Pavjo Gjini | 31.12.2019 | nyje.al
Statujë përkujtimore në ishullin e skllevërve Gorée, Senegal, fotografi Nyje.al
Pa kaluar shumë kohë do të zhgënjehesha. I Bardhi, momentalisht i stepur, më shpjegoi se gjenetikisht përfaqësoja një fazë. “Aftësitë tuaja shquese janë shteruar prej nesh. Ne kemi pasur mistikë natyraliste ashtu siç ju nuk do t’i keni kurrë. Hidhja një sy më të përafërt historisë sonë dhe do të kuptosh se sa larg ka mbërritur kjo përzierje”. Në këtë moment, m’u duk se gjërat po përsërisnin vetveten. Origjinalitetin tim ma kishin shqyer. Lotova gjatë, pastaj ia nisa me jetu prapë. Mirëpo, po gjurmohesha nga një seri stereotipesh gërryese: aroma zezake sui generis. . . natyra e mirë zezake sui generis. . . naiviteti zezak sui generis.
Tentova të arratisesha pa më parë, por të Bardhët më ranë përmbi dhe ma gjymtuan këmbën e majtë. Llogarita limitet e thelbit tim; siç mund ta merrrni me mend, ishte krejt dobët. Bash në këtë moment bëra zbulesën time më të jashtzakonshme, e cila në fakt ishte një rizbulim.
Furishëm rrëmova antikitetin zezak. Zbulimet më lanë pa fjalë. Në librin mbi zhdukjen e skllavërisë, Schoelcher-i na ballafaqoi me fakte të paanashkalueshme. Prej atëherë, prej Frobeniusit, Westermannit dhe Delafosses, të gjithë të bardhët i kanë pranuar faktet: Segu, Djenné dhe qytete me mbi 100,000 banorë; përshkrime zezakësh të lexuar me doktorë teologjie që kanë udhëtuar drejt Mekës për të diskutuar Kuranin. Me t’u gërmuar, paraqitur dhe shfaqur deri në detaje këto fakte m’u mundësua rimarrja e një kategorie të vlefshme historike. I bardhi e kishte gabim, nuk isha primitiv dhe nënnjerëzor; i përkisja një race që e paska punuar argjendin dhe floririn prej 2,000 vitesh. Pastaj, më tutje, kishte diçka tjetër, diçka që i bardhi nuk mund ta kuptonte. Dëgjo:
Çfarë lloji njerëzish paskan qenë këta që janë shqitur nga familjet e tyre, nga vendi dhe zotat e tyre me mizori pa të dytë në histori?
Njerëz të ëmbël, të sjellshëm, me konsideratë, padyshim superiorë ndaj atyre që i torturuan, ndaj asaj bande aventurierësh e cila më së tepërmi e përplasi, përdhunoi dhe e përçmoi Afrikën për ta plaçkitur atë.
Ata dinin si t’i ngrenin shtëpitë, administronin perandoritë, ndërtonin qytetet, kultivonin tokën, nuhasnin xeheroret, endnin pambukun dhe farkëtonin çelikun.
Feja e tyre kishte një bukuri të vetën, bazuar në takime misterioze me themeltarët e qytetit. Doket e tyre ishin të mbarëpranuara, ngritur mbi solidaritetin, vullnetin e mirë dhe respektin për moshën.
Jo shtrëngim, por ndihmë e dyanshme, gazmendi i të jetuarit dhe i disiplinës së pranuar lirisht.
Rend—Qëndrueshmëri—poezi dhe liri.
Prej qytetarit privat të patrazuar e deri te thuajse lideri mitik ekzistonte një zinxhir i pashkëputur i mirëkuptimit dhe i mirëbesimit. Po shkencë? Po sigurisht që kishin, por kishin mite madhështore me i mbrojtë prej frikës ku vëzhgimi më i mprehtë dhe imagjinata më guximplotë harmonizoheshin dhe bashkëshkriheshin. Po art? Kishin skulpturat e tyre madhështore ku emocioni njerëzor sprovohej aq dhunshëm sa vinte në lëvizje, sipas ligjeve magjepsëse të ritmit, elementet e thirrura me kap dhe rishpërnda forcat më sekrete të universit.
Monumente mu në zemër të Afrikës? Shkolla? Spitale? Asnjë kokërr borgjezi në shek.XX, Durand, Smith apo Brown, as nuk e merrnin me mend se të këtilla kanë ekzistuar në Afrikë para se të mbërrinin europianët. . . .
Mirëpo, Schoelcheri qëmton praninë e tyre siç është regjistruar nga Caille, Mollien dhe vëllezërit Cander. Madje, edhe pse nuk e përmend asgjëkundi se kur portugezët ankoruan në brigjet e Kongos në 1498 zbuluan një shtet të pasur e në lulëzim dhe se të moçmit në oborrin e ambasadës visheshin me mëndafsh dhe brokadë, gjithsesi të paktën e pranon se Afrika është vetëngritur në një nocion ligjor të shtetit dhe lë të kuptohet se në gjysmën e këtij shekulli imperialist qytetërimi europian është veçse një mes të tjerësh – dhe jo më mëshirploti.2
Ia tregova vendin të bardhit; i trimëruar e shtyva dhe iu hakërreva në fytyrë: më bëj vend siç jam; Nuk do t’i bëj vend askujt. I nënqesha për gaz të zemrës sime. Qartazi i bardhi po mërmëriste. Reagimi i tij pritej prej kohësh. Kisha fituar. M’u bë zemra mal.
“Lëre mënjanë historinë tënde, rrëmimet në të shkuarën dhe përpiqu të futesh në ritmin tonë. Në një shoqëri si e jona, industrializuar në ekstrem dhe dominuar nga shkenca, nuk ka më hapësirë për ndjeshmëritë e tua. Të duhet të jesh i fortë me ia dalë me jetu. Nuk mjafton më me lujt topa-luftash me botën; të duhet ta zotërosh me integrale e atome. E sigurt se do të më thonë, kohë pas kohe kur të na lodhë i gjithë ky betonizim do të kthehemi te ju si te fëmijët tanë, fëmijët tanë naivë, spontanë e të sinqertë. Do t’ju qasemi si fëmijët e kësaj bote. Jeni kaq autentik në jetën tuaj, kaq lozonjarë. Le ta harrojmë për pak momente qytetërimin tonë formal e të mirësjellshëm dhe të përkulemi mbi këto koka, mbi këto fytyra shprehëse fort të dashura. Në një farë mënyre, ju na pajtoni me vetveten.”
Pra, ata po ma vendosnin racionalitetin përballë irracionalitetit tim; racionalitetin tim përballë “racionalitetit të vërtetë”. Nuk mund të shpresoja për fitore. E sprovova prejardhjen. Bëra një kontroll të plotë të sëmundjes sime. Doja të isha kryekëput zezak – krejt e pamundur. Doja të isha i bardhë – krejt qesharake. Dhe kur u përpoqa ta mëtoj intelektualisht Negritudin si koncept, ma shqitën prej meje. Më provuan se arsyetimi im nuk ishte asgjë pos një fazë brenda dialektikës:
Por ka diçka më serioze. Negroja, siç kemi thënë, krijon një racizëm antiracist. Ai nuk kërkon aspak dominimin e botës, por dëshiron zhdukjen e privilegjeve racore kudo ku gjenden dhe pohon solidaritetin e tij me të shtypurit e të gjitha ngjyrave. Me një goditje, nocioni subjektiv, ekzistencial dhe etnik i Negritude-s “kalon”, siç do të thoshte Hegeli, në nocionin objektiv, pozitiv dhe ekzakt të proletariatit. “Për Césairin”, thotë Senghori, “i Bardhi” simbolizon kapitalin sikurse zezaku simbolizon punën. . . Mes zezakëve të racës së tij, zezaku gjëmon përpjekjen e proletariatit botëror”.
Më e thjeshtë të thuhet sesa të bëhet. Pa dyshim nuk është e pazakontë që apostujt më të devotshëm të negritudit janë njëkohësisht marksistë militantë.
Megjithatë, nocioni i racës nuk ndërlidhet me nocionin e klasës: njëra është konkrete dhe partikulare, tjetra është universale dhe abstrakte; njëra mbështetet tek ajo që Jasperi e quan kuptueshmëri, ndërsa tjetra në arsyetim; e para është produkt i sinkretizmit psiko-biologjik, ndërsa e dyta është konstruksion metodik që buron nga përvoja. Në fakt, negritudi shfaqet si faza e dobët e një progresioni dialektik: pohimi teorik dhe praktik i Supremacisë së Bardhë është teza; pozicioni i negritudit si vlerë antitetike është momenti i mohimit. Por ky moment mohues nuk është në vetvete i mjaftueshëm dhe Zezakët që e përdorin e dinë bukur mirë; e dinë se shërben me hap shtegun për sintezën ose për përmbushjen e shoqërisë njerëzore pa raca. Pra, Negritudi është i përkushtuar ndaj shkatërrimit të vetvetes, është kalim dhe jo rezultat, mjet dhe jo qëllim përfundimtar.3
Kur i kam lexuar këto rreshta jam ndjerë se ma kishin grabitur edhe mundësinë time të fundit. Iu thashë miqve të mi: “gjenerata e poetëve të rinj zezakë sapo ka pësuar një goditje fatale”. Iu qasëm një miku të popujve me ngjyrë ndërsa ky miku nuk gjeti asgjë më të hajrit sesa të na shfaqte relativitetin e veprimeve të tyre. Sa për fillim, ky miku, ky hegeliani i lindur ka harruar se ndërgjegjja ka nevojë të humbasë në natën e absolutit, i vetmi kusht për të arritur vetë-ndërgjegjen. Sartri angazhoi mohimin me iu vendos përballë racionalizmit, por harroi se ky mohim e bazon vlerën e tij në një absolut substancial virtual. Ndërgjegjja e përkushtuar në përvojë nuk di asgjë, i duhet të mos dijë asgjë mbi thelbin dhe përcaktimin e qenies së saj.
Orfeu Zezak shënjon një datë në intelektualizimin e ekzistencës zezake. Sartri nuk gaboi vetëm sepse kërkoi burimin e pranverës, por sepse, në njëfarë mënyrë, ia shteroi këtë burim pranverës.
A do të heshtë vetë burimi i Poezisë? Apo, përnjëmend, i madhi lum i zi, përpos të gjithave, do ta ngjyrosë detin ku derdhet? Pavarësisht; secilës epokë poezinë e saj, secilës epokë rrethanat e historisë i përzgjedhin një komb, një racë, një klasë, me ia marr përsëri pishtarin, në krijime situatash që shprehin ose e tejkalojnë vetveten vetëm përmes Poezisë. Me raste, kumti poetik koinçidon me kumtin revolucionar dhe me raste përlargohen. Le ta përshëndesim sot mundësinë historike e cila do t’u mundësojë Zezakëve “të ngrenë britmën madhnore të Negros sa të tundë themelet e botës” (Césaire).4
Dhe ja tek e kemi; nuk krijova një kuptim për veten time; kuptimi ishte aty paraprakisht në pritje. Nuk e thura as si zezak i mallkuar, as me dhëmbët e mia prej zezaku dhe as si zezak i uritur flakadanin që shndritë botën; flakadani ishte tashmë aty, në pritje të kësaj mundësie historike. Në termat e ndërgjegjes, ndërgjegjja zezake pohon të jetë një densitet absolut përplot në vetvete, një fazë paraekzistuese ndaj çdo çelnaje, përballë çdo zhdukjeje të vetes nga dëshira. Në esenë e tij Jean-Paul Sartre-i e ka shkatërruar impulsivitetin zezak. Do të duhej të kishte vendosur përballë të paparashikueshmen me destinin historik. Kisha nevojë ta humbja veten plotësisht në negritude. Ndoshta një ditë, thellë në këtë romanticizëm të mallkuar . . .
Gjithsesi, kisha nevojë të mos e dija. Kjo përpjekje, edhe një herë kjo tatëpjetë, duhet të shihet si një aspekt i përplotësuar. Nuk ka gjë më të kundërshtueshme sesa të dëgjosh: “do të ndryshosh, djalosh; ashtu isha edhe unë kur isha i ri. . . . Do ta shohësh, do ta tejkalosh”.
Dialektika që parashtron domosdoshmërinë si mbështetje për lirinë time më dëbon prej vetvetes. Më shkund pozicionin tim impulsiv. Megjithatë, në lidhje me ndërgjegjen, ndërgjegjja zezake është imanente në vetvete. Nuk jam potencialitet i një diçkaje; jam plotësisht çfarë jam. Nuk më duhet të kërkoj për universalin. Brenda meje nuk ka vend për probabilitetin. Ndërgjegjja ime zezake nuk mëton me qenë humbje. Është. Shkrihet me vetveten.
Do të më thonë, megjithatë, se pohimet e tua nuk e marrin në konsideratë procesin historik. Dëgjoni, atëherë:
Afrikë ta mbaj kujtimin Afrikë
Përbrenda më je
Si ashkla në plagë
Si fetishi rojtar në qendër-fshat
Bëmë gur për llastiqet e tua
Bëma gojën buzë të plagëve të tua
Bëmi gjunjtë kolona të shkatërruara të përçudnimeve të tua
DHE PRAPË
Dua veç të racës t’i kesh
Punëtorë fshtarë të të gjitha trojeve . . .
. . . punëtor bardhosh në Detroit argat zezak në Alabama
Popuj pafund në skllavëri kapitaliste
Fati na vargëzon krah-për-krah
Tek rroposim mallkimin antik tabush gjaku
Nëpërkëmbim rrënojat e vetmive tona.
Nëse vërshimi është llogore
E pastrojmë honin prej çarqeve rrëke pafund
Nëse Sierra është llogore
Ua dërrmojmë nofullat vullkaneve
me mbë Kordiljerët
Dhe pikëllimi ka me qenë shesh për agimin
Ku rimbledhim forcat thërrmuar
Nga mashtrimet e zotërinjve tanë
Siç kontradikta mes tiparesh
Krijon harmoninë e fytyrës
Shpallim unitetin e vuajtjes
Dhe revoltës
Të të gjithë popujve përmbi tokë
Dhe mbrujmë mortajën e kohës së vëllazërisë
Në muzgun e idhujve.5
Pikërisht, do t’u përgjigjemi; përvoja zezake është ambige sepse nuk ka një Negro – ka shumë zezakë. Çfarë dallimi, për shembull, në poezinë e radhës:
I bardhi më vrau babanë
Sepse babai ish krenar
I bardhi më vrau nënën
Sepse nëna ish e bukur
I bardhi ma sosi vëllanë nën diellin përflakur rrugëve
Sepse im vëlla ishte i çeliktë
Ma nxiu me përçmimin pështyrë surratit
Dhe me zërin padronizues:
“Ej djalosh, brokën, peshqirin dhe do ujë”6
Dhe kjo tjetra:
Im vëlla me dhëmbët zbardhur komplimentesh hipokrite
Im vëlla në spektakël larë flori
Me sy bërë blu nga zë i Padronit
I shkreti im vëlla me xhaketë mbrëmjeje jakë mëndafshi
Tek piksamë, pëshpërit e kapardisesh nëpër dhomat pritëse të përbuzjes
Sa patetik më je
Dielli i vendlindjes përpos hije
Fytyrës tënde qytetëruar e gjakftohtë
Dhe kasollja e sat gjysheje
Të skuq faqet zbardhur vitesh përçmim e vetëfajësimi
Por kur babëzitur me fjalë boshe e përçmuese
Si rradakeja mbi supet e tua
Përsëri shkel mbi të hidhurën tokë-kuqe të Afrikës
Këto fjalë angushtie do të hedhin valle shqetësuar ecejakeve të tua
Ndihem vetëm, kaq vetëm këtu ndihem. 7
Kohë pas kohë të vjen të heqësh dorë. Të shprehësh realen është barrë e rëndë. Por kur ia mbush mendjen vetes me shpreh ekzistencën, me shumë gjasë do të përballesh me asgjë tjetër pos mosekzistencës. Ç’është e sigurtë është se mu në momentin kur u orvata me rrok qenien time, Sartri, i cili mbetet “Tjetri”, duke më vënë një emër ma shkërmoqi iluzionin e fundit. Ndërkohë që po i tregoja:
Negritudi im nuk është as kullë e as katedrale
Zgjatohet thellë në mishin e kuq të dheut
Zgjatohet thellë në mishin e përflakur të qiellit
Shpon tej ballëlartë gjunjëzimin e zymtë.
Ndërkohë që po e shpallja këtë, në dalldinë e përvojës e tërbimit, ai më kujtonte se negritudi im ishte asgjë pos një fazë e dobët. Me ju hap zemrën, po ju them se i ndjeva supet të më rrëshkisnin nga kjo botë dhe këmbët nuk ma ndjenin më puthtimin me tokën. Pa një të shkuar zezake, pa një të ardhme zezake ishte e pamundur për mua me e jetu të zezën time. Ende jo i bardhë, jo më plotësisht zezak, isha dreqosur. Jean-Paul Sartri harron se zezaku në trup vuan bukur ndryshe nga i bardhi.8
Mes meje dhe të bardhit ekziston një marrëdhënie transhendence e pandreqshme.9
Por e kemi harruar besnikërinë time në dashuri. E përkufizoj veten si absolutisht dhe pamëdyshje mendjehapur, dhe e marr këtë negritud dhe me lot në sy e montoj mekanizmin. Ajo çka ishte shkërmoqur rindërtohet dhe ngrihet prej damarëve intuitivë të duarve të mia.
Britma ime kumbon furishëm: jam nigger, jam nigger, jam nigger.
Dhe është im vëlla i gjori tek jeton neurozën e tij në ekstrem e gjen veten të paralizuar:
Negroja: s’mundem zonjë.
Liza: Pse jo?
Negroja: Nuk qëlloj dot mbi të bardhët.
Liza: Përnjëmend! Atyre nuk u bëhet vonë me e bë!
Negroja: Ata janë të bardhë, zonjë.
Liza: E ça pastaj? Mos ndoshta kanë të drejtë të të gjakosin si derr veç sepse janë të bardhë?
Negroja: Por ata janë të bardhë.”
Ndjenjë inferioriteti? Jo, ndjenjë mosqenieje. Mëkati është i zi siç është virtyti i bardhë. Gjithë ata bardhoshë, me gishtat në këmbëz, nuk ka mundësi ta kenë gabim. Jam fajtor. Nuk e di se për çfarë, por e di se jam një i mallkuar.
Negroja: Kështu është puna, zonjë. Kështu shkon puna gjithnjë me të bardhët.
Liza: Edhe ti? Ndihesh fajtor?
Negroja: Po, zonjë.10
Tomë Madhi 11 është i frikësuar, tmerr i frikësuar. Por frikë nga se? Prej vetvetes. Nuk e dimë ende se kush është, por ai e di se frika do ta gjurmojë botën sapo ta marrë vesh bota. Dhe kur bota ta marrë vesh, bota gjithmonë pret diçka prej zezakut. Ai ka frikë se bota do ta marrë vesh; ka frikë prej frikës në botë nëse bota e merr vesh. Si kjo e moshuara e cila përgjërohet për ta lidhur pas krevatit:
“Doktor, një gjë veç e di. Nga momenti në moment ajo gjëja mund të më pushtojë.”
“Çfarë gjëje?”
“Me dasht me ia marrë frymën vedit. Lidhmë, jam e tmerruar.”
Si përfundim, Tomë Madhi vepron. Vepron me i dhënë fund tensionit, i përgjigjet pritshmërive të botës.11
Tek If He Hollers Let Him Go 12 kemi personazhin i cili bën pikërisht atë që nuk do të bëjë. Ajo bjondja epshlie, tunduese e sensuale që jepet seksualisht, me frikën (dëshirën) e përdhunimit, si përfundim bëhet dashnorja e tij.
Zezaku është një lodër në duart e të bardhit. Prandaj, për ta këputur rrethin vicioz, shpërthen. Është e pamundur me shku në kinema dhe mos me taku vetveten. Rri e pres veten. Pak pa filluar filmi, jam në pritje të vetes. Këta përballë meje m’i hedhin sytë, më përgjojnë e rrinë e më presin. Një shërbyes zezak do të shfaqet. Zemra ime ndër vuajtje m’i merr mendtë. Ushtari i gjymtuar nga lufta e Pacifikut i thotë tim vëllau: “Mësohu me ngjyrën tënde siç jam mësuar unë me protezën time. Jemi të dy aksidentalë.”13
Dhe përsëri, me të gjithë qenien time, refuzoj ta pranoj këtë amputim. E ndjej shpirtin gjerë sa bota, me gjithë mend shpirtin thellë sa lumenjtë më të thellë; kraharori im ka takat të zgjerohet në pafundësi. Jam bërë me dhënë dhe ata më parashkruajnë përvuajtje sakati. Kur i hapa dje sytë pashë qiellin në zmbrapsje totale. Provova me u ngrit, por heshtja dalë-zorrësh mu lëshua me krahë paralizuar. Pa përgjegjësi për veprimet e mia, në udhëkryq mes Hiçit dhe Pafundësisë, ia nisa me lotu.
__________________
1. Aimé Césaire, Introduction to Victor Schoelcher, Esclavage et colonisation, p.7.
2. Si mësipër. p.8
3. Jean-Paul Sartre, Orphée Noir, parathënia e Anthologie de la nouvelle poésie negre et malgache, përkthyer nga S. W. Allen si Orfeu Zezak, Présence Africaine, Paris, 1976, p.59-60.
4. Si mësipër. p.65.
5. Jacques Roumain, Bois d’ ébène, “Prelude”.
6. David Diop, Trois Poèmes, “Le temps du martyre”.
7. David Diop, Le Renégat.
8. Edhe pse spekulimet e Sartrit mbi ekzistencën e “Tjetrit” mbeten të sakta (për aq sa, mund të kujtojmë, Qenia dhe Hiçi përshkruan një ndërgjegje të tëhuajësuar), aplikimi i tyre mbi ndërgjegjen zezake del të jetë i gabuar sepse i bardhi nuk është vetëm “tjetri”, por po ashtu padroni, qoftë real qoftë imagjinar. Shënim i Fanonit.
9. Në kuptimin e përdorur nga Jean Wahl, Existence humaine et transcendance, “Being and Thinking”. Shënim i Fanonit.
10. Jean-Paul Sartre, The Respectful Prostitute, Shih po ashtu Home of the Brave, film nga Mark Robson. Shënim i Fanonit.
11. Bigger Thomas eshte emri i personazhit kryesor te Native Son, novelë e Richard Wright. Shënim i përkthyesit.
12. Richard Wright, Native Son.
13. Chester Himes.
14. Home of the Brave.
Pingback: Përvoja e jetuar e Zezakut (pjesa e dytë) – Frantz Fanon – Nyje
Pingback: Përvoja e Jetuar e Zezakut – Frantz Fanon – Nyje