Ka vetëm autoritarizëm dhe pluralizëm politik, përveçse ka kapitalizëm

Pavjo Gjini | 08.05.2025 | nyje.al

Në vitet ’80, disa studiues filluan ta emërtojnë fazën e kapitalizmit që po merrte hov në Perëndim falë politikave neoliberale si “kapitalizëm i çorganizuar”. Ky lloj i kapitalizmit shoqërohej me: zhbërjen e marrëveshjeve ndërkombëtare për stabilizimin e flukseve financiare dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja për tregtinë e lirë dhe heqjen e barrierave tarifore, çmontimin e rolit të shtetit në kontrollin e kapitaleve dhe orientimin e tyre, çmontimin e të drejtave dhe organizimit të punëtorëve në vendin e punës, dhe çmontimin e një sërë mekanizmash për mbrojtje sociale. Dëshira mbizotëruese ishte ajo për liri individuale sipërmarrëse pa shtrëngesa dhe orientime shtetërore, liri kjo deri në çorganizim. 

Në Shqipërinë e viteve ’90 kjo dëshirë ishte edhe më e theksuar sesa në Perëndim për shkak të dhunës pakufi të diktaturës. PD-ja erdhi asokohe në pushtet edhe falë kësaj dëshire, mirëpo dëshirat dalin edhe si zhgjëndërr kur realizohen. Liria e pakufi e sipërmarrjes – një dëshirë e mbarështuar me kujdes nga direktivat e FMN-së dhe Bankës Botërore me disiplinimin ekstrem të financave publike për të mbajtur nën kontroll inflacionin, direktiva këto të aplikuara me përulësi nga të gjitha qeveritë shqiptare – arriti kulmin me idenë e kapitalizmit si një sistem aq magjik sa arrin të prodhojë lek nga leku pa kontributin e punës, d.m.th. skemat piramidale. Përmasa magjike e kapitalizmit ishte pohuar në fakt që prej Adam Smithit, me idenë se tregu funksionon si një dorë e padukshme, dhe sipas neoliberalëve të viteve ‘80, sa më shumë ta çrregullojmë atë aq më shumë do të vetërregullohet ai, ngjashëm siç flet Agron Shehaj në këtë fushatë.

PS-ja erdhi në pushtet në 1997 duke e reduktuar shpjegimin e dhunës dhe kaosit të shkaktuar nga liria kapitaliste e pakufi në argumentin se ato ishin veçse probleme të ish-Presidentit Berisha të lidhura me prejardhjen e tij nga zona të pandehura me kulturë dhune të shfrenuar. Nga ana tjetër, te PS-ja njerëzit shihnin një traditë më të gjatë të garantimit të rendit, qoftë ky në kurriz të lirisë. Mes rendit dhe lirisë në kushtet e 1997, trashëgimia e të parës shihej më e domosdoshme. Mirëpo, rendi i ardhur nga qeverisja e PS-së ishte rinisje e rendit të politikave të FMN-së dhe BB-së: tkurrje shpenzimesh publike, liberalizim dhe hapje tregjesh, privatizime të sektorëve strategjikë, etj. E parë retroaktivisht, edhe përçarjet e brendshme në PS përgjatë periudhës 1997-2005, të njohura si përplasjet mes reformatorëve dhe konservatorëve, ishin të ngecura në fundin e viteve ’80 dhe në të njëjtën dilemë që tentonte të mirëmbante Ramiz Alia pa arritur ta zgjidhte: si duhej të pozicionohej një parti e rendit dhe e socializmit në kushtet e kapitalizmit të çorganizuar? Berisha ka ardhur në pushtet në 2005 edhe falë faktit se PS-ja nuk ka arritur t’i japë dot përgjigje asaj dileme, paçka se, si për ironi, kjo e fundit ishte në pushtet.

Siç e ka argumentuar Blendi Kajsiu, ligjërimi anti-korrupsion i konsoliduar pikërisht në këtë periudhë 1997-2005, ilustruar me idenë e Nanos për “Katarsis” në radhët e qeverisë së tij dhe me sloganin e PD-së “Me duar të Pastra”, u ngrit si argument i fortë për të çmontuar dhe privatizuar më tutje sektorët e mëdhenj të energjetikës, telekomunikacionit, hidrokarbureve, e me radhë. Liberalizimi dhe hapja e tregjeve të reja në periudhën 2005-2009, ashtu si vazhdimi i privatizimeve të mëdha të filluara tashmë nga qeveria Nano, përfaqësonin në fakt vazhdimin e të njëjtës linjë të viteve ’90, me përgjigjen: mesa duket efektet anësore të lirisë pakufi në sipërmarrje zgjidhen edhe me më shumë hapësirë për lirinë sipërmarrëse. Pasojat dihen: privatizimi i dështuar i shpërndarjes së energjisë te çez, privatizimi likuidues i Armos dhe Albpetrolit, privatizimi i plotë i telefonisë dhe oligopoli aktual me çmime të kripura, shpërthimi i pa kontrolluar i universiteteve private, koncesionet në ndërtimin e HEC-eve që grabisin ujin e fshatarëve, e kështu me radhë. 

Kjo liri e pakufi e dekadës së viteve 2000, ndryshe nga ajo e viteve ‘90 e cila e kaploi me eufori të gjithë shoqërinë, tashmë ishte më e strukturuar dhe filloi të jepte efektin e saj strukturor: pabarazitë ekonomike. Ndërkohë rritja e madhe ekonomike e Shqipërisë deri në 2009 do të ngadalësohej si pasojë e krizës financiare globale, ngadalësim i cili vazhdon deri në ditët e sotme. 

Rama erdhi në pushtet në 2013 falë një sërë shënjuesish që adresonin pikërisht këtë pabarazi: taksim progresiv, shëndetësi falas, mbrojtje e mjedisit, kontroll në tregjet spekuluese, etj. Mirëpo, në pushtet ishte po aq impotent për të ndryshuar raportet ekonomike të forcave sa qeveria Nano. Pabarazitë u theksuan edhe më shumë, kapitali u përqendrua edhe më shumë, shpenzimet publike u ulën edhe më shumë, privatizimet dhe koncesionet vazhduan edhe më shumë, dhe sigurisht shteti u dobësua edhe më shumë. Aq sa një shënjues i ri tashmë është futur në ligjërim, “Oligarkia”. Pavarësisht se ka mosmarrëveshje mbi përkufizimin e tij, gjithsesi qarkullimi i gjerë i këtij termi tregon për domosdoshmërinë e një koncepti të ri për të shpjeguar një realitet i cili nuk arrihet të shpjegohet më me termat e korrupsionit, privatizimit, shtetit të fryrë, e të ngjashmit e tyre. Tregjet e hapura pa rregullimet e mjaftueshme ligjore gjatë qeverisë Berisha, u stabilizuan me rregullime ligjore më të gjera gjatë qeverisë Rama. Ramës i ngeli të rregullonte tregjet e hapura nga Berisha. E thënë ndryshe, Berisha ka qenë gjithmonë ai që ka hapur rrugët të cilat i ka përfunduar Nano më herët, dhe Rama më vonë. Berisha ka qenë gjithnjë një hap para tyre.

Vitet e fundit, ligjërimi mbizotërues opozitar argumenton se Edi Rama është një figurë autoritare e cila kontrollon gjithçka. Nga studiuesit e shkencave politike Shqipëria përkufizohet si një regjim hibrid dhe me elemente të shtetit të kapur, pra me elemente të demokracisë, por edhe të autoritarizmit. Mirëpo, sipas këtij ligjërimi opozitar të krijohet përshtypja se ekzistojmë jo në kapitalizëm, as në komunizëm, por në Ramizëm. Ta vendosësh mbiemrin Rama si çadrën që lë në hije çdo koke shqiptare dhe ta ngresh këtë mbiemër në nivelin që të shënjoje një ideologji autoritare është ta nderosh atë më shumë se ç’i takon. Kryeministri aktual nuk përfaqëson ndonjë ideologji të mëvetësishme, siç për shembull do të mund të argumentohej për Enver Hoxhën. Hoxhizmi përfaqësonte atë ideologji e cila ndiqte stalinizmin me idenë e ndërtimit të socializmit me forcat vetanake edhe në vendet e vogla si Shqipëria, edhe pas dështimit të stalinizmit në Bashkimin Sovjetik. 

Kryeministri aktual më shumë ndjek linjën ideologjike neoliberale të ilustruar me shprehjen “biznes si zakonisht”. Kjo ideologji konkretisht në Shqipëri nënkupton përforcim të sektorit të turizmit dhe atij të ndërtimit, privatizim të mëtutjeshëm të burimeve natyrore (tokë, ujë, minerale), të shërbimeve publike (shëndetësi, arsim) dhe të infrastrukturës. Këto politika realizohen duke mirëmbajtur një fuqie punëtore të pakualifikuar dhe të paorganizuar e cila tashmë po zëvendësohet nga një klasë punëtore e importuar e cila ka edhe më pak të drejta sesa punëtorët shqiptarë tashmë pa të drejta të garantuara në punë. Kryeministri Rama e gjeti veten në mesin e këtyre koordinatave më shumë sesa i solli ato. Ai jo vetëm që nuk i ka trazuar këto koordinata, por përkundrazi i ka stabilizuar dhe përforcuar edhe më shumë ato. Të qenit hisedar, siç janë njerëzit përreth tij me investimet strategjike për shembull, i këtyre koordinatave makroekonomike nuk i trazon ato, por më së shumti reflekton një përfitim parazitar prej tyre. 

Me çindustrializimin e vendit sektori i ndërtimit ka qenë ndër të vetmit që kanalizonte investimin e fitimeve që rifilluan të akumulohen pas krizës së piramidave. Po ashtu, edhe sektori i turizmit ka qenë propozuar vazhdimisht që në fillim të viteve 2000 nga institucionet ndërkombëtare financiare si sektori në të cilin do të duhej të fokusohej strategjikisht ekonomia shqiptare. Në kushtet kur nga vendet fqinje pritej të përfitonin diçka nga baza e ruajtur industriale jugosllave me investime në prodhimin e mallrave gjysmë-të-përfunduara, nga Shqipëria pritej të përfitonte nga të mirat e saja natyrale në mungesë të bazës industriale. Baza industriale e vendit u shkatërrua thuajse plotësisht nga politikat neoliberale të viteve ’90. Ndërtimi i një baze industriale dhe investimet në arsimin e lartë dhe atë profesional nuk u ngritën asnjëherë si domosdoshmëri nga Kryeministri Rama. 

Efekti kryesor i çindustrializimit të vendit dhe mungesës së mbështetjes për kualifikimin e forcës punëtore, arsimin dhe bujqësinë shkaktoi emigrim masiv dhe rritje të kriminalitetit, të dyja këto si mundësitë më të mëdha për mobilitet social. Trafikimet e qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotive kanë bashkëekzistuar, mirëpo paralelisht, me përpjekjet autoritare për të pasur kontrollin politik të sektorëve kyç politik, gjyqësor, mediatik, ekonomik dhe shtetëror. Berisha ka patur elemente autoritare në vitet ’90, por ç’është ai autoritarizëm i cili nuk ka kontroll më së pari mbi territorin dhe grupet kriminale. Me efektet e krizës financiare globale të 2008 dhe masat shtrënguese të implementuara me rekomandimet ndërkombëtare për kontrollin e borxhit publik, Edi Rama shkoi një hap më tutje se Berisha në vitet ’90 duke ua lënë të lirë territorin grupeve kriminale për kultivimin e kanabisit si të vetmen mënyrë që kishte falë impotencës së politikave të tij ekonomike për të shpëtuar fuqinë konsumatorë, sidomos në fshat dhe për të mbajtur eventualisht në këmbë sektorin e ndërtimit. Mirëpo, sa autoritar është një kryeministër i cili dorëzohet para grupeve kriminale duke thënë “hëngshin kokat e tyre”. 

Problemi kryesor me ligjërimin i cili pretendon se Rama kontrollon gjithçka në vend është se është vetëdorëzues. Së pari, nëse kryeministri kontrollon gjithçka, mposhtja e tij është e pamundur. Vetë PD-ja e pranon diçka të ngjashme kur i trajton disa nga ish-figurat e saj kryesore (Basha, Shehaj, nga më të fundit, pa llogaritur firimet gjatë dy mandateve të para) si të blera nga Rama. Kur tenton t’i bindësh edhe shqiptarët se kryeministri kontrollon gjithçka, sigurisht që do të të krijohet paranoja se atë e ke të futur fshehurazi edhe në shtratin martesor edhe nën çatinë e shtëpisë politike. Ta bindësh veten se Rama të ka penetruar deri në këtë pikë sa të merr edhe kryetarin edhe figura të reja premtuese është një formë disfate e vetëshkaktuar. Paranoja që shkakton ajo t’i prish të gjitha dinamikat brenda organizimit tënd politik dhe të shtyn t’i akuzosh qytetarët skeptik më shumë sesa t’i ftosh të aderojnë në partinë tënde.

Autoritarizmi i Ramës mbështetet shpesh me argumentin e blerjes së figurave të caktuara të opozitës. Mirëpo, blerja është një formë e dobët e nënshtrimit, dhe shkon më shumë me logjikën liberale të transaksionit mes dy palëve të barabarta dhe të lira sesa me logjikën e një autoritarizmi të dhunshëm. Nëse t’i ka blerë, kjo tregon se në ty mbruheshin subjekte të gatshme për t’u shitur. Një tjetër disfatë e vetëshkaktuar kjo. Ndërkohë, njerëzit nuk blihen më as si frymët e vdekura te Gogoli dhe as si në një rend skllavopronar. Blerja është një formë e dobët kontrolli, duke qenë se e presupozon palën që blihet si një palë të bazuar më shumë te vetëinteresi sesa te nënshtrimi dhe kësisoj të gatshme për të dalë nga kontratat transaksionale nëse do ta shihte interesin e vet në marrëdhënie të reja me palë të reja. Nga ana tjetër, nëse merret si e mirëqenë se autoritarizmi i mban peng me shantazhe figura nga radhët e tua apo të tjerë, atëherë pengu është për t’u çliruar dhe jo për t’u akuzuar se është subjekt i marrë peng.  

Një rrjedhim i argumentit të ndërtuar për autoritarizmin gjithëpërfshirës të Ramës në hapësirën publike, atë hapësirë ku zhvillohet beteja mes subjekteve politike për të marrë mbështetjen e qytetarëve, është ndarja e saj në tehun e thikës mes PS-së dhe bashkimit më të madh opozitar. Kështu medoemos çdo shqiptar duhet të jetë ose me njërin ose me tjetrin, pasi nëse nuk je me asnjërin je automatikisht me Ramën. Kjo ndarje frontesh e bën atmosferën më lehtësisht të shpjegueshme me termin e shkencave politike të “autoritarizmit konkurrues” sesa me atë të konfliktit mes autokracisë dhe pluralizmit politik, pavarësisht se prej 3 mandatesh njëra nga palët është në opozitë. Për më tepër, a nuk po frymëzohen idetë anti-autoritare ndaj gjendjes ekzistuese të vendit nga ide po ashtu autoritare si ato të huazuara nga e djathta radikale perëndimore, ide frymëzuese nga Trumpi tek AFD-ja gjermane? Blendi Kajsiu ka të drejtë kur vë re se Trumpi është më autoritar sesa Berisha. Kjo mjafton për të treguar se frymëzimi autoritar është më i madh sesa gjendja e një autoritarizmi të paplotë në radhët e PD-së. 

Vlen të thuhet po ashtu se nevoja për figura dhe ide autoritare, si përshembull tentativat për t’iu rikthyer ideve konservatore, reflekton pikërisht një nevojë gjithnjë e më të madhe për autoritete që marrin nën kontroll situatën dhe një ndjesi të përgjithshme parehatie ndaj një gjendje mbizotëruese neoliberale, gjendje kjo e cila kritikon çdo formë autoriteti, sidomos të autoritetet që duan të kontrollojnë orientimin e ekonomisë. Këtë çështje e djathta ende nuk e ka zgjidhur: a është autoritarizmi një ideal apo një armik? A po vuajmë nga mungesa e autoriteteve apo nga tepria e tyre? Për këto arsye ideja e autoritarizmit konkurrues nuk mjafton për të shpjeguar situatën politike në vend, për shkak se është i kufizuar në rolin e forcave kryesore politike, pa marrë në trajtesë dinamikat që zhvillohen më gjerësisht në shoqëri. 

Për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, duke llogaritur ata që janë larguar 12 vitet e fundit, të cilët nuk janë larguar as se ka kolapsuar sistemi socialist në 1990 apo ai kapitalist në 1997, jeta e tyre e përditshme nuk karakterizohet nga pengmarrja e saj prej autoritarizmit të Ramës.

Largimi i tyre vjen nga frenimi i ekonomisë shqiptare si pasojë e krizës financiare globale të 2008, mungesës së masave për të ballafaquar këtë frenim përpos masave shtrënguese, dhe nevojës së vendeve perëndimore për fuqi punëtore të kualifikuar dhe të pakualifikuar, por sidomos të paorganizuar. Nga perspektiva e shumicës së shqiptarëve situata në vend ndihet komplet e lëshuar, pa asnjë autoritet që ta mbledhë dhe orientojë atë. Nëse i pyet shumica do të të thonë se në Shqipëri “nuk ka shtet” se politika “nuk po na e vë veshin,” dhe jo se ajo është tepër e pranishme dhe gjithmonë duke na kërkuar llogari për rreshtimin tonë. Presioni për të votuar Partinë Socialiste është i lartë në kohë zgjedhjesh, por më së shumti i kufizuar te administrata shtetërore e cila është zgjeruar si një program i madh i ndihmës ekonomike në këmbim të mbështetjes politike zgjedhore. Mirëpo, në përditshmëri Partia është larg dhe indiferente, dhe në lokalitetet ku jetojnë njerëzit autoritetet kryesore janë figura kriminale ose biznesi, ku çdo lokalitet ka të tijin. Kjo tregon për një shumësi autoritetesh dhe bjerrjen lokale të një autoritarizmi monolit. 

Një autoritet i njëmendtë është ai i cili pretendon se u jep përgjigje pasigurive dhe problemeve shoqërore, dhe një autoritet bëhet autoritar kur nuk pranon adresime alternative të të njëjtave problemeve ose adresime të problemeve të pacekura. Në rastin e kryeministrit aktual, përpos pretendimit se ka realizuar një sistem drejtësie të pavarur, çfarë problemi tjetër ka adresuar ai?! Çfarë zgjidhjesh ka ofruar për ekonominë, shërbimet publike, arsimin, shëndetësinë, e të tjera? Nga perspektiva e tij nuk ka çfarë zgjidhjesh të ofrojë sepse nuk ekzistojnë probleme për t’u adresuar. 

Rama është më shumë mbiemri i kësaj impotence të zakonshme përballë një orientimi të fortë neoliberal që ndjek Shqipëria tash 35 vite, sesa ai i një autoritarizmi që kontrollon gjithçka. Sigurisht, kryeministri këtë orientim vazhdimisht e mbron duke thënë se kjo është provë e lirisë që karakterizon vendin, dhe se kapitalizmi kështu i ka avazet dhe zararet. Efektet anësore të këtij sistemi nuk janë adresuar kurrë prej tij, përveçse në fushatën e vitit 2013. Asnjëherë nuk është adresuar seriozisht ulja e informalitetit dhe garantimi i të drejtave në punë, rritja e investimeve të mëdha publike në kapacitete prodhuese, kualifikimi i fuqisë punëtore dhe rritja e financimit të arsimit, humbjet e shkaktuara nga largimi i fuqisë punëtore të kualifikuar, kërkesat adresuar vendeve si Gjermania dhe Italia për të kthyer diçka mbrapsht në Shqipëri nga përfitimi i punëtorëve të kualifikuar shqiptarë, e kështu me radhë. 

S’ka mëdyshje se Kryeministri ka kontroll të madh në një sërë nyjesh kyçe në qarkullimin e kapitalit në vend: sektorin e ndërtimit, investimet infrastrukturore, ligjet për investitorët strategjikë, PPP-të, mediat dhe pushtetin gjyqësor. Mirëpo, këto nyje nuk janë i gjithë kapitalizmi, dhe kryeministri është veçse përfitues parazitar i një drejtimi që ka marrë kapitalizmi në vendin tonë pa ndryshime kursi të shkaktuara prej tij. 

Ky model i çorganizuar dhe i pa orientuar mbarëvahet me forcë, ka një tepri kontrolli, por një tepri paradoksale, që sigurohet që të mos ketë asnjë lloj kontrolli. Kjo e sjell situatën në të njëjtat parametra të tash 35 viteve: ka vetëm autoritarizëm dhe pluralizëm politik, përveçse ka kapitalizëm. Dikush mund të thotë se kritika e mësipërme e relativizon qeverisjen aktuale dhe e shfajëson atë. Ndërkohë ky shkrim është një përpjekje për të argumentuar se kritika më e fortë që mund t’i drejtohet asaj është ajo e një qeverie të pafuqishme, impotente, që në fakt vazhdon të njëjtin avaz të 35 viteve të fundit. 

Në një shkrimth të mëhershëm më qe dhënë ideja se z. Rama mishëron kontradiktat përbrenda nomenklaturës komuniste në fundin e viteve ’80: 

Përgatitja e tij estetike vjen përbrenda radhëve, aty ku familja dhe nomenklatura bëhen bashkë dhe ku të dyja të rrinë shumë ngushtë për trupi. Ke marrë gjithçka prej tyre, bashkë me privilegjin e një hapësire të brishtë për të parë se gjithçka që ke marrë nuk është gjithçka në botë dhe prandaj je i pakënaqur dhe i pabindur. Dëshiron të kesh më shumë liri që të krijosh diçka për nga vetja jote që të mos ngelesh peng i formave të babait. Nuk dëshiron të flasësh për kushtet që duhen për të krijuar: shkolla, mungesa e përndjekjes, puna e garantuar, hapësirat e krijimit dhe një indiferencë e lehtë e babait për aq sa po ndjek në vija të trasha rrugën e tij. Madje do t’i shkërmoqësh kushtet e krijimit, je kundër institucioneve, se të kujtojnë format e babait dhe borxhin e përgatitjes tënde përbrenda tyre. Në botë duhet të ketë vetëm treg, pa institucione, sa për ta kapur atë avangardistë si ti. Me fjalë të tjera, je borgjezi i parë i vërtetë i regjimit: ke komplekse edipale, je i pakënaqur dhe do të krijosh diçka edhe pse nuk e di se çfarë. Liria jote duhet të jetë e plotë se je artist, askush nuk mund të të luajë rolin e babait e të të ngushtojë lirinë e krijimit, dhe sa më shumë liri të kesh ti në krijim aq më shumë liri ka populli që banon krijimet e tua. Ekonomia dhe politika janë gjithçka që kemi por ato duhen drejtuar dhe për t’i drejtuar duhet dikush që ka vizion, dhe vizionin mund ta kenë vetëm artistët, ata janë avangarda e shoqërisë. Si qytetar, vetë mund të jem vetëm zejtar ose fshatar, maksimumi rojtar i republikës, dhe ndihem peng i ekonomisë e politikës së saj, ndërsa artistët janë të vetmit që hyjnë në raport të çliruar me lirinë. Ramës, pjesa më e madhe e njerëzve i kanë besuar jo se përfaqëson klasa shoqërore, as nomenklaturën e vjetër dhe as të përjashtuarit e vjetër, por vetëm sepse është artist. Rama nuk na është dukur kurrë si vetja dhe mirë është kështu, sepse vetja nuk është çlirim. Ky është basti i socialistëve, një bast platonik: që shoqëria duhet të drejtohet, jo nga mbreti-filozof, por nga mbreti-artist.

Sigurisht që pritshmëritë e socialistëve, por jo vetëm, ndaj kryetarit të ri PS-së kanë qenë madhore, mirëpo artisti nuk e pati vizionin e ri që pritej dhe as nuk e riorientoi ekonominë dhe shoqërinë në një drejtim tjetër. E vetmja gjë që ka zgjidhur dhe riorientuar kryeministri aktual është dilema e Partisë së Punës në fundin e viteve ’80 një dilemë të cilën nuk mundi ta zgjidhte as Ramiz Alia, as Fatos Nano. 

Në fundin e viteve ’80, teksa vendi kishte hyrë në stanjacion ekonomik përgjatë të gjithë dekadës, dhe teksa blloku socialist po binte, Ramiz Alia përballej me një tension brenda Partisë së Punës, një tension mes të ashtuquajturve reformatorë dhe konservatorë. Të parët kërkonin një hapje si fillim kulturore dhe eventualisht ekonomike të vendit, ndërsa të dytit i shihnin hapje të tilla si tradhtare ndaj mësimeve të Enver Hoxhës dhe linjës së PP-së. Figura si Fatos Nano shiheshin sikur përfaqësonin të parët, ndërsa figura si Xhelil Gjoni (ish-sekretari i Parë i Tiranës dhe sekretar i KQ) të dytët. Alia u ankohej reformatorëve se reformat rrezikonin t’i bënin agresivë konservatorët, ndërsa konservatorëve u ankohej se presioni social do bëhej i papërmbajtshëm nëse nuk ndërmerreshin reforma. Deri në 1991, Alia është luhatur brenda kësaj dileme: denonconte krizën e ambasadave dhe bënte pastrime të partisë, hiqte emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës por nuk denonconte Vullnetarët e Enverit, bënte fushatë brenda një sistemi pluralist por frikësonte me idenë se po kthehen kulakët e mëdhenj në pushtet, e kështu me radhë. 

Dilema do të shtrohej më shkoqur përgjatë viteve ’90: si do t’ia dilte një parti e rendit (atij socialist) të orientohej në një sistem kapitalist i cili synonte të largonte çdolloj tentative për t’i vendosur rend ekonomisë? Kjo dilemë jo vetëm nuk u zgjidh dot për sa kohë PS-ja ishte në opozitë, por madje u theksua edhe më shumë kur ajo erdhi në pushtet. Pas 1997 u intensifikua edhe njëherë si një tension midis reformatorëve dhe konservatorëve, por tashmë PS-ja ishte aq e çoroditur në sistemin e ri kapitalist, edhe pse ishte në pushtet, sa edhe këtë dilemë nuk arrinte ta formulonte si të tillë. Kjo është e vetmja dilemë dhe problem që zgjidhi Rama me bërjen e tij kryetar të PS. E ktheu një parti me trashëgimi të dëshirave për rend dhe autoritarizëm në një parti neoliberale e cila stabilizon tregjet që i hap e djathta dhe lëshon kontrollin shoqëror, edhe pse tenton të mbajë kontrollin politik. 

Me fjalë të tjera, kryeministri aktual reflekton problemet e fundit të viteve ’80 në Shqipëri dhe kjo është kritika më e fortë që mund t’i adresohet atij. Në këto kushte, Shqipëria ka nevojë për një të majtë të re dhe radikale e cila e sheh PS-në dhe PD-në në tërësinë e 35 viteve të fundit si dy duar për një neoliberalizëm. Mirëpo, meqë bateritë e neoliberalizmit po bien, dhe meqë kundërshtia e një të majte të re dhe radikale do të shtrohet në tërësi ndaj të gjithë rendit politik dhe ekonomik, prirja e kësaj të majte me qenë përbuzëse jo vetëm ndaj partive politike dhe politikave neoliberale por edhe ndaj subjekteve njerëzore që rropaten në zgripin e këtij sistemi dhe përgjatë të gjithë vragës së ndarjes klasore del si problem më vete. Akuza se sistemi është i kalbur i bën edhe njerëzit që punojnë në të si klasë punëtore të ndihen të akuzuar si të kalbur po ashtu, a thua se aderimi në një të majtë radikale të re e ka për kusht që anëtari të ndihet keq dhe fajtor para se të bëhet anëtar?! Në kushtet e mungesës së një autoriteti të vetëm të jashtëm lehtësisht të idenfitikueshëm si përgjegjës për gjymtimin e potencialeve të tyre njerëzore, prirja e njerëzve për të fajësuar veten si përgjegjës mbetet kryesore dhe një gjuhë moralizuese e të majtës e riprodhon edhe më shumë këtë prirje vetëfajësuese te qytetarët. Njerëzit tashmë ndihen të vegjël, por kur dëgjojnë të majtën radikale të re e cila u flet nga një pozicion superior ndihen edhe më të vegjël, edhe më të paternalizuar.

Alternativa qeverisëse e re, radikale dhe e majtë ndaj neoliberalizmit ekzistues duhet të jetë po aq e rëndësishme sa përmasa e saj restauruese ndaj të shkuarës dhe po aq sa fuqia për ta rindërtuar retroaktivisht historinë nga një qasje e tillë restauruese. Vetëreferencialiteti i së majtës radikale ndërhyn këtu si tregues i pamundësisë për t’iu hapur të tjerëve dhe historive të tyre. Ky vetëreferencialitet i majtë i bën të tjerët të ndihen edhe më shumë fajtorë pse nuk janë mjaftueshëm të majtë tashmë. Përpos mosmarrëdhënies me të tjerët, vetëreferencialiteti e bën të majtën të fiksuar me vetveten dhe armikun, duke e lënë kështu të ngecur në frikën ekzistenciale se nga momenti në moment armiku mund ta asgjësojë. Ky fiksim me veten dhe armikun e lë të pagjuhë dhe të paveshë ndaj të tjerëve që nuk janë as miq as armiq.

Fiksimi me veten dhe armikun e lë të pazonjën për të krijuar një front të gjerë shoqërorë në linjat e bllokut historik që pretendonte Gramshi. Badiou thotë diku se “konflikti është qendror, por jo i rëndësishëm.” E thënë ndryshe, prej të majtës së re lipset të marrë përsipër të zgjidhi, dhe jo t’i përbuzi, jo vetëm problemet e krijuara nga armiku, por edhe problemet e vetë armikut. Këto probleme i mbijetojnë edhe vetë zhdukjes së armikut.

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

  1. Mira

    Shumë artikull interesant! Duhet rilexuar, për të theksuar idetë veçanërisht për të ardhmen. Ç’rrugë duhet ndjekur?

Lini një përgjigje