Përse jo Grenlanda?

Chris Cutrone | Botuar origjinalisht në revistën Compact, 9 janar, 2025

Shqipëruar nga Genc Shehu dhe ribotuar për Nyjen me leje të autorit | 12.04.2025

Kohët e fundit, në një skenë që të kujton serialin X-Files, imazhet satelitore të NASA-s zbuluan rrënojat e një ish-baze amerikane të armëve bërthamore, Camp Century, nën akullnajën e përhershme të Grenlandës, një relike e braktisur e Luftës së Ftohtë. Rishfaqja e saj është një metaforë e përshtatshme për propozimin e Donald Trump për të zgjeruar territorin amerikan në Veriun rreth Arktikut – një ide që duket sikur erdhi nga askund, por në fakt mbështetet në një histori të gjatë.

Kur Gjermania naziste pushtoi Danimarkën në vitin 1940, Britania dhe më pas Shtetet e Bashkuara pushtuan dhe okupuan Islandën. Katër vjet më vonë, Islanda i dha fund bashkimit me Danimarkën dhe u bë një republikë e pavarur. Grenlanda, gjithashtu, do të mund të kishte ndjekur të njëjtën rrugë. Të dy ishujt mbeten me rëndësi strategjike për NATO-n, çka e bën propozimin e Trump-it për të blerë Grenlandën për arsye ushtarake të duket sikur s’ka nevojë për arsyetim të metëjshëm: A nuk ka tashmë Grenlanda një pozicion të avancuar kundër kërcënimeve në Arktik dhe ndaj Rusisë? Por ndoshta, Trump synon të shpërbëjë NATO-n – siç ka kërcënuar dhe siç e kanë akuzuar kritikët e tij. Ndoshta nuk është thjesht një manovër apo taktikë negociuese, por mund të parashihet realisht. Grenlanda duket të jetë pjesë e kësaj llogaritjeje.

Sugjerimi i Trump-it ka nxitur popullsinë indigjene të Grenlandës të kërkojë pavarësinë e saj. Ndërkohë, Mbreti i Danimarkës ka shtuar Grenlandën dhe Ishujt Faroe në Stemën e tij Mbretërore, ndërsa Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka dhënë sinjale të përziera. Ndërkohë, Donald Trump Jr. ndodhet në një vizitë në Grenlandë teksa po shkruaj këtë tekst.

Deklarata e Trump se Kanadaja është “Shteti i 51-të” shkaktoi rënien e “guvernatorit” të saj, Kryeministrit Justin Trudeau. Presidenti i zgjedhur [Trump] ka deklaruar që një bashkim me Kanadanë do të ishte i dobishëm, pasi do të eliminonte “kufirin artificial”. Por kufijtë politikë përfaqësojnë historinë dhe pasojat e saj. Kontaktet e hershme skandinave – Vikingët – me Botën e Re i japin përmbajtje pretendimit danez mbi Grenlandën. (Në fakt, inuitët, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë aktuale, mbërritën më vonë.)

Kufiri ShBA-Kanada është vija ndarëse e Revolucionit Amerikan. Benjamin Franklin e kërkoi Kanadanë nga britanikët si pjesë e traktatit që i dha fund Luftës Amerikane për Pavarësi. Pas Luftës Civile, Unioni fitimtar ofroi të merrte Kanadanë si kompensim për mbështetjen britanike ndaj Konfederatës. Sekretari i Shtetit, William H. Seward, u detyrua të kënaqej vetëm me blerjen e Alaskës. Kanadaja, pra, mbetet fronti i kundërrevolucionit pas të dyja luftërave revolucionare amerikane. Dhe ajo qëndron si pjesa më europiane e Hemisferës Perëndimore. Kjo nuk ka qenë diçka e mirë.

Premtimi i Trump-it për ta bërë Amerikën madhështore sërish fillon me bërjen e Amerikës Amerikë sërish. Amerikanizimi i Grenlandës dhe Kanadasë është pjesë e kësaj nisme. Trump e ka shpallur Gjirin e Meksikës si Gjirin e Amerikës. Ndoshta ta thuash kaq hapur është me shije të keqe, por gjesti mbetet i dukshëm. Ky nuk është imperializëm, por një kujtesë e “Perandorisë së Lirisë” që Thomas Jefferson-i e shpalli si misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është një premtim i pashuar dhe i përhershëm. Amerika është revolucionare – ose nuk është fare. Shtetet e Bashkuara e kanë çliruar botën dy herë – tre herë, duke përfshirë Luftën e Ftohtë. Misioni i saj vazhdon.

(Kjo nuk është koha për të braktisur Doktrinën Monroe1, e cila nuk kishte të bënte me supremacinë amerikane, por me mbrojtjen e lirisë amerikane.)

Që nga Lufta Civile, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga armiqtë dorëzim pa kushte. Ajo i ka trajtuar të gjithë kundërshtarët e saj siç trajtoi Konfederatën – si jehonë të kundërrevolucionit, si kërcënim i zhbërjes së revolucionit. Konfenderalistët i shihnin vlerat e revolucionit – jetën, lirinë dhe ndjekjen e lumturisë si të drejta të patjetërsueshme për të gjithë barabar – si të gabuara. E njëjta gjë vlen për të gjithë kundërshtarët e Amerikës. Ata kanë qenë dhe mbeten Shtete Skllavopronare.

Por revolucioni nuk mund të zhbëhet. Çështja është si mund të ndjekin ende rrugën e revolucionit Grenlanda, Kanadaja, Panamaja, Meksika apo pjesa tjetër e Amerikave – pjesa tjetër e Amerikës.

Por pyetja e vërtetë është si është duke e ndjekur ende vetë Amerika revolucionin? Trump duket se e pranon këtë thirrje. Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë të sundojnë, por vetëm të çlirojnë njerëz dhe vende. Se si e bën këtë, kjo tani është vënë në pikëpyetje e dyshim. Por nuk do të ketë një tërheqje drejt një “Amerike të Vogël”. Vetë gama e madhe e fuqisë amerikane nuk do ta lejojë këtë. A mund ta gjejë përsëri – ta ri-themelojë –  Amerika veten në këto fronte?

Aleanca midis Uashingtonit dhe Pekinit, e krijuar nga Nixon dhe Kissinger, përfundoi me disfatën e Bashkimit Sovjetik. Ajo supozohej të formësonte shekullin e ardhshëm dhe në fakt e ka bërë këtë. Fatkeqësisht, qëllimi fillestar i këtij pakti, që të dy vendet – të dy fituesit e Luftës së Dytë Botërore, por njëri më i dëmtuar prej saj – të ruajnë njëri-tjetrin për të qëndruar të ndershëm e të mos dalin nga rruga, ka dështuar, ashtu siç dështoi edhe aleanca fillestare midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.

Vladimir Putin, në intervistat që kreu me Oliver Stone para mandatit të parë të Trump-it dhe pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, deklaroi se, ndonëse e pranon epërsinë amerikane, Uashingtoni nuk mund të qeverisë botën. Duke kujtuar se gjatë gjithë historisë së ShBA-së, Rusia ka qenë aleate e saj në të gjitha luftërat përveç njërës (Luftës së vitit 1812 – Luftërat Napoleonike), ai këshilloi që fuqive rajonale si Rusia dhe Kina t’u lejohet të kenë zonat e tyre të ndikimit. Problemi është se fqinjët e tyre nuk do ta pranojnë këtë, duke shpresuar në vend të kësaj për mbrojtjen amerikane.

Trumpi kritikohet nga kundërshtarët e tij politikë, si në Partinë Demokratike ashtu edhe në atë Republikane, si një “izolacionist” – një term i vjetër pezhorativ nga epoka para Luftës së Dytë Botërore. Por, që nga Lufta e Wilsonit për t’i dhënë fund të gjitha luftërave, për ta “bërë botën të sigurt për demokracinë”, gjë që iu imponua Amerikës nga Europa (pra, nga kundërrevolucioni), përfshirja amerikane në çështjet globale ka qenë e pashmangshme. Theodore Roosevelt kishte negociuar tashmë fundin e Luftës Ruso-Japoneze të vitit 1905 dhe kishte paralajmëruar për rrezikun e një konflikti mes Amerikës dhe Japonisë ose Gjermanisë, që ai i shihte si kërcënime në horizont.

Trump-i ka premtuar t’i japë fund luftërave në Ukrainë dhe Gaza, të mos nisë luftëra të reja dhe ka ftuar Presidentin kinez Xi Jinping në inaugurimin e tij, duke i zgjatur dorën e miqësisë rivalit të vetëm të mundshëm të fuqisë amerikane. Xi refuzoi me takt, duke mos pasur nevojë për një kujtesë mbi vitalitetin e demokracisë amerikane.

Trumpi nuk e ka përjashtuar një zgjidhje të mundshme ushtarake për çështjen e Grenlandës apo të Kanalit të Panamasë, të cilat i ka identifikuar si pika kyçe. Megjithatë, ai e ka përjashtuar një ndërhyrje ushtarake në Kanada – ironi më vete, duke marrë parasysh se ky vend u bë strehë e armiqve të Amerikës gjatë Luftës Revolucionare. A është kjo uverturë e guximshme e Trumpit para mandatit të tij të dytë një prelud për një garë të re gjeopolitike – një Luftë të re të Ftohtë apo edhe Luftën e Tretë Botërore? Apo është përkundrazi një parantezë e ringritjes së Amerikës si prijëse e botës, siç duket se ai synon?

Çelësi në një negociatë të ashpër është gatishmëria për t’u larguar nga një ujdi me kushte të këqija në vend se ta pranosh atë. Trump-i është duke vënë bast që partnerët e tij të negociatave kanë nevojë për paqe të paktën po aq sa Amerika dhe se, pas Reçesionit të Madh dhe krizës së COVID-it, bota varet nga mëkëmbja amerikane.

Rreziku qëndron në faktin se Shtetet e Bashkuara mund ta teprojnë me trysni. Nuk është medoemos koha për manovra në buzë të humnerës apo për ballafaqime. Ndoshta çështja nuk është të provohet se kush është më i fortë; por ndoshta lypet një matje vullnetesh.

Uashingtoni ka ngecur në moçalin e masave politike dhe të një mungesë vizioni në këtë mijëvjeçar të ri. Ish-kongresmeni Joe Walsh, i cili për një kohë të shkurtër sfidoi Trump-in në zgjedhjet paraprake republikane të vitit 2020, spekuloi gjatë konventës së republikanëve, “kurrë me Trump”-in, në Milwaukee (2024) se fitorja në Luftën e Ftohtë i kishte bërë gjëmën Amerikës. Ai ndoshta nënkuptonte se Kina përfitoi më shumë se të tjerët nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Por një pesimizëm i tillë është i pabazuar. Kriza pas Luftës së Ftohtë po takohet e përballet – edhe pse në një mënyrë që Walsh dhe establishmenti i vjetër republikan nuk e dëshirojnë – nga Trump-i. Ndryshe nga Kina apo Rusia, Amerika ka më shumë burime për ndryshim politik në orientim dhe udhëheqje. Ka një refuzim për të parë të dukshmen lidhur me Trump-in: që ai përfaqëson “shpresën dhe ndryshimin”, një slogan veçse marketingu për Obamën para tij.

Forca gravitacionale tërheqëse e Shteteve të Bashkuara nuk është vetëm ekonomike, por edhe shoqërore. Kjo shtrihet edhe në aftësitë e saj politike. Ka shumë burime fuqie, jo vetëm një të tillë, dhe kjo e bën tërësinë politike amerikane më të rimëkëmbshme sesa atë të armiqve të pandehur të saj.

Gjatë historisë amerikane, çdo 40 ose 50 vjet ka pasur një krizë që kërkonte një përtëritje. Revolucioni i Reagan-it, New Deal-i, Epoka Progresiste, Lufta Civile, zgjedhja e Jacksonit në 1828-n, Revolucioni i 1800-ës i Jefferson-it – të gjitha ndryshuan partitë politike dhe natyrën e garës ndërmjet tyre, duke përmbushur pandehmën e Jefferson-it se një revolucion do të nevojitej thuajse çdo gjeneratë. Ne jemi duke e jetuar një ndryshim të tillë tani.

Edhe pse mund të mos ketë një plan, ekziston një vizion. Fakti që Trump-i ka vënë sytë mbi Grenlandën mund të duket që ia provon kritikëve rrezikun e marrëzisë së tij. Kjo simbolizon absurditetin në dukje të momentit aktual. Por do të ishte gabim të binim pre e mungesës së imagjinatës që ka kapluar politikën amerikane për kaq gjatë.

Kolonia daneze, e lënë pas dore dhe e harruar, në Hemisferën Perëndimore rrok diçka nga natyra e karakterit të Trump-it i cili është bombastik, por jo i zbrazët. Aty ku të tjerët kanë qenë të kënaqur të lënë hapësira pa i shfrytëzuar, ai i është përveshur ndërtimit. A mund të bëhet kjo në territorin më së shumti të pabanuar të ishullit më të madh në botë? Aty ku të tjerët deri tani shihnin një shkretëtirë të pashpresë, Trump-i sheh jo vetëm mundësi, por domosdoshmëri – nevojën për rritjen dhe ndryshimin amerikan.

Në këtë dhe fusha të tjera, Trump-i sheh nevojën për një të ardhme më të gjerë për Amerikën. Duke iu afruar çerek-mijëvjeçarit të Revolucionit Amerikan, ndoshta kufijtë e Perandorisë së Lirisë janë gati për t’u rishikuar sërish.

 1. [Shën. i përkth.] Doktrina Monroe është një politikë e jashtme e ShBA-së, e vendosur në vitin 1823, që kundërshton kolonializmin europian në kontinentet amerikane, duke pohuar se çdo ndërhyrje e fuqive të huaja në çështjet politike të Hemisferës Perëndimore do të konsiderohej një akt armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara. Ajo kishte për qëllim mbrojtjen e kombeve të porsa-mëvetësuara në Amerikën Latine dhe ruajtjen e sferës së ndikimit të ShBA-së në rajon.