Marrëveshja Meloni-Rama, Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin nesër. Thirrje nga qytetarët për vendim të drejtë

Ronald Qema | 17.01.2024 | nyje.al

Ditën e nesërme Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin e kushtetueshmërisë së marrëveshjes Rama-Meloni për ngritjen në Shqipëri të strukturave të strehimit dhe trajtimit të refugjatëve që mbërrijnë në Itali. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje mes dy qeverive është pezulluar nga Gjykata dhjetorin e kaluar, pak orë përpara se Kuvendi i Shqipërisë ta hidhte për votim në seancë plenare. Kërkesën për kontroll të kushtetueshmërisë së Protokollit të nënshkruar midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” e kanë dorëzuar 30 deputetë nga radhët e opozitës. 

Kur shkon puna deri në Kushtetuese

Për shkak të një praktike pune në Kuvend, aktivistja Arilda Lleshi, një prej zërave lokalë në Lezhë që ka kundërshtuar miratimin e marrëveshjes, ka pasur dijeni përgjatë procesit të hartimit dhe dorëzimit të padisë në Gjykatë Kushtetuese. Dy janë argumentet që në këtë padi e mbështesin kërkesën për anti-kushtetueshmëri. 

“E kam lexuar padinë. Ka dy argumente, që janë potencialisht anti-kushtetues, një – marrëveshje të tilla duhet të kishin pasur autorizimin e Presidentit, sepse çështjet politike që kanë të bëjnë me territorin dhe çështjet e të drejtave të njeriut janë kompetencë e Presidentit. Pra cënon parimin e ndarjes së pushteteve. Kjo e para, dhe e dyta, shkel të drejtat e njeriut, për emigrantët. Ka raste të Gjykatës së Strasbourg-ut që ka konstatu që u janë shkelur të drejtat emigrantëve, si në shembullin e kampeve të Lampeduzës, për shkak se burgimi për kohë të zgjatur, të pajustifikueshme, është cënim i të drejtave të tyre. Në vendin tonë një ndër arsyet pse mund të burgosësh dikë është hyrja e paligjshme mirëpo hyrja e tyre nuk konsiderohet si e paligjshme, e për këtë arsye nuk justifikohet burgosja e tyre.”

Për Arildën vendimi i Gjykatës Kushtetuese është mjeti i vetëm që mund të ndalë zbatimin e kësaj marrëveshjeje që do të ndikojë thelbësisht, sipas saj, në jetën ekonomike e sociale të qytetit të Lezhës. Duke çmuar fort të gjithë përjekjet e bëra nga grupi i bashkë-aktivistëve në Lezhë, e shoqëruar edhe me një zhgënjim rreth mpirjes publike të sensit të revoltës, Arilda dëshiron të besojë në një vendim të drejtë të gjykatës. Gjithsesi, elementë të procesit i gjen shqetësues, shembull: transparenca dhe procedura e gjyqësorit. 

“Fakti që kanë vendosur me e mbajtë të mbyllur seancën, pavarësisht që është çështje me interes publik tregon diçka. Test tjetër është kërkesa e drejtuar për të marrë një opinion nga Gjykata e Strasbourg-ut duke qenë se ka të bëjë me Konventën Evropiane të të Drejtave të njeriut, pra shkelet edhe kjo konventë përpos Kushtetutës sonë. Por, Gjykata mundet ta rrëzojë si kërkesë këtë. Në varësi sesi i përgjigjet kësaj kërkese do të tregojë se sa i besueshëm është procesi.” 

Beteja në lokalitet

Arilda Lleshi, aktivistja nga Lezha, mori vëmendje të gjërë përgjatë fushatës elektorale të vitit të kaluar ku në një emision televiziv u përball me nënkryetarin e Bashkisë Lezhë. Pavarësisht pengesave të televizionit, Arilda drejtoi pyetjet që kishte përgatitur dhe jo ato të propozuara nga skenaristët e medias dhe gjithashtu e bëri publike gjithë situatën. 

Kur ajo dëgjoi nga media për marrëveshjen Rama-Meloni, pavarësisht presioneve që kishin nisur nga politika edhe më herët, Arilda shprehet se nuk mundi të mos reagonte. Ndonëse ishte e vështirë për të krijuar menjëherë një gjuhë për të shpjeguar qëndrimin e saj, Arilda shprehet se detyrimi moral s’mund të anashkalonte gjendje faktike të vendit tonë. 

“Parimisht mendoj që duhet të kemi një lloj ndjeshmërie ndaj emigranteve por ta shikoj pak më shumë çfarë përfshin kjo. Nisa duke shkrujt, ato mendimet e mia duke i sqaru, se e ndjeja si  s’ishte e drejtë po duhej të formuloja pse s’ishte e drejtë. […] Bëra një shkrim në rrjete sociale ku sqaroja përgjegjësinë morale ndaj emigrantëve. Jam shumë dakord që ne si njerëz e kemi detyrim moral me ia shtri dorën dikujt që vjen te ne me kërku ndihmë, por kjo është një përgjegjësi e madhe me e marrë ne përsipër, kur nuk është detyra jonë. Ata nuk janë nis për te ne dhe ne po bëhemi pjesë e një problemi botëror, pa pasë nevojë kur ndërkohë ne jemi vetë një vend që prodhon refugjatë.”

Më tej Arilda bashkë me të rinj e të reja nga Lezha u bën nismëtarë të një fushate në qytet, kundër marrëveshjes. Organizimi i protestave ishte zotimi i parë i grupimit por reagimi popullor qe i ulët dhe dekurajes sipas saj. Por mes pjesëmarrëve dhe anëtarëve të grupit, Arilda shpjegon që frymëzimi përcillej dhe aktivitet vazhduan. Një marshim-protestë u realizua përgjatë festave të nëntorit me thirrjen “Popull refugjatësh, kamp refugjatësh. Stop kësaj marrëveshje, stop propagandës.” 

Grupimi gjithashtu punoi për krijimin e një kampi simbolik në qendër të qytetit por policia nuk e lejoi instalimin e çadrës. Administrata shtetërore gjëmoi aktivitetet e grupimit edhe vetë personat gjithashtu. Nisur edhe nga angazhimi i mëhershëm i Arildës, por edhe organizimet e fundit, ajo tregon se qeverisja lokale edhe qendrore ka pushuar disa familjarë të saj nga puna në administratë publike. 

“Mua po më persekutojnë politikisht, axhën e hoqën nga puna, mamin ma hoqën, axhën tjetër që punon në arsim i kanë dhënë shkurtim të orëve të punës dhe i kanë thënë: “Ki kujdes”, kam një nuse daje që ia kanë diskutu vendin e punës, këta janë njerëzit që punojnë në  administratë. […] Edhe unë surprizohem, si arrijnë deri në këtë pikë sepse nuk i kam rreziku aq shumë me aq aktivitet që kam ba.” 

Arilda në përfund të bisedës shprehet se beson se angazhimi në politikat qendrore të të rinjve është shpëtimi i vetëm nga gjendja politike në të cilën ndodhemi. Ditën e nesërme, ora 10:00, bashkë me aktiviste të tjera, Arilda ka thirrur protestë në ballë të Gjykatës Kushtetuese për të ritheksuar kundërshtinë e tyre ndaj marrëveshjes dhe për të pritur një vendim të drejtë. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje