Protesta e tretë qytetare, kërkohet përgjegjësi shtetërore, kundërshtohet ligji i ri për autonominë spitalore

09.07.2024 | nyje.al

Dy javët që lamë pas kanë qenë të mbushura me reagime, dëshmi dhe protesta. Mjekët të cilët mashtronin pacientët në spitalin Onkologjik duke i drejtuar në spitale private dhe duke ua përgjysmuar dozën e mjekimit për përfitimet e tyre, Edmond Gashi, Halil Gashi dhe  Florian Marku, aktualisht janë të dënuar me “arrest shtëpie”, ndërsa Zv/drejtoresha e QSUT-së, Brikena Qirjazi, është dënuar më masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Pas këtij skandali, qytetarë të shumtë kanë kërkuar arrestimin e këtyre mjekëve dhe të të gjithë bashkëpunëtorëve të tyrë, si dhe dorëheqjen e Ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu. Kjo e fundit, në reagimin e saj ka deklaruar se historia e drejtimit të pacientëve nga spitalet publike në ato private, do të marrë fund menjëherë pas miratimit të ligjit i cili nuk lejon që mjekët që punojnë në spitale private, të kryejnë të njëjtin shërbim edhe në spitalet publike pa autorizim. Kjo ngjarje duket se përveç abuzimeve, nxorri në pah edhe mungesën e madhe të paijsjeve dhe medikamenteve për kurimin e të sëmurëve në spitalin Onkologjik. Aktivistë dhe qytetarë ndanë në protestat e mëparshme informacione dhe ngjarje të përjetuara, ku treguan raste të pacientëve që nuk janë trajtuar për shkak të pajisjeve disfunksionale, prej mungesës së shtretërve apo mungesës së inspektimeve nga Ministria e Shëndetësisë. Dita e djeshme shënoi protestën e tretë kundër keqqmenaxhimit të sektorit të shëndetësisë dhe korrupsionit sistemor, ku këtë herë qytetarët i fokusuan kërkesat e tyre në paijsjen e spitaleve me ilaçe.

Gazetari Renaldo Salianji, tregoi se pezullimi i mjekëve nga detyra ka çuar në anullime të shumta të operacioneve, pasi ministria nuk ka marrë asnjë masë për zëvëndësimin e tyre, duke kthyer pas shumë pacientë që kishin ardhur të operohen.

“Këtë paradite kam qenë në spitalin onkologjik dhe kam parë që problemet jo vetëm që nuk janë zgjidhur, por janë shtuar. Përveç ilaçeve që mungojnë dhe paijsjeve që nuk funksionojnë, pezullimi i mjekëve ka çuar në anullimin e shumë operacioneve. Sot kishte qytetarë që kishin ardhur për t’u operuar por iu tha që duhet të presin deri në një njoftim të dytë. Ministria u kujdes të bënte “show” duke larguar mjekët, por nuk u kujdes për pacientët duke zëvëndësuar mjekët.”

Teksa flet për situatën aktuale rreth mungesës së medikamenteve dhe numrit të pacientëve që nuk po marrin mjekim, gazetari Osman Stafa rithekson se përgjegjësia është e qeverisë, pasi është detyra e saj të sigurojë mjekimet e nevojshme për pacientët.

“Vetëm si pasojë e dy medikamenteve që po mungojnë prej muajsh, gemcitabina dhe jodi radioaktiv, janë 200 pacientë të cilët janë pa mjekim. Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e mjekëve. Institucioni i cili duhet të sigurojë kimioterapitë është vetëm Ministria e Shëndetësisë, qeveria.[…] Nuk e di si duhet t’ia shpjegojmë qeverisë që është përgjegjësi individuale e këtij shteti, sigurimi i medikamenteve jetëshpëtuese për ata qytetarë që vuajnë.”

Aktivistja Sidorela Vatnikaj në fjalën e saj në protesë denoncoi korrupsionin sistemik dhe skemat nepotike të punësimit, teksa ritheksoi domosdoshmërinë për rezistencë në mënyrë që situata të mos përkeqësohet.

“Spitali tregon çfarë është shteti shqiptar sot: një shtet ku korrupsioni është ligjëruar, një shtet ku sa më i korruptuar të jesh, sa më hajdut të jesh, bëhesh mjek, bëhesh kryemjek, bëhesh ministër, bëhesh kryeministër.[…] Nëse ne nuk reagojmë, nëse ne nuk organizohemi, nëse ne nuk rezistojmë, situata do bëhet gjithnjë e më keq.”

Migen Qiraxhi, aktivist nga “Qëndresa qytetare” përsëriti kushtet e spitaleve të cilat nuk i plotësojnë as kushtet minimale për qytetarët. Ai tha se jemi të gjithë bashkëfajtorë për faktin se kërkesa e llogarisë ndaj qeverisë duhet të ishte më e theksuar.

“Në spitalet e vendit tonë nuk ka shiringa, nuk ka fasho, nuk ka minimumin për dinjitetin e një qytetari i cili paguan gjatë gjithë jetës së tij për të qenë i mirëtrajtuar në momentet e tij të vështira. Një pjesë të fajit e mbartim edhe ne qytetarët e kësaj republike, të cilët nuk i kemi kërkuar llogari sistematikisht këtyre qeverisësve, por ju kemi hapur rrugë edhe një grupi njerëzish që nuk e meritojnë të jenë mjekë.”

Studenti dhe aktivisti Igli Lapaj, kërkoi ndërhyrje të menjëhershme në sistemin e shëndetësisë dhe jo zvarritje të hetimeve. Ai gjithashtu përsëriti kërkesën për dorëheqjen e ministres dhe arrestimin e mjekëve të përfshirë në abuzimin  e pacientëve.”

“Ne sot nuk mund të mjaftohemi me hipokrizinë e ministres që thotë se ka nisur hetimi. Edhe sa pacientë të tjerë me kancer duhet të vdesin derisa hetimi të përfundojë? A duhet hetimi për të marrë masa? […] Ka vetëm një zgjidhje: dorëheqje dhe vënie para përgjegjësisë ligjore të gjithë ata që i kanë trajtuar pacientët si kavje.”

Një qytetar, pjesëmarrës në protestë, u shpreh se në spitalet tona nuk ka asnjë standard europian, pavarësisht propagandës që bëhet. 

“Unë vij sot si biri i një pacienteje të spitalit onkologjik. Më bën përshtypje që sa herë që inagurohet një pavjon i ri apo vjen një paijsje e re, thonë “standarde europiane”. Ju garantoj që nuk ka asnjë standard dhe asgjë europiane në spitalin onkologjik. Standartet e vërteta europiane janë atëherë kur një qytetar që nuk ka jetuar kurrë në Europë, shkon në një spital europian dhe mjekohet në atë shtet pa qenë taksapagues dhe pa kontribuar asnjëherë. Ne nuk kurojmë dot as pacientët tanë.”

Elian Bilibashi, një aktivist 17-vjeçar, tregoi se është i frikësuar për të ardhmen në vendin e tij. Pavarësisht se ai, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tij ka vendosur të qëndrojë në Shqipëri, kërkon mbështetje për të treguar kundërshti në mënyrë që të prodhohen politika të reja në shëndetësinë shqiptare.

“Unë nuk kam pasur të bëj me spitalet deri tani, por do kem të bëj. Po mendoj afatgjatë sepse dua ta jetoj jetën time dhe ta jap kontributin tim këtu… Dilni këtu dhe protestoni, jo vetëm për veten tuaj, por dhe për ne të rinjtë që mos të largohemi. Duhet të prodhohen politika dinjitoze.” 

Ilir Xhemalaj, kryetar i sindikatës së operatorëve telefonikë, tejet i revoltuar kërkoi burgim të përjetshëm për të gjithë ata që kanë abuzuar me pacientët dhe kanë përfituar prej tyre, pasi e konsideron dorëheqjen si dënimin më të lehtë për ta. Më tej Xhemalaj ndan historinë e nënës së tij, e cila vuan nga kanceri dhe po trajtohet jashtë si dhe bëri thirrje që protestat të mos ndalen.

“Nëna ime sot kishte seancën e kimioterapisë. Për fat të mirë e kam rregulluar në një spital në Milano, por sot nuk munda të shkoj sepse doja të isha këtu. Nuk ia uroj askujt, por është një dhimbje shumë e madhe të shikosh nënën apo fëmijën që të tretet përpara. Mos reshtni kurrë së protestuari.”

Klodi Leka, aktivist i “Lëvizja Bashkë”, foli për standartin e dyfishtë të qeverisë shqiptare, ku qytetarët arrestohen në çdo rast të mundshëm, ndërkohë ata që rrezikojnë jetën e pacientëve dhe i çojnë drejt vdekjes akuzohen për shpërdorim detyre dhe dënohen me arrest shtëpie.

“Është shumë interesante se si shteti ynë të fut në burg nëse ti ndërton një avlli, nëse shet qumësht apo pret dritat, ndërkohë që për ata të cilët iu kanë zënë pusi njerëzve në ditët e tyre më të errëta dhe i vënë përballë alternativave: ose shit shtëpinë ose merr kredi ose mbytu në borxhe, ata jo vetëm nuk dënohen por akuzohen për shpërdorim detyre, a thua se janë pensionist të papërgjegjshëm.”

Edison Lika, aktivist i “Drejtësi Sociale”, foli për ligjin e ri të autonomisë spitalore, të cilin e konsideron ligj kriminal, ku sipas tij qeveria kërkon të largojë nga vetja çdo përgjegjësi morale dhe ekonomike dhe vëmendja do jetë te ata pacientë që paguajnë më shumë. Ai thotë se i duhet dhënë vëmendje këtij ligji i cili do i kthejë pacientët në klientë që do detyrohen të paguajnë.

“Ligji për autonominë spitalore thotë që çdo spital i nxjerr të ardhurat e tij nga pacientët dhe nuk ka përse të financohet nga shteti. Në këtë mënyrë shteti heq çdo përgjegjësi morale dhe ekonomike nga ajo që ndodh në spital. Pjesa që e bën akoma më kriminal këtë ligj, është se sipas tij, nësë dy njerëz i drejtohen spitalit me të njejtat simptoma, ai që do trajtohet i pari është ai që ka fuqi blerëse më të madhe.[…] Fatkeqësisht, ajo për të cilën ne duhet të diskutojmë dhe nuk e kemi marrë ende seriozisht, është ky ligj, që shumë shpejt do na kthejë në klientë që mbajmë radhën përpara një sistemi që duhet ta paguajmë patjetër.”

Në fund të tubimit u bë thirrje për të vazhduar protestat dhe për të ushtruar më shumë presion ndaj qeverisë për aq kohë sa në spitale mungojnë ilaçet, paijsjet, mjekët apo shtretërit për pacientët.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje