
Kamza tkurr hapësirat publike për banorët dhe fryn sipërfaqet për administratën
Erisa Kryeziu | 18.04.2025 | nyje.al
Laura u vendos në qytetin e Kamzës 12 vite më parë, ndërsa kriza që pësoi Greqia, vendi ku jetonte prej vitesh me familjen e saj e detyroi të kthehej.
Sipas saj qyteti vitet e fundit ka marrë një zhvillim, parë kjo në aspektin e hovit të ndërtimeve. Mirëpo, ajo që dukshëm e mundon është pamundësia për të përshkuar hapësira publike për fëmijët e saj.
“Të vetmen gjë që nuk ka është se për fëmijët nuk ka kushte. Të kesh një rrugë, një park këtu nuk ka”, rrëfen Laura, ndërsa puna si estetiste e thonjve i mbush pjesën më të madhe të ditës.
Të vetmet hapësira për të luajtur fëmijët sipas saj mbeten sheshet poshtë pallatit, edhe këto duke i zvogëluar me ndërtimet së fundmi. Në vitin 2021 bashkia dha 165 leje ndërtimit, prej tyre 12 pallate. Ndërsa në vitin 2022, deri më maj 2023 miratoi 111 leje ndërtimi, 6 prej të cilave pallate.
“Maksimumi do dalësh poshtë pallatit. Edhe aty nuk ka shumë hapësirë, po dalin aty në fund pallatit dhe lozin. Apo të kenë një fushë, apo një vend tjetër, jo nuk kanë”, vijon Laura.
Kamza është bashkia me sipërfaqen më të vogël dhe me densitetin më të madh në Shqipëri, duke e shndërruar në bashkinë më urbane. Në 20 vitet e fundit Kamza ka përjetuar një rritje të popullsisë në masa të jashtëzakonshme, ku në një sipërfaqe prej 37.18 km2 jetojnë -sipas të dhënave të bashkisë- rreth 160 mijë banorë, numër që çdo ditë vjen në rritje.
Mosha mesatare e popullsisë së qytetit të Kamzës është 27 vjeç, gjë që dikton edhe më shumë nevojën për hapësira publike dhe rekreative.
Mirëpo, e vetmja hapësirë publike sportive në qytet mbetet stadiumi, i cili në një konsultim publik për projekt-buxhetin e vitit 2025, të mbajtur më 31 tetor 2024 në hapësirën e tij dëshmoi se do të zëvendësohej nga një godinë tre katëshe me një sipërfaqje prej 2000 m2 që do të jetë godina e re e bashkisë Kamëz.
“Bashkia Kamëz ka një popullsi rreth 160,000 banorë të cilët nuk kanë një pikë ku te referohen si qendra e qytetit, ndaj është përzgjedhur pikërisht ky lokacion”, iu përgjigj bashkia Kamëz interesit se pse një godinë të re në një hapësirë të tillë.
Përveç një strehe mbi kokë, mundësitë për parqe, hapësira rekreative apo publike mbeten të pakta, dhe shpesh, të paarritshme nga të gjithë.
Për Dovlet Xhangolin, një i ri me aftësi të kufizuar në lëvizje, nevoja për të aksesuar hapësira publike bëhet jetësore, po aq sa e pamundur.
“Hapësirat publike janë pothuajse inekzistente duke përjashtuar veç dy prej tyre siç janë, pedonalja e Bathores dhe liqeni i Paskuqanit që për një qytet si Kamza nuk janë aspak të mjaftueshme. Të përmendim pjesën se sa i plotësojnë këto dy vende të vetme publike kushtet e aksesueshmërisë apo ofrimin e shërbimeve kryesore janë tejet minimale”, argumenton Xhangoli.
Për urbanistin Imeldi Sokoli, Kamza në aspektin e zhvillimit urban është vetë historia e tranzicionit shqiptar të zhvillimit të territorit.
“Kamza u karakterizua nga rritja e shpejtë e urbanizimit si një ndër zonat më të mëdha informale në Shqiperi e si e tillë këto zona informale si karakteristike të tyre kanë hapësirat e pakta publike dhe hapësirat e pakta të dedikuara për akses.”
Sipas Sokolit, Bashkia Kamëz rrethohet nga dy lumenj dhe liqenin e Paskuqanit dhe këto hapësira mund të perdoren si potencial për hapësira publike në territor.
“Këto hapësira duhet të zhvillohen si zona të gjelbra dhe rekreative dhe të ndërthuren me hapësirat urbane në brendësi në mënyrë që të shërbejnë si katalizator të përmirësimit të jetës publike të qytetit”.
Për të tjerë banorë, qyteti ka nevojë emergjente për të tjera shërbime, se sa një godinë të re bashkiake.
“Në Kamëz emergjenca është spitali. Një spital më i madh, s’ke pse shkon të Nënë Tereza se përplasen të gjithë te Nënë Tereza, të shkosh te urgjenca vë duart në kokë”, na rrëfejnë Bajrami dhe miku i tij që i takojmë në Laknas.
Përpos rëndësisë që mund të ketë një godinë e re bashkiake për prezantimin e qytetit, banorët pohojnë se tanimë çdo gjë po shkon drejt digjitalizimit. Kësisoj, aksesi në shërbime fizike nuk është e qenësishme.
“Ç´punë ka inspektori më të vijë. I ke në sistem të gjitha edhe shifi”, thotë më tej Bajrami.
Për urbanistët, ndërtimi në hapësirat e vetme publike në një qytet si Kamza që vuan për të tilla mbetet një teknikë e vjetëruar dhe e gabuar për t’i zënë këto territore dhe për më tepër për t’i zhvilluar me institucione publike.
“Shumë kollaj mund të kishin zhvilluar në të njëjtin truall duke rritur numrin e kateve dhe hapësirat e dedikuara për hapësira publike duhet të kishin mbetur publike si hapësira jetësore për të ndikuar në cilësinë e jetës së komunitetit”, u shpreh për Nyjen urbanisti Imeldi Sokoli.
Për Luan Dervishin, ekspert i politikave vendore, qytetet që kanë marrë një hov zhvillimi pas viteve `90 nuk kanë trashëguar godina administrative. Kësisoj nevoja për godina identifikuese mbetet, mirëpo duhet kryer gjithmonë në konsensus me qytetarët.
“Gjetja e mënyrës për këto godinat administrative, që të prishet një stadium se do bëhet një godinë administrative është pak (e rëndë). Ka gjithmonë zgjidhje, në fund të fundit edhe mund të bëhet një godinë shumëkatëshe hapësira nga bashkia për me dash me pas zyrat e veta”, u shpreh Dervishi.
Projekti i bashkisë së re tanimë është në fazë tenderimi, proces ky i cili u nis një herë në prill të 2024 dhe u anulua. Godina e re pritet të kushtojë rreth 450 000 000 lekë me TVSH sipas përgjigjes zyrtare së institucionit, ndërsa do të financohet nga buxheti i bashkisë.
Qyteti si një “dormitorium”, administrata në kërkim të rehatisë
Përbri pallateve të reja në Valias të ndërtuara nga rindërtimi, qëndron godina administrative e ndërtuar po me fondet e rindërtimit, me një vlerë prej rreth 162 427 441 (lekë pa TVSH). Një godinë dykatëshe, e ndërthurur me struktura xhami, e cila gjarpëron në formë gjysmëhëne, duke mbështjellë sheshin e gurtë, që të vetmit vizitorë ka sytë kureshtarë të gazetarëve të Nyjes.

Kjo godinë strehon tetë drejtori, sikurse atë të arsimit, rinisë dhe sportit; rindërtimit dhe legalizimeve; Licensave dhe Transportit; Taksave dhe tarifave vendore; Kadastrës, bordit të kullimit, pyjeve dhe kullotave; Inspektoriatit të mbrojtjes së territorit; atë të integrimit të BE-së dhe projekteve të huaja si dhe të medias.
Hapësirat e bollshme që të ofron kjo godinë në 2183.4 m2, duket sikur minimizojnë praninë e punonjësve, gjë që reflektohet në qetësinë zukatëse që të serviret ndërsa hyn brenda.

Shëtitja mes korridoreve të zbrazta merr fund ndërsa troket në zyrën e medias, e në orvatjen për më shumë informacion për godinat e administratës publike të Kamzës, përgjigja që merr është tipike, e njëjtë, aspak surprizuese, duke zhbërë frymimin e gjithë ecejakjeve brenda dhe jashtë godinës, si nje entitet i pavarur : “Ju lutem, na dërgoni një kërkesë për informacion dhe do t’i përgjigjemi çdo pyetjeje qe keni”.

Valiasi, në Bashkinë e Kamzës ishte një nga zonat që u përcaktua për rindërtim pas tërmetit të vitit 2019, me vendim të qeverisë së datës 10 qershor 2020. Mirëpo, përpos atyre që u dëmtuan nga tërmeti, u prekën edhe banorët që jetonin brenda zonës ku u zhvillua projekti.
Godinat e reja të rindërtimit, përkundër ngjyrave të ngrohta me të cilat janë pikturuar, duken pa lëvizje dhe e ndihmuar edhe nga sheshi i madh i zyrave të bashkisë të ndërtuara rishtazi, të japin përshtypjen e një qyteti të ngrirë.
Mirëpo, realiteti nuk është sikurse të dikton fasada e rindërtimit në këtë zonë. Për Luljetën*, një zonjë në të 70-at, ndryshe nga bashkia, rindërtimi i pakësoi hapësirën e shtëpisë së saj.
“Kisha katër kurora, më dhanë vetëm një. E mora si e mora, por akoma nuk kam marrë letrat. Katër kurora ne, atë hyrjen na dhanë 3+1 edhe rrobat u prishën përjashta se…unë i kam fëmijët e martuar, i kam të ndarë që në 1994, kanë aplikuar të tre, kanë marrë bonus të tre, kur erdhi puna më dhanë një hyrje”, rrëfeu ajo, ndërsa qëndronte në pritje të autobusit në anë të sheshit të zyrave të bashkisë.
Përpos banorëve ekzistues, rindërtimi ka sjellë në këtë zonë edhe familje të reja, të zhvendosura këtu po për shkak të tërmetit të vitit 2019. Mirëpo, sipas banorëve, godinat e reja dhe familjet e reja kanë ndikuar në komunitet, duke zhbërë marrëdhënien e ngushtë që ekzistonte më herët.
“Kanë ardhur shumë njerëz nga vende të ndryshme dhe ne nuk na kanë vënë siç kemi qenë banorët e vjetër. Jemi një këtu, një atje matanë në fund. Nuk njihemi. Kur vdes një njeri, me telefon bashkohemi dhe shkojmë se kështu nuk e shohim njëra-tjetrën. Nuk është më e gjallë që të dalim të rrimë të gjitha shoqet, fëmijët”, ndan mes të tjerash Luljeta, ndërsa nxitoi të kapte autobusin që ndaloi pak metra larg saj.
Ku banon administrata?
Pak minuta më tutje, në Frutikulturë, ose siç njihet ndryshe “Lagjia Administrative nr.2” ndodhet një godinë tre katëshe, në ngjyrë të verdhë të ëmbël, e cila nuk të lë të mendosh stilin e saj, pasi në krye të saj, dy luanë shoqërojnë tog-fjalëshin “Art-Baroque”.

E ndërtuar në vitin 2017, informacion ky i diktuar nga një tjetër pllakë e punuar me ornamente që bien në sy prej së largu. Ky stil i ndërtesës bie në kontrast më katin e parë të saj, ku në të majtë rroba të ndryshme të varura bëjnë karshillëk në pritje për t’u blerë, e në të djathtë ndodhet seksioni i rekrutimit për forcat e armatosura.
Në katin e dytë, disa karrige pritëse për qytetarët janë kontakti i parë vizual, ndërsa tutje, pas disa dyersh të mbyllura shfaqet zyra e informacionit, e cila na përcjell te zyra e përgjegjëses.
“Ne kemi ardhur në gusht të vitit 2020 që është hapur. Ka qenë e papërdorshme më parpara, nuk ka pasur asnjë funksion tjetër. Në 2021-in filluan që të vinin drejtoritë e tjera. Ne si drejtori jemi 8 punonjës, nuk jemi shumë, por kemi të gjitha hallkat kryesore që na duhen”, rrëfen Majlinda Shehaj, përgjegjëse e Lagjes Admistrative nr.2.
Sipas Shehajt, zyrat janë mjaftueshëm, për aq kohë sa janë mbështetëse të punës në terren.
“Jemi drejtori mbështetëse të terrenit, patjetër që funksionojmë edhe me pjesën e zyrave. Kemi ndihmën ekonomike dhe PAK që janë dy drejtori brenda nesh dhe një punonjës i shërbimeve publike që gjithashtu funksionon dhe operon brenda nesh”, bën të qartë Majlinda Shehaj.
Sipas përgjigjes ndaj kërkesës për informacion drejtuar bashkisë Kamëz, kjo godinë ka një sipërfaqe prej 302,3 m2, e ndarë në 104.6 m2 në katin e parë dhe 197.7 m2 në katin e dytë. Në ndryshim nga godina që ndodhet në qendër të qytetit dhe ajo e Valiasit, që janë pronë e bashkisë Kamëz, për këtë godinë bashkia Kamëz paguan një qira prej 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë në muaj.
Karburanti në buzë të rrugës në Laknas, fsheh tinazi një tjetër godinë të qeverisjes vendore në Kamëz.

Bajram Burreli bashkë me shokun e tij, ngrihen buzagaz nga tavolina e vendosur përbri karburantit, ndërsa kthehen në një minierë informacioni për Laknasin dhe gjithë historikun e Kamzës.
“Ti ke takuar dy më kryesorët, që edhe me i kërku nuk kishe me i gjet të dy bashkë”, thotë ai me shpoti.
Ndërtesa pas karburnatit, një ndërtesë e re dykatëshe, shërben edhe si strehim për administratën e bashkisë Kamëz, të Lagjes Administrative nr.1 që ofron shërbime për banorët e zonës.
“Po, 50% me 50% i kemi. Gjysmë për gjysmë. Jemi në luftë të dy, kush t’i marrë njëri-tjetrit”, thotë Bajrami, duke mos e ndarë shakanë nga biseda.
Sipas bashkisë Kamëz administrata në këtë Lagjje, zë një hapësire prej 100 m2, ndërsa kostoja që i paguajnë Bajramit shkon në 50.000 lekë në muaj.
Shkallët e hekurit të çojnë në katin e dytë, mirëpo kërkesës për të pasur informacion për godinën e mënyrën si funksionojnë shërbimet në këtë Lagjie Administrative, fillimisht i përgjigjet një punonjëse e zyrës së parë, më pas delegohet te drejtuesi i Lagjies, e në përfundim mbyllet nga përgjigja përtej telefonit nga zyrat qendrore për të mos dhënë asnjë informacion.

Bashkia Kamëz frekuenton dy ambiente që janë pronë publike e saj, përkatësisht një në Kamëz dhe tjetrën në Valias. Zyrat qendrore ndodhen në bulevardin “Nënë Tereza”, në një godinë të qelqtë në të blujtë, e cila ruan ende gjurmët e logove partiake me të cilat është qeverisur qyteti. Ajo godinë ka një sipërfaqe prej 470 m2. Ndërsa 5 hapësira të tjera i banon me qira, sikurse atë në Lagjen Administrative nr.1, në Lagjen Administrative nr.2, ambienti në funksion të Ndërmarrjes së Gjelbërimit, Parqeve dhe Rekreacionit dhe të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Bathore; në Paskuqan kundrejt shpërblimit për ambiente pune për vendosjen e stacionit të zjarrfikësve; si dhe Lagjia Administrative në Bathore. Të pesta këto hapësira zënë një hapësire prej 1 152,88 m2. Ndërsa po për këto hapësira bashkia paguan 485,000 lekë në muaj. Në total bashkia Kamëz numëron 428 punonjës.
Ky material është përgatitur në kuadër të nismës së redaksisë sonë me titull “Raporte nga Kamza”, brenda projektit “Strengthening Media Freedom, Professionalism and Journalists’ Safety in Albania” që zbatohet nga BIRN Albania në partneritet me SCiDEV dhe Qendra Faktoje, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e autores. Përmbajtja e tij nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.