Motra Domenikane e së Lumes Imelda.

Antonela Pepkolaj | 07.03.2022 | nyje.al 

Me rënien e regjimit në Shqipëri, nevoja për të kultivuar besimin dhe identitetin fetar katolik, të atyre besimtarëve të devotshëm, krijoi edhe nevojën që Vatikani të bënte thirrje specifike nga misionarë të urdhrave të ndryshëm, për të rinisur punën baritore dhe edukative, pas rrethpesëdhjetë viteve izolim dhe censurë. Urdhri Domenikan, i cili u rikthye sërish në Shqipëri pas kësaj thirrjeje, që prej shek. XIII, solli misionarë dhe predikues, me prioritet sidomos edukimin e rinisë shqiptare. Motër Cecilia Refosco, kujton sesi, para njëzet e katër viteve erdhi për herë të parë në Elbasan, për të ndihmuar në hapjen e shkollës “Imelda Lambertini”, shkollë private katolike, e cila solli standard të ri në modelin e edukimit. Motër Cecilia, ishte dhe drejtoreshë e kësaj shkolle për pesëmbëdhjetë vite, deri në vitin 2015. Tash është zhvendosur si misionare pranë kishës Shën Gjon Pali II, në Bathore, ku dhe ka shërbyer këto dy vitet e fundit. E diplomuar në pedagogji dhe teologji, pas diplomimit për mësuesi dhe specializimit në metodën Montessori, Motër Cecilia, jep mësim fillimisht në Venecia dhe më tej në Sardenjë të Italisë, për t’u zhvendosur përfundimisht në Elbasan.

Aty ajo kujton dyndjet, sidomos në vitet 2000 dhe 2001, të nxënësve të ndryshëm, shkak i reputacionit të mirë të shkollës. Fillimisht, kjo qendër edukimi nisi si kopësht, në vitin 1995, më tej u zgjerua dhe në shkollë për ciklin e ulët në 1998. Motër Cecilia rrëfen sesi shkolla ishte mjaft novatore, duke aplikuar metodën Montessori, për të nxitur punën autonome dhe për të zbuluar prirjet e nxënësve, në mënyrë që ato të kultivohen më tej. Kjo shkollë, shërbente si shkollë model për shkollat publike shqiptare, edhe prej mjedisit të cilit i kushtonin kujdes të veçantë, duke qenë edhe pjesë e metodës së Maria Montessorit, që mjedisi ndikon dhe frymëzon individin. Motër Cecilia shpreh admirim të veçantë, për etjen që kanë të rinjtë këtu në Shqipëri për të mësuar. E vlerëson, atë që ajo e quan inteligjencë natyrale, e cila ka potencial të kultivohet dhe të ndihmojë në përparimin e gjithë shoqërisë. Për të, gjendja e lirisë, është ajo gjendje në të cilën individi dhe nxënësi ka krejt hapësirën të reflektojë dhe të zbulojë dhuntitë e veta, në mënyrë që më pas t’i zhvillojë më tej me ndihmën e mësuesve, duke u bërë kështu një person kompetent në fushën e vet të interesit, çka sjell dobi në komunitet. Këtij misioni, motër Cecilia i ka kushtuar njëzetë e një vite nga jeta e saj. Priotitet për të si mësuese, ishin artet dhe shkencat humanitare, duke qenë se në vëzhgimet e veta, këto disiplina ishin dytësore në raport me disiplinat e tjera, ndër nxënës por edhe prindër në Shqipëri. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse ajo ka propozuar në ministrinë e arsimit, futjen e një lënde të quajtur “Edukim i vlerave njerëzore”, të cilën ajo arriti ta bëjë pjesë të kurrikulës në shkollën e saj.

 Një ndër dallimet e para që Motër Cecilia vëren mes të rinjëve të Kamzës dhe Bathores, me atyre të Elbasanit, është gjuha. Ajo thotë se në Elbasan, nxënësit flisnin një gjuhë më standarde dhe më të pastërt ndërsa në Bathore një gjuhë tjetër, siç e quan. Sigurisht, ajo e kupton që kjo ndodh për shkak se në Kamëz janë kryesisht të zhvendosur nga veriu i Shqipërisë. Një tjetër dallim për të cilin ajo është e lumtur, është se në Kamëz ka më shumë besimtarë katolikë, çka e ka pasë kufizuar misionin e urdhrit vetëm në edukativ në Elbasan. Tashmë ajo ushtron me krenari dhe punën baritore duke e quajtur besimin fetar si dhuratë për shqiptarët, e trashëguar me martirizim, ndaj edhe duhet nderuar. Për të, identiteti fetar, sidomos në post-komunizëm, meriton respekt dhe përkujdes, sepse është ruajtur me sakrificë dhe me pasionin e vërtetë për Zotin. Gjatë këtyre dy viteve në Bathore, vëren sesi ndërtimi i bulevardit të ri ndikoi në jetën e përditshme, duke bërë pjesë të jetës së banorëve, por edhe Cecilias vetë, shëtitjen, ecjen. Në gjykimin e saj, rregullimi i rrugës nxiti edhe rregullimin e shtëpive dhe pragjeve. Për shembull, tregon se si, javët e para pas shtrimit të rrugës, shumë banesa kishin ndërtuar avlli të reja, më pas gradualisht, ishin vendosur porta dhe muret e jashtme të shtëpisë ishin zbukuruar me ngjyra. Tani lagjia ku ajo jeton, duket më e lezetshme. Puna e saj është e përqendruar në fundjavë. Të shtunën ndihmon stafin e katekizmit, për të dhënë mësim dhe për të përgatitur besimtarët e rinj për sakramentet. Të dielën, merret me korin e këngëve dhe të lutjeve si dhe, me menaxhimin e ministrantëve, të cilët i trajnon herët në mëngjes për meshën e së dielës. Gjatë javës, drejton lutjen e pasdites së bashku me motër Virxhinian dhe banorët që marrin pjesë, për çështje të ndryshme sociale që prekin njerëzit. Kësaj jave, lutja ka qenë e drejtuar për shtetin e Ukrainës. Kohën e lirë e kalon duke u lutur në faltoren që ka ngjitur me dhomën e saj, në shtëpinë e motrave, ose duke pritur nevojtarë të ndryshëm të cilët i ndihmon sipas mundësive të kishës.

Një ndër gjërat për të cilat Motër Cecilia flet më me pasion, është shpirti i shenjtë, që manifestohet si thirrja e Zotit dhe dashuria e njeriut për ta njohur Atë. Ajo tregon sesi këtë thirrje e ka ndjerë që në moshën njëmbëdhjetë vjeçare, kur vendosi të studionte në kolegjin e Motrave Domenikane. Më tej ilustron thirrjen edhe nga eksperienca të të tjerëve që ajo njeh dhe për të cilët ka dëgjuar. Një ndër ta imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkv në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, i pari Arqipeshkv shqiptar që nga rënia e regjimit komunist. I rritur me këngë lutjesh që i këndonte gjyshja si fëmijë, pas zhvendosjes në Itali nga Laçi, Cecilia rrëfen sesi ai dëgjoi lutjet e gjyshes sërish, në Itali. Kjo ishte thirrja e Zotit që e bëri t’i kushtonte njëzetë e pesë vite nga jeta e tij punës për shugurimin dhe më tej misionit baritor. Për herë të parë, sa u kthye në Shqipëri, punën misionare e filloi në Gramsh, ku qëndroi për tre vite.

Në përfundim, motër Cecilia shprehet se në Prill, 2022, bën njëzet e katër vite në Shqipëri si misionare dhe, reflekton mbi mënyrën sesi të jetuarit e një jete kushtuar të tjerëve, i ka sjellë harmoni dhe paqe në raport me vetveten dhe me Zotin. Për të, paqja shpirtërore vjen ngashpalosja e talenteve të tua, vendosja e tyre në shërbim të nevojtarëve, gjë të cilën ajo shprehet se e ka bërë me shumë dashuri dhe durim.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje