nyje.al| 16.05.2024
Pasditja e së mërkurës i gjeti banorët e lagjes së Kombinatit në rrugën“Llambi Bonati” duke protestuar për herë të dytë për parkun e pallateve ku janë rritur dhe duan të rrisin fëmijët e tyre. Ky park në të cilin fëmijët kalojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre të lirë, rrezikon të kalojë në duart e një kompanie ndërtimi e cila pretendon të ndërtojë aty një pallat 7-katësh. Qytetarët lëshuan ngritën akuza ndaj firmës private dhe bashkëpunimit institucional që kanë pasur, për të zbatuar këtë projekt. Tubimi ishte njëkohësisht edhe ftesë për t’u bashkuar rreth një të mire të përbashkët urbane për ta shpëtuar nga planet e reja ndërtimore.
Aktivisti i Grupimi për Kombinatin, Edmond Çata.teksa rikujtoi që banorët e Kombinatit kanë pasur shumë beteja më bashkinë e Tiranës dhe projektet e rindërtimit disa prej tyre të fituara edhe në gjykatë, tha se është e rëndësishme përbashkimi kundër praktikave korruptive të institucioneve lokale dhe qëndrore.
“…Guximi juaj sot për të ardhur në këtë lulishte është një shenjë e mirë që kombinatasit mund të zgjohen. Ata që fjetën gjumë dhe e lanë veten në duart e Edi Ramës dhe Erjon Veliajt kanë 4 vite që flenë jashtë, ndërsa ata që u ngritën janë ende në pallatet e tyre. Para dy ditësh ne kemi dorëzuar në minibashkinë e Kombinatit një kërkesë për informim në emër të banorëve. Tani do të presim reagim nga ta, por rezistenca jonë nuk do ndalet”- tha ai.
Edmond Çata në tubimin e Kombinatit
Qytetarët e shumtë në protestë u shprehën se janë kundër ndërtimit dhe betonizimit të zonës. Për ta, e vetmja hapësirë publike që mund ta përdorin për t’ua lehtësuar disi jetesën në zonë nuk duhet kurrsesi të humbet. “Të vetmen lulishte që ka ngelur në Kombinat duan ta prishin. Kërkojmë që leja e ndertimit të anullohet.” – shprehet një prej qytetarëve të pranishëm
Armosfera e ngrohtë dhe e zhurmshme nga zërat e fëmijëve bëri që shumë banorë të zbrisnin nga pallatet përreth dhe t’i bashkoheshin protestës. Me pankarta në duar, fëmijët e zellshëm të asaj rrugice në të cilën luanin çdo pasdite teksa gjyshërit e tyre kujdeseshin për ta, energjinë e tyre atë pasdite e harxhuan nga thirrjet “Po unë ku do të luaj?”, “Po gjyshërit tanë ku do pushojnë?”
Fëmijët e Kombinatit në protestë
“Përgëzoj banorët që janë mbledhur sot dhe i bëj me dijë qeverisë që ka ikur koha kur këtu vihej vetëm për fushata. Edhe ajrin që kemi pa pagesë duan të na e vjedhin, ndërkohë që as nuk kanë marrë mundimin të vijnë e të flasin me ne.” – shprehet një tjetër banore.
Mirela Ruko, anëtare e këshillit bashkiak të Tiranës nga Lëvizja Bashkë tha se detyra e bashkisë Tiranë është t’i shërbejë interesit të qytetarëve por ata po e përdorin detyrën që kanë për t’u vetëpasuruar. duke përmendur edhe emrat e personave të përfshirë në këtë projekt.
“Pse është më e lehtë të jepen leje ndërtimi për pallate dhe kulla sesa të përmirësohet apo të shtrohet një rrugë në lagje?”- ngre pyetjen ajo.
Pjesë e protestës ishte edhe Arlind Qori, kryetar i Lëvizes Bashkë i cili në fjalën e mbajtur para qytetarëve të Kombinatit akuzoi qeverinë se e ka kthyer vendin në një shesh të përhershëm ndërtimi, i cili i përgjigjet vetëm nevojave të organizatave kriminale.
“Kur nuk mund të blejnë dot një shtëpi punëtorët, klasa e mesme, profesionistët, atëherë kush ndërton dhe kush blen? Përgjigja është e thjeshtë, shumica e atyre që ndërtojnë dhe blejnë janë ose trafikantë ose njerëz të korruptuar të administratës publike. Sot po iu marrin parkun, nesër do ju marrin shtëpinë, sepse ata që na qeverisin mund të jetojnë vetëm me varfërimin tonë. Prandaj unë iu ftoj jo vetëm në emrin tuaj, por edhe në emrin e të gjithë fëmijëve të Tiranës që të rezistoni dhe ta mbroni këtë park.” – përfundoi ai.
Banorët e Kombinatit në protestë
Ndërveprimi i qytetarëve me njëri-tjetrin, përfshirja e të gjitha grupmoshave në protestë, fjalimet e mbajtura dhe kërkesat e tyre nxjerr në pah që ky komunitet në solidaritet mes tyre janë kundër çdo lloj investimi që do të kryhet në kurriz të tyrin, pa transparencë, pa konsultim dhe pa ndjekur rrugën ligjore. Në një kohë kur diskutimet për zhvillimim urban bien ndesh me nevojat dhe domosdoshmëritë e qytetarëve dhe konflikte të tilla sa vijnë e shtohen, bashkimi dhe rezistenca mbeten e vetmja shpresë për banorët.