Për 8-Marsin në Kamëz

Grupi Ata |08.03.2023 | nyje.al 

Vrasjet e grave tona në hyrje të marsit vazhdojnë të shkaktojnë ndër ne dhimbtë, mpirje dhe mohim. Përpjekja jonë për të gjetur fjalë që na nxjerrin përtej kësaj gjendjeje na kotësohet teksa e shohim veten të pafuqishme e të mpakura për t’i ndaluar këto vrasje dhe kushtet që i shkaktojnë ato. Në të njëjtën kohë, jemi të vetëdijshme se përmohimi dhe kotësimi i përpjekjeve kundër dhunës, shtypjes dhe shfrytëzimit mbizotërojnë në kohëra kur regjimet autoritare janë edhe më të gjithëpushtetshëm. Ky mendim i patakatshëm për fjalën dhe aktin vjen prej dhunës që po na shkaktohet, dhe jo prej jetës në vetvete; jo prej të jetuarit në vetvete, por prej dhunës që na ndërsehet; dhunës që buron nga mendësia vrasëse kundër nesh, nga aparati shtetëror dhe nga indiferenca jonë ndaj dhimbtes së tjetrit.

Më 1 Mars ne humbëm në honin e zemrave tona Mevlute Hysën, Hasime Dafkun, Etleva Kurtin. Na u plagosën rëndë Elena Hysa, Kujtime Hysa dhe Marjana Gurakuqi. Mendimi ynë shkon për shërimin e tyre të shpejtë, për forcën e jetës së tyre, për jetën që kapet fort pas vetes. Këto jetë grash u morën dhe u lënduan nga dora e një burri. Duart që vranë dhe plagosën gratë tona kanë gjini. Kanë një emër. Kanë shkaqe sociale dhe ligjore. Por kanë edhe një aparat shtetëror që e mirëmban dhunën dhe vrasjet ndër ne, që e riprodhon, që e përforcon. Dhimbta që ndjejmë është shprehi kundërreaguese ndaj dhunës.

Në këtë 8-Mars, pasi është shpalosur banderola me tekstin “Kamza në zi për gratë”, nga aktivistët e Grupit Ata, në mbikalimin e Bathores kemi varur banderolën e dytë me akuzë direkte “Shteti bashkëfajtor”. Teksa po hapnim banderolën e fundit në mbikalimin e kodër Kamzës, banderola “Shteti bashkëfajtor” është hequr brenda pesë minutave. Për shkak të largësisë nga njëri mbikalim te tjetri, nuk kemi arritur të shquajmë se kush në të vërtetë është shqetesuar aq shumë sa të sigurohet ta heqë atë akuzë nga sytë e qytetit. Por heqja pikërisht e asaj banderole, brenda pak minutave, të sugjeron se ka ardhur nga duar shtetërore, duar që ndihen të akuzuara, duar në bashkëfajësi. Duart e bashkisë!

Brenda një ore, por pas “Shteti bashkëfajtor” është hequr edhe banderola “Kamza në zi për gratë”. Dhe orë më vonë kanë lëvizur edhe banderolën “A e ndërtojmë një botë pa lot”. Duart selektive shtetërore nuk mbrojnë jetët e grave, por zgjedhin se cila duhet të jetë gjendja e qytetit. Qyteti s’mund të mbajë zi. Qyteti s’mund të akuzojë. Qyteti s’duhet me e hapë zanin e gojës. Qyteti duhet të festojë. Kështu thotë Rakip Suli. Kështu thotë Këshilli Bashkiak i Kamzës. Kështu tha edhe Nikolla e Veliaj pak ditë më parë.

Pesë ditë më parë, kur qyteti vazhdonte të ishte në zi nga jetët e humbura të grave, pushteti shfaqet në margjina me gjuhën e tij të pacipë e të pandjeshme. Mveshur me atmosferë festive, shfaqja e pushtetit me ngërdheshjen në fytyrën e Rakip Sulit, Lindita Nikollit, Erion Veliajt në një takim me gratë e Kamzës për t’u uruar festat e 7-8 Marsit na ka fyer dhe rebeluar. Suli, kryetari i bashkisë që e ka dekën në shpi, nuk e thotë një fjalë ngushëlluese për vrasjet që i kanë ndodhur brenda territorit që ai drejton. Ai ngarend, duke marrë në thue nëpër çdo fjalë -siç veç ai di ta bëjë- në urime dhe votime. Distanca e akullt e gjuhës së tij nga ngjarja në qytet përvijon akullsinë e krimit të Dan Hutrës.

Lindita Nikolla, e përforcon festivitetin në terma estetike dhe seksiste. Grave që i shfaqen në atë takim elektoral ua mvesh në sfond fëmijët dhe familjen. Gratë për të nuk janë subjekte të mëvetësishme. Ajo nuk di t’u flasë atyre po si pa me sfond patriarkal. Dhe pikërisht në këtë sfond patriarkal të lentes së Nikollës duhet përkulur dhe njomur pak gjuha e saj duke e falenderuar Edi Ramën. Atë specifikisht, për të gjitha arritjet në jetën e grave të Kamzës.

Mes patriarkatit, Ramës, dhe gjuhës giciluese e të tulatur të Nikollit dhe Sulit, duhet të vijë një i tretë që të bëjë bashkë të treja këto prani. Veliaj, shikimi mëshirues i të cilit na e shprish përfytyrimin e botës siç na e shprish shikimi i pamëshirtë i Hutrës në qeli. Ndryshe nga bashkpartiakët e tij, Veliaj ndalon pak sekonda tek ngjarja në Kamëz. Ai, teksa neutralizon ngjarjen me analogjizma amerikane, dredhon në gjuhë duke evokuar termin emancipim: shtetin ta lëmë rehat, kryetarin e bashkisë ta lëmë rehat, ndër ju duhet të ketë emancipim. Ai përvidhet me fjalën emancipim. Emancipimi vjen gjithnjë si një gjuhë cinike nga Tirana: a ju kemi thënë përherë, duhet të emancipoheni se shih ç’ndodh.

Asgjë nuk e ndalon ritmin elektoral të një qyteti. As vrasjet, as therjet. Për burrat dhe gratë e pushtetshme dhuna në qytet tregohet me gisht, mbahet larg, përmendet pak, dhe ndez motorët e votave.

Ndërsa nga Kuvendi një javë më parë, Ministri i Drejtësisë, Manja, i jep të drejtën vetes që t’i bashkohet dhimbjes së familjarëve duke folur nën një ‘ne’ përbashkuese të dhimbjes. Asnjë ‘ne’ që shtrohet nga pushteti nuk duhet marrë si e mirëqenë. Ai do të ishte i denjë për t’ju bashkuar dhimbjes vetëm nëse dorëhiqet: pa pozicion ministri, i dorëhequr prej tij, i zhveshur prej pushteti, i vetëpërjashtuar, në turp dhe dështim. Por Manja mjaftohet vetëm me një minutë heshtje. Pushteti nuk ndjen dhimbje. Pushteti duhet të ndjejë bashkëfajësi!

Të rrethuar nga kjo lloj gjuhe pushteti, na vijnë ndërmend fjalët e Adrienne Rich “ …kjo është gjuha e shtypësit, por më duhet të flas me ty…”. Dhe ne na duhet të flasim mes veti, me guximin për të gjetur një gjuhë që del jashtë kufijve të shtypjes, jashtë nuancave të pushtetit; një gjuhë në termat e bell hooks: që nuk gardhon, që nuk rrethon, që nuk ngulfat. Këtë gjuhë të të shtypurve mund ta krijojmë vetëm duke u përbashkuar. Mes veti, me njëra-tjetrën, ashtu të papërgatitura, me drojen e fjalës dhe aktit, me aksione, zi e revoltë në qytet.

Qyteti nuk e njohu Mevlute Hysën, Hasime Dafkun, Etleva Kurtin derisa ato ikën. Qyteti nuk të njeh deri sa të ikësh, deri sa ta lësh. Qyteti na e mësoi vdekjen. Na e ka mësuar edhe jetën. Edhe çlodhjen agonike mes tyre, siç thuhet në një poezi. Por qytetit tash i duhet të mbajë mend mirë emrat e grave që s’i ka më, të mos i harrojë kurrë. Qytetit i duhet të mësojë si të mbajë zi, si të shprehë humbjen, shpirtin, njerëzoren, nderimin ndaj familjarëve që kanë dhimbten. Qytetit i duhet të flasë e reagojë ndaj dhunës që ia kanë bërë njerëzve të tij. Qyteti duhet të çmësohet me vdekjen. Qyteti duhet t’i çelet jetës, dhe ta ruajë atë.

Ky 8 mars është më së pari dita e Mevlute Hysës, Hasime Dafkut, Etleva Kurtit; është dita e përpjekjeve që asnjë grua të mos ketë të njëjtin fat(alitet); është dita që kujton përpjekjen e grave për çlirim nga dhuna, shtypja e shfrytëzimi, përpjekjen për një botë e shoqëri ku grave nuk ua merr askush, askund as frymën, as hakun.

Kamza në zi për gratë!

SHTETI BASHKËFAJTOR!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje