Antonela Pepkolaj | 07.12.2022 | nyje.al
Leo Shahini, fotografi nga autorja
Sfida ndërkombëtare e aplikacioneve të hapësirës së NASA-s, edhe sivjet u zhvillua nën moton “Make Space” për të promovuar aksesin ndaj hapësirës, përmes metodave novative. Konkursi fton të rinj të apasionuar nga e gjithë bota, për të programuar aplikacione që përputhen me tematikën e sfidave. Pjesëmarrës sivjet ishte edhe i riu nga Kamza, Leo Shahini, i cili së bashku me grupin përfaqësues të Shqipërisë, u zgjodhën finalistë në rang botëror.
Leo përshkruan krejt procesin e zhvilluar brenda 12 orësh, duke nisur me përzgjedhjen e grupit përfaqësues të Shqipërisë, nga 200 grupe me nga 6 veta që konkuruan; më pas me punimin e projektit me të cilin do të konkuronin në sfidën e NASA-s, e deri te prezantimi i këtij projekti. Leo me grupin e tij, konkuruan me një ëebsite, një Aplikacion dhe një lojë të quajtur “The sun now”, i cili të lejon të shikosh diellin në kohë reale, përmes satelitit me të cilin është i lidhur.
Leo është një 17 vjeçar nga Gramshi, lindur dhe rritur në Kamëz, maturant i shkollës “Elina”. Pasionin për programimin e ka zbuluar shumë herët, në klasë të pestë, kohë kur nisi të programonte për herë të parë duke mësuar nga manuale online. Tashmë po bën 5 vite që ndjek kurse për programim dhe grafik-dizanj, dije të cilat i ushtron në projekte të ndryshme me të cilat punon.
Për momentin Leo ka 2 biznese të cilat i menaxhon vetë: një servis telefonash dhe një qendër kursesh për programim dhe gjuhë të huaja. Duke qenë se programimi është pasioni i tij (i vetëm – thotë), ka dëshirë të ndihmojë dhe të tjerët që mund të ndajnë të njëjtin pasion, ndaj ka propozuar te të dy bashkitë, Kamëz dhe Tiranë, që ai të japë një muaj mësime falas mbi programimin në të gjitha gjimnazet e qarkut Tiranë, duke nisur nga gjimnazi “Elina”. Ideja e kësaj ndërmarrjeje ka lindur pasiqë çmimet për kurse të tilla janë të kripura ndaj edhe mundësitë për të rinjtë e interesuar janë të kufizuara.
Kohën e lirë Leo e kalon duke dëgjuar muzikë dhe duke punuar me dy projekte të cilat janë nisma të tijat personale: të krijojë syze që përmes një çipi lejojnë të verbërit të shohin imazhe dhe, syze që të lejojnë akses në Home Screen-in e telefonit, projekt me të cilin do të konkurojë në një sfidë tjetër ndërkombëtare në Turqi.
Për momentin Leo po mbyll gjimnazin dhe do të vazhdojë studimet në Gjermani për programim dhe grafik-dizanj, përmes një burse të cilën tashmë e ka fituar. Ëndrra e tij më e madhe është që pas studimeve të kthehet në Shqipëri dhe të investojë për projektet e veta nga Shqipëria si dhe, të ndihmojë të tjerë që mund të ndajnë të njëjtën displinë pune si ai. Për punën dhe idetë që ka flet shumë, por për veten pak. Ai vendos theksin te puna dhe te pasioni që ka njeriu për diçka, raportin me të cilën nuk ta kushtëzon domosdoshmërisht shkolla.
Në fund shton me shaka se nuk është njeri i tërhequr, siç janë pjesa më e madhe e atyre që merren me programim dhe, për këtë i jep meritë shoqërisë në Kamëz nga e cila rrethohet, e cila ka një atmosferë familjare. Projektin “The sun now”, me të cilin doli finalist në NASA Space Challenge, ka në plan ta vazhdojë edhe nëse nuk shpallet projekt fitues. Ndërkohë pret me entuziazëm fillimin e studimeve në Gjermani.