Antonela Pepkolaj | 10.03.2024 | nyje.al
Që në hyrje të novelës, Doda parashtron qartë qëllimin e vet në raport me Shqipërinë dhe, në këtë mënyrë, i parashtrohet edhe lexuesit tematika duale e novelës, që është raporti i traditës me qytetërimin dhe kulturën. Ky opozicion, i parë si natyrë vs kulturë, gjeneron një lloj dialektike të brendshme që ndriçon shumë aspekte të kontekstit shqiptar, pa bërë një prerje të qartë mes të dyjave. Në tekst, i vërejmë të shënjuara si qytetnim dhe padije.
Fillimisht, do t’i konstatojmë këto dy realitete që janë të brendësuara nga Doda, për të arritur në panoramën e sendërtimit të këtij dualiteti, në vetëdijen e protagonistit.
Vetja
Kur flet për semiosferën, Lotman-i e përkufizon si krejt hapësira ku shtrihet semioza, që nënkupton krejt hapësirën ku funksionojnë konvencione dhe kode të ndryshme të strukturuara si një sistem semiotik. Semiosfera është dinamike dhe heterogjene (Kultura dhe bumi, f. 156), në kuptimin që ndryshon dhe që funksionon në njësi, që mund të jenë kultura në përgjithësi, apo vetëm një tekst. Gjuha dhe sistemet semiotike, përfaqësojnë ato sisteme që na ndihmojnë të shquajmë shtrirjen e semiosferës. Sistemet semiotike, janë një lloj rregulli brenda kaosit, apo një hapësirë semiotike që Lotman-i, pra, e emërton Semiosferë. Në analizën e “Gjaku” të Koliqit, do e shohim semiosferën si një kod kolektiv dhe do merremi specifikisht me traditën kanunore.
Kur flasim për Veten, flasim për atë identitet kulturor të trashëguar nga babai (siç e quan vazhdimisht dhe Doda), i cili imponon rregullat e saj te protagonisti përmes pritshmërive dhe traditës. Në tekst, dualiteti mes traditës dhe qytetërimit, shënjohet me dy elemente siç janë intelekti (më shumë si integritet) dhe gjakmarrja. Të dyja pretendojnë nderin dhe faqen e bardhë. Identiteti kolektiv për gjakmarrjen thotë kështu: “Çmimi i jetës së nierit asht nji, si për të mirin si edhe për të keqin” (Kanuni i Lekë Dukagjinit, f. 171).
Pra, pjesë e padijes, veç të tjerash është edhe tradita e marrjes së gjakut. Do të vërejmë në tekst në mënyrë specifike se si cilësohet kjo padije, për të përftuar një imazh të qartë të kontrastit që na sjell teksti.
Kemi këto leksema: borë, virgjëri, terr, barbarizëm, errsinë, rreth, gjak.
Të gjitha së bashku sugjerojnë kryesisht dy ide: gjaku si farefisni/kolektiv dhe, mendësia e pagdhendur.
Vedi
Me Vedin nënkuptojmë vetëdijen e protagonisti, që luhatet mes qytetnimit dhe padijes, andaj Vedin do e shqyrtojmë të ndarë në disa faza, në mënyrë që të mund të përftojmë në fund të këtij teksti një imazh të subjektit (në termat e Lacan-it), por duke dalluar së pari marrëdhënien subjekt-tjetëri.
Tjetri për Lacan-in, është gjithçka që i paraprin subjektit, duke e përkufizuar atë dhe rolin e tij në botë. Kjo për shkak se, nuk është subjekti që prodhon gjuhën, por subjekti lind dhe depërton në gjuhë, bëhet pjesë e vazhdimësisë së saj. Duke qenë vazhdimësi, apo një proces pjesë e të cilit subjekti bëhet kur lind dhe kur kalon tri fazat e formimit të identitetit, gjuha nuk është e subjektit, por e Tjetrit. Nënvetëdija është diskursi i Tjetrit, në kuptimin që, shënjimi nuk arrihet pa praninë e mungesës, apo barrierës gjuhësore dhe ky arbitraritet e bën të pamundur që subjekti të ketë diskursin e vet. Vetë subjekti mungon në diskursin e vet, i cili kushtëzohet nga nënvetëdija e tij. Kësisoj, subjekti i vetëdijshëm është produkt i ligjësive simbolike, i Tjetrit.
Pra, Tjetri është referenti që përjashtohet prej mekanizmit të arbitraritetit, sepse racionalja nuk e shënjon dot. Ndaj edhe flasim për mungesë, si mungesë e nënvetëdijes, e subjektit dhe e Tjetrit në vetëdije. Në momentin që subjekti pranon rendin simbolik, apo konvencionet në termat sosyrianë, ai bëhet pjesë e një komuniteti dhe hyn në botën reale dhe, realja për të është gjuha, apo kushti prej të cilit ai gjen përkatësi. Duke qenë kështu, në mënyrë automatike, ai ka pranuar çdo lloj kushtëzimi që i imponohet prej reales. Ndaj themi që Tjetri është një diskurs, i strukturuar njëjtë si nënvetëdija apo gjuha.
Në fillim, teksti na paraqet një protagonist të konsoliduar dhe të qartë në konvencjonet e veta. Prija e tij është kah qytetnimi dhe shpërndarja e tij sa më shumë, sidomos te të rinjtë. Për këtë, Doda, planifikon të shkruajë një libër, në mënyrë që mendësia e re të ushqehet që në vegjëli. Në këtë fazë të parë, qytetnimi portretizohet në raport me padijen me imazhe mjaft të prera dhe të ndara prej njëra-tjetrës.
Kështu, kemi këto leksema: farë, dritë, gjysmë-Perëndi, qartësi, kulturë, kullë fildishi.
Qytetnimi është burimi i dritës dhe i kulturës, ai sjell dinjitet dhe integritet përmes dijes dhe kultivimit. Gjë të cilën synon ta bëjë edhe Doda. Vërejmë që, Vedi e përjeton pasionin e punës për dijen dhe kulturën të lidhur shumë ngushtë me dashurinë: si stimuluese të njëra-tjetrës. Atmosfera fillestare është mjaft idilike, e mbushur me ideale dhe shpresa të shumta për ndryshim.
Mandej vërejmë shfaqjen e diçaje. Ndonëse tashmë Zeka, vëllau i Dodës, është vrarë dhe ky i fundit është përballur me detyrën e larjes së gjakut, Vedi nuk është luhatur asnjëherë por u ka qëndruar konvencjoneve të veta. Kjo diça na shfaqet kështu: “Diça zgjohej në shpirt të tij, diça qi deri at ditë kishte fjetë në fundet e errta të pandërgjegjes” (Hija e maleve; Tregtar flamujsh, f. 39).
Diça është një shënjues ambig, nuk na thotë çfarë është, por na thotë se vjen nga nënvetëdija. Në termat lakanianë, është shënjues i përsosur, sepse edhe në arbitrariten e saj, e pranon që referentin nuk e konstaton dot. Në tekst vërejmë që diça të hyjë në marrëdhënie metaforike me shënjues të tjerë si babain, stërgjyshërit, terrin, gjakun, gjarpën i mëndershëm etj.. Në formulën e Lacan-it, S/s, S përfaqëson shënjuesin e nënvetëdijes, diça dhe, s nënvetëdijen. Nënvetëdija bie dhe formula kalon në marrëdhëne metaforike. Këtë koncept, Lacan-i, e huazon nga Jakobson-i, për t’ia mveshur procesit të kondensimit, konceptuar nga Freud-i. Metafora përfaqëson një gjegjëse të ngjashme, apo një proces gjatë të cilit shënjuesit mbivendosen. [Për këtë proces, Lacan-i flet në esenë e vet “The Instance of the Letter in the Unconscious, or Reason Since Freud”, në të cilën kur flet për metaforën, flet për kalimin e një shënjuesi si numërues në formulën S\s, duke krijuar hapësirë për shfaqjen e subjektit vetëm për pak, ndërsa vendi bosh zihet nga një tjetër shënjues, tashmë si alternativë për shënjuesin pararendës.]
Kemi tashmë dy shënjues dhe kështu do të operohet në vazhdim të tekstit, raporti do jetë shënjues\shënjues.
Të gjitha këto asociacione na flasin qartë për nënvetëdijen, e cila paraqitet si diçka e errët që ruan pjesë të identitetit, të Vetes, të cilat Vedi sapo fillon t’i njohë, por jo t’i shënjojë dot plotësisht. Kjo sjell që Vedi të kalojë disa faza të tjera të cilat janë kryesisht episode dilematike për identitetin, konvencjonet dhe të drejtën.
Pas shfaqjes së diça, kemi mandej procesin e ngjitjes: diçka zbulohet në sipërfaqe e cila ruhej në nënvetëdije. Konstatohet në tekst fill pas takimit me priftin.
Më pas, në tekst marrëdhënia me nënvetëdijen përjetohet si zgjim, Vedi na flet për diçka që po zgjohet. Konstatohet në tekst gjatë përsiatjeve të Dodës tek kundron foton e Zekës.
Për t’i paraprirë fazës tjetër, Lacan-i mbron se subjekti është skllav i gjuhës, që gjuha imponon strukturat e saj te subjekti. Gjuha nuk e jep mendimin, ajo e përbën atë. Ai shqyrton shënjuesin i cili përjashton subjektin, njëjtë siç shënjuesi referentin e vet në modelin e Saussure-it. Lacan-i, e quan këtë barrierë gjuhësore dhe, me të nënkuptohet arbitrariteti i shenjës.
Pra, shënjuesi përfaqëson diskursin e vetëdijshëm simbolik dhe racional, i cili mundohet të përkapë nënvetëdijen, por kurrë nuk ia arrin. Ky diskurs racional, organizohet sipas kombinimeve sintagmatike të gjuhës, i cili synon në krijimin e një formule racionale që shënjon irracionalen. E thënë ndryshe, mundohet të vendosë rregull brenda kaosit. Arsyeja se përse mendimi racional nuk e përkthen saktë irracionalen me mekanizmat e vet, është sepse nënvetëdija është Tjetri – në botëkuptimin lakanian.
Faza më e rëndësishme është faza e ëndrrës, në të cilën Vedi më në fund ka krejt shenjën në vetëdijen e vet: si të shënjuarin (imazhet), si referentin (nënvetëdijen) dhe barrierën gjuhësore që është marrëdhënia e ëndrrës (në kuptimin e padijes) me subjektin, e cila në këtë pikë të tekstit është bërë ende më ambivalente. Në raport me nënvetëdijen, ëndrra është shenjë, në raport me subjektin, ajo është shënjues, subjekti mungon.
Mandej fill pas ëndrrës, Vedi kalon një fazë qetësie dhe dëlirësie, nuk ka më asnjë dilemë, “shpirtin e kishte të qetë si vala që flen nën diell” (Hija e maleve; Tregtar flamujsh, f. 60). Ky moment, mund të interpretohet si shfaqja e vetme e subjektit: kur ndodh shndërrimi i referentit në një shënjues në formulën e Lacan-it, ndodh një shfaqje fluturake e subjektit, për t’u zëvendësuar më tej nga shënjues të tjerë. Me ëndrrën pamë se si arrihet piku i abstragimit nga nënvetëdija: ëndrra është një shenjë, e për pasojë, është më arbitrarja në marrëdhënie me subjektin. Ndodh marrja e gjakut dhe më tej, subjekti humb sërish për të plotësuar formulën me një tjetër shënjues, që janë konvencjonet e Vedit. Marrëdhënia metaforike, që Lacan-i e identifikon me simptomat neurotike, bëhet e plotë. Dhe tekstit i rri mirë, duke qenë se nuk mund të ketë simptomë më neurotike se vrasja.
Subjekti nuk është i barabartë me identitetin sepse subjekti është, ndërsa identiteti bëhet. Shfaqja e subjektit nuk nënkupton se identiteti i Dodës qenka padija. Identitetin do e shohim si shfaqet mes Vetes dhe Vedit.
Identiteti
Dimë që nënvetëdija është diskursi i Tjetri dhe dimë që, për Vedin, tjetri është padija, apo mentaliteti malësor, pra Vetja, siç e parashtruam në pjesën e parë. Në këtë kuptim, mendimi i pavetëdijshëm në konstruktin e Dodës, është kodi shoqëror, që i dikton atij se çfarë të bëjë. Megjithatë, nuk duhet marrë për të mirëqenë që nënvetëdija e Dodës është e parametruar nga tradita, dhe se prej kësaj, ai do të ketë gjithmonë një mënyrë specifike sjelljeje, a mendimi. Kjo sepse, vetëdija dhe nënvetëdija, që është Vetja dhe Vedi, hyjnë në komunikim bashkë, në një marrëdhënie dialektike, që parakupton se ndodhin shndërrime dhe kalime. Procesi dialektik funksionon si mekanizmi i gjuhës siç është konceptuar nga Saussure-i, i cili merr nga aksi i përzgjedhjes (langue), apo nënvetëdija dhe, përshtat tek aksi i kombinimit (parole), apo vetëdija.
Për këtë, do të bëjmë një panoramë të kësaj marrëdhënieje dialektike, duke e klasifikuar në dy akse, a në dy boshte. Sintagmatikun si Vedi dhe, paradigmatikun si Vetja. Dimë tashmë prej Saussure-it, se aksi sintagmatik është aksi i kombinimit (parole) dhe aksi paradigmatik është aksi i përzgjedhjes (langue), të cilat më tej u zhvilluan nga Jakobson-i si marrëdhënie metaforike (aksi paradigmatik; marrëdhënie ngjashmërie) dhe, marrëdhënie metonimike (aksi sintagmatik; marrëdhënie vazhdueshmërie)
Skema është kështu:
Çfarë ndodh, në procesin e rrekjes për të krijuar identitetin, është vendosja në punë e procesit dialektik mes Vetes dhe Vedit. Ndaj shohim Dodën të kalojë episode luhatjeje mes konvencjoneve të veta dhe pritshmërive që ka rrethi për të. Vedi përjeton një zinxhir (metonimik) dialektik, që ngjan duale, por që në fakt është thjesht dëshirë [të cilën Lacan-i e identifikon me metoniminë] për të krijuar identitetin. Ndaj kemi shënjues të njëpasnjëshëm: Doda në fillim është i qartë për bindjet e veta, mandej ndodh vrasja, mandej ai refuzon të marrë gjakun, mandej shfaqet diça, mandej ai refuzon sërish të besojë se ajo diça ka ndonjë domethënie, mandej vërejmë episodet me priftin, me Zekën, me Dranden, deri tek ëndrra dhe vrasja dhe dorëzimi. Të gjitha këto janë shënjues që në marrëdhënien e tyre sintagmatike, mund të zgjaten pambarimisht.
Por, dimë prej Lacani-t që identiteti nuk formohet kurrë, kuptimi është mungesë, ndaj edhe marrëdhëniet metonimike janë rrekje të pafund, dëshirë për të përkapur identitetin duke insistuar në të; kjo mungesë veç sa stimulon më shumë shënjues, zinxhir më të gjatë. Në këtë kuptim, identiteti është vetë cikli dhe marrëdhënia, sepse nuk kemi me çfarë tjetër të operojmë.
Kështu, sipas kësaj logjike, mund të themi se Doda është Vetja, sepse ai e mori gjakun. Por ai është Vedi, sepse u dorëzua. Por ai nuk është Vedi, sepse e mori gjakun. Por ai nuk është Vetja, sepse u dorëzua. E kështu mund të dialektojmë vazhdimisht me të gjithë shënjuesit që na jepen në tekst, të cilët i klasifikuam më lart. Mes Vetes dhe Vedit, mund të themi se Doda është ky proces dialektik, dialektikë që zhvillohet në një mënyrë specifike, momenti i shndërrimit, i prekjes mes nënvetëdijes dhe vetëdijes është epifania, dhe epifania në vetvete shënjon procesin dialektik. Ajo përfaqëson pikën tangent në këtë raport dhe si e tillë, ka rëndësinë e vet si pika kulminante e krijimit të identitetit.
Referencat:
- Koliqi, Ernest. (2020). Hija e maleve; Tregtar flamujsh. Tiranë: Berk.
- Lotman, Jurij. (2004). Kultura dhe bumi. Tiranë: Aleph.
- (1989). Kanuni i Lekë Dukagjinit. New York: Gjonlekaj Publishing Co.
- Lacan, Jacques. (1957). The Instance of the Letter in the Unconscious, or Reason Since Freud.
Imazhi i ballinës: Cy Twombly