Protesta e radhës në solidaritet me Palestinën, organizatorët thirrje dhe akuza për shtetin shqiptar

nyje.al | 23.01.2024

Ditën e dielë u mbajt manifestimi i radhës në mbështetje të popullit palestinez, organizuar nga organizata jo-fitimprurëse në vend. Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më tëj marshuan nëpër bulevardin “Zogu i Parë” me thirrjet “Liri për Palestinën”, “Armëpushim tani”, etj. Gjithashtu, protestuesit mbanin në duar qefinë që simbolizonin trupat e mbi 10 mijë fëmijëve të vrarë që prej shtatë tetorit në Gaza. Në pankarta u përcollën po ashtu thirrje për ndalimin e gjenocidit të ushtruar nga Izraeli, gjetjen e një zgjidhjeje që sjell krijimin e dy shteteve dhe çuarjen para drejtësisë të gjithë ata që kanë urdhëruar dhe kryer krime lufte mbi palestinezët. 

Akuzat dhe kërkesat ndaj shtetit shqiptar

Një prej organizatorëve të protestës, Florian Arapi, akuzoi shtetin shqiptar si të nënshtruar ndaj politikës diplomatike të Izraelit. Kjo sipas Arapit shpërfaqet në pengesat që kanë pamundësuar mbajtjen e tubimeve publike për më shumë se dy muaj, shkak i refuzimeve të Policisë së Shtetit ndaj kërkesave të organizatorëve.

Përgjatë këtyre dy muajve e gjysëm ne kemi kërkuar zyrtarisht katër herë për të protestuar por kjo na është ndaluar nga policia me arsye banale dhe të pavërteta. Është qartësisht e kuptueshme që pas këtij ndalimi nuk qëndron policia por vetë qeveria shqiptare, e cila me këtë sjellje ka vërtetuar plotësisht mbështetjen e masakrave që Izraeli po kryen në Palestinë si dhe kanë treguar dorëzimin ndaj presioneve diplomatike të shtetit të Izraelit. 

Arapi u shpreh gjithashtu se shteti ynë nuk ia ka dalë ta tregojë veten si një vend demokratik, në të cilin të drejtat e qytetarëve respektohen dhe funksionimi i shoqërisë kryhet prej ligjit dhe jo pushtetit. 

Në më shumë se tridhjetë vite të demokracisë nuk ka ndodhur ndonjëherë që një protestë të ndalohet katër herë rrjesht. Tentativa për të ndaluar protesta të tilla kundër genocidit dhe dhunës së Izraelit ka pasur edhe në vende të tjera të botës, por ato kanë dështuar në sajë të pjekurisë së shtetit ligjor dhe demokracive në këto vende. Parime të cilat në vendin tonë mungojnë qartazi. 

IMG_8161

Në komunikatën hapëse të manifestimit u parashtruan edhe kërkesat që i drejtohen shtetit shqiptar dhe zbatimi i tyre duhet të jetë i menjëhershëm sipas protestuesëve.

I bëjmë thirrje shtetit shqiptar të reagojë ndaj masakrave dhe genocidit në Palestinë. I bëjmë thirrje të pezullojë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin deri në ndalimin e luftës, largimit të kolonëve të paligjshëm dhe zgjidhjes sipas OKB-së me dy shtete. Të mbështesë padinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Të mos ndalojë protestat për Palestinën në Shqipëri. Kërkojmë nga qeveria shqiptare që sikurse dënoi ashpër sulmin e Hamasit ku u vranë një mijë e njëqind njerëz të dënojë ashpër edhe sulmin e Izraelit ku janë vrarë më shumë së 32 mijë njerëz. 

Thirrja për bojkot 

Edhe qytetarëve të Shqipërisë iu kërkua të ndërmarrin akte në mbështetje të Palestinës. Bojkoti i produkteve të kompanive izraelite ose që mbështesin shtetin izraelit është një mënyrë për të sanksionuar qeverinë izraelite tregojnë aktivistët dhe protestuesit. 

Në një video të shfaqur përgjatë manifestimit, përmes përdorimit të gjakut si simbolizim i atij të derdhur në Palestinë në secilin produkt të përdorur, prodhuar nga kompanitë që financojnë shtetin e Izraelit, organizuesit bënë thirrje për bojkot të këtyre prodhimeve. 

IMG_8153

Ku janë mediat?

Ndonëse protesta kishte pjesëmarrje të lartë dhe njoftimi i saj në rrjete sociale ishte shpërndarë ditë më përpara, interesi i mediave për tubimet në solidaritet me Palestinën ishte i ulët. Mungesa e tyre ra në sy edhe të organizatorëve që gjithashtu nuk ngurruan të akuzojnë edhe atë si një pushtet të nënshtruar ndaj qëndrimeve politike. Organizatori i tubimit, Florian Arapi, ftoi të gjithë gazetarët të qëndrojnë për misionin e tyre dhe të mos bien pre e shantazhit të pronarëve të medias apo politikanëve. Ai akuzoi kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, si kryetarin e manipulimit të së vërtetës. 

Autori dhe mendimtari islam Burhan Fili gjithashtu mbajti fjalën e tij në protestën e së djelës duke vënë në dukje gjithashtu mungesën e medias.

“Nuk shoh televizione këtu, ato kamerat e televizioneve që janë me dhjetra, ku janë ata? Pse heshtin ata? Po të ishte ndonjë protestë tjetër ata do të ishin këtu.”

IMG_8205
  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje