e pensioneve pasi paratë e buxhetit të shtetit vidhen nga kryetarët e partive kryesore si dhe nga oligarkët duke përmendur emrat e biznesmenëve Samir Mane dhe Shefqet Kastrati. Sipas tij pensionet mund të rriten vetëm me vijimësinë e luftës kundër korrupsionit.
“Në Shqipërinë fantastiko-shkencore të Edi Ramës, jetë paska për të gjithë perveçse për pensionistët. Qindra miliona euro për oligarkët dhe vetëm 11 lekë në ditë për pensionistët. Pse qeveria aktuale tallet me ju? Sepse nuk ka para edhe për të vjedhur, edhe për pensionistët. Sepse nuk ka para edhe për Edi Ramën, edhe për Erion Veliajn, edhe për Sali Berishën, edhe për Ilir Metën, edhe për Samir Manen, edhe për Shefqet Kastratin, edhe për 700 mijë pensionistë.[…] Pensionet rriten vetëm në qoftë se luftohet korrupsioni dhe miliarda eurot që vidhen. Pensionet rriten vetëm në qoftë se luftohet evazioni fiskal, korporatat e mëdha të cilat punojnë me dy bilance dhe nuk paguajnë taksat.”
Pjesë e rëndësishme e zërave të revoltuar ishin dhe ish-minatorët, të cilët gjetën hapësirë për të riformuluar kërkesën e tyre për dhënien e statusit të minatorit.
Qani Shino, pensionist dhe ish-minator i cili shfaqi pezmin dhe dëshpërimin e tij edhe të hënën e takimit të kryeministrit me disa pensionistë, duke u munduar të futej në takim por u ndalua nga punonjësit e sigurimit. Ai e konsideroi ndarjen e pensioneve të kryer në mënyrë selektive, pasi ata që duhej të përfitonin më shumë, përfitojnë më pak dhe e kundërta.
“Statusi i minatorit nuk është ajo lëmosha e vitit 2019 që i dhatë një 1. Statusi i minatorit është ajo që duhet të plotësojë të gjitha kushtet siç i ka dhe bota. Është turp për këtë qeveri, pasi në të gjithë globin minatori është gërma A. Pastaj vijnë nëndetësja dhe aviatori. Ju keni bërë të kundërtën sepse keni punuar në mënyrë selektive për klasën punëtore. Edhe sot nuk punoni siç duhet për këtë vend”.
Një tjetër pensionist shtroi kërkesat e tij ndaj shtetit të marrë atë që i takon për punën e tij dhe e konsideroi të turpshme pagesën që merr një deputet në krahasim me atë të një pensionisti.
“Ne marrrim pension më të ulët se ndikush që ka punuar në sipërfaqe. Kërkojmë nga shteti të na jepet pensioni i duhur. Edhe për pensionistët që marrin një lëmoshë, kërkojmë rritje të pensioneve. Në parlament nuk flitet asnjë fjalë nga asnjë deputet. Ata rritën rrogat e tyre, po a nuk është turp që një deputet të marri 3 milionë ndërsa një pensionist 15.000 lekë?!”
Njëri nga protestuesit u shpreh se kërkesat e tyre nuk do i lënë me kaq, por do të luftojnë deri në fund. Ata dhanë ultimatum deri në fund të javës për një përgjigje nga qeveria, në të kundërt disa prej tyre do të nisin grevën e urisë.
“Me kërkesën e disa pensionistëve minatorë, do të presim 3 ditë për të marrë një përgjigje nga qeveria. Nëse deri në fund të javës nuk marrim përgjigje, ftoj të gjithë që të nisim grevë urie sepse mjaft janë tallur me pensionistët shqiptarë.”
Demonstrata e pensionistëve theksoi nevojën urgjente për zgjidhje reale dhe përmirësime në sistemin e pensioneve, duke kërkuar që qeveria të marrë parasysh kushtet e jetesës dhe inflacionin që po rritet. Protestuesit shpresojnë se zëri i tyre do të dëgjohet dhe do të ndikojë në politikat e ardhshme të qeverisë.