21.11.2018 | nyje.al
E mbaj mend të premten e parë. Nuk bëhet fjalë këtu për marrëdhënien e parë, as ditën e parë të komës apo diçka tjetër të fortë në jetën time. Është e premtja e parë kur shkova në bashki të takoj kryetarin. E mësova këtë informacion nga një mik, që qytetarët kanë të drejtë të shkojnë të lënë takim me kryetarin e bashkisë çdo ditë të premteje. Për të kërkuar punë sigurisht. Kishte dhe nga ata që shkonin për kërkesa e llogari të tjera. As që merrja vesh nga këto punë atëhere. Unë nuk kisha shkollë të lartë për vete dhe kam punuar në ndërtimtari shumicën e kohës. Ndërtoja shtëpitë e botës. Vajza ime, me shumë mund e rezultate të mira, mbaroi shkollën aty ku kryetari me gradën Profesor Doktor ishte lektor dhe sapo nisi fillimin e karrierës së vet (politike), në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Herën e parë që isha në bashki nuk harroj policin te dera që thërriste emrat dhe qëndronte para portës me një seriozitet prej ushtaraku të rreptë. Ishin shumë njerëz që prisnin në rradhë aty. Në bashki deri në atë kohë shkoja një herë në vit vetëm për të marrë certifikata personale dhe familjare e këto i bëja për të rregulluar letrat e asistencës sociale. Pasi hyra, isha me mëdyshje nëse duhet t’ia jepja dorën kryetarit ose jo. Kisha frikë se kjo do ishte decizive për punësimin e vajzës. E duke menduar që kryetarët janë një pozitë më lart sesa qytetarët hoqa dorë. Nuk e shtriva dorën i pari. Më bëri me shenjë të ulesha tek kolltuku i bardhë. Gjatë kohës që flisja m’u duk sikur aty nuk ishim vetëm ne të dy por po më dëgjonin dhe Ismail Qemali, Nënë Tereza, Sali Berisha e prandaj për një çast mu bë nyje në fyt dhe kisha vështirësi të shprehja qëllimin e vizitës. Por gjithsesi kryetari më dëgjoi ashtu deri në fund dhe këtë e mora si respekt. Unë kisha votuar për Partinë Demokratike në fakt jo për kryetarin, pasi atë nuk e njihja përveç faktit që është nga vendi im i origjinës, Dibra.
“Kam shumë kërkesa. M’i lej dokumentat këtu dhe do i shohim pastaj. Do të njoftojmë në telefon”, përfundoi fjalinë dhe u ngrit në këmbë duke më dhënë dorën i pari. Këtu ma ofroi vet dhe natyrisht që nuk do e vija në dyshim replikën. Ky ishte takimi ynë i parë. E premtja e parë. Shkoja shpesh, gati çdo javë, një herë- gjysmën e parë të muajit për të bërë kërkesën e pastaj në fund për të marrë përgjigjen. Fillova të mësohesha me procedurat dhe e kisha më të lehtë në takimet e rradhës. Regjistroja emrin, vija të premten, prisja rradhën, qëndroja para policit dhe kur më jepte shenjën, hyja në zyrë. Të dy e dallonim që filluam të krijojmë njëfarë miqësie institucionale. E si rrjedhojë dhe përgjigjet ishin të ndryshme e më sentimentale. Kësaj here më tha: “Do të bëjmë diçka me patjetër. Do ta rregullojmë vajzën.”
E premtja tjetër u anullua për shkak të një vizite dhe trajnimi pesë-ditor që do bënte kryetari në Bruksel. Kjo gjë- na u komunikua ditën që po prisnim në rradhë, nga një drejtor që kishte zyrën në të njëjtin kat me kryetarin. Unë e ndjeja mungesën e në këto raste kur nuk vinte, më kapte një frikë e lehtë, mendoja që takimet po i mban diku tjetër, aty ku unë nuk kam informacion, e kështu do më zënë vendin e punës të tjerët. E pastaj do justifikohet: “Pse nuk erdhe. Vet i ke fajet. Unë të dola borxhit.”
E premtja e rradhës ishte shumë premtuese. Përveç premtimit për punën më dha disa fletushka për t’i shpërndarë nëpër lagje e fis. Nuk i lexova fare në momentin që m’i dha. Dhe ishte hera e parë që tha: “Duhet ta sjellësh vajzën të vijë vet këtu.” Mendova që më në fund po bëhet diçka deri sa kuptova që ishim një muaj përpara zgjedhjeve lokale. Ne si shtëpi, së bashku me familjen e motrës dhe vëllait, votuam të gjithë për të. I fitoi zgjedhjet. Jo nga votat tona sigurisht. Po të kishte një diferencë prej 22 votash me kundërshtarin, mund edhe ta mendonim që ne ndikuam në rezultatin përfundimtar.
E premtja tjetër pas fitores së dytë ishte entuziaste. “Po merremi me stafin e bashkisë dhe dega që ka vajza është shumë e mirë dhe do të ketë vende të lira. Sa t’i sqarojmë punët mirë e sigurohemi për mbarëvajtjen e procesit, do t’ju thërrasim.” Aty nuk të thërriste njeri nëse nuk e shkruaje emrin të enjten, një ditë përpara. Ishte si të vetftoheshe në një emision. Fillova të merzitesha me këtë ditë të javës, të premten. Por nuk hoqa dorë asnjëherë nga ajo.
Sot është e enjte dhe nuk duhet ta harroj. Të them të drejtën i kam humbur pak shpresat vitin e fundit. Unë e di që mund të ketë vajza të tjera më të mira se vajza ime për atë vend pune, por e di që ka të tjerë që kryetarin e takojnë jashtë zyrës për të kërkuar (siguruar) punë. Por tanimë mendoj vetëm një zgjidhje: pres që atij t’i bëhem ves dhe të më heqë qafe duke ma ofruar atë vend pune. Vetëm për këtë do shkoj. E nuk kam në plan të tërhiqem deri sa të shkoj një shkallë më lartë, të ngrihem dhe unë në pozitë: T’I SHPIFEM!