Antonela Pepkolaj | 13.09.2022 | nyje.al
Zakonisht, një kryevepër fillon me një autor neurotik (më e pakta), i cili nëse nuk është i traumatizuar apo i munduar nga jeta, është së paku i shqetësuar. Falë këtij shqetësimi që i buron nga frikërat, dilemat, fatkeqësitë, logjika e shëndoshë, idealet dhe pritshmëritë e larta etj., arrin të gjejë vullnetin që i duhet për të shkruar (në fakt, jo më kot shumë shkrimtarë që kanë prodhuar kryevepra, shprehen se kanë shkruar sepse nuk kanë mundur të mos shkruajnë). Nëse botohen, përballen shpesh me reagime të ashpra nga kritika, ose injorohen fare dhe nuk arrijnë të marrin meritat e tyre të vërteta, shpesh edhe vite pasi kanë vdekur. Ndodh edhe që, autori të mos dojë të botohet, të botojë vetëm një herë dhe më pas të tërhiqet, të mos i ketë mundësitë për të botuar sa është gjallë, ose të zbulohen rastësisht dorëshkrime, vite më vonë të ndonjë gjeniu të së shkuarës. Sido që të jenë versionet e daljes në jetë të një kryevepre, peripecitë e ndryshme janë në pjesën më të madhe të kohës pjesë e jetës së autorit apo veprës.
Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se hallet janë ekskluzivitet i një elite krijimtarësh, duke romantizuar kështu, siç ndodh rëndom, probleme të një natyre psikologjike, apo se çdo kryevepër zvarritet nga fundi i një pusi për të dalë në dritë. Ka pasur plot vepra popullore në kohën që janë bërë publike, po aq sa ç’patën fatin të jenë edhe në brezat pasardhëse.
Nga ana tjetër, një best-seller nis me një autor përgjithësisht entuziast për vizionin e vet mbi impaktin që mund të ketë vepra në opinionin publik (në ndryshim nga autori “neurotik” – siç do ta quante Prusti – i cili mendon vetëm si ta mjeshtërojë artin e vet). Pasi botohet vepra, bëhet best-seller falë një algoritmi shitjesh të arrira nga fuqia e promovimit, shpesh përmes ndihmës së personazheve publikë. Dhe kjo histori përsëritet pambarimisht, gjersa kjo vepër harrohet shpejt sepse zëvëndësohet fill nga një tjetër.
Ku ndryshojnë?
Një ndër elementët e parë, që bën diferencën mes një kryevepre dhe best-selleri, është koha. Sa më e shkurtër të jetë koha në të cilën janë arrirë një numër i caktuar shitjesh për një best-seller, aq më i suksesshëm është libri. Nga ana tjetër, sa më e gjatë të jetë koha, nga moment i botimit, e gjer te momenti i leximit, aq më shumë kryevepra provon pavarësinë dhe fuqinë e saj.
Një tjetër ndryshim, paraqet edhe metri i cili i jep vlerë secilës. Vlera e një best-selleri, qëndron te fama e tij; ndërsa vlera e një kryevepre, qëndron brenda veprës, pavarësisht famës apo çmimit.
Diferencë të madhe bën edhe lexuesi i secilës vepër, sidomos në momentin e parë që bëhen publike. Një best-seller duhet të masivizohet, dhe kjo arrihet duke krijuar diçka me të cilën lexuesi të jetë komod, pra diçka familjare për të. Në këtë sens, lexuesi është një lexues i modelit të parë semantik, sipas modeleve të U. Ekos, një lexues së cilit i mungon formimi letrar apo kulturor në përgjithësi, jo sepse lexuesi nuk ka aftësi të jetë një lexues i modelit të dytë, por sepse vepra nuk ofron dhe nuk dëshiron që lexuesi të jetë i tillë.
Nga ana tjetër, një kryevepër fton të dy modelet e lexuesit, ata me sfond letrar dhe ata pa sfond letrar. Megjithatë, atyre të cilëve u mungon, nuk munden ta kuptojnë (aq sa mundet të kuptohet), apo së paku ta shijojnë veprën, ndoshta pse u mungon vetëdija për rrethanat e tyre, ndoshta pse nuk janë të shqetësuar njësoj si autori, në thelb ajo mbetet e paarritshme dhe e parrokshme nga shumica.
Dhe së fundmi, ndryshimi më i madh, qëndron te vërtetësia e secilës vepër. Një best-seller nuk mund të jetë i vërtetë por veçse real, sepse e vërteta është mekanizmi pas reales dhe një vepre komerciale nuk i intereson të turbullojë lexuesin e vet. Ajo nuk ka çfarë ofron përveçse një historie që më së shumti argëton, informon, ose prek tema sociale në formën e tyre sipërfaqësore, por që harrohet shpejt. Një kryevepër, i flet lexuesit në të gjitha dimensionet e tij, edhe kur ajo është një trillim i pabesueshëm. Kryevepra është e vërtetë, sepse i ka rrënjët tek e vërteta (e autorit), thelbi i saj është sinqeriteti dhe yshtja e brendshme, e cila i dëfton lexuesit, një prespektivë të re, mbi veten e tij apo botën.
Pse ndryshojnë?
Po t’i krahasojmë të dy llojet e veprave në nivel abstragimi, te best-selleri mekanizmi i brendshëm narrativ nuk ndryshon, ose përsëritet simbas strukturave të ndryshme tashmë të fiksuara, ndërsa sendërtimi (që është vetë rrëfimi, teksti) i tij, po. E kundërta ndodh me kryeveprat, shpesh sendërtimi është i njëjtë (që mund të jenë motive, tema, personazhe, figura estetike të përsëritura vazhdimisht), për t’u angazhuar në mekanizma të rinj narrativë.
Nga ana tjetër. Një kryevepër është gjithmonë aktuale. “Risia, interesantja është aktuale. Aktuale nuk është ajo çka jemi, por ajo çka mbëhemi, ajo që jemi duke u mbërë, pra Tjetri, mbërja jonë tjetër.” Ky lloj aktualiteti, i jep veprës një natyrë universale dhe të gjithkohshme, sepse kryevepra nuk komunikon vetëm me kohën/shoqërinë/kontekstin e caktuar, por i flet subjektit në tërësinë e tij komplekse, duke i diktuar/sugjestionuar njëkohësisht mbi veten, mbi Tjetrin, mbi të shkuarën dhe të ardhmen (në sensin që rrit vetëdijen). Për sa kohë që do të ekzistojë fenomeni njeri, do të ekzistojë edhe vepra, e cila ka zënë rrënjë të forta në të shkuarën për shkak të impaktit të saj dhe, që do t’i flasë tashmë të ardhmes përmes gjithë asaj fuqie monumentale, që kryevepra ka akumuluar brenda dhe në vazhdën e historikut të saj. E parë në këtë lloj prizmi, nuk mund të diskutohet për aktualitet në një best-seller, sepse pjesë e mënyrës së kompozimit të saj, nuk është risia radikale me “mjete” të vjetra, por krijimi i sa më shumë varieteteve të së njëjtës gjë, me qëllim përfshirjen e lexuesit vetëm në frymën komerciale, sipërfaqësore të kohës së vet.
Siç rrjedh logjikisht, “kriteri më i rëndësishëm për të hyrë në kanon apo për t’u përjashtuar nga kanoni në mungesë të tij, është origjinaliteti.” Dhe origjinaliteti është i papërsëritshëm, dukuria “kryevepër” nuk përsëritet më kurrë, ajo ndodh e rindodh vazhdimisht, duke u vendosur fuqishëm në vetëmjaftueshmërinë e saj, përmes së cilës ruan prestigjin që e gëzon me të drejtë.
Një përfundim
Çfarë e mban një lexues cilësor të ngërthyer dhe përzgjedhës në veprat që lexon, nuk janë pra thjesht ato vlera letrare. Është intimiteti në të cilën një kryevepër fton lexuesin, duke u bërë pjesë e mendimit të tij, duke provokuar deri në zbulimin e një përftimi të ri, shpesh në një nivel fundamental. Lexuesi e kupton një best-seller, dhe kjo është një kënaqësi më vete; por një best-seller nuk e kupton dot lexuesin.