Italia dërgon grupin e dytë të emigrantëve, grupi i monitorimit gjen shkelje në qendrat pritëse në Shëngjin e Gjadër

Kristina Millona | 12.11.2024 | nyje.al

Anija ushtarake Libra vijoi me operacionin e dytë në kuadër të marrëveshjes Rama-Meloni ku një grup prej tetë emigrantësh, pesë me origjinë nga Bangladeshi dhe tre me origjinë nga Egjipti u transferuan mëngjesin e tetë nëntorit në Shëngjin. Prej grupit fillestar prej 200 personash “të shpëtuar” nga Libra në ujërat ndërkombëtare pranë Lampeduzës, vetëm tetë prej tyre u përzgjodhën si të përshtatshëm për transferim drejt Shqipërisë pas kontrollit fillestar mbi vulnerabilitetin.

Të rrethuar nga efektivë policie dhe stafi mjekësor, grupi i dytë i emigrantëve u transferua në orën 09:05 pranë qendrave pritëse në Shëngjin. Ky zbarkim u realizua nën një klimë politike të polarizuar në vendin fqinj ku qeveria italiane ka ngritur akuza ndaj gjyqësorit për “sabotim” të protokollit me Shqipërinë. Duket se dështimi në operacionin e parë ku Gjykata e Romës nuk e përligji mbylljen e emigrantëve në qendrat e paraburgimit në Gjadër, nuk e ka penguar qeverinë italiane të vijojë me një tjetër zbarkim. 

Emigrantët azilkërkues në Itali zbresin nga anija Libra, Nëntor 2024, Porti i Shëngjinit, Tanja Lander

Nuk ka vonuar dhe ardhja e një delegacioni italian nga radhët e shoqërisë civile dhe opozitës parlamentare për inspektimin e punës pranë qendrave italiane. Delegacioni i përbërë prej gati dhjetë personash përfshiu deputetë italianë, dhe përfaqësues nga Tavolo Asilo e Immigrazione, një koalicion i organizatave në Itali të angazhuar në fushën e mbrojtjes ndërkombëtare dhe politikave të emigracionit.

Ky delegacion realizoi disa vizita inspektuese në të dyja qendrat përgjatë fundjavës së kaluar.

“Kjo vizitë është një mundësi për të monitoruar dhe kontrolluar procedurat e aplikuara, gjithashtu dhe për të thyer izolimin e këtyre njerëzve këtu që janë sjellë shumë larg rrugës së tyre migratore. Me këtë rast ritheksojmë solidaritetin ndaj njerëzve që janë ngujuar këtu” theksoi Francesco Ferri, këshillues mbi emigracionin pranë organizatës “ActionAid Italy”. 

Rachele Scarpa, deputete e Partisë Demokratike u shpreh se termi “deportim” është i duhuri që duhet përdorur për këtë zbarkim.

“Nga intervistat e bëra me emigrantët herën e kaluar, ata na thanë se e kishin kuptuar që do të mbërrinin në Shqipëri vetëm pasi kishin hipur në anijen Libra, gjë që përbën një shkelje të të drejtave të tyre” u shpreh deputetja italiane. 

Scarpa ngriti kritika ndaj procesit të identifikimit dhe kontrollit paraprak që zhvillohet në anije nën vëzhgimin e IOM dhe UNHCR përpara transferimit të personave drejt Shqipërisë.

“Zbuluam se emigrantët nuk pyeten për historinë e tyre të emigracionit në anije, apo nëse ata kishin kaluar nga Libia, pastaj rezultoi se të gjithë kishin kaluar nëpër kampet e burgjeve në Libi” argumentoi deputetja italiane. 

Organizata të ndryshme për të drejtat e refugjatëve prej vitesh kanë ngritur shqetësimin dhe kanë kërkuar mbylljen e qendrave të burgjeve libiane për shkak të situatës alarmante  ku azilantët dhe refugjatët të ngujuar atje abuzohen, dhunohen, e keqtrajtohen sistematikisht në duart e autoriteteve libiane.   

Edhe në grupin e dytë të transferuar në Shqipëri, një person vulnerabël u identifikua pas përfundimit të ekzaminimeve në qendrat pritëse në Shëngjin. Sipas ekspertizës, emigranti në fjalë ka kombësi egjiptjane dhe vulnerabilitet të natyrës psikiatrike.

Sipas delegacionit, ishte mjaft e qartë që në fillim se ky emigrant kishte haluçinacione dhe për këtë arsye u vlerësua si i papërshtatshëm për qëndrim në Shqipëri, duke sjellë transferimin e tij në Itali.

“Pyesim veten se si ishte e mundur të mos e ketë vënë re dikush nga personeli gjatë kontrollit në anije” u shprehën avokatët duke ngritur pikëpyetje për mbarëvajtjen e kontrollit mjekësor paraprak në anijen Libra. 

Sa i përket aksesit në ndihmë ligjore, emigrantëve iu ofrohet informacioni ligjor dhe një listë avokatësh që mund të kontaktohen. Gjithsesi telefonat e tyre personalë konfiskohen nga autoritetet italiane. Për të komunikuar, emigrantët kanë mundësi të përdorin një telefon qendror që është brenda në qendra. Sipas gjetjeve nga misioni monitorues, nuk dihet sa efikas është telefoni apo se sa shpesh mund të kontaktojnë avokatin. Telefonat personalë kthehen vetëm nëse kërkohet nga emigrantët për të aksesuar numrat dhe kontaktet e familjarëve.

Duket se qasja në brendësinë e këtyre qendrave është vështirësuar.

“Kur hymë na pyetën nëse ishim gazetarë dhe ne iu përgjigjëm se nuk jemi, por është një pyetje që na e bënë si në hyrje, ashtu edhe gjatë inspektimit në Gjadër” u shpreh delegacioni në deklaratën për shtyp.

Gennaro Santoro, një prej avokatëve dhe pjesëtarëve të misionit inspektues u shpreh se hyrja e tij në qendrën pritëse në Shëngjin u refuzua, edhe pse ai kishte hyrë në vizitën e parë i shoqëruar nga eurodeputetët.

“Nuk e kuptoj pse hyrja ime po pengohet tani nga autoriteti portual në Shëngjin kur vetëm një orë më parë unë arrita të hyj bashkë me eurodeputetët e tjerë” u shpreh Santoro.

Një tjetër problematikë e ngritur nga grupi monitorues është mungesa e transparencës për procedurat që ndodhin në anije duke nisur nga selektimi për zbarkim deri në trajtimin e emigrantëve brenda anijes ushtarake, duke e lënë në hije atë që ndodh në det, një proces mjaft delikat i kësaj marrëveshjeje.

“Sa herë që vijmë këtu nuk mund të flasim me askënd nga personeli i policisë apo ai mjekësor që ka hipur në anije. Kështu që ne e kemi gjithmonë këtë të panjohur nga ajo që ndodh në det” u shpreh delegacioni. Në të dyja operacionet e zhvilluara deri tani, anija ushtarake “Libra” u largua brenda më pak se tre orësh prej zbarkimit në Shëngjin. 

Pengesa në raportimin e kësaj marrëveshje janë shtuar dhe për gazetarët dhe reporterët. Ndryshe nga hera e kaluar, ku plot gazetarë u ngjitën në kodrën pranë qendrave të Gjadrit për të arritur filmimin e hapësirës brenda kampeve, tashmë këto plane nuk mund të regjistrohen pasi në hyrje ndodhen dy policë shqiptar të cilët ndalojnë rreptësisht ngjitjen në këtë kodër.

“Kjo mbetet zonë ushtarake dhe nuk lejohet filmimi i saj as nga kjo distancë” u shpreh një prej efektivëve i mandatuar për patrullimin e perimetrit të jashtëm të kampeve. I pyetur për bazën ligjore për këtë kufizim, polici refuzoi të përgjigjej.

Një protokoll që godet biznesin e kontrabandimit të emigrantëve?!

Në një prej deklaratave të kryeministres italiane dhe kryeministrit shqiptar, ky protokoll është prezantuar si një model për të luftuar bandat kriminale të cilat drejtojnë kontrabandimin dhe trafikimin e emigrantëve nga Afrika e Veriut drejt Italisë, duke i ekspozuar emigrantët me mjete të rrezikshme për të lundruar në detin Mesdhe, që jo në pak raste ka rezultuar në fatalitete.

Vërtet kontrabandimi i emigrantëve është sofistikuar vitet e fundit, me qindra e mijëra njerëz të dëshpëruar që shfrytëzohen nga grupe të organizuara krimi në përpjekjet e tyre për t’u arratisur nga luftërat brutale ose regjime tiranike. Por një protokoll i tillë as nuk ndalon tregun klandestin të kontrabandimit, as nuk do të pengojë komunitete të dëshpëruara njerëzish për të cilët BE ka dështuar të ofrojë viza, korridore humanitare apo rrugë të tjera ligjore për të ardhur denjësisht në Europë.

Edhe pse kryeministria Meloni e lavdëron protokollin si modelin që do të ulë ndjeshëm prurjet e emigrantëve drejt Italisë pasi rrit kërcënimin se rruga e gjatë mund të përfundojë në mankthin e ngujimit në Gjadër, eksperiencat e emigrantëve duket se janë më komplekse. 

Në zbarkimin e parë të grupit prej 16 emigrantësh në Shëngjin, një prej tyre u rrëfye se kishte qenë i burgosur për pesë muaj në një dhomë nga mafia bengaleze në Libi, dhe më pas ishte ngarkuar forcërisht në një varkë pa pasur as mundësi zgjedhjeje nëse do të nisej drejt Italisë apo jo.

Emigrantët azilkërkues në Itali arrijnë në Portin e Shëngjinit, Tetor 2024, Ronald Qema

Teksa Rama dhe Meloni zotohen të godasin kontrabandimin e emigrantëve, duket se lihet në hije bashkëfajësia që shteti italian dhe ai shqiptar kanë në nxitjen e emigracionit në vendet e origjinës. Një investigim i fundit nga media britanike “The Guardian” nxorri në pah se Shqipëria ishte një nga 11 vendet që ka furnizuar me karburant Izraelin, pavarësisht vendimit të fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila thotë se operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza mund të konsiderohen gjenocid. 

Thyerja e embargos dhe transferimi i naftës nga shteti shqiptar drejt Izraelit e kthen Shqipërinë në bashkëfajtore në krime lufte dhe gjenocid. Janë këto krime lufte që nxisin popullatën palestineze në duart e kontrabandistëve që Rama dhe Meloni pretendojnë të luftojnë.

Leonardo, firma britaniko-italiane, ku Ministria italiane e Ekonomisë dhe Financave zotëron 30.2% të fitimit, prodhon armë, helikopterë, avionë ushtarakë të cilët janë eksportuar në vende të ndryshme si Izraeli, Afganistani, Libia, Iraku etj.

Luftërat kanë qenë shkaku kryesor i shpërnguljes së gati 120 milionë njerëzve në mbarë botën për më shumë se një dekadë. Burimet financiare nga BE duhen kanalizuar në përpjekje më të mëdha për të arritur paqen, jo në ndërtimin e burgjeve me lartësi 6 metra jashtë territorit të BE apo për anije ushtarake që terrorizojnë tetë emigrantë të dëshpëruar në aspiratat e tyre për një jetë më të mirë dhe të sigurtë.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje