Përballë Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët: Drejtësi për ne që jemi këtu dhe paqe për ata që nuk janë më

04.07.2024 | nyje.al

Ndonëse arrestimi i Ilir Beqaj vjen pas hetimeve nga SPAK mbi abuzimet me fondet e Bashkimit Europian dhe jo lidhur me drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarë dhe aktivistë të shumtë u shprehën mëngjesin e sotëm në rrjete sociale se kjo masë ndalimi vjen edhe prej presionit qytetar të ngjizur nga skandali në pavionin e Onkologjikut në QSUT. Ilir Beqaj mbetet nën hetim nga SPAKu për akuza lidhur me kontratat koncesionare dhe gjithashtu në Kuvend është subjekt i diskutimeve në dy komisione hetimore. Si ish-ministër i shëndetësisë, sipas protestuesëve Beqaj është një ndër personat që ka ndikuar drejtpërdrejtë në shkatërrimin e sistemit shëndetësor.

Pas protestës së parë fill pas ngjarjes, qindra qytetarë u ribashkuan në një tjetër protestë në fillim jave, ku u ripërsëritën kërkesat për përgjegjësi institucionale dhe penale për profesionistët e përfshirë. Në vizitën e tij në QSUT, kryeministri Edi Rama ndër të tjera deklaroi se përgjegjësia e mjekëve  është individuale dhe se kjo ngjarje nuk e pengon qeverinë për ta bërë sistemin shëndetësor një sistem funksional shërbimesh. Të tilla deklarata kryeministrore dhe qëndrime institucionale kanë ngjallur gjerësisht indinjatë te protestuesit të cilët kërkuan mbajtjen e përgjegjësisë nga kryeministri dhe nga e gjithë hallka drejtuese e sistemit shëndetësor. 

Në hapjen e protestës, aktivisti i Qëndresës Qytetare, Migen Qiraxhi u shpreh se protestat duhet të vazhdojnë për aq kohë sa nuk merren masat e nevojshme dhe kushtet vazhdojnë të jenë të njëjta. Ai akuzon qeverinë për injorim total të gjendjes së spitaleve duke renditur disa nga të dhënat e KLSH-së.

“Arsyeja pse ne jemi rimbledhur është sepse refuzojmë të heshtim kur njerëzit vdesin si pasojë e mungesës së ilaçeve, kur dinjiteti shkelet dhe përdhoset në dyert e këtyre institucioneve. Nga kryeministri ynë nuk u përmend fakti që në Onkologjik ka 19 poltrona për 80 pacientë, 1 shtrat për 4 pacientë sipas KLSH. Në 2020-2022, 600 gra me kancer nuk u trajtuan sepse nuk punonte një paijsje, 200 pacientë të tjerë nuk u trajtuan sepse nuk punonte një pajisje tjetër. Ministria e Shëndetësisë e cila refuzon sot të mbajë përgjegjësi, ka 3 vite që nuk ka bërë kontrollin rutinë në këto institucione.”

Në fund ai rikërkoi dorëheqjen e Ministres së Shëndetësisë, paijsjen e  spitaleve me mjekimet e nevojshme, dhe klasifikimin si vrasje me dashje të mungesës së ilaçeve apo përgjysmimit të dozës së mjekimit. 

Gazetari Osman Stafa, i dalluar për hulumtimet e tij gazetareske për çështjet që lidhen me problematikat e shëndetësisë foli për gjendjen e pacientëve me sëmundje terminale, të cilët në gjendje të rënduar prej mungesës së mjekimeve, vendosen në kushte çnjerëzore dhe përçmuese. 

“Aktualisht më shumë se gjysma e medikamenteve të atyre njerëzve që luftojnë me jetën, nuk janë të rimbursueshme. Një person që vuan nga melanoma, i duhet të urojë që të jetë melanomë pozitive, sepse nëse është negative ilaçet nuk janë të rimbursueshme. Sfidoj këdo për të shkuar në QSUT, dhe nëse jodi radioaktiv është, nëse gemcitabina është, ne tërhiqemi e nuk protestojmë më.”

Disa orë para protestës, një grup të rinjësh aktivistë, tentuan t’i afroheshin kryeministrit Rama pas mbylljes së takimit të tij në QSUT për t’i dhënë një nga pankartat e protestës së ditës së hënë si thirrje e hakërrim për deklaratat e tij dhe për t’i ritheksuar përgjegjësinë që ka për sistemin e korruptuar shëndetësor. Ata vendosën me zë të lartë fjalimin e kryeministrit në 2013 ku premtonte shëndetësi falas dhe e quajtën kryeministrin “maskara që kërkon të largojë përgjegjësite nga vetja”. Menjëherë pas kësaj katër të rinjtë, Sidorela Vatnikaj, Edison Lika, Igli Llapaj dhe Erli Lama  janë shoqëruar në komisariat për disa orë, pa të drejtë komunikimi me avokatin e tyre Gentian Serjani. Një nga aktivistet e arrestuara, Sidorela Vatnikaj, tha në protestë se arrestimi i tyre ishte i padrejtë  dhe se ngjarja e ndodhur është si pasojë e sistemit të korruptuar që ka zënë vend përgjatë qeverisjes së kryeministrit Rama. Ajo ka bërë thirrje për të vazhduar protestat si mënyrë për të ruajtur dinjitetin tonë.

“Së bashku me 3 shokët e mi jemi arrestuar sot vetëm sepse i kemi kërkuar kryeminstrit që të mbajë përgjegjësi për skandalin e ndodhur në spitalin Onkologjik. Ajo që ka ndodhur në spitalin Onkologjik nuk është një ngjarje rastësore, por një sistem korruptimi që kjo qeveri e ka instaluar në vend përgjatë 3 mandateve në pushtet. Thirrja ime sot është ta vazhdojmë këtë protestë, të jemi më të zëshëm, më të shumtë, në mënyrë që të mos vdesim me dinjitet, por të jetojmë me dinjitet.”

Nador Bakalli nga grupimi Diaspora Për Shqipërinë e Lirë e konsideroi të falimentuar sistemin shëndetësor në Shqipëri dhe shtroi dy alternativa si zgjidhje të vetme: revoltë ose largim.

“Sistemi ynë shëndetësor është falimentar, është i rrënuar sado që e zbukurojnë me ngjyra dhe fasada. Aty brenda është një ferr për të gjithë ata që shkojnë aty. Dy rrugë na mbeten, ose të ngrihemi dhe të mos lejojmë të bëhet e keqja kala, ose të ikim që këtu.”

I pranishëm në protestë ishte edhe aktori Florian Binaj, shumë aktiv ndër të tjera në protesta qytetare të lidhura me problemet sociale apo ekonomike në vendin tonë. Ai ka propozuar ashpërsim të protesave me shpresën që mund të jenë më efektive se protestat paqësore si dhe ka kërkuar reagim nga vetë mjekët.

“Më vjen keq që me protestat paqësore nuk po arrijmë asgjë, ndoshta do na duhet të ndryshojmë mënyrën si protestojmë. Edha sa duhet të vdesin që të fillojë përgjegjshmëria e këtyre të papërgjegjshmëve? […]  Ju bëj thirrje atyre pak profesionistëve që janë të papërlyer të marrin guximin dhe të ngrenë zërin.”

Një tjetër aktiviste e shoqërise civile, Suela Koçibellinj ka theksuar deklaratën për përgjegjësi individuale ku i drejtohet kryeministrit dhe ministres duke iu thënë se përgjegjësia më e madhe është e tyre dhe se na detyrohen të na japin të gjitha shërbimet e duhura spitalore.

“Zoti Kryeministër dhe zonja Ministre e Shëndetësisë, përgjegjësia është vetëm e juaja! Mos dilni duke thënë që përgjegjësia është individuale. Mjekun nuk e kam sjellë unë në punë aty, por e keni punësuar ju. Si taksapagues të këtij vendi dhe si njerëz që ende po sakrifikojmë për të jetuar në këtë vend, na detyroheni të na mbroni jetën dhe jo të na e merrni”

“Jam këtu sot që fëmijët e mi të mos detyrohen të shkojnë në dyert e bankave për të marrë kredi për shpenzimet të cilat duhet të paguhen nga shteti. Kërkoj drejtësi për ne që jemi këtu dhe paqe për ata që nuk janë më.” – ka thënë një qytetare pasi ka bashkëndarë përvojën e saj.

Aktivisti i angazhuar kryesisht në problematikat  e arsimit të lartë dhe protestat studentore, Emiljando Kita, tha se mjekët janë vetëm një pjesë e vogël e korrupsionit në vend. Ai veçon politikanët si të korruptuarit më të mëdhenj dhe kërkoi hartimin e një ligji që do i detyronte ata ose të afërmit e tyre të kuroheshin në spitalin publik. 

“Mjekët janë të korruptuarit e vegjël, të korruptuarit e vërtetë gjenden në parlament dhe kur ata ose të afërmit e tyre sëmuren i dërgojnë për kurim jashtë shtetit, ndërkohë që fëmijët dhe prindërit e atyre që iu japin të ardhura minimalisht 5 milion lekë në muaj, vdesin nëpër spitalet shtetërore. I kërkojmë institucioneve të drejtësisë të fillojë sa më parë një hetim të mirëfilltë për çdo spital në Shqipëri. Do kërkoja të bëhej një ligj, që çdo politikan në rast sëmundje, ta ketë detyrim të kurohet në spitale publike.”

Avokati Gentian Serjani ka kërkuar përditësim të protokolleve klinike të cilat sipas tij, nuk janë ndryshuar që nga viti 2014, si dhe ka kërkuar hetim të procedurave të tenderimit të kryer në QSUT.

“Përveç policëve që shoqëronin kryeminsitrin sot, pashë dhe një ambulancë. A mendoni se mund të ketë mungesë medikamentesh te ajo ambulancë ashtu siç ka në QSUT? Për mua janë dy gjetje të cilat kanë nevojë për vëmendje, përditësimi i protokolleve klinike të trajtimit të kancerit të cilat nuk kanë ndryshuar që nga viti 2014 dhe hetimi i proçedurave të tenderimit të kryer në QSUT.”

 

“Kërkojmë drejtësi, drejtësi për pacientët të cilëve iu mohua kujdesi jetik, edhe u shfrytëzuan në mënyrë mizore nga ata që u betuan t’i ndihmonin. Mjaft me shfrytëzimin e të sëmurëve dhe të dobtëve, mjaft me korrupsionin që na vjedh dinjitetin, mjaft  me një sistem që lejon të ndodhin padrejtësi të tilla.” – tha një studente e drejtësisë.

Ndërkohë që mbaheshin fjalime, një i ri është afruar në rrugën përpara ministrisë duke shkruar mbi të “vend krimi”.

Jam një i ri, gjimnazist dhe mendoj që ka ardhur momenti që këtyre hienave t’iu themi “boll” sepse jetën tonë e kemi në dorë ne dhe jo drejtorët, ministrat apo kryeministri.” – tha ai në fjalën e tij.

“Kur shkoja në spital për të marrë kurën për babain më thonin që nuk ka medikamente dhe se duhet t’i drejtohem farmacisë. Aty më nxirrnin ilaçet që nuk duhet të ishin në farmaci, por në spital.” – rrëfeu një qytetare

“Nëse ne i jemi hakërryer deri tani ministres Albana Koçiu, ka dhe një emër i cili është akoma më përgjegjës se ajo, Ogerta Manastirliu e cila në gjithë këto vite nuk ka marrë asnjë masë kundër kësaj vrasjeje me paramendim. Ne nuk mund të heshtim. Të kërkojmë të drejtën tonë para se të na vrasin të gjithëve.” – tha një qytetare e cila foli protestën e kaluar për kalvarin e vuajtjeve që nëna e saj kishte kaluar në QSUT.

“Nuk duhet t’i ndalojmë këto protesta. Nuk mund t’i  lëmë vetëm këta njerëz. Janë protesta për dinjitetin tonë, për kujdesin shëndetësor.” – tha në fjalën mbyllëse gazetari Stafa.

Pas hedhjes së shiringave në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë në protestën e kaluar, këtë herë protestuesit zgjodhën të hedhin bojë të kuqe, si simbol i jetëve të humbura nga keqmjekimi në spitalin Onkologjik. 

Kjo ngjarje ka rritur ndërgjegjësimin e shumë qytetarëve të rrezikuar nga ajo që i pret në dyert e pavioneve të spitalit Onkologjik. Deri tani qeveria ka deklaruar se do të ashpërsojë sanksionet për bluzat e bardha që do të rezultojnë në shkelje dhe mjekët e spitaleve publike nuk do munden të punojnë në spitalet private pa autorizim. 

Ndërkohë, një nga mjeket e spitalit Onkologjik e cila është aktualisht e pezulluar nga detyra, Alketa Pere, e ftuar në emisionin “Top Story” në televizionin “Top Channel”, ka pranuar se ishte në dijeni të asaj që ndodhte në ambientin e saj të punës por nuk ka bërë denoncim publik. Kjo e thellon akoma më shumë rëndesën e ngjarjes, duke ngritur dyshime në numrin e mjekëve qe mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet, qoftë dhe në mënyrë të tërthortë me heshtjen e tyre.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje