Shqipja

Dhjetorin e vitit 2023, kur bashkë me katër studentë amerikanë po hulumtonim mbi oborret e Kamzës takuam Shqipen. Një zonjë nga Maqellara që kishte ndaluar së mbjelli perime kur djali i saj i gjashtë dhe i fundmi emigroi për në Francë. Dashamirësia e saj të fton që pashmangshmërisht ta thërrasësh Nënë Shqipja. Duke jetuar në një lagje qëndrore të qytetit, ajo çka preferojmë ta quajmë tiranizim të Kamzës ishte dhe është një kërcënim për shtëpinë e saj. Atë mot Nënë Shqipja na tregoi që nuk dëshiront të lëvizë nga aty për t’i hapur vend ndërtimit të një pallati. Por gjithsesi, vendimin ua linte në dorë fëmijëve. Dhjetorin që lamë pas i rikthyem te Nënë Shqipja. Ajo dhe fëmijët e saj ishin ballafaquar tashmë me ofertat për dhënien e shtëpisë dhe tokës së tyre për pallat. Fjalosja mes tyre ka anuar për nga pranimi i një prej ofertave. Ulemi në dhomën e pritjes në shtëpinë e Nënë Shqipes. Na bashkohet e bija e saj, që për dy-tre muajt e fundit jeton me të. Nipi luan me top jashtë në oborr dhe herë pas here godet portën. Kjo ishte atmosfera që na rrethoi teksa biseduam me Nënë Shqipen, bisedë të cilën ju ftojmë ta ndiqni edhe ju. Shqipja ishte rrëfyesja e parë e serisë së podcasteve “Histori shtëpish nga qyteti i kontestuar”, një prodhim i gazetës elektronike të Kamzës, nyje.al, me mbështetjen e British Council. Ky episod u përgatit nga Ronald Qema, aktivist i Grupit Ata, praktikues i medias dhe antropologjisë.