Për të tretën herë përballë Kryeministrisë, pensionistët: Rama tallet me ne

Selma Daku | 07.10.2024 | nyje.al

“Vetëm kullat dhe pallatet lulëzojnë në këtë vend. Thotë se nuk ka fonde, po fonde për të ndërtuar kulla dhe pallate paska për kryeministrin Rama. Tallet me pensionistët, tallet me popullin shqiptar, tallet me rininë, tallet me nënat dhe baballarët shqiptar që kanë punuar një jetë për këto pensione.”

Këto ishin fjalët e Agim Domit, një prej qindra pensionistëve që u mblodhën për të mërkurën e tretë përballë zyrës së Këshillit të Ministrave për të kërkuar pensione të dinjitetshme. Ai u shpreh se e kundërta e trajtimit me dinjitet të pensionistëve po ndodh tani. Tallje e konisderojnë ata indeksimin që çoi në xhepat e pensionistëve mesatarisht 400 lekë më shumë në xhepat e tyre dhe kjo tallje vazhdon e shtohet me gjithë estradën e ngritur javën e fundit nga kryeministri Rama që e propagandon si bashkëbisedim me ta.

Për pensionistin Vladimir Dyshniku, folës tjetër në protestën e djeshme, ky kryeministër të cilit i shkojnë në derë tashmë për të disatën herë nuk e ka qëllimplotë angazhimin për ngritje të pensioneve. Justifikimet e mungesës së parave do të zhbëheshin sa hap e mbyll sytë u shpreh Dyshniku, nëse kjo qeveri do ta merrte seriozisht kërkesën e tyre për pensione dinjitoze. Vetë ata do mund të ndihmonin në zhbërjen e këtyre justifikimeve, shembull informaliteti, u shpreh pensionisti që beson se lufta ndaj tij nuk ka pse zgjat 34 vite siç shprehet kryeministri.

“Kryeministri thotë se nuk kemi para pasi kemi informalitet, pra nuk deklarohen pagat, 50% e bizneseve janë informale etj. Unë do t’i them këtij kryeministri të paaftë, këtij piktori zhgarravitës siç i kam thënë dhe herë tjetër, se Shqipëria ka plot intelektualë të moshuar që kanë më shumë mend se ky dhe ministrat e tij.[…] Unë, një pensionist i thjeshtë, pa poste, mund ta këshilloj këtë kryeministër se si mund ta luftojë informalitetin për 6 muaj, jo për 34 vjet siç e ka në plan. Për 6 muaj mund ta zhdukë dhe mund të rrisë jo vetëm pensionet por dhe pagat.”

Të mbështetur nga “Lëvizja Bashkë”, pensionistët ripërsëritën jo vetëm kërkesën për rritjen e pensioneve, por edhe atë për një reformë më të gjerë në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ata argumentojnë se politikat e tanishme kanë dështuar në adresimin dhe plotësimin e  nevojave të tyre, dhe se është e nevojshme një analizë e plotë e mënyrës sesi ndahen burimet financiare.

Pedagogu dhe aktivisti i “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi i përgëzoi pensionistët për vendosmërinë e treguar duke i konsideruar ata një shembull për rininë. Ai gjithashtu iu drejtua kryeministrit me një pyetje të drejtpërdrejtë në lidhje me rritjen e pensioneve vitin e ardhshëm.

“…vendosmëria juaj për të fituar atë që ju takon,është një shembull për tu ndjekur dhe një burim frymëzimi për të gjithë të rinjtë e vendit. Edi Ramën e kemi vënë me shpatulla pas murit. […]Është duke llomotitur ca fjalë për të justifikuar faktin që ai nuk do t’i rrisi pensionet. Ka mbaruar koha e fjalëve boshe, prandaj nga ky shesh un dua t’i drejtoj një pyetje të drejtpërdrejtë: Edi Rama, lëri fjalët, lëri batutat pa kripë dhe përgjigju. Sa do të bëhet pensioni minimal dhe pensioni mesatar në Janar të viti 2025. Kjo është pyetja të cilës duhet t’i japësh përgjigje një orë e më parë.”

Natasha, pensioniste pjesëmarrëse në protestë, foli gjithashtu me zemërim në lidhje me mungesën e politikave efikase për pensionet. Ajo shprehet se qeveria po shpenzon më shumë aty ku duhet të kursejë për të rritur pensionet e  tyre. Sipas saj, kjo qeveri nuk meriton të jetë më në pushtet .

“Pse nuk ka pensione sociale vendi ynë ashtu siç kanë të gjithë vendet e tjera? Rrugët që po bëhën, po i bën rrugë floriri me sasisë e parave që shpenzon. Sikur për vetëm 2 km ta ulë sasinë e shpenzimeve, rritet pensioni për një muaj.[…] Të votojmë e të bindim fëmijët tanë që mos ta marrin më këta pushtetin, se po na shkelin me këmbë po na tërheqin zvarrë.”

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje