Alban Tufa | 20.12.2017 | nyje.al
Që dominoja të luhet vendçe, dhe që lezet t’iu ketë lojtarëve, duhet që të kërcasë mbi tavolinë ose mbi stol, mbi dërrasë apo gjetkë në një send të sheshtë dhe të naltë gati 4-5 tulla (n’daç tulla trotuari, dy vertikal e një sipër tyre, horizontal). Por, që ta dish ti i dashur lexues i ri apo edhe i vjetër, ky send, tavolinë apo imitim i saj, kur të përplaset dominoja me të, që të nxjerrë tingullin e duhur, sa më agresiv, duhet me patjetër të jetë tharë. E kush than me mirë se dielli!
Tashti, që dy lojtarë të fitojnë duhet që të derdhin djersë. Prandaj, jo vetëm loja por edhe paraja fitohet me djersë. Djersa duhet të bulëzojë në ballë, mandej bulëzat të mblidhen me pika më të mëdha e të vërshojnë trupit. Pra, të luash, thellë sikur domethënë të djersish. A ka, pra, djersitës më të madh se dielli? Jo!
Që të luash domino (apo çdo lojë tjetër), duhet të heqësh dorë nga gjërat që bën gjithnjë dhe të dalësh në lëmë (në shesh). Sheshi duhet të jetë i hapur, të ketë fushpamje, pse jo edhe mundësi për t’u krekosur. Duhet një si tip qendre. Dielli nuk ngroh gjë më shumë se qendrën dhe vendin e hapur, atë që i shtrihet bash pingul.
Loja, (të hershmet është fjala) nuk luhet dot vetëm dhe kështu lind nevoja që njerëzit të bëhen grumbull dhe t’i çojnë dëm zdërhalljet e tyre duke luajtur në shesh, sepse sheshi i nxë njerëzit kur janë grumbull. Por, ka diçka! Vapa më e madhe bëhet kur je në shesh, në diell dhe kur je grumbull, dhe të gjitha këto i shërbejnë lojës.
Do thojë dikush, po pse na u dashka dielli, vapa dhe grumbulli për të luajtur domino? Sepse, në shesh të Kamzës, m’u te këmba e fundme e djepit të kulturës, kur bie shi dhe kur është njëçikë ftohtë nuk luan askush domino. Nuk sheh këmbë burri, nuk sheh këmbë plaku dhe braktisja ndjehet sapo sheh tullat e trotuarit disa në këmbë e disa rrëzuar si pallate pas bombardimesh.
Kam do kohë që vras mendjen pse këta pleq nuk kanë një Qendër Pleqërore, me tavolina, me karrige, me hije, me dhoma të ndara – do thojë dikush, jo se kemi qendra rinore. Në fakt, nisa ta shkruaj këtë sespe e gjeta më në fund përgjigjen, dhe thashë duhet shkruar se llafet i merr veriu.
Jo se bashkia nuk i ka mundësitë, as sepse bashkisë nuk i ka vajtur mendja ndonjëherë, as nga fakti se ata pleq s’ju dhimbsen, madje atyre iu dhimbsen, çdo ditë mendojnë për ta dhe pikërisht këto mendime i shpien drejt vendimit për të mos ndërtuar një qendër për të moshuarit. Sepse, loja luhet në diell, dielli than tavolinën dhe mandej dominoja kërcet. Lojrat luhen në lëmë dhe jo në skuta, siç duhet djersë të fitosh lojën. Duke parë këto kushte të favorshme që lyp loja, bashkia sakrifikon idetë e saj për pleqtë e sheshit.
Edhe Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, e pati menduar ta ndërtonte një të tillë qendër, por në konsulta e sipër me bashkinë dhe me veteranët e sportit të dominosë, mori vendimin për tërheqjen e projektit për hir të kushteve të lojës.
Askush nuk i di kushtet e lojës me mirë se ministrat e ministritë dhe kryebashkiakët e bashkitë.