05.10.2025 | nyje.al
Në protestën e djeshme në solidaritet me popullin palestinez u përsërit akuza ndaj qeverisë shqiptare si bashkëpunëtore e shtetit gjenocial të Izraelit dhe u rikujtua thirrja se të heshtësh është të jesh bashkëfajtor. Valë zemërimi dhe solidariteti përshkruan manifestimin në Sheshin Skënderbej që u njoftua jo vetëm si reagim kundër gjoncidit të vazhdueshëm në Gaza. Protestuesit u mobilizuan në solidaritet dhe kundër ndalimit të anijeve të ndërhyrjes humanitare të Flotiljes Sumud si dhe denoncuan mos-veprimet e shtetit shqiptar ndaj të akuzuarit për krime lufte ndaj Yoel Kaplan, kryerabini që merr pjesë aktivisht në ofensivat ushtarake ndaj popullit palestinez. Përgjatë protestës thirrjet i drejtoi një palestinez, duke e bërë më të ndjeshme kërkesën për ndërgjegjësim ndaj asaj çka po ndodh në Gaza.
Protestuesit mbanin në dorë banderola që shprehnin mbështetje dhe solidaritet për palestinezët por edhe aktivistët e arrestuar nga Izraeli teksa lundronin drejt Gazas me rreth 40 anije të mbushura me ndihma humanitare dhe personel mjekësor. U kërkua lirimi i menjëhershëm i të gjithë aktivistëve të ndaluar. Arrestimi i tyre dhe fyerja publike që iu bë nga Ministri i Brendshëm izraelit, u quajt akt i ulët kundër dinjitetit nga protestuesit.
Përmes një banderole që mbishkruante “Jo kriminelë lufte në Shqipëri”, u parashtrua kërkesa ndaj autoriteteve që të arrestohet Kryerabini Yoel Kaplan, duke mos lejuar që Shqipëria të jetë vend i sigurt për njerëz të akuzuar për krime lufte.
Kjo protestë sipas organizatorëve shkon përtej shprehjes së solidaritetit, ajo është një kërkesë e qartë që shteti shqiptar të marrë përgjegjësi për veprimet e tij.
Fioralba Duma, pjesë e Kolektivit “Palestina e Lirë” dhe bashkëorganizatore e protestës, në fjalën e saj u shpreh se nuk bëhet fjalë për politikë, por për gjërat më themelore të jetës:
“Sot, kur flasim për Palestinën, nuk po flasim për një konflikt politik. Po flasim për jetën dhe vdekjen. Për njerëz që duan të rrisin fëmijët e tyre në paqe, por që zgjohen çdo mëngjes nën zhurmën e bombave.”

Ajo shtoi se pa zgjidhur këtë padrejtësi, nuk do të ketë paqe pasi liria nuk është e drejtë vetëm për disa prej nesh.
“Deri sa të ketë drejtësi për Palestinën, nuk do të ketë paqe. Dhe kush beson në liri, nuk mund të mendojë që ajo është privilegj vetëm i disave në kurriz të të tjerëve.”
Në fjalën e Kolektivit Feminist, zëri i aktivisteve feministe kritikoi bashkëpunimin qeveritar dhe indiferencën shoqërore. Në fjalën e mbajtur nga akivistja Ermela Çelaku, ato sollën në vëmendje dhimbjen e madhe të atyre që po përjetojnë gjenocidin në përditshmërinë e tyre.
“Po flasim për nënat që mbulojnë me trupin e tyre trupat e fëmijëve, për mjekët që operojnë pa drita, për gazetarët që tregojnë të vërtetën e fundit të jetës së tyre.”
Kolektivi adresoi edhe shqetësimin për ata që pretendojnë të qëndrojnë të paanshëm në këtë situatë. Sipas deklaratës së tyre të thuash që je neutral, është gënjeshtër që i thuhet vetes por përmes së cilës shfaqesh hapur për qendrimin që mban.
“Nuk mund të qëndrojmë neutralë përballë gjenocidit. Heshtja nuk është paanshmëri – është bashkëfajësi. Dhe në këtë botë që mat vlerën e jetës sipas pasaportës, ne duhet të jemi zëri i atyre që nuk kanë më zë.”
Këto zëra nga protesta e djeshme e bënë shumë të qartë se mbështetja për Palestinën është së pari mbështetje për njeriun, humanen, dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar, duke sfiduar qartë pozicionin zyrtar të Shqipërisë.